Letra e 1951-shit / Historia e vërtetë, Kruja: Italianët s’e vranë Gurakuqin, por spekuluen mbi gjakun e tij

  • 04 July 2015 - 09:54
Letra e 1951-shit / Historia e vërtetë, Kruja: Italianët s’e vranë Gurakuqin, por spekuluen mbi gjakun e tij

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” nis publikimin çdo fundjavë të letrave

Kjo letër i kushtohet profilit dhe historisë rreth Luigj Gurakuqit, një kërkesë që frati pukjan ia shtron Mustafa Krujës për t’u njohur me historinë e vrasjes së patriotit. Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***

Ramleh (Aleksandrí), 21. II. 1952

I dashuni mik,

Po t’u përgjigjem me sa mundem pyetjeve të letrës me 26 të mojit të kaluem.

Për Eshref Frashërin. veç sa të kam shkrue deri tash, nuk dij tjetër me themel. Mundem me shtue edhe nji gjâ të vetme: kur në 1923 Ahmet Zogu mbërrîni me shkatërrue Klikën përmbrênda Eshrefi mbet me tê, por edhe ndër sŷ të tij e kishte humbun tashmâ çdo rândsí politike, kishte dekun.

Un s’dij me sigurí kurrfarë hollsinash mbi shërbimin informativ ingliz në Shqipní. Sa për Il sangue tradito, ai libër t’a merr edhe tý mêndja qi âsht fund e krye tendencjoz.

Mbi Luigj Gurakuqin âsht shkrue mjaft, relativisht, e ndër tjera, shkrime gazetash e rivistash, ka edhe nji bijografí të shkurtën, nji librec, të Gjon Kamsit. Për ato pika specifike qi më pyet ti po të përgjigjem me aqë sa dij. Me sa dij unë me të ndieme, por gati me sigurí, në kryengritjan e madhe të malsorve të Mbishkodrës, Luigji ka qênë në Cetinë bashkë me Ismail Kemalin edhe 12 pikat e librit të kuq për autonomín e Shqipnís qi u lypshin atëherë n’emën të kryengritësvet, ata i kanë përpilue.

Luigji ka qênë njohun me Ismail Kemalin përjashta, ku ishin të dy t’arratisun. Bashkë patën zdrypun edhe në 1912 në Durrës ku u përgatit mbledhja e kuvêndit të Vlonës. Sekretar i këtij kuvêndi, ku un pata shkue si delegat i Krujës bashkë me ta, ka qênë Luigji. Pjesa shqipe e shpalljes së pamvarsís âsht shkrim i tij e tyrqishtja e dorës s’Ismailit. Luigji ka pasë qênë shoq i këtij të fundit e si dora e djathtë e tij, jo sekretar me rrogë. Âsht interesant nji anekdot, qi s’âsht shkrue ndonji herë. Ishim disa vetë në zyrën e kryetarit: ditt e para qi qe shpallë pamvarsija. Nuk mbaj mend si u ashpruen fjalët ndërmjet Gurakuqit e Xhemil Be Vlorës (Kuvêndi ka qênë mbledhun në shtëpí të këtij të fundit e atje ishte ende edhe zyra, a, mâ drejtë me thânë, salloni ku pritte plaku.) Xhemili e buer ekvilibrin e, si ishin mësue bejlerët me të krishtenët e Jugës në kohën e Tyrqís, lëshoi nji fjalë të rândë kundrejt Shkodranit, i tha “ushak”, tyrqisht, qi don me thânë shërbtuer, laquet. Shkrepte në lidhnít qi kishte Gurakuqi me Ismailin. Gurakuqi u çue si rrufeja e i mbet me nji paravesh turîjve. Tjerët e kapën beun e e çuen në harem, te grát e s’u bâ mâ kurrfarë reakcjoni. Luigji s’e hiqte n’ato kohna të turbullta kurrë alltijen nga brezi, e ruejna Zot pat me u bâmë nami. Mâ vonë i pajtoi Plaku. Ky, me gjithë qi Xhemilin e kishte nip, donte e çëmonte njiqind herë mâ fort Luigjin.

Gurakuqi qe zgjedhun prej kuvêndit ministër i arsimit. Sekretar i kryesís së këshillit ministruer, për nja tre muej e mâ tepër, s’e mbaj mênd mirë, kam qênë un.

Për sa i përket ideve të Gurakuqit mbi politikën e jashtme të Shqipnís, në dish gjâ për mue, s’ke nevojë me pyetun mâ gjatë : un jam nxânës i tij. Vetem se ai s’e ka pasun guximin t’em, tutej tepër, i shueti, prej demagogvet e gojkëqijvet. Faik Konica, qi s’mund t’a shihte me sŷ – se edhe këtij i a ka pasë futun nji shkop (ishte moda me bartun zotnít shkopij aso kohe) në nji mbledhje në hotelin Kosova të Durrsit, ku ishem edhe un, nën Princ Wiedin – e qi dinte me i a gjetun gjithkuj nji ofiq, i a ka pasë ngjitun “miku i gjithkuj”, shi për nj’atë temperament qi kishte për mos me i a prishun qejfin askuj.

Në parlament ka qênë nji ndër liedert mâ të shquemit t’opozitës.

Në lëvizjen e qershorit 1924 ka qênë kundrështar deri qi nuk qe vêndosun, ka luftue si luâ për t’a ndalue, tue profetue pikë për pikë të gjitha pasojat qi u vërtetuen mâ vonë njâna mbas tjetrës. Por, mjerisht, mbandej, kur s’i eci mâ fjala, vot mbas rrymës e u bâ edhe ministër me Fan Nolin.

Në vrasën e tij s’ka pasun kurrgjâ të misterët e prandej âsht kot qi të më pyetsh mue. Un kaq po të them: qi Luigj Gurakuqi âsht bâmë flí e panjohjes së shpirtit të pastër, të patrijotizmës së kulluet e të ideve politike të vërteta të tija. T’i kishin qênë njohun e dijtun këto të gjitha, ashtu si i kishte me të vërtetë, Luigji s’ishte vramë. Tý ndoshta këto fjalë të mija kanë me t’u dukun sibiline e s’ke me i kuptue mirë ; por s’ka gjâ, shënoi vetëm si nji gjykim historik, e dikur ke me i kuptue. S’e kam këndue shkrimin e Hyllit të Dritës, por puna s’âsht ashtu si e paske nxjerrë ti prej atij shkrimi. Italjanët s’e vranë Gurakuqin, por spekuluen mbi gjakun e tij : gjyq’i Tranit ka qênë nji shkandull e nji njollë qi s’i hiqet kurrë gjyqsís fashiste.

Asaj pjesës qi paske kopjue prej veprës Illyrisch-albanische Forscungen, të më falësh se nuk do t’i përgjigjem. E po të lutem, si për sa ka mbrênda ajo, ashtu edhe për tjera, me më bâmë kurdoherë pyetje të caktueme. Edhe dije qi fjalor’i im gjermanisht âsht tepër i vorfën, aqë sa s’ka frazë pa ndonji fjalë qi nuk e kuptoj, në çdo tekst qi marr me këndue. Prandej tekstet gjermanishte mbi të cilat don me më pyetun, dërgomi të përkthyeme shqip. Gramatikën e dij mjaft mirë e prandej, me ndihmën e fjalorit, kam mbërrîmë me përkthye krejt pjesën historike të vëllimit të parë të veprës qi paske ti. Un s’e kam, por e pata marrë hua.

Po ti si s’priton, bre burrë, me i shtimë vetes kujdes se kush i ka mâ tepër në shpirt e kush do t’i lajë mâ shtrêjt n’atë jetë apo në këtê gjakun e të pafajshëmve shqiptarë e gjithë të zezat e bâme në Shqipní, a Slavët qi kanë dhânë drejtimet apo Shqiptarët qi i kanë zbatue në detaje?

Ajo historija qi qênka botue tash vonë në Graz po m’intereson fort. Por kallzomë mâ par’ e mâ dalë se sa bâjnë 160 shilingat me pare qi njohim të dy: p.sh. me lireta, fr. Zvicre a dollarë. Mbrapa shikoj xhepin e përpiqem, për n’i paça paret, me gjetun mënyrën se si me i çue. Tjetërkush s’âsht i marrë si ti e si un me shpenzue të holla për libra.

Me shumë shëndet e miqsí

MKruja

Graz, 29 fruer 1952

I dashtuni Mik,

Të falem nderës per pergjegje të letres së dashtun tande, qi e mora të marten me 26. Dý kallzimet mbi Luigj Gurakuqin m’interesojn sa s’ka, vetem n’atê të dytin – shkopi i Faik Konicës – kishem me dashtë me dijtë se si mbaroi e a u gjet kush qi me i pajtue, si në rasen e parë në Vlonë, e a i a kthei edhe Faiku me shkop Luigjit apor jo? Se Luigji âsht kenë trim, e kam pasë ndie edhe perpara, por kto dý epizoda më janë kênë krejt të panjohtuna.

Artikuj t’ue mbi emnin “arbnuer” e “shqiptár” më kanë pelqye sa s’ka, sidomos ajo hipotheza e jote e ré. Të paren pjesë mjerisht nuk e kam lexue, pse nuk m’a kanë dergue apor ka hupë rrugës. Në lidhní me ket çashtje po të diftoj se Gelasius (D. Nikollë Gazulli) në nji vend të fjalorit të vet toponomastik të botuem prej si në Hyll të Dritës ka pasë shkrue njiherë (Shif vj. 1941, Nr. 3-5 faqe 187!) kto fjalë: “âsht bâ si modë me i qitë per të hueja shum fjalë t’onat si në visar gjuhsuer si në toponyme. Lypej fantazí e madhe me e rrjedhë fjalën Shkipë (Shqipë) prej verbit latin excipio; trajtën shkipë Meyeri s’e dijti”.

Se shka shenjon kjo fjala shkipë Gelasius nuk e spjegon mâ gjatë, pse endè nuk ka pasë mrrijtë i shuemi në germen sh. Kishte me kenë interesant me e dijtë se si do t’a kishte spjegue ai ket fjalë.

Tash po kalojmë te pyetjet e mija:

1) Më ké pasë shkrue nji herë kto fjalë: “Turkhan Pasha s’ka qenë sakt nji diplomat i madh, shoq’ i Ismail Kemalit, por as pa intuitë e urtí diplomatike jo”. A doni me thânë me kto fjalë se Ismajl Kemali âsht kenë diplomat i madh apo nuk e kuptoj vetë mirë shprehjen tande?

2) Ju qi keni bâ gimnazin në Janinë, e dieni sugurisht me më thânë se çfarë gjuhet ka pasë zotnue në ket gjytet në kohën e rinís s’ Uej si student atje: shqypja, tyrqishtja apor grekishtja?

3) Në gazetën “Shqiperia” të 15 frorit 1952 lexohen kto fjalë: “Per 70 vjet rresht Osmanllija e mbajti Shqipnín nen okupacjonin ushtarak. Gjatë ksaj periudhe, shumica e Shqiptarvet u konvertue (vetë do të kishem shkrue u kthye) në fén e pushtuesit”. N’ artikullin t’and si dhe në tjera vende kam lexue se Shqyptarët kanë fillue fort mâ vonë me braktisë in massa fén e perparshme e me u bâ musulman. Shka thue ti, kush e ka gabim ktu?

4) A âsht e vertetë se Mehdi Frasheri pat marrë me vedi 7 1/2 milion fr. ar kur pat lânë Shqypnín në vj. 1944?

5) Mons. Kaçorri, me të cilin – si më ké shkrue perpara – keni pasë punë sa heresh, a âsht kenë mâ fort italofil apor austrofil a por âsht kenë shqyptar i saktë si Ti e Luigji, qi mendojn kryekrejet të mirën e atdheut pa u fiksue në nji idé: jo Italí; jo Austrí, jo Francë e jo Gjermaní!

6) Në nji leter më pate shkrue nji herë kto fjalë: “diplomacija klasike e Italjanvet”. Shka kuptoni Ju me ket shprehje?

7) Pse thirret Midhat Frashëri me pseudonimin Lumo Skendo? Mâ mirë me thânë: a ka ndoj veshtrim ky pseudonim? Pse e shkruen Ti emnin e tij Mitëhat e jo Midhat, a âsht barabar si njana si tjera formë?

8) Giannini në librin e vet, të cilin e kam edhe vetë, shkruen në faqe 18 njekto fjalë: “Scoppiato il conflitto europeo, e precisamente sulla fine dell’ ottobre 1914, il Principe di Wied fuggì dall’Albania. Essad pascià rientrò a Durazzo, mentre i turchi si sforzavano di creare un movimento islamico e annunziavano la elezione del principe Burhan Eddin, figlio di Abdul Hamid, come mbret d’Albania”.  Shka kupton ky zotnija me fjalën turchi. Kta e kanë pasë lânë Shqypnín e shka hîn kta ktu? Ti m’a ké pasë tfillue punen krejt ndryshej në nji leter. Mandej mue më duket se Wiedi e ka lânë Shqypnín nji fije perpara e jo në marim të tetorit.

9) Mbasi po jena te Giannini, qe se shka shkruen ky, ase mâ mirë, qe dokumentin qi bjen ai mbi vendimin e Kongresit të Lushnjes persá u perket kufîjve: “L’assemblée nationale demande une compléte indépendance avec les frontières ethnographiques et naturelles en réparant les injustices faites par le congrès de Berlin et la conférence des ambassadeurs de 1913.”  Në traktatin t’And mbi Kongresin e Lushnjes më ké pasë shkrue se ky kongres pat lypë e pat kênë kondendue vetëm me kufîjt e 1913.

10) Fjalen sadrazen e spjegoni me cancelliere dell’ impero. A ka kjo të njajtin kuptim sikurse fjala tedeshke Reichskanzler? Shka don me thânë fjala Vezír i Madh (Großvezier)? A âsht kjo barabar me fjalen sadrazen e a shenjon edhe kjo Reichskanzler, kryeminister në veshtrim të sotshem apor ka mâ teper kuptimin e nji ministri fuqiplotë n’at kohë kúr, më si më duket mue, nuk ka pasë ministra sikurse ka tash?

11) Shka don me thânë ti me fjalën: imtoj

12) Shka don me thânë ti me fjalën hajsmi (hajsmi liberal etj.)

Çmimi i atij librit tedeshk, per të cilin të pata shkrue, âsht 5-6 dollar. Al mercato nero 1 dollar ban 30 shillinga austriakë in media, në bankë kushton nji dollar vetem 25 1/2 shillinga. Prá, si po e shef, m’a merr mendja se tue e njehë edhe rrugen, do të kushtojë gati 6 dollar ky libri i yt, ndoshta nji grimë mâ pak.

Vepren “ILLYRISCHE-ALBNISCHE FORSCHUNGEN”  mjerisht nuk e kam, edhe vetë i a kam pasë marrë uhá Malokit e tash i a kam kthye prap dalë. Vetë nuk kam gati kurrnji liber mbi Shqypní, posë Gianninit, Richard Buch-Zantner, SANGUE TRADITO, nja dy libra të Gopçeviqit e ndoj tjeter krejt pa randsí. Kjo pat kenë arsyeja nder mâ të fortat pse pata pasë marrë guximin me iu sjellë Mbretit per ndoj ndihmë, pse dojshem me blé libra mbi Shqypní. Por edhe kjo shkoi kot. Por si thoni Ju në letrën t’ uej: “Tjeter kush s’âsht i marrë si ti e si un me shpenzue të holla për libra!” Shyqyr qi Mbreti nuk e din ket punë, se vetë kam pasë nder mend me blé me pare të tija libra, pse perndryshej nuk do të më çonte gjâ, sikursè nuk po më çon kurrgjâ as tash. Edhe un po kondendohem me xânë pa libra e pa mjete, tash më vjen dija edhe mue prej qiellet! Ka dashtë Zoti e Maloki ka mjaft shum libra e mundem me i përdorë edhe vetë. Por kur mendoj se tana bibliothekat t’ona në Shkoder i kanë grabitë, më pikon zemra gjak, kah e dij se nuk kam si shtîj në dorë kurrnji liber jo vetem per vete, por edhe per mbasardhsit e mij.

Letra maroi e edhe vetë po e kspus me kaq, tue t’urue shndet e të mira nga zemra.

Miku i Yt

P. MargjokajO.F.M.
S. Fotografín t’ Uej qi m’a keni premtue, e keni qitë në harresë.