At Gjergj Fishta: Jo fonde për kthimin e grekomanëve të Korçës në shqiptarë, por administratë dhe gjykatë të drejtë

  • 11 February 2017 - 16:25
At Gjergj Fishta: Jo fonde për kthimin e grekomanëve të Korçës në shqiptarë, por administratë dhe gjykatë të drejtë

Me pushtimin e Korçës nga grekët më 7 dhjetor 1912, “Banda e Lirisë” nuk mund të ekzistonte më. Profesori italian i muzikës Paskale Anibale u largua. Muzikantët u shpërndanë. Korça ra në dorë të shoqërive muzikore greke “Anagjenisi” dhe “Ta Patria”. Mungesa e “Bandës së Lirisë” u ndje edhe te shqiptarët e emigruar. Rikthimi i një shoqërie muzikore shqiptare u bë çështje dite për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Me largimin e francezëve nga Korça më 1920, shqiptarët e Amerikës dërguan në Korçë bandën muzikore “Vatra” që e kishin krijuar me aq mund.

Ardhja e bandës “Vatra” nga Amerika, u prit me dashamirësi nga qeveritë shqiptare të pasvitit 1920. Fondet që jepeshin për të ishin të shumta. Bëhej gjithçka për mbarëvajtjen e saj, aq sa u duk sikur “Vatra” e Korçës mori gjithë vëmendjen e qeverisë, ndërsa shoqëritë muzikore të qyteteve të tjera mbetën në harresë. Shpenzimet e shumta për “Vatrën” qeveria i justifikonte me pretendimin se “Vatra” përpiqej të fuste shqiptarizmin te grekomanët e Korçës. Kjo detyroi Gjergj Fishtën të thoshte: Mos  jepni fonde për kthimin e grekomanëve në shqiptarë, por ndërtoni administratë dhe gjykatë të drejtë dhe atëherë gjithçka do të jetë ndryshe. Kjo ishte pak a shumë ideja e Fishtës.

Fjalët e tij lapidar do t’i citojmë tekstualisht më poshtë, ashtu siç janë thënë nga vetë ai, por fillimisht do të rrëfejmë si rrodhën ngjarjet.

Kush ishte banda “Vatra”? Këtë gjë e mësojmë nga një përshkrim i shtypit të kohës:

“Tre vjet e gjysëm të shkuara në kolloninë Worcester Mass, një tok djem të rinj, atdhetarë të flakët dhe me ndjenja të kulluara dyke menduar që, si mund t’i shërbejnë atdheut të tyre të dashur, vendosnë të formojnë një bandë kombëtare. Menjëherë i dërgojmë një letër atdhetarit të flakët profesor z. Thoma Nasi që të vijë në Worcester Mass. Z. Thoma si i palodhur që është, me të marrë letrën, ngrihet dhe vjen në Worcester, ku me gëzim djemtë e paraqitin dëshirën e tyre dhe pyesin që në mundin të mësojnë. Z. Thoma Nasi me nënqeshje u thotë që si është e pamundur që shqiptari aq i zgjuar të mos mësojë, kurse njerëz të egër mësojnë muzikë, jo pastaj shqiptari që është muzikëdashës. Djemtë të enthusiasmuar thërresin: Rroftë Banda Kombëtare “Vatra!” …U betuan që të gjithë që, posa që zëri i atdheut t’i thërresë të jenë gati për detyrë”.  (“Gazeta e Korçës”, 23 qershor 1920)

Pra, banda “Vatra” u krijua në Worcester Mass të Amerikës në dhjetor të vitit 1916. Himni i saj u kompozua nga muzikanti i shquar nga Postenani i Leskovikut, Ajdin Asllani. Pas tre vjet e gjysëm aktivitet atje, në vitin 1920, bandën e dërguan në Korçë. Dhe e vërteta është se “Vatra” bëri shumë për rritjen e ndjenjës kombëtare, veçanërisht te ata që ishin infektuar nga propaganda helene ose që ende nuk ishin zgjuar nga gjumi. Gjatë kohës së qëndrimit në Korçë, vazhdimisht dëgjoheshin lajme të tilla:

“Nesër më ora 3 pasdite, po të bëjë kohë e mirë, banda “Vatra” do të lozë disa copra (pjesë) të zgjedhura në kopësht të “Çezmave të arave”. (“Gazeta e Korçës”, 20 nëntor 1920).

Protestonte për Vlorën që mbahej e pushtuar nga italianët:

 “Që m’ora 8 në mëngjes, zunë të mbyllen dyqanet dhe populli të mblidhet në

bulevardin “Shën Gjergji”. M’ora 9 me flamur kuq e zi në krye, të shkrojtur mbi të:

“Protestim kondra masakrave të Italisë në Vlorë” dhe me bandën kombëtare “Vatra” vanë para shtëpisë së ish – Qeveritarit Delegat të këtushëm, z. Cretin, i cili atërë po përgatitej që të lërë Korçën. Kur dolli koloneli Cretin për të hipur otomobillë që të shkojë, banda “Vatra” atëherë i bie Marsejezës, të cilën e mbuluan duartrokitjet dhe të thirurat rroftë Franca, rroftë Shqipëria”.  (“Gazeta e Korçs” 23 qershor 1920)

Ngjarjet e Vlorës ndiqeshin me vëmendje të veçantë:

“Me t’u përhapur fjala se Vlora ra në duart e Shqiptarëve … më ora 8 ½ mbrëmanet, tërë Popull i Korçës me Bandën Kombëtare “VATRA” në krye, nisen që nga bulevardi dhe venë në Kumandën e Ushtërisë, ku me të arirë, ushtarët nisin të zbrazin qorë-fshekë dhe këmbanat zunë të buçasin, duke përhapur në tërë Korçën lajmin gazmor të të liruarit e Vlorës. Si ndenjën pak atje, nisën tërë, dyke ardhur pas dhe ushtëria, dhe shkojnë nga Kryqi i Kuq Amerikan, ku shëronjëset duallë te porta dhe thërisnin Rroftë Shqipëria, dyke iu përgjigjur Populli, Rroftë Amerika”.  (“Gazeta e Korçës” 24 korrik 1920)

Kështu ndodhi edhe kur trupat kombëtare hynë në Vlorë:

“Më ora tetë në mëngjes, Banda Kombëtare Vatra, nënë direksio’ të profesorit tonë z. Thoma Nasi, marshoi në rrugët e Vlorës duke trumbëtuar marshet kombëtare, dhe qëndroi përpara komandës xhandërmarisë. Më ora 8.30 gjithë gjindja ish e mbledhur dhe gati që të gjithë po prisnin pa durim që të marshojnë për pritjen e luftëtarëvet. Ora arriti dhe kryekatundari urdhëroi për marshim. Banda përpara, pas vinte kaloria dhe kombësia nënë kumandën e z. Ferit Frashëri dhe Tosun Selenica…”
(Gazeta “Koha”, 11 shtator 1920)
Ditën e flamurit Korça mori “zjarr” prej haresë dhe gëzimit:

“Banda “Vatra” nënë kryesimin e z. Nasi, u jepte ndjenjat kombëtare; kori muzikal nën kryesi të tenorit Mihal G. Ciko, i perëndonte në qiell këngët e vajzave dhe të çunave të shkollave, për të cilët përgëzojmë Drejtorinë e Arsimit dhe profesorët, shoqërinë e zonjave dhe Jetimoren nënë drejtimin e z. Thanas V. Mboria. Në mëngjes pra, të kësaj dite më të lumturë edhe kombëtare, me ora 9 një gjindje e madhe, pa dallim feje pllakosi në Xhami të Madhe ku patrioti Hafëz Hasani bëri lutjet në gjuhën amtare, edhe mbajti një fjalë patriotike për këtë ditë, sa gjithë qanin. Z. Muamer Abidin, nji nga të flaktët e të rinjtë kombëtarë, mbajti një fjalë shumë patriotike po më shumë historike që të lëvizin ata të gjumit. Që nga Xhamia urdhëruan që të gjithë bashkërisht në Shen Gjergj ku nuk hidhnje dot mollën nga gjindja”. (Gazeta “Koha” 4 dhjetor 1920)
Pra, banda “Vatra” bënte një punë të mirë patriotike. Kjo ishte dhe arsyeja pse ndihmohej me fonde. Ja një shembull nga shpërndarja e fondeve për vitin 1923:

Gjimnazi franceskan me 86 nxënës, me një bandë muzikore e një orkesër të vetën, në mot  mori 15.000 franga ari, kurse banda e Korçës  40.000.  (“Hylli i Dritës” tetor 1923, nr. 10, f. 475)

Ndihma financiare nuk iu ndërpre as gjatë qeverisjes së Nolit, e cila u shqua për kursim dhe mirëqeverisje:

“Gurakuqi si ministër i financave i kabinetit Emzot Nolit bëri çudira. Gjeti katër milion franga të papaguara ari; me administrimin e tij të shkëlqyer, me ngurësimet e tij ngursente (kursente) parat e shetit më tepër se parat e tij, arriti që jo vetëm buxhetin e ri ta mbyllte me një tepërice prej 1000.000 franga ari. …Nuk është e vërtetë se i preu bandës “Vatra” subvencionin, përkundrazi i cakoi kësaj 20 ose 25 mijë franga ari në mot të cilat, të tjerët më parë, dhe jo ay ia kishin prerë”. (“Hylli i Dritës”, mars 1944, nr. 3, f.10)

Intelektualët e qyteteve të tjera të gjendur përballë një situate të tillë, të pa pranueshme, pasi shoqëritë muzikore të qyteteve të tjera po liheshin në haresë, detyruan At Gjergj Fishtën të thotë:

“Ministria e Arsimit i ep bandës (daulles) s’Korçës dy mijë napolona në vjet me qëllim q’i me ba “shqyptarë” “grekomanët” e Korçës. Ah, Zotni të mi, pallavra janë këto; pse besa, grekomanët e Korçës nuk janë arusha, qi me këcye si të bjerë lodra. Të shkrihet po, daulla në Korçë, e në kambë të saj të ngrifet nji gjykatore e mirë, e drejtë, dhe administratë që mos të shpërdorojë autorietin, e keni me pa se grekomanë e Korçës, pa daull, kanë me u deklarue vetë për shka janë: Shqyptarë…” (“Hylli i Dritës”, korrik-gusht 1924, nr, 7-8, f. 243.)

Dhe At Gjergj Fishta kishte të drejtë, fondet e dhëna për bandën “Vatra”  përfundonin në “vrimat e zeza” të Korçës. Kjo ishte dhe arsyeja që mbreti Zog e mori “Vatrën” në Tiranë.  Si rrodhën ngjarjet më tej? Na ndiqni fundjavën që vjen. 

(Kosova Sot)