Si u pozicionua Ahmet Zogu kundër Ismail Qemalit

  • 18 August 2017 - 09:17
Si u pozicionua Ahmet Zogu kundër Ismail Qemalit

Zogu shkoi tek Ismail Qemali tek në dhjetor të 1912-tës

Në kuadrin e veprimtarive të kremtimit të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 24 Dhjetor 2012, ndër të tjera, u përurua edhe shtatorja e Ahmet Zogut, 3 metra e lartë, e vendosur në kryqëzimin e Bulevardit "Zogu I" dhe Unazës Veriore të Tiranës. Në ceremoninë e përurimit, Kryeministri Berisha deklaroi: "Ahmet Zogu qëndroi i palëkundur në anën e shqiptareve. Pas shpalljes së pavarësisë ky pasardhës i njërës prej familjeve më të shquara shqiptare, në vitet më të vështira të vendit do të qëndronte i palëkundur në mbështetje të Ismail Qemalit, të ndërtimit të shtetit të shqiptareve." Në mediat e ndryshme shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, qarkullon mendimi se Ahmet Zogu "është themelues i shtetit shqiptar, si nënshkrues i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në Vlorë, në 1912," se ai u thirr posaçërisht nga Ismail Qemal Bej Vlora në Kuvendin e Pavarësisë. Po çfarë thonë dokumentet dhe dëshmitarët e ngjarjeve? Ish-skenaristi dhe realizuesi i rreth 80 dokumentarëve shkencorë historikë në Radio-Televizionin Shtetëror (1971-1990) dhe ish-punonjësi shkencor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare, të Akademisë së Shkencave (1998-2008), gjithashtu, autor i studimit "Myslim Peza-dëshmitar dhe protagonist 1912-1939" (2008), Azis Gjergji, shkruan se Ahmet Bej Zogolli shkoi në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ditën e fundit dhe u largua shumë shpejt prej aty, duke iu kundërvënë Qeverisë Kombëtare të Vlorës dhe veprimtarisë shtetformuese të Ismail Qemalit

Ahmet Zogu në Kuvendin e Vlorës

I pari që ka lënë të kuptojë se është thirrur direkt nga Ismail Qemali në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, më 1912, është vetë Zogu Mbret në rrëfimin që ka bërë për Ministrin Fuqiplotë të SHBA-së në Shqipëri, Bernshtain (Bernstein) në vitin 1933: "Një patriot shqiptar, Ismail Qemali," rrëfen ai, "ftoi të gjithë udhëheqësit e rëndësishëm të takoheshin në një kongres kombëtar në Vlorë. Zogu ishte midis të ftuarve gjithashtu. Pasi përzgjodhi njëzet e pesë burra të rinj si roje të armatosur, ai u nis për në Vlorë…" (King Zog Tells his Story to Herman Bernstein…, chapter three) Dy vjet më pas, biografi i parë i Ahmet Zogut, Timo Dilo, në botimin "Mbreti ynë në rininë e tij" (1935) shkroi: "Gojë pas goje, kualitetet e rralla të Ahmet Zogut dhe përpjekjet e tij ishin përhapur në çdo vend të Shqipërisë dhe nuk vonon shumë kohë që Ahmet Zogu të merrte thirrje zyrtare nga Ismail Qemali që të nisej për Vlorë me përfaqësue Matin në mbledhjen historike që shpalli Indipendencën Shqiptare."(f. 17) Adjutanti i Zogut, Hysen Selmani, në botimin "Nga notimet e Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve" (2008), jep edhe përmbajtja e supozuar të letrës: "Ismail Qemali thoshte: "Arrita në Vlorë, ku kemi thirrur një Kongres për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Ju lutem të vini sa më shpejt në këtë Kongres pasi koha nuk pret." Me të marrë ftesën, Zogu mblodhi parinë e Matit e të Dibrës dhe ? njoftoi për këtë mbajtjen e Kongresit në Vlorë… Sa mbërriti në Vlorë, Zogu shkoi tek Ismail Qemali, i cili kur e pa Zogun, u çua në këmbë e përqafoi i mallëngjyer dhe i tha: "Mirë se erdhe biri im, ja ku erdhi koha, por duhet ta dish se për këtë punë që po bëjmë sot për shpëtimin e Shqipërisë, kemi pasur si mësues gjyshin tënd, Xhelal Pash Zogun dhe këtë po ta them që ta dinë të gjithë këta bashkatdhetarë që janë këtu sot në këtë mbledhje historike. Pasi përfunduan përshëndetjet e rastit, Zogu u vu në dijeni të qëllimeve dhe të programit të kongresit, duke u treguar i zjarrtë në realizimin e ëndrrës shekullore të Shqipërisë. Fjalimi i tij pati një ushtim të thellë tek të gjithë pjesëmarrësit në këtë kongres, të cilët e quajtën si një nga shtyllat e shëndosha për ruajtjen e fatit të lumtur të së nesërmes së Atdheut… Pasi morën fund të gjitha bisedimet, më 28 Nëntor 1912, në orën katër pasdite në prezencën e 47 delegatëve të popullit, në Vlorën kreshnike u ngrit drejt qiellit të kaltër Flamuri i Pavarësisë Shqiptare dhe Shqipëria u shpall zyrtarisht si shtet i pavarur." (f.35- 36) Po dokumentet çfarë thonë? Sipas përmbledhjes "Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj" (1963), Ismail Qemal Bej Vlora, i ndodhur në Vjenë, më 18 Nëntor 1912, i dërgoi komisionit përgatitor për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, telegramin e njohur historik: "Wien. E Hënë, 5 Vjeshta e Tretë, 1328/18 Nëntor 1912. Përpara të Premtes jam atje. E mbledhmja e përfaqësuesvet në Durrës ose në Vlorë âsht krejt e nevojshme. ? thirrni të gjithë. Gjer sa të mbërrij un, mbani qetësinë e bashkimin. Çâshtja jonë politike u sigurua fare." (f. 26) Anëtarët e Komisionit ua dërguan menjëherë kopjen e telegramit të Ismail Qemalit, kryetarëve të Bashkive, Klubeve Patriotike, parësisë edhe popullit të Janinës, Gjirokastrës, Filatit, Reshadijes, Tepelenës, Delvinës, Përmetit, Margëlliçit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Dibrës, Manastirit, Resnjes, Kosturit, Strugës, Ohrit, Beratit, Pogonit, Skraparit, Fierit, Lushnjës, Peqinit, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Tiranës, Krujës, Shkodrës dhe Matit. Kopja e telegramit të Ismail Qemal Beut shoqërohej me shënimin e anëtarëve të Komisionit të Vlorës që zgjedhja e delegatëve dhe nisja e tyre të bëheshin sa më shpejt. Lef Nosi, në botimin "Dokumente historike (1912-1918)" ka vënë këtë poshtëshënim: "Këtë telegrammë, zyra telegrafike e Elbasanit e ka marrë nga ajo e Vlorës, më 5 Vjeshta e Tretë 1328/18 Nëntor 1912, në orën 10:40 të ditës, ia ka transmetuar zyrave të tjera. Kështu, zyrës së Strugës, më 5 Vjeshta e Tretë 1328/18 Nëntor 1912, në orën 12:15, për qytetet Strugë, Ohër, Korçë, Manastir, Resnje, Kostur, Dibër e Mat…" 

Besimi ndaj Qeverisë

Nisja e telegrameve nga anëtarët e Komisionit Organizator të Vlorës dëshmon se Ismalil Qemal Beu nuk ka komunikuar personalisht me asnjë prej delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, as me Ahmet Bej Zogollin. Sipas procesverbaleve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, përfaqësuesit e Matit kanë marrë pjesë vetëm në mbledhjen e fundit, më 7 Dhjetor 1912. Në fakt, ditën e 28 Nëntorit 1912, kur firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë ngritën Flamurin Kombëtar në Vlorë, përfaqësuesit e Matit, Ahmet Muhtar (turq. Kryeplak) Bej Zogolli, Riza Bej Çela dhe Kurt Aga Kadiu nuk ishin nisur akoma nga Burgajeti. Më 2 Dhjetor 1912, prefekti i Elbasanit, Aqif Pashë Biçakçiu, i dërgoi Ismail Qemal Bej Vlorës, një telegram, ku i shkruan: "Nga goja e Ahmet Be Matës që erdhi në Elbasan, mësuam se serbët kur hynë në Lumë, paskan filluar të djegin shtëpira dhe të vrasin njerëz. Nga kjo sjellje barbare, lumjanët qenkan revoltuar kundër serbëve dhe nja gjashtë batalione serbe i paskan zhdukur…" (AQSH. Fondi 245, viti 1912, dosja 52, fl. 22) Në fakt, informacioni i Ahmet Bej Zogollit ishte i vonuar për Kryesinë e Qeverisë Kombëtare të Përkohshme të Vlorës, pasi luftimet midis lumjanëve dhe ushtrisë mbretërore serbe ishin zhvilluar dy javë më parë. Nga përmbajtja e telegramit, duket se Aqif Pasha nuk e dinte se Ahmet Beu kishte ndërmend të udhëtonte drejt Vlorës; këtë informacion e jep vetë Ahmet Muhtar Matja, me një telegram që i dërgoi Ismail Qemalit, po më 2 Dhjetor 1912, nga … Tepelena (?!): Tepelenë, 19 Vjeshtë e Tretë 1328/2 Dhjetor 1912 Shkëlqesiës Tija Ismail Qemal Bej Efendiut, Vlonë U sgjodha përfaqësues i Matjes. Ndënshkruni për mua vendimet e Kongresit. Të nisem për aty apo jo? Pres me nxitim urdhërin Tuaj. Ahmed Muhtar Matja. (L. Nosi, Dokumente historike (1912- 1918), f. 137) Duket se përgjigja e Plakut të urtë të Vlorës, ka qenë pozitive dhe përfaqësuesit e Matit, duke udhëtuar nëpër Labërinë e Vlorës, në mbrëmjen e 6 Dhjetorit arritën në qytetin e Flamurit. Të nesërmen, ditën e Shtunë, 7 Dhjetor 1912, ora 2 p.m., Ahmet Muhtar Beu [Zogolli], Riza Bej [Çela], Kurt Agai [Kadiu] ndoqën punimet e Mbledhjes VII dhe të fundit të Kuvendit Kombëtar të Vlorës. Në mbledhje u diskutuan gjerë- sisht përgjegjësitë dhe detyrat e Pleqësisë së zgjedhur nga Kuvendi Kombëtar për kontrollin dhe këshillimin e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë. Mbledhja VII e Kuvendit Kombëtar të Vlorës u mbyll me fjalën e Kryetarit të Qeverisë Kombëtare së Përkohshme, Ismail Qemal Bej Vlorës mbi çështjen e besimit: "Ka apo jo kuvendi besim të plotë në veprimet e Qeverisë?" Përgjigja e të pranishmëve ishte e shkurtër, unanime dhe e fortë: "Po!" (L. Nosi, Dokumente historike, f. 185-186)

Planifikimi për t'u larguar në Mat Në protokollet e mbledhjes nuk rezulton që Ahmet Muhtar Bej Zogolli të ketë bërë ndonjë pyetje apo diskutim, e aq më pak të ketë mbajtur ndonjë fjalim, siç thuhet në broshurat e botuara në kohën e mbretërimit të tij dhe më pas në kujtimet "Nga notimet e Zogut…". Në të vërtetë duket më bindës konkluzioni se arritja me vonesë e Ahmet Bej Zogollit në punimet e Kuvendit të Vlorës ishte rrjedhim i qëndrimit të tij mosbesues për suksesin e ndërmarrjes së guximshme të Ismail Qemal Bej Vlorës, siç ishte shkëputja e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Duke arritur në mbledhjen e fundit të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, nëse kauza e nismëtarëve fitonte, Ahmet Bej Zogolli do ta deklaronte me zë të lartë se kishte marrë pjesë në ngjarjen e madhe të historisë së popullit shqiptar; nëse Porta e Lartë e Stambollit arrinte ta shpërndante kuvendin dhe t'i kalonte në litar të gjithë firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, Ahmet Bej Zogolli as nuk kishte firmosur, as kishte folur, por kishte dëgjuar dhe kishte ikur pa qenë dakord. Në të vërtetë, Ahmet Muhtar Bej Zogolli u kthye shumë shpejt në Mat. Në rrë- fimin për Ministrin Bernshtain, Zogu Mbret e justifikon kështu largimin e tij nga Vlora: "Zogu planifikoi të largohej menjëherë për në Mat. Që prej largimit të tij, serbët kishin mundur bashkatdhetarët e tij në të gjitha anët, kishin vrarë udhëheqës të ndryshëm të rëndë- sishëm, duke zaptuar praktikisht të gjithë Shqipërinë. Por Ismail Qemali dëshironte që ai të qëndronte në Vlorë dhe të ndihmonte atë në organizimin e punëve të qeverisë së re. Zogu, megjithatë, e ndjeu se detyra e tij ishte ndaj krahinës dhe fisit të tij, prandaj vendosi të kthehet atje. Ngadalë, ai mori rrugen drejt veriut duke udhëtuar natën dhe pushuar ditën në pyje dhe shpella. Së fundi, pas shumë vështirësish, ai hyri në Mat, dhe arriti edhe një herë të udhëheqë vëllezërit e tij të armëve kundër armikut." Por dokumentet dhe kronikat e Luftës së Parë Ballkanike flasin për një të vërtetë tjetër. Në mëngjesin e 3 Dhjetorit 1912, ndërsa Ahmet Bej Zogolli dhe grupi i shoqëruesve të tij nuk ishin nisur akoma nga Tepelena për në Vlorë, në frontin e Çatallxhasë ishte nënshkruar armë- pushimi i parë midis forcave ndërluftuese osmane dhe bullgare; armë- pushim i njohur më pas edhe nga ushtritë serbe e malazeze. Diplomatët e fuqive të Mëdha të Europës filluan bisedimet e paqes në Londër. Armëpushimi u respektua në të gjitha fushat e luftimeve, përveç kështjellave të rrethuara të Shkodrës, Janinës dhe Edirnesë. Për çfarë luftimesh e kishte fjalën Zogu Mbret, kur në krahinën e Matit, gjatë dy Luftrave Ballkanike nuk u zhvillua asnjë luftim, nuk u vra asnjë banor e jo më "udhëheqës i rëndë- sishëm"? Aq më pak mund të flitet për "pushtim të gjithë Shqipërisë nga serbët", pasi asnjë këmbë ushtari serb nuk mund të shkelte në jug të lumit Shkumbin, sepse në të gjitha marrëveshjet diplomatike dhe ushtarake serbogreke, trojet shqiptare nga Shkumbini deri në Gjirin e Artës ishin planifikuar t'i aneksoheshin Mbretërisë së Greqisë. Në fakt, në Vlorë, Ahmet Muhtar Bej Zogolli mori vesh se Qeveria Kombëtare e Përkohshme e Vlorës kishte emëruar në postin e nënprefektit të Matit, bashkëfshatarin e tij, mësuesin ShyqriKoçi. (dita)

(Kosova Sot)