Letra e 1950/ Plani sekret austro-hungaro-sllav për të qeverisur Shqipërinë

  • 02 July 2015 - 09:14
Letra e 1950/ Plani sekret austro-hungaro-sllav për të qeverisur Shqipërinë

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”

 Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.

“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vënde e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

Aleksandrí, 9 Mars 1950

I dashuni Atë,

Tue pritun qi të më vinte nga Kajroja pasaporta e Jote u vonova pakëz me i u përgjegjun edhe letrës me 12 fruer. Pasaportën ende s’ ma kanë dërgue. Mos u çudit se jemi n’Orjent këtu! Sod i shkrova prap nji letër Ministrit t’onë atje. “Shpresoj se do të dalë nji pasaportë e fortë, qi të mundem me e përdorë për atë qëllimin t’em e jo vetëm për Austrí, por edhe për shtete tjera, po qe nevoja.” po thue. Ti po i a bân si arusha kur i a kishte ânda dardhat e prandej thonte qi do të bâjshin! Un e dij se s’Të kam dhânë shpresa të mëdhá për vjeftën e ksaj pasaporte. Dihet vjefta e saj: âsht pasaporta e nji Legate Mbretnore qi mezi qëndron mbë kâmbë këtu në këtë vênd veç per legge d’inerzia, me fjalë tjera veç pse Egjypti s’e ka njohun regjimin komunist shqiptar e prandej s’e ka pamë të arsyeshme me mbyllun atê të Mbretnís, mbasi edhe Mbreti vetë gjindet po këtu. Pra pasaporta e ksaj legate disi ka me ecun aty-këtu për tolerancë e jo pse âsht juridikisht vërte nji pasaportë e rregullt. Italija refuzon me dhânë vizë për kthim në vênd të vet mbi këtë pasaportë. Por ndoshta Ti, me ndihmën e Pushteteve kishtare t’atyshme mundesh me e marrë. E po mujte me marrë këtê, qi me u kthye prap n’ Italí âsht e domosdoshme, nuk besoj se ke me gjetë vështirësí me hymë në çdo Shtet qi të duesh. Se zakonisht a ke vizën për kthim n’ atë Shtet ku ke qênë dhe a t’a ka dhânë mandej edhe një tjetër për me hŷmë në tokën e tij, tjerët nuk e shikojnë mâ tepër hollë, mbasi sigurohen qi s’u jet peng në derë tue mos mujtun me kthye mâ ku ishe e mbasi viza e nji Shteti të parë qi të ka lânë me hymë mbrênda vjyen si nji dishmí e mirë edhe për tjerët. Do t’ a keshë këndue ndokund ndër gazeta qi ONU-ja âsht tue hartue nji shtatut politik për refugjatët e atëherë kemi me pasun pasaportë të fortë fort madje. Por durim, veç!

Tash po kapim argumentat t’anë historikë.

Lum na për librat qi këndojmë edhe flêjmë të qetë se diç kemi nxânë prej sish! Franz Ferdinandin e paska vramë Masonerija për sektarizëm të vet, të parën luftë botore e paska shkaktue po ajo e po për qëllimet e veta: kështu po shkrueka nji auktor gjerman. E pra kjo racë a ky komb ka famë serjoziteti për historí. Tash dorasi dihet se kush ka qênë në vrasën e Princit trashigimtar t’ Austro-Hungarís, dihen edhe shokët e tij, dihet edhe qi vrasën e ka organizue Bela Ruka, tue mbyllë Pašici me shokët e tij njânin sŷ. Këta të tânë munden me pasë qênë masona, por mue për veti gjâ s’ma mbush mênden posë dokumentash authentikë qi ajo vrasë s’u bâ për nacjonalizëm serbe, por për masonerí. Ndoshta ka pasun masonë qi e kanë influencue atë vrasë, atë komplot, qi i kanë frymë zjarmit të ndezun ndër zêmrat e patriotve serbë. Por me sa dij un deri më sod Franz Ferdinandit i a ka hângër kryet kryesisht nji programë politike qi ka pasun e qi do të forconte Austrín e si konsekvencë do t’u pritte shpresat Serbvet edhe për shum kohë për me krijue Jugoslavín qi kishin në zêmër. Plan’i Franz Ferdinandit ishte zvëndsimi i dualizmës austro-hungare me nji trializëm austro – hungaro – slave, me vullëndimin e plotë të kombeve slave qi rrojshin nën Austrín e Hungarín. Nga kjo pikpamje nuk besoj as qi Franz Ferdinandi do të kishte qênë hajr’ i Shqipnís, mbasi nji qeverí austro – hungaro – slave, eventualisht me nji kryeministër a ministër të jashtëm slav, nuk besoj se do të përkrahte aq fort Shqipnín kundra Serbvet, në rasë nevoje, me gjithë sympathín qi mund të kishte personalisht mbreti i Austro-Hungaro-Slavís për Shqiptarët. Sido qoftë s’po e kemi fjalën ke mund t’ ishte e do t’ ishte, por te si qe e si u bâ. Gjithashtu edhe për luftën botore un besoj se sikur mos të kishte qênë mënija frênge antigjermane, ambicja frênge për kthimin e Alsace-Loraines Francës dhe Poincaré-u në fuqí, as ajo s’ do t’ ishte bâmë, me gjithë vrasën e Franz Ferdinandit e planet infernale të Masonerís internacjonale. Kjo e fundit në të gjitha ndodhít e mëdhá të historís, ka nja nji shekull e këndej sidomos, mund të ketë ushtrue ndonji farë influence, por un nuk e besoj kurrë qi kjo influencë të ketë qênë decizive veçse ndonji herë, theorikisht të thomi, per caso.

E qe tash nji fakt qi na përket neve e qi kemi mënyrë t’a kontrollojmë për s’ afri. Esad Pasha në nji kafe të Vjenës në prillin e 1914-s paska paralajmue atentatin e Franz Ferdinandit! Esad Pasha, pjestar kryesuer i qeverís së Princ Wiedit qi ka zdrypun në Durrës me 7 mars 1914, s’e ka qitun kâmbën përjashta Shqipnijet deri q’aty kah mueji i korrikut t’asaj vjete, kur e kapi princi si të pabesë e u shtrëngue me u a dorzue Italjanvet. Esad Pasha në Vjenë nuk besoj të ketë shkelë kurrë në nji kafe. Esad Pasha e mbante veten si nji princ orjental e n’Evropë veç ndër sallone hotelesh të mëdhá u shihte në shoqní, por jo nëpër kafet, sado luksi qi të kenë qênë.

Ahmeti e ka dashun me gjithë shpirt vrasën e Esadit, pavarsisht prej ndihmës qi – si hypothesë – mund t’a ketë dhânë edhe pa dijtun sepse po e ep, e ka dashun atë vrasë: a) pse qyshë aso kohe i ka pasun gati në trû planet e tija me u bâmë mbret i Shqipnís; b) pse, edhe me kê mos t’i mbushet mêndja për shkakun e parë, kur u vrá Esadi, ai ishte factotum i qeverís shqiptare t’asaj kohe e vrasa e Esadit ishte i vetmi mjet për t’a shpëtue Shqipnín prej kaosit të esadizmës. Sa për mue, jo veç qi ka pasun arsye t’a dojë atë vrasë për interesë të vet e të Vêndit, por edhe e ka dijtun mirëfillit sepse po i epte paret për Avni Rustemin.

Të tâna lëvizjet kundra Zogut ministër, kryeministër, president e mbret janë bâmë me inicjativë shqiptare e asnji s’ ka qënë e financueme prej së jashtmi. Vetëm atê të Dukagjinit, me Dom Loro Cakën në krye, e ka deshirue Beligradi e prandej e ka lehtësue tërthoras vetëm për ricatto kundra Zogut, i cili si u installue në Tiranë nuk i duel Pašićit me shokë aq i shtruem vullnetit të tyne, sa nji načelnik i nji province jugoslave, siç kishin shpresue si psikologë të këqij qi u diftuen me nji ambicjoz shqiptar typash të naltë e kalibri të madh. Kështu mund t’i përgjigjem, shkurt e premas, për aq sa dij un pyetjes s’ Ate. Jugoslavija na ka qitun ngatrresa shpesh herë me agjenta të vogjël e të blémë aty-këtu gjatë kufînit, herë në nji vênd e herë në nji tjetër me qëllime të ndryshme. I ka ndihmue kryengritjes së Mirditës qi leu vetvetiu prej ignorancës së Mehdi Frashërit, Ministrit të Mbrêndshëm t’asaj kohe, në dash si administrator e në dash si psikolog. Italija pat organizue nji kryengritje për në 1939 për t’ a bâmë shkak okupimi, siç resulton qartë nga Ditarët e Cianos. Desht Zoti e rrethanat ndihmuen qi Italija mos të kishte nevojë për kët’ armë tradhtore, se ndryshe shumë patrijotve shqiptarë s’do t’u kishte mbetun rrugë tjetër veçse me luftue për krahash me kundrështarin e tyne, Zogun, kundra Italjanvet, me vramë veten ase me dekun për jetë të jetës moralisht, si tradhtorë, qoftë edhe pa dashun. Ndër nji kso kategorísh do të kishem pasë hymë edhe un, i dashuni mik. Zoti më ruejti e i a dij për nderë të madhe fort. Ishte edhe e drejtë qi të më ruente. Se kam ruejtun edhe vetveten, bashkë me patrijotët tjerë qi ishin jashtë me mue. Un, si përfaqsues i të gjithve, kishem lypun prej delegatit të Romës Giovanni Giro patti chiari ed amicizia cara, marrveshtje me karta të hapta për gjithça kishin ndër mënd me kërkue prej nesh kur t’ a kishim fitue kryengritjen e marrë fuqín në dorë. Âsht historí e gjatë, por fundi qe ky qi Italjanët gabuen e i zbuluen kartat e tyne me të vërtetë e na të jashtmit i refuzuem të tâna, nji për nji. “Me këto kushte”, i pata thânë Giros në hotelin Excelsior-Gallia të Milanit, “njiqind vjet mbretnoftë Zogu mbi thronin e Shqipnís!”.

Me kaq po i apim fund edhe ksaj here. Pasaportën kam me T’a nisun mbë vete porsa t’a marr.

Ti ke shkrue “Ju përshëndetem”. Çâshtje gjuhe, tash. Na Krutanët thomi përshëndetem me dikê, “verbo riflessivo reciproco, u përshëndeta me akcilin, dmth. un përshëndeta atê e ai mue. Mbandej me i u falë kuj me shëndet, i falem (edhe i fal) me shëndet, fáliu (edhe fali) me shëndet akcilit. U zgjata kaqë për me të bâmë me u kujtue nëse e ke ndie kund në popull formën qi ke përdorë. E tash pra un po vijoj n’ atë t’emen tue Të thânë Të falem me shëndet.

 M Kruja

Aleksandrí, 12 Prill 1950

 I dashtuni mik,

Jam i gzuem qi po më vjen mbarë me i u përgjegjun letrës s’Ate me 16 mars para se me u mbushun nji muej ndërmjet dý datash. E pikë së pari due me prekun në nji argument të rrahun mâ parë ndërmjet nesh.

Esad Pashë Toptani paska pasë qênë vërte mason! M’a ka vërtetue Mbreti nji ditë qi ishim shtrue tue bisedue ngeshëm mbi persona të kohnave të kalueme. Më tha se e kishte pasë ndëgjue në 1918 në Romë prej Mjeshtrit të madh të masonerís z. Palermo, i cili, tërthuer, donte me i mbushun mênden edhe këtij me aderue n’atë shoqní. E diskutuem bashkë temën se si ka mujtun Esadi qi, për sa i përket besimit, ka qênë ashtu si T’a kam përshkrue, me hŷmë në nji shoqní të njohun si e pafé. E gjetëm fillin e lâmshit. Ai pat dalë deputet në të parin parlament tyrk mbas Kostitucjonit të 1908-s e pat hŷmë në partín Bashkim e Përparim të Tyrqve të Rij qi aso kohe zotnonte situatën. Tash këta të fundit, parij’e tyne mbarë, ishin masona të njohun. Esadi vërte ishte fetar, por edhe ambicjoz i madh e për mâ tepër kishte edhe shumë mëkate të kohës së Sulltan Hamidit mbë shpinë të tij. Për të dyja këto arsye ai ka mujtun me bâmë çmos për me fitue besimin e Tyrqve të Rij, prej të cilvet qe largue e pat dalë në kundrështim vetëm kur ata patën marrë teposhten. Pra pasha i ynë ka gjasë qi të ketë pasë hŷmë në masonerí qyshë në vjetët 1909-1910. Sigurisht për hypokrizí. Por fakti në veti mund të jetë i vërtetë. Tjerat sa të kam shkrue për tê jesin ashtu deri në provë të kundërt.

Mbasi i a nisa me llogarít e vjetra, po qërojmë nji herë këto e mbasandej po fillojmë të rejat. Kryengritja e Mirditës në 1921, si m’a ka tfillue vetë Kap. Gjoni, ka lemë kështu: Kap. Marka Gjoni paska pasë shkue në Tiranë për me i qá qeverísë s’ asaj kohe, ku Mehdi Frashëri ishte Min.PP. të Mbrêndshme, hallet e Mirditës : rruga, shkolla, et. Ministr’ i ynë e pret jo vetëm pa kurrnji konsideratë, por edhe me fjalë t’ ashpra tue i thânë se Mirdita para se me kërkue sakrifica prej Shtetit lypset të fillojë vetë me bâmë detyrat qi i përkasin kundrejt këtij: me dorzue pushkët, pikë së pari, e mandej me lá taksat si gjithë qytetarët tjerë! Fjalët ndërmjet të dyve xehen keqas e Kapidani del tym e flakë pa u përshëndetun me Ministrin. Edhe aty e n’Orosh. Atje mbledh parín e vêndit e i difton çaf i kishte thânë ministri, pra për tê Qeverija: me dorzue armët e me pague taksat. Përmbi këto themela kaq të thjeshtë Ti mund t’i shpjegojsh vetë tash faktet qi kanë rrjedhë. Natyrisht për nji okcidental qi nuk njeh Shqipnín e aq mâ pak Mirditën, as historín e ksaj e as kokën e Markagjonit, Ministri mund të dënohet vetëm si njeri pa takt. Por i gjykuem në dritën e rrethanave t’ona t’asokoshme e të zakonshme, Mehdi Frashëri del shkaktar themeluer i kryengritjes së Mirditës.

Emnin e shoqit qi kam lânë pa përmendun tue folë rrëshqitas e incidentalisht mbi nji bisedim t’emin me Italjanin Giro, preferoj t’a lâ edhe tash në heshtje.

Bektashizma ka nji historí të gjatë e të koklavitun. Do të mundohem me T’a shpjegue synthetikisht, në vijat e përgjithshme. Ajo ka lemë prej nji konflikti politik të lidhun me historín fetare t’Islamit qyshë në origjinën e ksaj feje. Si vdiq Mohamedi i a zû vendin si khalife (vicario) e si kryetár Shteti Abu-Bäkr-i, shoq i vjetër i tij e njeri me auktoritet të padiskutueshëm nga çdo pikpamje ndër myslimanë. Këtê e ndoq Omari, edhe mâ fatbardhë se tjetri, mbasi në kohë të tij mohamedanët pushtuen Syrín, Persín dhe Egjyptin. Erdh mandej Othmani, qi me pazotsín e nepotizmën e vet shkaktoi pakënaqsí të gjânë e të thellë. Për mâ tepër vinte prej nji vllaznije qi i kishte qitun shumë telashe Mohamedit e myslimanizmës në fillim e prandej zgjedhja e tij s’pat at’adezjon të përgjithshëm si ajo e të dy të parvet. Mohamedi kishte lânë nji dhândërr e njikohsisht kushrî të parë të vetin qi e quejshin Ali. Ky në dekën e Mohamedit ishte ende djalosh i ri e kurrkush s’ kishte guxim me e matun me kolosa të myslimanizmës si dy Khalifet e parë. Por mbas tyne ishte bâmë tashmâ burrë i pjekun tridhet’e sa vjeç. Ishte burrë trim legjendar, i drejtë dhe i dijshëm. Prandej opozita kundra Othmanit e kishte bâmë si symbol e flamur. Othmani u vra e Aliu e zëvêndsoi. Por dasija, e fillueme qyshë me hupjen e Othmanit, u vulos e u trash me gjakun e këtij. Sundimtár’ i Syrísë, prej familjes s’Othmanit e njeri dinak e energjik sa s’bâhet, s’e njohu Alín. Filloi lufta civile me furí qi vazhdoi gjatë e mbaroi me trijumfin e Omajadvet të Syrís mbas vrasës s’Aliut me nji atentat e të dy të bijvet në luftë. Islamizma u bashkue prap si Shtet nemose përkohsisht, por u da atë ditë e sod si doktrinë. Leu protestantizma myslimane. Partizanët e Aliut, me qêndër rândimi ndër toka e popuj jo arabe, si në Persí e Irak, u dhanë pasjoneve të tyne politike ngjyra doktrinare, gjâ e natyrshme kjo në nji shtet theokratik e në nji popull qi çdo gjâ në jetë do të kërkonte me e konformue me fén e vet. Ata e quejtnë, prandej, veten alevitë (partizanë t’ Aliut) edhe fetarisht. Mbandej edhe këta u danë ndër shumë sekta, nga të cilat ajo mâ e largta prej islamizmës orthodokse (prej sunitvet), ajo e shqizmatikve të vërtetë a, në daç thuej e protestanvet myslimanë âsht sod féja zyrtare e Persjanvet (me fjalë fetare e shiitvet). Bektashizma mund të quhet nji degë mâ moderate, nga pikpamja orthodokse, e ksaj fés shiite. Themelues i ksaj sekte âsht nji njeri i çëmuem si poet e filosof edhe prej sunitve e aspak heretik, përkundrazi ka famë edhe si njeri shum’ i devotshëm, si nji farë shênjti. E quejshin Bektash. Por në praktikë sekta ka mâ tepër afrí me shiitët se me sunitët. Shênjti Bekatsh ka pasë bekue themelimin e trupit të Jeniçervet e prandej këta kanë qênë in blocco bektashij. Ky trup i famshëm u suprimue në 1826 prej Sultan Mahmudit II, jo veç me dekret, por edhe me gjak të madh. Bektashizma atëbotë në të tânë mbretnín ra në të zí e u bâ anmike e khalifatit, e sunitizmës, e Sultanvet. Bektashizma, pra, e leme prej rrethanash politike kundra orthodoksís myslimane përgjithsisht, prap politikisht u ftoh edhe faqe khalifatit e sultanatit t’Osmanllís e prandej në Shqipní ishte për njimênd e me gjithë zêmër nacjonaliste. Tre vllaznit frashrijotë Abdyl-Sami-Neim, qi s’kanë ç’bâjnë aspak me Mehdín, ndërsa Midhati ka qênë bash i biri i Abdylit, kanë qênë po, me sa dij un, bektashij ; por përsa i përket nacjonalizmës së tyne, nuk besoj qi kjo të ketë qênë e frymzueme prej fejet. Neimi ka shkrue shumë vjersha qi i përshtaten doktrinës bektashjane e krejt nji poemë me titullin Qerbelaja, qi âsht emn’i vêndit ku âsht zhvillue bëteja në të cilën u vranë djemt e Aliut e qi përshkruen me vjersha të thekshme gjithë këtë bëtejë. Qêndra bektashjane në Gegní janë Kruja e Elbasani, me rândsí; pak Gjakova e krejt krahina e Bulqizës. Në Toskní ka mâ shumë. Selija e përgjithshme e bektashizmës … së botës ka qênë vetshpallë e vetngulë në Tiranë por bota âsht aq’ e madhe e bektashizma aq’ e vocërr qi…..

Anton Harapi, pastë dritë, jo kah mbarimi, por mâ fort kah fillim’i Regjencës e para ksaj sidomos na dukej neve se ishte pak si tepër i matun në hapat e tija antikomuniste. Por po të marrim para sŷsh pozitën e tij si zyrtar feje plot me përgjegjsina shumë delikate, s’âsht për t’i vûmë aq faj të shuetit. P. Anton Harapi ka qênë pa pikë dyshimi patrijot e me zêmër aq’antikomunist sa duhet të jetë nji nacjonalist e nji katholik i mirë. Por guximi edhe për nji njeri edhe krejt të pamvarun në fund të fundit mos të harrojmë qi âsht edhe nji çâshtje temperamenti. S’më resulton aspak qi të ketë pasë hŷmë ndoj herë në ndoj farë marrveshtjeje të fshehtë me komunista. Zoti e di të vërtetën e, duhet me thânë nga nji herë, Zoti na ruejttë mênt e krés!

Tash qi mbarova përgjegjet e gjithë pyetjeve të tua, po Të pyes edhe un Tý për dishka qi m’ intereson: shkruejmë gjithça të dijsh mbi shkollat katholike të Shkodrës në kohën para indipendencës: kur e si kan fillue, si janë zhvillue e me çfarë gjuhe në kohën e Tyrqís? E me kaq Të përshëndet me zêmër.

   MKruja