CIA: Enver Hoxha, personazh i dobët, servil dhe i lehtë për t'u kontrolluar

  • 21 August 2017 - 08:09
CIA: Enver Hoxha, personazh i dobët, servil dhe i lehtë për t'u kontrolluar

Për amerikanët Enver Hoxha ishte një personazh shumë i dobët. Në një dokument të deklasifikuar së fundmi ku përmblidhen zhvillimet në disa vite tregohet se Bashkimi Sovjetik nxiti përçarje mes Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Për CIA-n, Hoxha ishte servil dhe i lehtë për t'u kontrolluar, ndërsa Shehu ishte më i vështirë. Po ashtu tregohet dhe rezistenca e Mehdi Frashërit dhe Muharrem Bajraktarit.

 

Nëntor 1950 Këmbimi i anijes polake

Polonia raportohet të jetë duke ndërtuar një anije 1200 tonëshe në portin e Gdynia, e cila pritet të përfundojë në fillim të vitit 1952 dhe do të dërgohet në Shqipëri. Pronësia e anijes do t'i kalojë menjëherë Shqipërisë dhe në këmbim Polonia do të marrë vlerën ekuivalente në produkte shqiptare si duhan, minerale kromi, bitum, barëra medicinale, lesh dhe peshk të kriposur. Sipas raportimeve, një shumë e konsiderueshme krediti është krijuar që tani me ndihmat ndaj Shqipërisë dhe një pjesë e mallrave ka nisur të dërgohet nga portet e Durrësit e Vlorës me anijet polake. Kur të kompletohet, anija do të niset nga Gdynia me ekuipazhin dhe teknikët polakë, të lundrojë drejt Durrësit ose Vlorë. Teknikët polakë do të mbeten për disa kohë në bord për të instruktuar ekuipazhin e ri shqiptar në përdorimin e anijes.

Gusht 1951 Aktivitete rezistence, morali i popullsisë

Masa ekstreme shtypjeje po ushtrohen nga qeveria në rajonet bregdetare jugore të vendit. Në korrik 1951, rreth 30 familje u morën me forcë nga zona e Konispolit për t'u dërguar në veri në zonën e Fierit. Por masa të tilla raportohet të jenë pjesë e politikave rutinë të qeverisë për të siguruar kontrollin dhe sigurinë në zonat kufitare. Morali mes njerëzve është shumë i ulët. Organizata civile e paarmatosur antikomuniste thuhet se është përhapur në shumë fshatra dhe ka baza në Tiranë, Vlorë e Korçë. Shumë mbështetës të Koçi Xoxe i përkasin kësaj organizate. Por aktivitetet e saj janë kufizuar prej arrestimeve të shumta të policisë. Në Krujë, Pukë dhe në fermën Ylli i Kuq në Tiranë një numër i madh familjesh janë sjellë nga jugu i Shqipërisë. Ato jetojnë në kasolle kashte dhe marrin 500 gramë bukë në ditë për person, dhe disa produkte të këqija të fermës. Rrobat dhe këpucët e tyre janë të mjerueshme. Disa ngarkesa me rroba nga Kryqi i Kuq të ardhura në 1949 nuk i janë shpërndarë të zhvendosurve por janë mbajtur nga qeveria. Mes Tepelenës dhe Turan është ngritur një kamp për familjet refugjate nga veriu i Shqipërisë. Numri i familjeve të tilla të zhvendosura është i madh dhe kushtet e tyre janë të mjerueshme. Në të njëjtën zonë është vendosur dhe Brigada e Veçantë e Ndjekjes së guerrilasve.

Nëntor 1951 Fjalimi i Muharrem Bajraktarit

Lideri i emigrantëve shqiptarë në Greqi Muharrem Bajraktari foli në një takim të veçantë me refugjatët shqiptarë në kampin e Lavrion në shtator 1951. Ai deklaroi se Shqipëria dhe shqiptarët duhet të kthehet nga marshalli Tito dhe Jugosllavia, dhe të kërkojnë mbështetjen e saj. Disa kundërshtime u ngritën ndaj ideve të tij nga shqiptarë të Kosovës, të cilët thanë se Jugosllavia kishte skllavëruar Kosovën, "zemrën e Shqipërisë". Takimi u mbyll pa arritur ndonjë marrëveshje.

Janar 1952 Jugosllavët tentojnë të rekrutojnë diplomatin

Në fillim të tetorit 1951, Ljubo Kovaçeviq, i ngarkuari me punë i legatës jugosllave në Beirut, shkoi në kryeqytetin sirian Damask për të intervistuar disa refugjatë shqiptarë. Mes tyre ishte një shqiptar që burimi ynë e identifikonte si kolonel Mulyi, kryetari i një fisi në veri. Gjatë intervistës Kovaçeviq i propozoi atij krijimin e një komiteti për të luftuar regjimin Hoxha, që do të kishte mbështetjen e plotë politike dhe financiare të Jugosllavisë. Detyrat e tij do të ishin drejtimi i luftës guerile nga Jugosllavia në territorin shqiptar. Ai u tha gjithashtu refugjatëve se pas rënies së regjimit aktual të Enver Hoxhës, ky komiteti do të merrte jesh në krijimin e republikës së re shqiptare pro-Tito. Mulyi raportohet të kishte refuzuar bashkëpunimin. Ka mundësi që lideri fisnor shqiptar të ketë qenë Mul Bajraktari.

Prill 1952 Rezistenca në Shqipëri

Të ardhurit e kohëve të fundit raportojnë se situata është përkeqësuar shumë javët e fundit. kërkesat e qeverisë së Hoxhës për sasi të mëdha ushqimi, veçanërisht vaj ulliri për BRSS, kanë shkaktuar zhdukjen e ushqimeve nga tregjet. Situata ka krijuar reagime të forta por veprimet dhe tentativat e sabotazhit kanë qenë sporadike dhe të paefektshme. Ato shpeshherë motivohen vetëm nga arsye personale dhe jo patriotike. Si rrjedhojë, policia ka mundur t'i shtypë ato me lehtësi. Më 14 janar 1952, radio shqiptare njoftoi se punonjësit e fushave të naftës në Patos kishin arritur të shuanin zjarrin, që u shkaktua nga rrufeja, pa dëme në puset e naftës. Por kjo mund të ketë qenë një tentativë sabotazhi. Gjatë festimeve të 39-vjetorit të pavarësisë në Romë, patrioti Mehdi Frashëri i bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen dhe të shikojnë nga Perëndimi, pasi ideologjia sovjetike do të sjellë vetëm shkatërrim. Fjalët e tij ngjallën shumë interes mes të gjithë shqiptarëve n ë vend dhe në botë, që e kuptojnë nevojën për bashkim pa dallim, për të çliruar Shqipërinë nga tirania komuniste. Gjithashtu, Komiteti i Shqipërisë së Lirë, i cili pretendon të përfaqësojë të gjitha klasat dhe lëvizjet politike antikomuniste në Shqipëri, ka pranuar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nevojën për inkurajimin e të gjitha rrymave politike për të përshpejtuar rënien e regjimit Hoxha.

Prill 1952

Si rezultat i antagonizmit mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, Partia e Punës po ndahet në dy rryma. Ky fakt po shkakton shumë shqetësim mes sovjetikëve dhe liderit shqiptar Hoxha. Ministri rus në Shqipëri Dmitri Chuvakin nuk është i sigurt cilën palë të mbështesë. Enver Hoxha është një personazh i dobët, por servil dhe i lehtë për t'u kontrolluar, kurse Shehu, megjithëse është guximtar dhe i vendosur, është i vështirë për t'u kontrolluar. Deri tani sovjetikët po vazhdojnë të mbështesin Hoxhën. Në rast të një eliminimi të mundshëm të Hoxhës dhe të Shehut, kandidatë të preferuar do të ishin Manush Myftiu, Koço Tashko, Gogo Nushi. Kryetari i vërtetë i Ministrisë së Brendshme është gjenerali Gorbatov, i cili drejton Sigurimin dhe agjenci të tjera të sigurisë. Në Shqipëri raportohet të ketë një organizatë të gjerë nacionaliste me punonjës civilë, ish-punonjës të administratës dhe oficerë. Megjithëse organizata është e përhapur në të gjithë vendin, prezenca e saj ndjehet më shumë në Tiranë. Ky grup nga i cili tremben Gorbatov dhe të tjerë është proXoxe dhe anti-sovjetik. Anëtarët e tij kryejnë vepra kabotazhi dhe shpërndajnë propagandë anti-sovjetike dhe antiKominform. Kjo organizatë raportohet se është përgjegjëse për bombën në legatën sovjetike në shkurt 1951. Edhe spastrimet e qershorit 1951 që pasuan episodin me bombë, nuk arritën rezultatet e kërkuara pasi nga rreth 2300 individë të spastruar nga partia vetëm 62 ishin nga grupi i Koçi Xoxes. Komiteti i Shqipërisë së Lirë nuk ka influencë në Shqipëri, pasi janë përhapur fjalë se kryetari i tij Hasan Dosti ka bashkëpunuar me komunistët. Dy anë- tarët e tjerë të kryesisë Nuçi kota dhe Said Kryeziu konsiderohen më të ndershëm dhe kanë më shumë influencë.

Maj 1952 Shqipëri-BRSS

Largimi i ministrit sovjetik Dmitri Chuvakin nga Tirana dhe zëvendësimi i tij me Kiment Leviçkin ishte një ngjarje shumë domethënëse. Askush nuk e di me siguri nëse ka një konflikt serioz mes Shehut e Hoxhës, por largimi i një oficeri me kaq vite eksperiencë në Shqipëri, duhet të ketë pasur një arsye të fortë për t'u bërë papritur. Do të ishte interesante të dinim se cilën anë Chuvakin ka mbajtur në debatin me Hoxhës dhe Shehut, dhe prej ankesave të kujt është larguar ai. Ana që ka mbajtur Chuvakin nuk është e rëndësishme. Në Tiranë ka mjaft konfuzion mbi çështjen dhe ndoshta ndërhyrja e përfaqë- suesit të Kremlinit në këtë çështje nuk dha rezultatet e dëshiruara. Moska ka sakrifikuar Chuvakin në bazë të ankesave të qeverisë Hoxha në lidhje me sjelljen e keqe të rusëve he mangësitë në plotësimin e premtimeve të BRSS për ndihma ekonomike dhe politike. Por Moska ka telashe të tjera dhe Shqipëria është një shqetësim relativisht i vogël, prandaj duket e çuditshme që ajo të bëjë sakrifica të tilla për Tiranën. Në fakt, deri kohët e fundit, sovjetikët në Shqipëri po zëvendësoheshin me bullgarë dhe gjermano-lindorë. Një nga arsyet që Tirana është e zemëruar me Kremlinin është paaftësia e tij për të ndaluar propagandën e grupeve të huaja si Komiteti i Shqipërisë së Lirë. Në Tiranë njerëzit mendonin se kur lëvizte mustaqja e Stalinit, e gjithë bota ndalonte. Por tani po e kuptojnë se fuqia e Moskës është vetëm për të trembur korbat, dhe qeshin me kërcënimet kundër Titos. Partitë komuniste tashmë kanë rënë në gjumë dhe vetëm rrallë ngrenë zërin sa për të treguar që nuk kanë vdekur. Moska e kupton se bota e lirë nuk do të durojë gjatë intrigat e agjentëve bolshevikë. Edhe vetë Stalini e di se popujt e shtypur prej tij vetëm po presin momentin për t'i shkulur mustaqet dhe për të zhdukur tradhtarët në shërbim të tij. Prandaj përfaqësuesit e Kremlinit kanë nisur tashmë metodat e reja të "tërheqjes paqë- sore". Ndërkohë në kufirin shqiptarojugosllav trazirat dhe përplasjet mes patrullave vazhdojnë. Në përplasjet e javës së shkuar kishte të vdekur nga të dyja palët. Trazirat po shtohen pasi nga kufiri po largohen gjithnjë e më shumë shqiptarë drejt Jugosllavisë, në një kohë kur rojet kufitare shqiptare janë urdhëruar të ndalojnë me çdo kush kalimet. Nganjëherë ata kalonjë në brendësi të territorit jugosllav për të ndaluar kalimet dhe shkëmbejnë zjarr me rojet jugosllave. Edhe Greqia raporton se çdo ditë dorëzohen te rojet e tyre kufitare shqiptarë që i largohen ferrit bolshevik të Hoxhës. Sipas direktivave të Moskës, partia komuniste e Bullgarisë ka dërguar disa zyrtarë të lartë në Tiranë për të ndihmuar në shtimin e kontrollit sovjetik të vendit, gjë që duket se i është deleguar Bullgarisë prej impenjimeve të shumta të Moskës.

Planet e SHBA-së për rrëzimin e regjimit

Që kur regjimi i Titos u prish me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria është izoluar nga kontakti tokësor me vendet satelite sovjetike. Kjo, përveç terrenit të ashpër të vetë vendit dhe traditave të vjetra klandestine të shqiptarëve, veçanërisht në zonat tribale të veriut, duken se e bëjnë Shqipërinë një objektiv premtues për operacione klandestine, me objektiv përmbysjen e regjimit aktual komunist. Prezenca e një numri të madh refugjatësh shqiptarë në Evropë, sugjeron zhvillimin e një qendre politike jashtë Shqipërisë, të përbërë nga përfaqësues të elementëve antitotalitarë dhe miqësorë ndaj politikave të SHBA për Ballkanin, që mund të shërbejnë si një pikënisje për elementët anti-komunistë brenda Shqipërisë. Shërbimet e Inteligjencës Amerikane dhe britanike në verën e vitit 1949 ishin përgjegjës për formimin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA), që është një qendër politike e përfaqë- suesve të refugjatëve demokratikë shqiptarë, dhe që mund të shërbejë si një mbulim për operacionet e fshehta në Shqipëri. Dhe prej atëherë operacionet e degëve politike dhe ushtarake janë kryer në emrin e NCFA. NCFA është një grupim përfaqësues i refugjatëve shqiptarë që vepron si pikë fokusimi për ata që janë të interesuar përfundimisht për çlirimin e Shqipërisë. Grupimi vepron si një mbulim zyrtar për aktivitetet jozyrtare të CIA-s dhe shërben si një vegël për denoncimin publik të çështjes së shqiptarëve të robëruar në Shqipëri. Ai kontrollohet nga CIA dhe shërbimet britanike të MI6. Krerëve të NCFA u është bërë e qartë se në asnjë rast nuk konsiderohen si "Qeveria në ekzil" e Shqipërisë.

Rezistenca në Veri

Është marrë përkthimi i parë i një letre të shkruar me bojë nga grupi Pine tree. Letra është shkruar më 5 gusht dhe ishte e dyta nga ky grup, por e para që mundi të arrijë në Athinë. Në letër flitet për lëshimin e furnizimeve të korrikut (i pari nga tre lëshime të suksesshme për këtë grup) dhe raporton se grupi është aktiv dhe i paprekur. Në të përmendet ndjenja e gjerë anti-komuniste në Veri të vendit si dhe një organizatë e njohur si Liria e Shqipërisë dhe Përmbysja e Komunizmit. Nuk jepeshin më shumë detaje përveçse lëvizja përbëhej nga ushtarakë dhe civilë. Letra mbyllej me shprehjen se populli i Shqipërisë së Veriut dëshiron një zonë izolimi të ndarë nga pjesa tjetër. Kreu i projektit beson se kjo letër është një arritje e konsiderueshme në zhvillimin e rrjetit të agjentëve në operacionin BGFIEND. Stabilizimi i këtij grupi i jep operacionit një korridor për kalimin e furnizimeve dhe njerëzve të tjerë në Veri të Shqipërisë. Së shpejti pritet të lëshohet një agjent operator radio me grupin, mundësisht nga mesi i tetorit. Është inkurajues fakti që grupi ka ndjekur të gjitha direktivat e tij dhe vendos besnikërinë ndaj vendit të tyre para asaj të partisë. Është marrë një raport i gjerë mbi grupin Cypress, të cilët dolën nga infiltrimi në Shqipëri në 15 gusht, i cili po studiohet me imtësi. Në raport ka observime të rëndësishme nga agjentët. Ata komentojnë se anëtarët e grupit nuk kishin besim te komiteti NCFA, pasi oficerët e NCFA nuk shoqëronin grupet. Anëtarët e grupit theksonin se megjithëse ishin pritur mirë nga shqiptarët që kontaktuan, ata nuk ishin në pozitë për të kryer detyrat e tyre pa një zyrtar të arsimuar e të respektuar të NCFA. Përveç kësaj, ata ndjenin se "junta" e NCFA kishte thyer marrëveshjen me agjentët e operacionit BGFIEND për caktimin e njerëzve në operacion, dhe se qasja e tyre bazohej mbi anësinë politike dhe jo në besnikërinë ndaj operacionit. Gjithashtu, mungesa e sigurisë dukej qartë nga fakti se familjet e njerëzve që merrnin pjesë në aksion ishin marrë në pyetje nga Sigurimi përpara arritjes së tyre në zonë, si dhe nga fakti se zona e lëshimit ishte e ditur nga autoritetet shqiptare. Grupi i shpëtoi eliminimit të sigurtë duke u lëshuar disa milje larg zonës së planifikuar të lëshimit. Më 13 shtator, NCFA në Nju Jork transmetoi një kabllogram për regjimin e Enver Hoxhës ku ofronte ndihma ushqimore për popullin shqiptar, të cilat të mbikëqyreshin nga një grup i paanshëm. Meqenëse asnjë përgjigje nuk është marrë deri më sot, mesazhi po përsëritet në radio dhe në shtyp, duke përmendur edhe mungesën e bashkëpunimit të regjimit të Hoxhës.

(Kosova Sot)