< Zbulohet ditari sekret i Enver Hoxhës - Dossier - Kosova Sot
Zbulohet ditari sekret i Enver Hoxhės

Zbulohet ditari sekret i Enver Hoxhės

Zbulohet pas 41 vitesh ditari sekret i Enver Hoxhës me shënime për poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” të Ismail Kadaresë, i cili do të jetë pjesë e librit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave” të gazetarit Dashnor Kaloçi, studiuesit të njohur të arkivave të periudhës së komunizmit.

Libri që pritet të dalë së shpejti në qarkullim me mbështetjen e UET PRESS, do të botohet edhe në Angli e më pas në Francë, me një parathënie të gjatë nga shkrimtari i njohur Ismail Kadare, shkruan Panorama. Shënimet e Enverit në ditarin e tij personal të datës 20 tetor 1975, dëshmojnë se ai ka shpërthyer tejet i egërsuar ndaj Ramizit, që kishte pëlqyer poezinë e Kadaresë dhe fjalori banal plot sharje e akuza nga më të rëndat ndaj autorit, për të cilin shprehet: “Është e qartë, Kadare është kundërrevolucionar dhe me atë poezi denigruese e sabotuese, maskon punën armiqësore…”! Duke pasur parasysh marrëdhëniet e shkrimtarit Ismail Kadare me udhëheqësin komunist që në gjallje të tij, diskutimet, përfoljet dhe spekulimet e shumta që janë bërë e vazhdojnë të bëhen ende, si dhe disa debate apo replika në distancë të tij (Kadaresë), me të venë e diktatorit (Nexhmije Hoxhën), lidhur edhe me dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, që zonja Hoxha disa vite me parë nuk pranonte t’ia kthente autorit -mendojmë se ky dokument është një nga më të rëndësishmit të të gjithë kapitujve të librit.

Kjo edhe për faktin se ai hedh dritë jo vetëm mbi raportet e shkrimtarit të njohur me udhëheqësin komunist, apo situatat tepër të vështira e mjaft kritike ku është gjendur shkrimtari Ismail Kadare asokohe, por tregon qartazi se si ka funksionuar parimisht mekanizmi, apo thënë më qartë, linja zyrtare mes tyre.

Po kështu, mendojmë se rëndësinë këtij dokumenti ia shton edhe fakti se për poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, apo siç njihet ndryshe “Pashallarët e kuq”, ka pasur një debat të madh në marsin e vitit 2002, kur poezia e plotë, e cila deri në atë kohë kishte qenë krejt e panjohur u botua te “Gazeta Shqiptare” nga Ilir Babaramo. Debat i cili zgjati jo pak dhe u ndez edhe më shumë nga shkrimet apo intervistat në shtyp të disa aktorëve që ishin marrë me problemin në fjalë, si ish-redaktori Duro Mustafaj etj., tashmë është i njohur edhe nga libri i profesor Sinanit, “Një dosje për Kadarenë”, i botuar në dy vëllime në vitin 2005.

Dhe në ketë kuadër, publikimi i ditarit të Enver Hoxhës për “Pashallarët e kuq”, në njëfarë mënyrë e mbyll deri diku “qarkun” e atij debati të hapur plot 14 vite më parë, por edhe mund ta hapë përsëri atë…

(Kosova Sot)

1 orë e 15 minuta më parë