< Dështimi i kolonizimit serb të Kosovë - Dossier - Kosova Sot
Dėshtimi i kolonizimit serb tė Kosovė

Dėshtimi i kolonizimit serb tė Kosovė

Askund në Jugosllavi nuk ka pasur pas lufte një terror aq të madh mbi masat,sikur që ka pasur në Kosovë

Dokumenti të cilin e botojmë ruhet në Arkivin e Jugosllavisë, në Fondin e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, me shifrën 1940/14-12, bashkë me "Tezat rreth çështjes nacionale", të përpiluar nga Mosha Pijade gjatë përgatitjeve për punën e Konferencës së pestë vendore të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Bëhet fjalë për një koncept pa titull kryesor, ku është shqyrtuar çështja nacionale në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Kosovë. Janë bërë korrigjime të vogla, me qëllim të kuptimit më të lehtë të shkrimi.

S hprehja historike-gjeografike 'Kosova' përfshin territorin e Fushës së Kosovës midis Prishtinës, Kaçanikut, Zveçanit dhe Drenicës. Në aspektin politik-etnik, shprehja "Kosovë" përfshin të gjitha territoret që u morën nga Serbia dhe Mali i zi në jug, respektivisht në perëndim dhe lindje gjatë viteve 1912-13 nëse përjashtojmë këtu territorin e Maqedonisë. Pra, këtu përfshijmë në parim edhe tërë ishSanxhakun e Novi Pazarit si dhe pjesën rreth Gjakovës dhe Pejës (Metohija). 1) Format e keqtrajtimit kombëtar. Deri në vitin 1924, këtu është toleruar formacioni partiak i myslimanëve (Xhemieti) nën udhëheqjen e elementeve feudale, meqë ai iu duhej radikalëve, jo vetëm në Parlament, por edhe në terren. Ishte kjo koha kur aparati shtetëror ishte aq i dobët, sa që ishte i detyruar të bënte pakte dhe të bashkëpunonte me shefa të ndryshëm, gjysmë-rebelë, të fiseve shqiptare (në origjinal: arnaute) dhe të pakicave (psh me zotëriun e Drenicës Azem Bejta, ku atëherë fjala e tij këtu kishte më shumë rëndësi sesa ajo e shtetit). Por, kur pushteti shtetëror u ndie mjaft i fortë, atëherë lëre më që ia rrënoi kullën Azem Bejtës me topa, por pamundësoi çdo përfaqësim parlamentar të turqve, sllavëve myslimanë dhe të shqiptarëve. 

Fushat e pëlleshme të Kosovës dhe Drenica kanë rënë në duart e kolonistëve b) Kosova u bë edhe krahina kryesore e kolonizimit të elementeve serbe. Ky kolonizim bëhet në formë të marrjes së tokës (kullosave, livadheve, maleve) të popullsisë vendore myslimane, kryesisht shqiptare. Fshatarëve të tashëm të varfër nuk iu jepet kurrfarë toke, kurse kolonizohen nga serbët (çetnikët, vojvodët e komitëve), malazezët, e bile edhe personat me prejardhje nga Vojvodina, Baranja dhe Istra. Fushat e pëlleshme të Kosovës dhe Drenica kanë rënë në duart e kolonistëve. Sidomos në fazën e parë të kolonizimit të Metohisë (në shqip Dukagjinit), regjimi kishte marrë tokat më të mira pjellore dhe ua kishte ndarë sidomos oficerëve malazias. c) Kosova më pas ishte bërë një krahinë tipike e kolonizuar. Sikur edhe Maqedonia, Kosova është hapësirë të cilën kapitali serb dhe ai i huaj e eksploatojnë në mënyra të ndryshme. Fshatarësia vendore, me përjashtim të bejlerëve dhe tregtarëve të pakët turq, si dhe të disa serbë, përbëhet nga zanatlinjtë, fshatarët dhe tregtarët e vegjël (në rastin më të mirë). Pra, as që mund të bëhet fjalë për ndonjë akumulim të rëndësishëm të kapitalit vendor. d) Sikur edhe Maqedonia, Kosova është një krahinë e cila është eksploatuar me anë të tatimeve. Ndarja e buxhetit nuk sjell në ato pjesë as për së afërmi aq sa ato japin në formë të tatimeve dhe detyrimeve të tjera. e) Fshatarësia e këtyre zonave, sikur edhe në Maqedoni, vuan edhe për shkak se shteti mban të gjitha malet, gjë që ia mundëson atij një presion të volitshëm mbi fshatarët. Mungesa e ujit në disa pjesë, lidhjet e këqija të rrugëve - të gjitha këto godasin masat e gjera të këtij vendi.

Raportet me feudalizmin e hershëm f) Sikur edhe në Maqedoni, edhe këtu ende është e hapur çështja e ish raporteve feudale. Këto marrëdhënie ende nuk janë zgjidhur, respektivisht ligjet e viteve 1931 dhe 1933 kërkojnë nga fshatarët e varfër dëmshpërblim për pronarët e tokave, bejlerët e bile edhe për shtetin. Pjesë të mëdha të tokës mbetën në pronësi të manastireve dhe vakëfeve, si dhe të shtetit, i ashtuquajturi fondi tokësor i kolonizimit. g) Një numër i madh i kolonëve gjenden në pozitë të vështirë. Edhe pse deri diku të ndihmuar me anë të bashkësive agrare nga shteti, shumë prej tyre nuk ia kanë dalë që ta mbajnë veten. Për arsye të ndryshme kanë dështuar edhe koloni të tëra, të reja. Në radhët e tjerave, ka filluar procesi normal i diferencimit. h) Dëshira e borgjezisë serbomadhe që ta "nacionalizojë" Kosovën ka çuar në njërën anë deri te tendencat që popullata shqiptare, mundësisht, të dëbohet përtej kufirit, derisa popullata turke myslimane që të detyrohet t'i shes pronat e veta me një çmim sa më të lirë dhe të shpërngulet në Turqi, e në anën tjetër, deri te tendencat që sa më shumë të rrënjoset aparati i keqtrajtimit në atë pjesë. Për këtë shkak, komunat janë dhënë dhe jepen në duart e agjentëve të haptë serbë, kurse pushteti i policisë dhe xhandarmërisë në fakt është i pakufizuar. Këta nëpunës tepër të korruptuar nuk hezitojnë që, sikur në Maqedoni, që nga fshatarët të marrin lira turke, sipas zakoneve të vjetra të atyre pjesëve. Me gjasë askund në Jugosllavi nuk ka pasur pas lufte një terror aq të madh mbi masat, sikur që ka pasur në Kosovë (djegia e fshatrave të tëra, dërgimi i reparteve të mëdha ushtarake në fshatra në qëndrim afatgjatë, në kurriz të fshatarëve, vrasja e figurave eminente). Pa marrë parasysh përparimin ekonomik dhe industrializimin, këto pjesë kaherë kanë pushuar së furnizuari kolonët, punëtorët. Nga Shkupi e deri në Beograd, e me gjasë edhe gjetiu, mund të hasni në punë- torë shqiptarë, njerëz që rregullisht bëjnë punët më të rënda fizike dhe që jetojnë në kushtet më të këqija jetësore. Proletarizimi është proces normal te fshatarësia e këtij vendi, sidomos te shqiptarët dhe myslimanët.

Pasojat e imperializmit serbomadh j) Kuptohet që imperializmi serbomadh ka për qëllim që te shqiptarët dhe myslimanët të ndikojë edhe në aspektin kulturor. Përpos shkollave fetare myslimane dhe disa shkollave kishtare për shqiptarët katolikë (në rrethinë të Prizrenit), këtu ka vetëm shkolla serbe. Popullsia e Kosovës nuk guxon as të mendojë për shkolla të veta, të mesme. Përqindja e shqiptarëve në shkolla të mesme është tepër e vogël, e edhe ata pak nxënës janë fëmijë të bejlerëve dhe tregtarëve. Përfundim - Sikur që kemi parë, nën pushtetin serb, pjesa më e madhe e popullsisë së Kosovës është gjetur në një robëri të vërtetë koloniale. a) Rezistenca kundër keqtrajtimit nacional. Derisa turqit janë tejet të parëndësishëm për nga numri që të mund të reagojnë ndaj metodave serbe të keqtrajtimit, myslimanët sllavë nga sanxhaku gjatë viteve të para pas luftës kishin reaguar zakonisht në formë të grupeve hajdute (Jusuf Mekonjiq, Husein Boshkoviq dhe të tjerë). b) Por, pa dyshim se më së shumti ka rëndësi rezistenca e shqiptarëve. Të përfshirë nga lëvizja e madhe kombëtare e shqiptarëve të tjerë, e cila në vitin 1920 përzuri forcat okupatore italiane nga Shqipëria jugore (Vlora), edhe shqiptarët e Kosovës në vitin 1921 u çuan në kryengritje. Edhe pse kjo kryengritje u shua me gjak nga ushtria serbe, me këtë nuk mori fund rezistenca kombëtare... c) Pasi pushtetarët serbë shumë shqiptarëve ua kanë marrë burimin e të ardhurave, tokën dhe bagëtinë, në mesin e shqiptarëve momenti i rezistencës kombëtare gërshetohet fort me nevojën e fshatarëve shqiptarë që t'ia sigurojnë vetes të ardhurat, qoftë edhe me plaçkitje. Për këtë shkak në lëvizjen e kaçakëve është vështirë që të dallohet momenti grabitës, nga ai politik dhe nacional. Por, nuk ka dyshim se kaçakët nën regjimin serb mund të krahasohen me hajdutët serbë nga koha e Karaxhorxhes. d) Ende të lidhur fort me lidhje të vjetra fisnore, e tani edhe nën ndikimin e propagandës për Shqipëri të madhe, shqiptarët e Kosovës në një masë të madhe kanë mbështetur punën e të të ashtuquajturit Komitet të Kosovës (KK) (Hasan-bej Prishtina, Bajram Curri, etj), i cili kishte për detyrë që të punojë në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Puna e KK-së mund të krahasohet me punën e VMRO-së, por format e tij të veprimtarisë ishin më të ndryshme, kurse fushëveprimi shumë më i ngushtë. Midis viteve 1921 dhe 1925 midis KK-së dhe VMRO-së ekzistonte një bashkëpunim i ngushtë. Duhet theksuar se KK mbështetej te Italia. e) Por, dorën në zemër, viteve të fundit nuk hetohet ndonjë aktivitet i madh midis shqiptarëve, por ekziston një kontakt i gjallë i shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë. Nuk ka dyshim se ekziston tendenca që, në vend të formës së mëparme anarkike kaçake të luftës, të zhvillohen forma moderne nacionale dhe klasore të luftës. Këtë ndryshim e shkakton edhe fakti se shqiptarët e Kosovës u gjetën nën pushtetin serb nën një shtet sado-kudo modern borgjez, në rrethanën e raporteve ekonomike kapitaliste. Sikur edhe te maqedonasit dhe te malazeztë, lufta kombëtare e shqiptarëve në një masë të madhe ka pozicione luftarake të një shoqërie feudale kundër barrës së rëndë të shtetit modern kapitalist dhe kundër barrës që ua shkakton kapitalizmi. f) Numri i madh i emigracionit shqiptar të Kosovës, që janë vendosur në Shqipëri, me të gjitha fuqitë mbështesin planin e krijimit të Shqipërisë së madhe, e cila do të përfshinte edhe kolonitë shqiptare në Serbi dhe Maqedoni. Ky, në fakt, është qëndrim i imperializmit italian. 3) Përfundim a) Kosova paraqet një mozaik të komplikuar të pakicave të ndryshme kombëtare dhe të grupeve etnike. b) Imperializmi serb e ka qitur këtë krahinë në pozitë të një kolonie, duke mos zgjedhur asnjë problem themelor të asaj krahine. c) Çështja kombëtare e Kosovës, në fakt është çështje e shqiptarëve të atjeshëm, turqve, myslimanëve sllavë dhe të grupeve më të vogla (egjiptianëve, romëve, vllahëve). d) Koncepti i Shqipërisë së Madhe nuk nënkupton zgjidhjen e kësaj çështjeje, por vetëm zëvendësimin e imperializmit serb me atë shqiptar, respektivisht italian. Lufta kundër një "zgjidhjeje" të tillë është e kushtëzuar nga lufta për izolimin e shtresës feudale, ndarjen e masave punëtore të shqiptarëve dhe turqve nën ndikimin e bejlerëve, qofshin ata me orientim shqiptaromadh, apo serbomadh (Cena begu). Në atë aspekt duhet që në aspektin organizativ, të formohet lëvizja kosovare kombëtare revolucionare në frymën e krahut të majtë të KK-së, "Fan Noli". e) Zgjidhja e lëvizjes nacionale edhe këtu mund të arrihet me anë të formimit të Republikës së lirë, punë- tore-fshatare të Kosovës, me anë të rrëzimit revolucionar të regjimit serbomadh fashist imperialist. Kjo zgjidhje për shqiptarët, turqit dhe myslimanët sllavë dmth pronësi të lirë mbi tokën, çlirim nga keqtrajtimi kombëtar dhe krijimin e kushteve për një zhvillim tërësisht të lirë kombëtar, politik dhe kulturor. Duket se edhe fshatarësia dhe punë- toria serbe e atyre viseve tanimë është pjekur që ta pranojë atë parullë. f) Meqë zgjidhja mund të arrihet vetëm nën kushtin që proletariati në atë luftë ta luajë rolin e vet të hegjemonit, duhet siguruar që kjo zgjidhje të realizohet vetëm me kalimin e fazës së parë të revolucionit në fazën e dytë, në revolucion proletar. 

(Kosova Sot)

 

8 orë e 39 minuta më parë