Konti Gjuriç Vladani, historia e nipit aristokrat të Skënderbeut

  • 24 October 2016 - 08:22
Konti Gjuriç Vladani, historia e nipit aristokrat të Skënderbeut

Skënderbeu u besonte dy nipërve momentet më të rëndësishme të betejave të tij, që ai kishte zhvilluar kundër ushtrisë osmane.

Tre Aranitët e famshëm, Moisi Golemi, Muzaka i Angjelinës, Gjuriç Vladani dhe disa prej kapedanëve më të shquar të ushtrisë së Skënderbeut, patën një fund të hidhur dhe të tmerrshëm. Këta kapedanë në Betejën e Vajkalit, shkruan Barleti, "të rrëmbyer nga furia e Marsit dhe vrulli i luftës, shkuan më tej nga ç'duhej…" (faqe 604) dhe ranë në kurthin e ngritur nga Ballaban Pasha.

Gjuriç Vladani njihet në histori si një nga komandantët dhe luftëtarët më të shquar të ushtrisë shqiptare të shek. të 15-të. Për fat të keq, për këtë Aranit dhe luftëtar të madh të ushtrisë së Skënderbeut nuk ka shumë të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e tij, ç'ka e ndërlikon edhe më shumë biografinë e këtij aristokrati shqiptar. Në vitin 1981 Prof. Dr. Ak. Dhimitër S. Shuteriqi, në një studim kushtuar Aranitëve, të titulluar "Aranitia në vitin 1467" dhe të botuar në revistën "Studime historike", Nr. 1 (Tiranë 1981), shkruan se Gjuriq Vladani, një nga luftëtarët më të afërm të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ka qenë vëllai i Muzakës së Angjelinës.13) "Me vrasjen e Mojsi Golemit, - shkruan Dh. Shuteriqi në studimin e tij, - të Muzakës së Angjelinës me të vëllanë Gjuric Vladanin (shënimi im-A.A.), që të tre nipa të Gjergj Aranitit, - dy të fundit edhe të Skënderbeut, - dhe të pesë kapedanëve të tjerë shqiptarë, zhdukej një pjesë e zotërve dhe komandantëve më të njohur…" (faqe 134). Për hir të së vërtetës duhet ta themi se mendimi i prof. Shuteriqit nuk pati gjetur përkrahje në tre nga monografitë më të njohura të shkruara për Skënderbeun, të botuara vitet e funtit, të autorëve Kristo Frashëri, Kasem Biçoku dhe Oliver Shmid. Por, po aq e vërtetë është se kjo e dhënë as nuk është kundërshtuar prej tyre, gjë që na lejon të themi se deri diku ata e kanë pranuar (në heshtje) mendimin e Shuteriqit.Është fakt se Marin Barleti dhe Gjon Muzaka, në veprat e tyre, nuk e përmendin Gjuriq Vladanin si vëlla të Muzakës së Angjelinës, pasi, kur flasin për Vladan Aranitin dhe Angjelina Kastriotin dhe fëmijët që kishin lindur nga martesa e tyre, ata përmendin vetëm njërin prej fëmijëve të lindur prej tyre, i cili është Muzaka i Angjelinës. "Prej asaj të lartpërmendurës Zonjës Angjelinë dhe të përmendurit Zot Vladan Komnenit, - shkruan Gj. Muzaka, - u lind i poshtëshënuari Muzak Komneni, i thirrur nga populli i Angjelinës, që ishte nip i Skënderbeut" (Memorie, 1996, faqe 45).

Një nga ushtarakët më të sprovuar të ushtrisë shqiptare Gjuriq Vladani nuk ishte një figurë e panjohur në mjediset e aristokracisë shqiptare të kohës. Ai, shkruan Barleti në librin "Histori e Skënderbeut" (Tiranë 1986), ishte një "burrë prej parisë së tij (Skënderbeut) dhe shumë i zoti" (faqe 258). Kur e përshkruan Gjuriqin, si një nga ushtarakët më të sprovuar të ushtrisë shqiptare, Barleti thotë për të se ai ishte"trim dhe shpirt njeriu" (faqe 537). As fama që kishte si luftëtar në ushtrinë shqiptare dhe as prestigji si një burrë i madh i parisë së Skënderbeut, nuk e bënin që ai të qëndronte nën hijen e vëllait të tij, apo të luftëtarëve të tjerë të fisnikërisë shqiptare. Barleti, ndonëse nuk e pohon se Gjuriq Vladani ishte vëlla i Muzakës së Angjelinës, ai nga ana tjetër shkruan se Gjuriqi ishte nip prej motre i Skënderbeut, ashtu siç ishte edhe Muzaka. Në librin e tij "Histori e Skënderbeut" ai shkruan se Gjuriq Vladani "ishte në lidhje gjaku me Skënderbeun" (faqe 604) dhe "nip prej motre" (faqe 537) i tij, por pa e saktë- suar se i cilës motër. Ky është një informacion shumë i rëndësishëm, pasi e përcakton Gjuriqin si të afërm të familjes së Kastriotëve, por që nuk është i plotë, pasi nuk e përcaktoi se i cilës motër. Një tjetër burim, që dëshmon se Vladan Gjuriqi ishte nip i Skënderbeut, vjen nga një tjetër autor shqiptar, Dhimitër Frëngu, i cili ka qenë bashkëkohës i Skënderbeut dhe, për disa kohë, edhe si shoqërues i tij. Fan S. Noli, i cili ka cituar Dh. Frëngun dhe veprën e tij "Comentario de le cose de Turchi et del S. Giorgio Scanderbeg, Principe d'Epirro", kap.XXI, faqe 24, shkruan se: "Kont Jurici, nip i tij shumë trim" (Noli, 1967, faqe 91). Nga kjo dëshmi mësohet se Gjuric Vladani mbante titullin e fisnikërisë "Kont

Cilës familje i takon? Lind pyetja: Cila nga motrat e Skënderbeut ishte nëna e Gjuriq Vladanit? Skënderbeu ka pasur pesë motra, të cilat ishin Mara, Jella, Angjelina, Vlajka dhe Mamica. Mara ishte martuar me sundimtarin e Malit të Zi, Stefan Cernojeviçin, dhe kishte pasur dy djem, Gjergji dhe Gjoni. Jella ishte martuar me Stres Balshën dhe kishte tre djem: Gjergji, Gjoni dhe Boiku (Barleti, 1983, faqe 122). Angjelina ishte martuar me Vladan Komnen Aranitin dhe, siç e kemi përmendur, kishte pasur Muzakën e Angjelinën. Vlajka ishte martuar me Gjin Muzakën, por Barleti e të tjerë nuk japin asnjë informacion nëse kishin pasur fëmijë nga martesa e tyre. Gjuriqin e përjashtojmë që të kishte qenë fëmija i tyre, për shkak se ai, së pari, do të duhej mbante mbiemrin e familjes "Muzaka" dhe, së dyti, sipas traditës, ai duhej gjithashtu që të kishte pasur si mbiemër emrin e të atit (në këtë rast "Gjini"), ndërkohë që dihet se ai nuk i ka pasur kurrë asnjë nga këto dy mbiemra. Kurse motra më e vogël e Skënderbeut, Mamica, kishte qenë e pamartuar deri ne kohën kur ky i fundit ishte kthyer në Shqipëri (viti 1443). Skënderbeu, për arsye të konjukturave politike, e martoi motrën e tij të vogël me Muzak Topinë, kështu që Gjuriqi nuk mund të kishte qenë as djalë i saj. Atëherë, i cilës motër të Skënderbeut kishte qenë Gjuriqi? Duke u nisur se ky i fundit mbante mbiemrin "Vladani" dhe ishte nip i Skënderbeut, siç na thotë Barleti, atëherë ai duhet të ketë qenë djali i Vladan Aranitit dhe i Angjelinës, motrës së Skënderbeut. Në fisnikërinë shqiptare të shekullit të 15 ishte traditë që djemtë të merrnin si mbiemër emrin e babait të tyre. Kështu, p.sh., djali i Jellës dhe i Stres Balshës, Barleti shkruan se quhej Gjergj Stresi (faqe 120). Po përse Gjon Muzaka nuk e përmend Gjuriq Vladanin në "Memorien" e tij si djalë të Angjelina Kastriotit dhe Vladan Aranitit, apo dhe si vëlla të Muzakës së Angjelinës? Shkaku duhet kërkuar te qëllimi që kishte pasur Gj. Muzaka kur shkroi "Memorien", të cilën e kishte hartuar për të vërtetuar se ku i kishin pasur pronat anëtarët e familjes së tij dhe të rrethit të tyre. Muzakën e Angjelinës ai e kishte kunat, burrin e motrës, pra dhe një pjesëtar të familjes së tij. Barleti dhe Muzaka në veprat e tyre nuk e përmendin familjen e Gjuriqit, nëse ai kishte qenë i martuar dhe nëse kishte lënë trashëgimtarë. Nëse mendohet se ai nuk kishte lënë trashëgimtarë, atëherë Gj. Muzaka e kishte lënë qëllimisht Gjuriqin jashtë "Memories", duke mos e përmendur. Të njëjtën gjë ai kishte bërë edhe me tre djemtë e Gjergj Aranitit, Thomain, Kostandimin dhe Aranitin, të cilët Gj. Araniti i kishte pasur me një grua italiane, në një kohë që i kishte përmendur të 8-të vajzat e tij, që kishte pasur nga martesa e mëparshme me Maria Muzakën, hallën e Gj. Muzakës

Dy vëllezërit qëndruan në ballë të betejave kundër osmanëve Të dy vëllezërit, Muzaka dhe Gjurici, ishin ndër të parët fisnikë që u radhitën në ushtrinë e Skënderbeut, dajës së tyre, dhe qenë ndër komandantët më të shquar dhe më besnikë të tij. Pas kthimit të Skënderbeu në Shqipëri në vitin 1443, Muzaka i Angjelinës, shkruan Barleti, ishte ndër të parët nga krerët e fisnikërisë shqiptare që mbërriti në Krujë për ta përshëndetur, për t'i dhënë mbështetje dhe për t'i dhënë përkrahje. "Kështu u mblodhën shpejt e shpejt pjesa më e madhe e krerëve më bujarë, - shkruan Barleti, - sidomos të afërmit e tij, me një fuqi ushtarake të pashoqe. Ndërmjet të tjerëve ishin: Muzaka i Angjelinës, nip nga e motra Angjelinë…" (faqe 93). Dy vëllezërit qëndruan në ballë të betejave kundër osmanëve dhe në shumicën e tyre ata kishin luftuar së bashku krah për krah me njëri-tjetrin. Në çdo betejë që zhvilloi ushtria shqiptare, si brenda por edhe jashtë kufijve të atdheut të tyre, që dy fatosat Aranitas treguan një guxim dhe trimëri të rrallë. Skënderbeu u besonte dy nipërve momentet më të rëndësishme të betejave të tij që ai kishte zhvilluar kundër ushtrisë osmane. Gjatë rrethimit të 2-të të Krujës, kur Sulltan Murati II u vu vetë në krye të ushtrisë otomane, Skënderbeu dërgoi Muzakën e Angjelinës dhe Gjuriq Vladanin për të vëzhguar kampin e ushtrisë rrethuese, për të vëzhguar situatën dhe për të parë vendin lidhur me sulmin e mundshëm të ushtrisë osmane kundër qytetit të Krujës. "Për të vërejtur kampin e armiqve dhe për të parë mirë gatitjen e tyre lidhur me sulmin kundër qytetit, - shkruan Barleti, - (Skënderbeu) dërgoi më parë Muzakën dhe Gjuric Vladenin… ndërsa vetë qëndroi atje dhe po priste në një heshtje varri, gjersa të vinin ata dhe të merrte vendim se ç'duhej të bënte" (faqe 258). Momenti më i rëndë- sishëm dhe më i vështirë për të dy vëllezërit Araniti ka qenë kur ata luftuan kundër Moisi Golem Aranitit, i cili ishte djali i xhaxhait, por që kishte tradhtuar Skënderbeun, dajën e tyre, dhe ishte bashkuar me Sulltanin. Skënderbeu e kishte ndarë ushtrinë e tij në dy pjesë. Njëra pjesë komandohej nga Muzaka i Angjelinës dhe tjetra nga Gjuriq Vladani. "Ushtria jonë, - shkruan Barleti, - ishte ndarë më dy krahë, nga të cilët njërin e mbajti Muzaka, i quajturi i Angjelinës, tjetrin Gjuriq Vladeni" (faqe 461). Dy vëllezërit, me forcat e tyre të armatosura, u vendosën përballë ushtrisë turke, që ishte e komanduar nga Moisiu. Pas kërkesës që i bëri Skënderbeut për dyluftim, Moisiu nuk mundi që të përballej me prijësin e shqiptarëve dhe u largua me turp nga fusha e betejës. Kjo strategji e Skënderbeut pati qenë e jashtëzakonshme, pasi, duke i vënë Aranitët përballë njëri-tjetrit, e shmangu dyluftimin vëllavrasës, i siguroi fitoren e ushtrisë së tij dhe çoi në humbje e në fundin e turpshëm të M. Golemit. Pas kësaj beteje, Moisi Golemi i kërkoi ndjesë Skënderbeut dhe, pas faljes, ai i qëndroi besnik Kastriotit deri në fund të jetës së tij.

Beteja e Skënderbeut në Napoli të Italisë Gjuriq Vladani u shqua si ushtarak dhe kapiten i sprovuar gjatë invazionit ushtarak që zhvilloi Skënderbeu në Itali, kur shkoi që të ndihmonte mbretin Ferdinant të Napolit. Mbretëria e Napolit rrezikohej nga Duka Johan, djali i mbretit Renat i Francës, i cili kishte luftuar kundër mbretit Alfons i Aragonës, atit të Ferdinantit. Skënderbeu në Itali, shkruan Barleti, e kishte ndarë ushtrinë e vet në tri pjesë. Njërën pjesë e drejtonte vetë, kurse dy pjesët e tjera i komandonin Moisi Golemi dhe Gjuriq Vladani. "Skënderbeu e kishte ndarë ushtrinë e vet në tri pjesë, - shkruan Barleti, - prej të cilave njërës i kishte vënë në krye Moisiun nga Dibra, tjetrës Gjuriqin, nip prej motre, burrë trim e shpirt njeriu…" (faqe 537). Arbërorët shfaqën edhe këtu një faqe të ndritur heroizmi dhe fama e tyre i kapërceu edhe kufijtë e Italisë.

Fundi i tmerrshëm i kapedanëve që ranë në kurthin e Ballaban Pashës Tre Aranitët e famshëm, Moisi Golemi, Muzaka i Angjelinës, Gjuric Vladani dhe disa prej kapedanëve më të shquar të ushtrisë së Skënderbeut, patë një fund të hidhur dhe të tmerrshëm. Këta kapedanë në Betejën e Vajkalit, shkruan Barleti,"të rrëmbyer nga furia e Marsit dhe vrulli i luftës, shkuan më tej nga ç'duhej…" (faqe 604) dhe ranë në kurthin e ngritur nga Ballaban Pasha. Ndër të parët u hodh në sulm Moisi Golemi, që Skënderbeu i kishte besuar komandën e përgjithshme të ushtrisë. Pas tij u hodhën Gjuric Vladani, Muzaka i Angjelinës, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Koka dhe Gjin Maneshi, të cilët, pasi u kapën të gjallë, u dërguan të lidhur këmbë e duar në Stamboll dhe atje u torturuan deri në vdekje. "Me vdekjen e tyre, - shkruan M. Barleti, - e bënë Arbërinë më të përlotur se ndonjëherë më parë, sepse që të gjithë shquheshin shumë si për fuqinë e trupit, si për forcën e shpirtit dhe për dijen ushtarake" (faqe 604). Emrat Muzak, Gjuriq, apo Gjuriqe, duket se ka qenë emra i zakonshëm në atë kohë në fshatrat e krahinës së Çermenikës, që kishin qenë nën zotërimin e familjes së Vladan Aranitit. Në regjistrin kadastral osman të vitit 1467 në fshatin Neçte (Neshtë) ishte regjistruar një banor me emrin Gjureqe, biri i Gjergjit, i cili është i njëjtë me emrin e kontit Gjuriq Vladani. Në fshatin Gurakuq ndodhet ende një fis që mban si mbiemër Muzhaqi, kurse në fshatrat Kuturman dhe Shmil të Çermenikës gjendet edhe sot e kësaj dite fisi me emrin Gjura, i cili s'është tjetër veçse shkurtimi i emrit Gjuriqi apo Gjureqe. Mali më i lartë në krahinën e Çermenikës quhet Guri i Muzhaqit, i cili ngrihet si një përmendore gjigante, në përkujtim të lavdisë së Muzakës së Angjelinës, Gjuriq Vladanit dhe të Aranitëve të tjerë.

(Kosova Sot)