Princi shqiptar Muzak Golem Aranit Komneni

  • 23 October 2016 - 09:08
Princi shqiptar Muzak Golem Aranit Komneni

Princi ka qenë një nga figurat më të njohura të kohës dhe një nga kapedanët më të shquar të ushtrisë së Skënderbeu.

Gj. Muzaka kishte shkruar në vitin 1510 "Memorien" (Tiranë 1996), e cila ishte gjeneaologjia e familjes së Muzakajve të Beratit.

Nuk dimë shumë për jetën e këtij Princi shqiptar, pasi, për fat të keq, për këtë Aranit të shquar mungojnë burimet arkivore. Ato pak të dhëna që kemi për të flasin më tepër për një luftëtar dhe kapedan të madh të ushtrisë së Skënderbeut, që luftoi në shek. e 15-të kundër ushtrisë më të madhe të kohës, asaj të Perandorisë Otomane. Janë edhe më të pakta burimet që flasin për jetën dhe familjen e tij, por dhe për lidhjet familjare që kishte Muzaka me figurat qendrore historike të asaj periudhe. Këto burime na vijnë kryesisht nga tre prej autorëve më të njohur shqiptarë: Marin Barleti, Dhimitër Frëngu dhe Gjon Muzaka. Princi Muzak Golem Aranit Komneni ka qenë një nga figurat më të njohura të kohës dhe një nga kapedanët më të shquar të ushtrisë së Skënderbeut. Ai është bërë i njohur nga historiani Marin Barleti, i cili, në librin "Histori e Skënderbeut" (Tiranë 1983), shkruan se Muzaka ishte një "burrë i pashoq për mjeshtërinë e luftës" (faqe 242). Në të njëjtin libër M. Barleti shkruan se Princi Muzak Golemi ishte nga dera fisnike e Aranitëve dhe ishte djalë i Vladan Golem Aranitit. Ky i fundit kishte vëlla Gjergj Aranitin, atin e Donika Kastriotit, dhe Muzak Komnenin, babain e Moisi Golemit. Muzak Komneni, - shkruan M. Barleti të atin e Moisiut, - "kishte dy vëllezër, d.m.th., Aranit Golemin, Kominatin, të vjehrrin e Skënderbeut dhe Vladen Golem Arianitin…" (faqe 402). Vladan Araniti, shkruan po aty Barleti, "pati me motrën e Skënderbeut, Angjelinën, të birin, Muzakën,… që thirrej edhe me mbiemrin Golem Arianiti…" (faqe 402).

"Memoria" e Gj. Muzakës Dëshmia e dytë, që e përmend Muzakën si pinjoll të derës së Aranitëve, na vjen nga Gjon Muzaka, Despoti i Beratit, i cili ishte bashkëkohës i Muzakës, por ka qenë edhe kunat i tij, pasi ky i fundit ishte martuar me motrën e Gjonit, Zonjën Maria Muzaka. Gj. Muzaka kishte shkruar në vitin 1510 "Memorien" (Tiranë 1996), e cila ishte gjeneaologjia e familjes së Muzakajve të Beratit, në të cilën përmendet edhe Muzak Araniti, për të cilin ai shkruan se"…Prej asaj të lartpërmendurës Zonjës Angjelinë dhe të përmendurit Zot Vladan Komnenit u lind i poshtëshënuari Muzak Komneni, i thirrur nga populli i Angjelinës, që ishte nip i Skënderbeut. Ky pati për grua, siç e kam thënë, Marian, time motër… (faqe 45). Në të njëjtën vepër Gj. Muzaka pati përshkruar gati të gjithë klasën e aristokracisë shqiptare të shekullit të 15-të, duke shërbyer si një dokument i vyer historik për periudhën e shekullit të 15-të. Sipas historianit Pëllumb Xhufi, "Memoria" e Gj. Muzakës ka qenë një burim i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm për historinë mesjetare të Shqipërisë. Barleti, në veprën e tij të sipërpërmendur, shkruan se Muzaka njihej në popull me emrin "Muzaka i Angjelinës" dhe se ai thirrej me këtë emër për shkak të emrit të nënës së tij, Angjelinës, që ishte e motra e Gjegj Kastriot Skënderbeut dhe nip i këtij të fundit. Edhe Gjon Muzaka në "Gjenealogjinë" e tij shkruan se Muzak Golem Araniti ishte i njohur në popull si "Muzaka i Angjelinës". Dhimitër S. Shuteriqi, një nga njohësit dhe biografët më të shquar të familjes së Aranitëve, shkruan se Muzakën e thërrisnin "i Angjelinës" për ta dalluar nga i ungji i tij, Muzakë Komneni, që ishte vëllai i babait të tij dhe ati i Moisi Golemit. Në vijim të shkrimit tonë Muzakën do ta përmendim vetëm me emrin e tij popullor, si "Muzaka i Angjelinës".

Martesat me familjet aristokrate të Napolit Nuk kemi asnjë të dhënë se ku dhe kur ka lindur Muzaka i Angjelinës. Dh. S. Shuteriqi, në studimin e tij për Aranitët, shkruan se, "sipas Barletit, Muzaka i Angjelinës mori pjesë në Kuvendin e Lezhës (Mars 1444), pra besohet të ketë qenë atëherë jo më i vogël se 20 vjeç", çka na shtyn të mendojmë se ai duhet të ketë lindur rreth vitit 1424. Gjithashtu kronikat heshtin edhe për jetën, apo për edukimin e tij, pasi ato nuk flasin as për formimin e tij si luftë- tar dhe si e nga e kishte mësuar ai "mjeshtërinë e luftës" (Barleti), ku do të shquhej më vonë edhe si një kapedan i sprovuar në ushtrinë e ungjit të tij nga nëna (Skënderbeut). Informacionet për jetën e Muzakës si luftëtar dhe kapedan i shquar i njohim vetëm nëpërmjet veprës së Marin Barletit, ku Muzaka i Angjelinës del në pah vetëm pas kthimit të Skënderbeut (viti 1443) në Shqipëri. Ai e përmend atë si një nga kapedanët më të sprovuar të ushtrisë së Skënderbeut dhe pjesëmarrës në disa nga betejat nga më të rëndësishmet që ushtria shqiptare zhvilloi kundër asaj osmane. Gjon Muzaka, në veprën e tij "Memorie", kur flet për Muzakën e Angjelinës, na jep disa të dhënë të rëndësishme edhe për jetën, familjen e tij dhe lidhjet e Muzakës me Aranitët e tjerë. Deri tani jemi njohur me babanë e tij, Vladanin, me nënën, Angjelinën, si dhe me bashkëshorten, Maria Muzakën. Gjithashtu kemi njohur edhe dy xhaxhallarët e tij, që janë Gjergj Aranit Komneni dhe Muzak Komneni, ati i Moisi Golemit. Me bashkëshorten e tij, Maria Muzaka ai kishte një vajzë, të quajtur Princeshë Porfida Komninati, e cila, sipas Gjon Muzakës, ishte edukuar në oborrin e Mbretëreshës Johana, gruas së mbretit Ferdinand të Napolit. Gj. Muzaka shkruan se Princesha Porfida u martua me një aristokrat italian, i quajtur Juli i Valinjanos, që mbante titullin e Baronit të Abrucit. Princesha Profida pati katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. Të katër fëmijët e Princeshës u martuan në dyer të familjeve më të mëdha aristokrate të Mbretërisë së Napolit në Itali. "…E quajtura Princeshë Porfida, - shkruan Gjon Muzaka, - u martua me Zot Julin e Valijanos, baron i Ambrucit dhe që qe shqytar i madh e të përmendurës mbretëreshë (e Napolit). Ajo me këtë burrë pati dy bij dhe dy bija. I pari qe Xhovani Xhiakomo i Valinjanos dhe tjetri qe Zot Jeronimi, i cili vdiq pa trashëgimtarë. Vajza e parë e kish emrin Hipolita Maria dhe pati për burrë Zotin Baron të Tolfës. Tjetra, Zonja Xhovana, pati për burrë Zotin Xhovani Vinçenc Brankaçin, një fisnik Napolitan dhe s'bëri fëmijë. Zoti Xhovani Xhokomo pati dy bij. Të parin, Zotin Antonio dhe të dytin, Zotin Jul Cezar…". (Muzaka, faqe 36)Sulltani i shpërbleu renegatët, duke u dhënë ishpronat e Muzakës Gjon Muzaka, në veprën e tij të sipërpërmendur, kur flet për Muzakën e Angjelinës, na jep disa të dhënë të rëndësishme edhe për pronat e tij, cilat ishin dhe ku ndodheshin ato. Ai shkruan se pronat e Muzakës së Angjelinës ishin një kështjellë që quhej Bjeshka (Biesca) dhe disa fshatra që janë në Çermenikë dhe Tamadi (Tomadhe, Shëngjergji i sotëm). Muzak Komneni, - shkruan Gj. Muzaka, - "i cili kishte një kështjellë që quhej Bjeshka (Biescha) dhe mjaft fshatra të tjerë që janë në Çermenikë dhe Tomadhi" (faqe 36). Për mungesë dokumentacioni të kohës, është shumë e vështirë që të identifikohen se kush ishin fshatrat në zotërim të Aranitëve. "Ne nuk jemi të informuar konkretisht, - shkruan Dh. S. Shuteriqi në studimet e tij për Aranitët, - as nga dokumentet vendase, as nga ato perëndimore, as nga ato osmane, se cilat ishin emër për emër, domenat e Aranitëve, cilat të njërit e cilat të tjetrit prej tyre".32 Gjon Muzaka, kur flet për pronat në zotërim të Muzakës së Angjelinës, shkruan se janë ato janë "mjaft fshatra", të cilat ndodhen në Çermenikë dhe në Tomadhe, pra ai nuk i përcakton me emër se kush janë fshatrat që ndodhen në Çermenikë në pronësi të tij. Për të gjetur se cilët janë fshatrat në Çermenikë e Tamadi, që kanë qenë nën zotërimin e Muzakës së Angjelinës, do të na duhet që të ndjekim një shteg të veçantë, atë të tjetërsimit që pësuan pronat e Aranitëve pas vrasjes së tyre, apo largimit nga atdheu. Është i njohur fakti se sulltani i shpërblente ata që i kapnin robër një figurat e larta nga dera e fisnikërisë, duke i shpërblyer e duke u dhënë pronat e robit të zënë. "Osmanët i kanë shpërblyer tradhtarët vendas", - shkruan Shuteriqi në studimin e tij "Aranitia në vitin 1467" (Shuteriqi 1981, faqe 139) Tradhtarët që patën zunë të gjallë Moisiun sulltani i shpërbleu duke u dhënë pronat që kishin qenë në zotërim të tij.35) E njëjta gjë ndodhi edhe dy renegatët, Gjoni dhe Jusufi (apo Josifi), të cilët zunë rob Muzakën e Angjelinës.36)Sulltani i shpërbleu renegatët, duke u dhënë ish pronat e Muzakës dhe këta, për mirënjohje, kishin hyrë në shërbim të osmanëve dhe merrnin pjesë çdo vit në fushatat ushtarake të pushtuesve. Në Defterin emëror të vilajetit të Dibrës, Dulgobërdës, Rijekës dhe Çermenikës të vitit 1967 (871 h.) shkruhet se "… Jusufi (Josifi) dhe Gjoni… zunë tradhtarin Muzak, (dhe) për çdo vit marrin pjesë që të dy në fushime ushtarake". (AIH-Arkivi i Institutit të Historisë: Defterit emëror të Vilajetit të Dibrës, Dulgobërdës, Rijekës dhe Çermenikës, faqe 69).  

Çka zbulojnë defterët osmanë? Por kush ishin fshatrat Çermenikë që i kishin marrë Gjoni dhe Jusufi si shpërblim për tradhtinë e tyre, të cilat kishin qenë më parë prona të Muzakës? Sipas Defterit osman, fshatrat në Çermenikë, që ishin në pronësi, apo timar, të Jusufit dhe Gjonit janë: fshati Gradec, fshati Lubnik (Lunik), fshati Neçte (Neshtë) dhe fshati Kostenjani (Kostenjë), i cili, ky i fundit, kishte qenë më parë i tyre, por që më pas u kishte kaluar Iliazit dhe Karagjozit. Dhe janë pikërisht këto katër fshatra në Çermenikë, të cilat më parë duhej të kishin qenë prona të Muzakës së Angjelinës dhe pas vrasjes së tij ato u ishin dhuruar në formë shpërblimi dy tradhtarëve të sipërpërmendur. Në Tamadi, shkruan Gjon Muzaka, janë katër fshatra nën zotërimin e Muzakës së Angjelinës, të cilat ndodhen në Marguesi, pranë Palolës, por nuk i përcakton me emër se cilat janë këto fshatra. Në Defterin e përmendur osman, krahina e Tomadhesë emërtohej si "Krahina e Tamadhesë në vilajetin e Çermenikës", dhe timari i këtyre fshatrave është i njëjti Jusuf që pat kapur Muzakën dhe si shpërblim ka marrë tre nga katër fshatrat, që, sipas Gj. Muzakës, i ka pasur në zotërim Muzaka i Angjelinës, të cilat janë: fshati Shëngjergj, fshati Padhol dhe fshati Kasalla. Fshatrat e tjerë që përmenden në regjistër, si Shenimiri (Shëmëri), Shëngjin dhe Fajaçish (Façeshi) nuk i kanë të përcaktuar timarin e tyre, ndaj nuk i kemi marrë si prona të timarit të Jusufit, por nuk mund të themi se ndonjëri prej tyre nuk mund të kenë qenë pronë e Muzakës së Angjelinës. Në lidhje me një kështjellë që e përmend Gjon Muzaka me emrin Bieshka, dhe që është në zotërim të Muzakës së Angjelinës, studiuesi shëngjergjas Sefedin Rroshi, i cili ka mbledhur toponimet e krahinës së tij të Shëngjergjit, shkruan se ajo ndodhet në Shëmri të Shëngjergjit. Në atë vend, shkruan S. Rroshi ndodhet një toponim me emrin Bjeshkë dhe ai mendon se ky toponim lidhet dhe me emrin e asaj kështjelle të njohur të Muzakës së Angjelinës. (Rroshi 2016: "Shëngjergji i Tiranës", faqe 184). Moisi Golemi, Muzaka i Angjelinës, Gjuric Vladani, së bashku me disa prej kapedanëve më të shquar të ushtrisë së Skënderbeut, u zunë robër në Betejën e Vajkalit nga ushtria osmane. Këta kapedanë, shkruan Barleti, "të rrëmbyer nga furia e Marsit dhe vrulli i luftës, shkuan më tej nga ç'duhej…" (faqe 604), ranë në kurthin e ngritur nga Ballaban Pasha. Ndër të parët, shkruan Barleti, u kap Moisi Golemi dhe pas tij u kapën Gjuric Vladani, Muzaka i Angjelinës, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Koka dhe Gjin Maneshi, të cilët u dërguan të lidhur këmbë e duar në Stamboll dhe atje u torturuan deri në vdekje. "Me vdekjen e tyre, - shkruan Barleti, - e bënë Arbërinë më të përlotur se ndonjëherë më parë, sepse që të gjithë shquheshin shumë si për fuqinë e trupit, si për forcën e shpirtit dhe për dijen ushtarake" (faqe 604).

(Kosova Sot)