Historiani turk që shau Skënderbeun dhe revolta jonë antimediokritet!

  • 12 February 2017 - 09:31
Historiani turk që shau Skënderbeun dhe revolta jonë antimediokritet!

Talha Ugruluel do që të bëhet i famshëm e do të bëjë një grusht më shumë me para. Ai është një historian periferik në Turqi që askush nuk e përfill. Ka shfrytëzuar projekte e fonde qeveritare, ose jo, nga Turqia, për të ardhur këtu që të fitojë dëgjues e duartrokitës shqiptarë, të cilët pasi shesin votën çdo 2 vjet, pra sa herë kemi zgjedhje, nuk e kanë problem të shesin edhe Skënderbeun. Skënderbeu është Heroi ynë Kombëtar, është kësoj edhe shtyllë themelore e identitetit tonë kultural si shqiptarë dhe kërkon shumë mendim që të kuptohet si i tillë, nga qytetari që shet votën për 20 mijë lekë të vjetra. Ndaj edhe është bërë normalitet që këtu në vendin tonë, gjithëfarësoj mediokri nga cilido vend që vjen me një çantë projektesh, gjen gjithmonë një auditor me shqiptarë dëgjues e duartrokitës, pavarësisht marrëzive që thuhen. Nuk ka mbetur entitet fetar a kultural i globit pa gjetur shqiptarët e vetë dëgjues e duartrokitës. Çfarë ka ky Talhai kaq të jashtëzakonshme këtu në këtë babilon kultural e fetar që ne kemi lejuar e pranuar të na ngrihet mu para syve tanë çdo ditë në këto 25 vite? Babilonin tonë, ka ndër ata që e quajnë liri.

Ndoshta po, ndoshta jo. Pikëpyetjet vijnë tek faturat që paguajnë për këtë lloj lirie babilonase. Faturat që blejnë çdo ditë copëza populli dhe shuajnë e zhbëjnë pikë – pikë parreshtur, ndërgjegjen kulturore, historike, politike të këtij kombi. Kemi shqiptarë që e quajnë veten djemtë e Merkelit, kemi të tjerë që mburen se çdo ditë flasin në tel me Washingtonin, kemi djemtë e Erdoganit, djemtë e Gylenit, ata të grekut dhe italianit. Kemi nostalgjikët e Moskës e dashamirët e Beogradit. Kemi frankofonët, soroistët, mormonët, dëshmitarët e Jehovait, Ambasadorët e Paqes të të ndjerit Reverend Moon, e kështu me rradhë deri në pamundësi për ti numëruar. Kemi kaq shumë të tillë saqë të krijohet ideja se të vetmit bij të shqipes që na kanë ngelur, janë pikërisht ata, djemtë e Kombëtares sonë të futbollit, të cilët na dhanë një kënaqësi e shpalosje mahnitëse të përbashkët identitare dhe një ëndërr europiane. Ky vend ka zbritur aq thellë në varfëri dhe faturat e blerjes së identitetit po na shiten si ngjitje në liri. E per kete fajin paresor e kane Sundimtaret tane. Sepse kushdo qe paguan fatura per te na blere identitetin, ia nis duke na blere Sundimtaret. Na i blejnë ose drejtpërdrejtë, ose duke i lënë të koruptohen e kapen ose duke i koruptuar e mbrojtur si të koruptuar, rrugës. Dhe Sundimtarët tanë u shërbejnë atyre që i kontrollojnë, apo nevojave të tyre për pushtet, duke na varfëruar. Na varfërojnë që të na blejnë. Këtë po bëjnë të gjithë. Edhe tanët që na sundojnë, edhe të tjerët që na kontrollojnë sundimtarët e çdo gjë përpos. Politikanët tanë na varfërojnë xhepat që të na blejnë votat, na varfërojnë mendjet që të na blejnë shpirtrat. Xhepat na i varfërojnë duke na plaçkitur shtetin dhe të mirat publike nëpërmjet pushteteve që ne ua delegojmë me votat tona të dhëna a shitura. Na plaçkisin dhe rrënojnë ekonominë. Një shtet që plaçkitet nuk zhvillohet, vetëm zvetënohet.

Gjithashtu na varfërojnë mendjet, duke shkatërruar shkollat, kulturën, mediat, modelet përfaqësuese. Mbi krye e në pushtete na sjellin batakçinjtë, kaqolat e medikorit. E ne biem në honin e pashpresësisë. Dhe ata, sunduesit tanë, rendin për të blerë shpirtrat tanë të dorëzuar, njëlloj si Çiçikovi kur blinte frymët e vdekura. Të tjerët, pra të huajt, çfarëdo qofshin këta, fetarë, spiunë, historianë, a callcenteristë e fasonë, e gjejnë fushën e veprimit të gatshme. Gjejnë sa të duash shqiptarë xhepzbrazur e mendjeshprishur. Projekte, pako, rroga, pensione mujore, status social, e të tjera gjëra të kësollojshme dhe do të shohësh edhe salla ku flitet për pakicat eskimeze që jetojnë në Shqipërinë e sotme. Nuk e di pse mediokriteti dhe idiotësia e këtij Talhait, na ka mobilizuar kaq shumë në revoltë, a thua se ky është i vetmi. E kemi bërë Shqipërinë si lëndinë sebepesh dhe të gjithë vijnë me lirshmërinë më të madhe ta marin me qera, duke porositur kateringun nga vendet e tyre. Ne shqiptarët vetëm hamë nga ushqimi që na vjen nga jashtë, duke u ndjerë të huaj e të ftuar në vendin tonë. Sa pak vend na është lënë neve shqiptarëve në Shqipërinë tonë. Shumë pak vend. Vetëm një fushë futbolli na është lënë. E gjithë pjesa tjetër është e zënë. Pjesën e luanit e kanë Sundimtarët tanë. Partitë e mëdha kanë blerë secila pjesën e saj të popullit. Ca i kanë blerë me vende pune, ca me shkolla e bursa studimi, ca me tendera, ca me karrierë, ca të tjerë me plaçkë nga shteti dhe e mira publike, ca me frikë e ca me kanabis, etj, etj, etj. Pastaj vjen pjesa tjetër që shitet nëpër Projekte, Pako, pensione mujore apo status social. Gjen shqiptarë që duken si arabë, ke nga ata që bëjnë si turq, ka plot si grekë (nuk po flas këtu për ata që janë me të vërtetë minoritet grek), na kanë dalë serbë në jug të vendit, gjen nga të gjithë e nga të gjitha. Talhai ka kaluar masën, sepse ka guxuar të shkojë tek Varri i Skënderbeut për ta sharë e përdhosur. Por Talhai, nuk e ka bërë këtë sepse është i mençur, as sepse ka një plan. Nuk e besoj. Talhai ka një projekt të paguar. Kaq. Vetëm kaq. Dhe që të rrisë buxhetin e përfitimet e projektit, ka rritur edhe masën e guximit dhe trushkulësisë. E ka bërë për 5 aspra më shumë dhe ca famë. Sepse ai përderisa e ka lejuar të filmohet, e ka ditur çpo bënte. Ai e ka ditur që ne do të revoltoheshim. Dhe prej andej nga periferia e tij identitare e profesionale atje në Turqi, ai do të na qeshte sikurse ndoshta po na qesh. Sa më të revoltuar të jemi ne me Talhain, aq më shumë para do të marë ky birboja nga Projekti i rradhës.

Nuk është sekret tashmë se për Turqinë ne jemi një vend i vogël që hyn në sferën e ndikimit të ish-Perandorise Osmane. Duam apo s’duam ne, ata kështu na shohin. Është normale që me politikë a pa politikë, në Turqi të ketë projekte të cilat duan ta mbajnë këtë ndjesi ende të gjallë, e mundësisht ta zhvillojnë. Njerëz si ky historiani mediokër turk ka plot. Do të vijnë e do të ikin sa herë aplikohet për projekte. Këta nuk na shajnë Skënderbeun. Mos të ngatërrohemi. Këta na masin caqet e çmimit të identitetit tonë, e na blejnë më së pari neve një grusht shqiptarësh dëgjues dhe duartrokitës e deri edhe në përçues a propagandues që u mbushin sallat, e pastaj flasin sipas fjalëve kyç që u kanë siguruar miratimin e projektit. Nuk kanë përdhosur Skënderbeun jo. Nuk e bëjnë dot. Skënderbeu nuk përdhoset dot me projekte. Thjesht, këta gjejnë e blejnë shqiptarë që bëhen më turq se turku, më grek se greku, e kështu me rradhë, për një grusht para. Çfarë prisni ju tu thotë historiani mediokër turk, shqiptarëve të blerë e të kthyer në turq pas blerjes? Ai do tu flasë atyre, njëlloj si nxënësve të një shkolle të mesme fshati, atje në provincën e vetë në Turqi. Për ata Skënderbeu ashtu ishte, si Ocalani. Guximi dhe idiotësia e Talhait për ta bërë mësimin e tij të historisë turke të shkollës së mesme të fshatit, tek Varri i Skënderbeut në Lezhë, nuk tregon as politikën e as planet e tij. Tregon vetëm shumën e madhe të fituar në Projekt. Mos tia rrisim shumën e Projektit të ardhshëm Talhait. Revolta jonë është bekimi i Talhait. Talhai si historian anti Skënderbe është mediokër i pashoq. Ne si të revoltuar anti Talha do të ishim po aq mediokër sa Talhai. Veç me një ndryshim. Talhai vitin tjetër bën një Projekt me buxhet më të madh. Ne vitin tjetër presim me shpresë nëse do rritet a jo çmimi i votës për zgjedhjet parlamentare, si rrjedhojë e mbarëvajtjes së biznesit të kanabisit në vend. Revolta jonë do të kishte kuptim, nëse do tu drejtohej sunduesve tanë.

Ata na kanë katandisur në instrumenta tregu. I vetmi rregullim që kanë bërë me ne është njëlloj si ai që po bën Bashkia e Tiranës me shitësit ambulantë. Bashkia u heq karrocat dhe i largon nga vendi shitjes, që ose të gjitha shitjet ambulante ti bëjë vetëm një operator, ose që ata të cilët shesin rrugëve të sigurojnë një vend në Tregjet e ndërtuara nga Bashkia. Kështu edhe ne, ose blihemi nga 3 – 4 operatorët partiakë, ose shkojmë e shitemi në ‘projektet’ e liçensuara në marrëveshje me Qeverinë tonë. Prandaj, që të jemi në gjendje të mbrojmë Skënderbeun, ne bëjmë mirë të mësojmë të mos shitemi. Të revoltohemi kundër shitblerjes së identitetit dhe të votës. Sepse, kush e mbron Skenderbeun me flamurin e revoltës antiTalha, edhe mund të jetë pjesë e një Projekti tjetër mediokër. Talhaizmi dhe antiTalhaizmi, përdhosjen e Skënderbeut e bëjnë njëlloj, kur bëhet fjalë për buxhete e fatura. Identiteti as shitet e as blihet. Mbrohet. Kush kupton e mbron identitetin e tij, është edhe mbrojtësi më i drejtë i Skënderbeut Heroi ynë Kombëtar as përdhoset dot me projekt, e as mbrohet dot me projekt. Ne shqiptarët, ka ardhur koha të kërkojmë të na rikthehet atdheu ynë. Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me një fushë futbolli. Duhet ta rimarim atdheun tonë të plotë në çdo centimetër te tij.

Krenaria e vetëm një cope atdheu të mbetur në një fushë futbolli dhe revolta antiTalha, janë simptoma të një krize të thellë identitare. Krenarinë duhet ta bëjmë të ndihet në çdo centimetër të atdheut tonë. Kjo kërkon dinjitet, shumë dinjitet dhe vetëm dinjitet. Ndërsa revoltën duhet ta kemi për sundimtarët tanë të cilët nuk dihet më për kë punojnë e për çfarë punojnë. Atëherë, mediokër si ky historiani turk, as vijnë dot, as kanë kujt ti flasin nëse vijnë. Ky është atdheu ynë të cilin e duam kaq shumë, por që na duhet të shtojmë arsyet për ta dashur më shumë.

(Kosova Sot)