Raporti i britanikëve/ “Kryezinjtë patriotë, mbajtën Enver Hoxhën me para në Paris”

  • 11 October 2017 - 11:12
Raporti i britanikëve/ “Kryezinjtë patriotë, mbajtën Enver Hoxhën me para në Paris”

Lëvizja çlirimtare e Gani Kryeziut dhe vëllezërve të tij në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri ishte nga më të fuqishmet në veri të vendit, sa britanikët shprehën një admirim të rrallë dhe e mbështetën atë. Në krye të saj ishin vëllezërit Gani, Hasan dhe Said Kryeziu. Pas pushtimit italian, ata organizuan rezistencën antifashiste dhe më pas luftën e armatosur kundër pushtuesve gjermanë.

Gani Kryeziu, kreu i lëvizjes, me ndihmën e britanikëve Xhuliano Emeri dhe koordinatorit, Okli Hill, e nisi luftën kundër pushtuesit italian qysh në prill të vitit 1941, në bashkëpunim me Abaz Kupin, Mustafa Gjinishin, Muharrem Bajraktarin, Mehmet Ali Bajraktarit e tjerë, por më pas u detyrua të tërhiqet për shkak se Gjermania nisi pushtimin e Jugosllavisë. Vëllezërit Gani, Hasan dhe Said Kryeziu u arrestuan nga gjermanët dhe u burgosën në kampin e përqendrimit në Zemun.

[Faksimile e raportit të Majorit britanik Simkoks]
Faksimile e raportit të Majorit britanik Simkoks

Më pas, iu dorëzuan autoriteteve italiane, që i internuan në Ventotene të Italisë për afro dy vjet. Në dhjetor 1943, ata do të arratiseshin e do të ktheheshin në Gjakovë. Atje nisën organizimin për kryengritjen kundër r pushtuesve gjermanë, ranë në kontakt me britanikun Peter Kemp, më pas edhe me Hibbert, për një aksion të madh ushtarak në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut.

Betejat e Ganiut, me rreth 1500-2000 luftëtarë kundër gjermanëve, impresionuan britanikët. Ata më pas i caktuan një mision britanik pranë tij, me majorin Simkoks në krye, i cili dokumentoi beteja shumë të rëndësishme ndaj gjermanëve në Malësinë e Gjakovës e të Tropojës, siç ishin ato për marrjen e minierave të kromit, aq shumë të rëndësishme për gjermanët, luftimet në krahinën e Bytyçit etj. Por beteja më e madhe e lëvizjes Kryeziu, ishte ajo për çlirimin e Gjakovës, që u zhvillua nga data 10 deri më 16 shtator 1944.

Në këtë luftë mbetën të vrarë 170 luftëtarë nga çetat e Gani Kryeziut, të cilët ende sot janë të pavlerësuar. Por Lëvizja Kryeziu binte ndesh me interesat shoviniste jugosllave, por edhe me interesat pushtetore të E. Hoxhës, prandaj të dyja palët, në marrëveshje, i sulmuan ushtarakisht forcat e Gani Kryeziut, pikërisht kur ato po luftonin kundër gjermanëve: nga njëra anë mësyu Brigada e 7- të nacionalçlirimtare e Shqipërisë me në krye Manush Myftiun dhe Shefqet Peçin, dhe nga ana tjetër, forcat nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, me në krye Pavle Jovanoviç dhe Fadil Hoxhën.

Gani Kryeziu nuk deshi të bënte luftë civile mes shqiptarësh dhe i shpërndau forcat. U arrestuan Gani Kryeziu, majori britanik Simkoks, këshilltari politik i kryezinjve Llazar Fundo, Said Kryeziu dhe krerë të tjerë të Lëvizjes. Më vonë, forcat e OZNA-s masakruan në Hereç 26 bashkëluftëtarë të Lëvizjes Kryeziu, mes tyre edhe Hasan Kryeziun. Majori britanik Simkoks punoi për disa muajt në shtabin e Kryezinjve dhe në dhjetor 1944 hartoi një raport të plotë për lëvizjen e tyre.

Majori Simkons me kolegun Hibert dhe Selim Noken

Ai raportoi për ministrinë e Luftës Britanike se Gani Kryeziu u sabotua nga misioni i mëparshëm britanik i oficerit të Hands, duke mos i dhënë ndihma e duke furnizuar vetëm lëvizjen komuniste të Kosmetit. Por Gani Kryeziu tregoi vlera të mëdha duke u kthyer në lëvizjen më të fortë në veri të Shqipërisë. Vlen të theksohet një detaj, që Said Kryeziu, pati jetuar në Francë si kundërshtar i Zogut dhe atje ka mbajtur me para edhe Enver Hoxhën. Diktatori Hoxha nuk pati mëshirë për kryezinjtë duke i konsideruar kundërshtarë politikë dhe armiq.

Ende pa mbaruar lufta, Enver Hoxha dha urdhër për likuidimin e kësaj lëvizjeje patriotike. Ai vrau mikun dhe bashkëpunëtorin e tyre, Llazar Fundo. Gani Kryeziu do të burgosej deri në vitin 1952 në burgun famëkeq të Sremsko-Mitrovicës, ku do humbiste jetën në mënyrë të dyshimtë. Komunistët do t’i vrisnin edhe 4 nipa të tjerë. I vetmi që mbijetoi, ishte Said Kryeziu, që falë këmbënguljes së britanikëve, u ekstradua në Itali e më pas shkoi në SHBA, si përfaqësues i Kosovës në Komitetin “Shqipëria e Lirë” themeluar nga Mid’hat Frashëri në vitin 1949.

DOKUMENTI I PLOTË

Dosja HS 5/134 Raport i Majorit A.C. Simkos Nëntor 1944 Lëvizja e pavarur në veri të Shqipërisë, si pjesë e luftës Gani Kryeziu dhe nacionalistët e tij Është e vështirë për t’u dhënë një emër ndjekësve të Gani Kryeziut. Ajo çka ndodhi me të, është shumë e rëndësishme.

Ai është një njeri shumë i arsimuar dhe është një patriot i vërtetë në veri të Shqipërisë e që ka luftuar gjermanët, me qëllimin e lirimit të vendit të tij dhe në të njëjtën kohë, ai ka kreditë të shumta për ta ftuar që të dëgjohet zëri i tij në Konferencën e Paqes. Për të diskutuar ndershmërisht për lëvizjen e tij, është dokumentuar veprimtaria dhe puna e vetë liderit, Gani Kryeziu.

Para pushtimit Italian të Shqipërisë, Gani Kryeziu ka pasur kontakte me serbët dhe është besuar se ka qenë pjesë e një konspiracioni për të rrëzuar Mbretin Zog, por po ashtu, edhe për të marrë kontrollin e Kosovës që mbahej nga serbët. Në lidhje me këtë çështje, tema bisedohej nga banorët, por që ata asnjëherë nuk kanë qenë në dijeni të plotë të ambicieve të Kryeziut.

Majori Simkos me Selim Noken dhe dy shqiptarë të tjerë

Unë nuk di asnjë gjë konkrete nga ky episod i jetës së ti,j por duke e njohur Gani Kryeziun, siç e njoh tani, mund të them me bindje se ai kishte në zemër gjithë kohës interesat e shqiptarëve të Kosovës, i cili ishte njëri prej tyre që kishte vuajtur nën regjimin serb. Është e vështirë për të zbërthyer çdo gjë të këtij zotërie, ndonëse unë isha pranë tij si oficer i ndërlidhjes ushtarake.

Por, e bëj të qartë, për çfarë raportoj më sipër, është një deduksion i përfituar nga copëzat e vogla të informacionit që kam mbledhur. Detajet e luftimeve të Ganiut, besoj se tashmë janë të njohura si dhe madje të konfirmuara edhe nga Koloneli Oakley-Hill, por duhet të theksoj se Ganiu me të vëllain, me një forcë prej 4 mijë vetash, i rezistuan italianëve në kohën kur britanikët po përgatiteshin për një sulm gjerman mbi ishujt britanikë.

Kjo brumosi bindjen te Ganiu, i cili edhe pse pa kombe të tëra që u dorëzuan, Britania do të triumfonte në luftë, edhe pse e vetme. Ai po ashtu, kishte besim se qeveria britanike do të ndërhynte për të ndihmuar Shqipërinë siç ka bërë me kombe të tjera të vogla, pasi luftimet të përfundonin. Ai dinte shumë pak në lidhje me politikën e jashtme britanike, e cila do të sakrifikohej për hir të vrasjes së ca gjermanëve më shumë.

Në çetën e Gani Kryeziut pjesë edhe Lazar Fundo
Majori Simkos me Selim Noken dhe dy shqiptarë të tjerë

Në këtë stad, kjo ide atij as që do i shkonte ndërmend, që Britania e madhe do të mbështeste komunistët. Unë vetëm mund të lutem dhe të imagjinoj zhgënjimin e madh që ai ka ndjerë kur ka mësuar se Britania e Madhe, jo vetëm nuk e ka injoruar politikën fanatike të disa organizatave, por u ka dhënë ndihma të vazhdueshme duke fuqizuar këto organizata, që quheshin luftuese, por që në fakt i ka ndihmuar që ato të arrijnë objektivin e tyre, e për më tej, që mund të detyronin atë t’u bashkohej elementëve pro gjermanë.

Pasi u rezistoi italianëve dhe gjermanëve, për disa kohë, forcat e Gani Kryeziut u shpërbënë dhe ai me familjen e tij u detyruan të largohen nga Jugosllavia pas kapitullimit, e më pas do të kapeshin e do të detyroheshin të shkonin në kamp përqendrimi në Itali. Është tepër interesante kur konstaton se asnjë nga “heronjtë” e Frontit Nacional Çlirimtar nuk ka qenë në atë burg.

Në fakt, i vetmi person i njohur që ka ndërmarrë aksione herët, që ka luftuar me Ganiun dhe ishte një element pro nacionalist brenda LNÇ-së, ishte Mustafa Gjinishi, vdekja e të cilit, në mënyrë misterioze, në një aksion së fundmi, ka shkaktuar shumë tronditje brenda elementëve të tjerë të “djathtë” në LNÇ. Gjatë qëndrimit në burg në Itali, Ganiu gjithnjë shpresonte për t’u arratisur që atje. Me atë ide, ai planifikoi ngritjen e një lëvizjeje kundër gjermanëve.

Shpresat e tij filluan të kishin bazë kur vëllai i tij, Hasan Kryeziu, u kthye në Shqipëri dhe filloi lëvizjen. Duke përdoru çdo mjet të mundshëm, Gani Kryeziu, i vëllai, Saidi, dhe Lazar Fundo, i cili ishte mik i tyre, ndonëse kishte qenë komunist, por që mbështeste hapur idetë e Kryeziut, u arratisën nga Italia dhe arritën në Shqipëri në fund të vitit 1943. Në atë kohë, Majori Kemp kishte ngritur një mision për qëllime inteligjence në Kosovë.

Në raportin e tij, gjeni detaje nga zbulimet e tij, por duhet theksuar se me rikthimin e tij të menjëhershëm në Shqipëri, Ganiu kontaktoi menjëherë misionin dhe nisi rezistencën me shpresën se do kishte ndihma britanike. Është e pafat çka ndodhi me aktivitetin e Kempit në Kosovë, ku u akuzuan interesat dhe dyshimet mbi Titon (pasi në këtë kohë urrehej nga KOSMET-i) pasi nisur nga këto kushte, Kemp u largua në mënyrë që të mos cenoheshin marrëdhëniet me Titon.

[Në çetën e Gani Kryeziut pjesë edhe Lazar Fundo]
Në çetën e Gani Kryeziut pjesë edhe Lazar Fundo

Suksesi i lëvizjes së Ganiut do të duhet të mbështetej me ndihmën e menjëhershme me armë dhe veshmbathje. Tërheqja e Kempit, si dhe ekzistenca atje e oficerit britanik shumë pro partizanëve, Hands, u bë e pamundur që Ganiut të merrte vëmendjen e duhur e në veçanti materiale për luftime. Marrëdhëniet e Ganiut me KOSMET-in ishin shumë të mira, pavarësisht se idetë e tij politike nuk e lejonin që të bashkohej me forcat e FNÇ apo me KOSMET-in.

Gjithsesi, ai ishte mjaft i përgatitur të luftonte gjermanët në bashkëpunim me KOSMET-in. Kjo nuk i erdhi për shtat stafit tonë atje, të drejtuar nga Hands, të cilët kërkonin të ishin forca kryesore kontrolluese e veriut. Ndaj, ata refuzuan të furnizojnë me armë Gani Kryeziun. Gani Kryeziu këmbënguli disa herë të diskutonte çështjen me oficerin britanik Hands, por ai injoroi komplet dy letrat e shkruara nga Ganiu.

Në përgjigjen për letrën e tretë, ai i thoshte Ganiut se do të merrte pjesë në një konferencë dhe se në asnjë rast nuk mund të diskutonte çështjen e ndihmave ushtarake, pasi kishte marrë urdhra nga Kajro “për të mbështetur partizanët”. Mësymja gjermane e marsit 1944, kundër misionit britanik dhe partizanëve, i dha mundësinë Gani Kryeziut për të pasur mbështetjen britanike. Oficeri britanik, i cili u la në baltë nga KOSMET-i, u informua se Gani Kryeziu do i siguronte jetën dhe një vend të sigurt. Por ai e injoroi këtë mesazh dhe misioni i tij shkoi në jug të vendit për t’i shpëtuar kësaj situate.

Raportet nga disa prej oficerëve tanë të ndërlidhjes, se njerëzit në veri ishin “reaksionarë” dhe se nuk do luftonin kurrë gjermanët, nënshkruan vdekjen e ideve të Gani Kryeziut për një kryengritje të madhe kundër gjermanëve në pranverën e vitit 1944. Ganiu luajti një rol të madh për të paraqitur situatën reale dhe mori mbështetjen morale e materiale nga Britania e Madhe, dhe lëvizja e tij do të ishte më e fortë se FNÇ-ja, por jo për sa kohë që oficeri Hands ndodhej në veri.

Ndihma që mori Ganiu ishte e vogël dhe gjithnjë vonë në kohë. Gjatë kësaj kohe, unë kam qenë duke punuar në zonën e Dibrës dhe asnjëherë nuk kam qenë i bindur me idenë se nuk ka shpresë për të nxitur luftime në veri. Kjo ishte e bazuar në bisedat që kam bërë me shumë oficerë, që kishin kaluar mjaft kohë në atë rajon dhe menjëherë shpreha dëshirën për t’u nisur në veri, në mënyrë që të qartësonim situatën.

U theksua se nuk do isha i kursyer në këtë aspekt duke pasur parasysh se nuk kisha dyshime për raportet e oficerëve të tjerë që kishin qenë në veri. Por, për 3 muaj, nga marsi në maj të vitit 1944, nuk pati asnjë mision ushtarak britanik në veri, përtej lumit Drin, ndaj dhe nuk kuptohej se ç’po ndodhte atje. Gani Kryeziu vijonte të punonte për të krijuar lëvizjen e tij pro britanike dhe kishte nisur aktivitetet duke mbledhur një numër të madh mbështetësish.

Ai ishte vazhdimisht në lëvizje për shkak të gjermanëve dhe e kaloi këtë kohë maleve me një numër prej rreth 200 mbështetësish. Njerëzit e tij ishin të pajisur vetëm me pushkë, pa mina, eksplozivë, granata etj, të cilat ishin të domosdoshme për një sulm të vendosur ndaj armikut. Në këtë situatë, Ganiu po siguronte armë dhe municione nga fshatarët e zonës, të cilët ishin siguruar nga tërheqja e partizanëve në këtë zonë.

Para se t’i shkonte misioni britanik, Ganiu u ishte ruajtur disa patrullave gjermane, por asnjëherë nuk tentoi t’i sulmonte me forcën që kishte. Në muajin maj, bazuar në udhëzimet e ardhura nga Let. Kolonel Meklein, unë mbërrita në rajonin e Hasit, me qëllimin e organizimit të bisedimit me shefat e veriut. U takova me Said Kryeziun dhe Lazar Fundon, të cilët përfaqësonin Ganiun dhe më shpjeguan situatën e përshkruar më sipër.

Unë konkludova se në veri, jo vetëm që ka një dëshirë për të luftuar, por ka gjithashtu nacionalistë të ndershëm, të përgatitur dhe shumë pro britanikë me dëshirën për të ngritur një lëvizje luftuese me ndihmën tonë. Në datën 17 qershor, Ganiu nisi njerëzit e tij për të sulmuar një patrullë gjermane. Rezultati ishte në favor të Ganiut dhe disa gjermanë u vranë, disa u plagosën dhe disa u kapën rob.

Ky ishte një aksion i vogël në nisje, por do ishte starti i një sërë aksionesh të tjera shumë të suksesshme, të cilat provuan jo vetëm aftësinë e Ganiut, por i dhanë emër të merituar në të gjithë vendin. Prezenca e misionit britanik pranë Ganiut u dha më shumë kurajë shefave të tjerë në Kosovë, të cilët pasi morën letra nga Ganiu dhe nga vetë misioni, shumë prej tyre erdhën në shtab dhe shprehën dëshirën për të luftuar.

Disa shefa dhe shumë shqiptarë të tjerë nga veriu, që erdhën dhe u bashkuan me Ganiun, e së bashku patën aksione të rëndësishme si marrja e minierës në Zogaj apo sulmet nga jashtë Gjakovës, ndodhën për shkak të ndikimit të figurës së vetë Gani Kryeziut. Lëvizja e Ganiut, me ndihmat britanike po bëhej e fortë dhe më shumë efektive se KOSMET-i. Influenca e KOSMET-it ra për shkak të politikës së tyre dhe në këto kushte ata thirrën në ndihmë Brigadën e 5-të shqiptare të FNÇ- së, në mënyrë që të bënin çmos të arrinin objektivin për të ndaluar ndihmat për Ganiun.

Ky veprim nga partizanët ka qenë tepër i mirë llogaritur dhe nisi kohën kur Ganiu kishte vështirësi në municione dhe forcat e tij nuk ishin në gatishmëri. Nëse ata do të sulmonin Ganiun, atëherë do të kishin marrë përsipër dy gabime. Së pari do të kishin dëshmitarë misionin britanik dhe së dyti nuk do gjenin dot ndonjë justifikim në një kohë që mendimi i kësaj zone për komunistët nuk ishte aspak pozitiv për ta.

Ndaj ata ndërmorën një plan të fshehtë e prapa krahëve për të kapur, së pari, misionin tonë britanik, me arsyetimin se çdo mision i huaj duhej të ishte nën kontrollin e qeverisë së re partizane. Si individ, Ganiu është me një personalitet i madh që dallohet nga ndershmëria dhe gjenialiteti i tij. Është shumë i arsimuar, ka udhëtuar në botë dhe është një zotëri i vërtetë. Kjo ndershmëri e ka bërë figurën e tij më me influencë dhe më të respektuar nga ata që e kundërshtojnë.

Nuk kam dyshim që ai mund të bëhej i ashpër, por vetëm në rastet që kjo duhej. Ai ka shumë besim te politika britanike, ndonëse di shumë pak për fatin e tij, dhe në të kaluarën ka bërë përgjegjës vetëm partizanët për çka po ndodhte në Ballkan. Më duhet të theksoj për Ganiun, i cili ndoshta është personi i vetëm që ka një influencë kaq të përhapur, që i dëgjohet fjala e që ka në lëvizjen e tij njerëz me ide të ndryshme, me fe të ndryshme etj.

Ai kurrë nuk deklaron një numër të madh personal mbështetësish. Ai nuk është si Kupi, Marka Gjoni, apo Muharrem Bajraktari dhe mbështetet vetëm në njerëzit e rajonit të tij. Por me thjeshtësi dhe si figurë kombëtare, ka tërhequr shumë njerëz nga çdo zonë e vendit në lëvizjen e tij, që duan të luftojnë për lirinë e vendin të tyre. Së fundmi, edhe oficerë nga xhandarmëria e Tiranës kanë dezertuar dhe kanë shkuar të bashkohen me lëvizjen e Ganiut.

Nëse do të vepronte siç iu sugjerua (dhe e detyruan,) që ai të bashkohej ne FNÇ-në, ai do të shkonte atje i vetëm. Familja e tij, bashkëluftëtarët e ngushtë dhe pak mbështetës, do e ndiqnin nga pas, ndërsa të tjerët, që kanë luftuar përkrah ideve të tij, do e shuanin respektin dhe do largoheshin menjëherë nga lëvizja e tij. Për këtë nuk ka asnjë dyshim.

HASAN KRYEZIU

Hasani ka ndjekur linjën politike të vëllait të tij, Ganiut, por ndonjëherë ka qëndruar i mënjanuar në disa çështje. Ai është më shumë antikomunist se i vëllai, por sërish neutral dhe jo aktiv. Ai është shumë i zgjuar dhe i ndershëm, por njëkohë- sisht shumë trim në betejë dhe organizator i mirë, por sigurisht është inferior në raport me lidershipin e Ganiut. Roli i Hasanit në lëvizje ishte pas vëllait të tij, si numri dy i saj. Ai ishte shumë i përshtatshëm për këtë vend për disa arsye. Pikë së pari, Hasani njihje mjaft mirë njerëzit, veçanërisht përgjatë Gjakovës.

Ndryshe nga Ganiu, ai kaloi një jetë më të qetë para lufte në shtëpinë e tij në Gjakovë. Është i martuar dhe ka disa fëmijë, ndryshe nga Ganiu, që e ka kaluar jetën më shumë larg shtëpisë. Së dyti, edhe ai ka shumë mbështetës dhe është shumë influencues në Gjakovë. Ndërsa Ganiu ishte në lëvizje duke gjetur mbështetës në të gjithë Kosovën, Hasani ishte forca që i garantonte mbështetës edhe më të shumtë në lokalitet. Së treti, ai ishte i aftë në menaxhim dhe në anët administrative në lëvizje, duke menaxhuar ndihmat që vinin nga ajri, duke rregulluar ushqimin që duhej apo çdo nevojë tjetër.

Këto aktivitete nuk e penguan për të marrë një rol më të madh në luftë kundër gjermanëve dhe vërtet që ai drejtoi operacione mjaft të vështira. Ai drejtoi operacionin e vështirë në Qafën e Prushit, duke kapur minierën e kromit.

SAID KRYEZIU

Saidi është vëllai i vogël i Ganiut dhe ndryshe nga vëllai i madh që u vra (Hasani), është shumë i interesuar në politikë dhe mjaft aktiv prapa skene. Ai u përfshi në politikë që gjatë kohës që ishte student në Paris dhe iu bashkua një lëvizjeje që ishte kundër Mbretit Zog, pasi ai nënshkroi një marrëveshje në favor të qeverisë italiane në 1926. Ai ishte pjesë e kësaj lëvizjeje deri në pushtimin e Shqipërisë, kur Zogu u largua nga vendi. Mes mbështetësve të kësaj lëvizjeje ishte edhe Enver Hoxha, i cili duke qenë i varfër, është mbajtur financiarisht nga Saidi.

Po ashtu edhe dr. Ymer Dishnivca dhe viktima tjetër e komunistëve, Mustafa Gjinishi. Saidi ka qenë në lëvizje që herët kur iu rezistua armikut e më pas u kap dhe u burgos në kamp përqendrimi në Itali, ku më pas u arratisën dhe mbërritën në Shqipëri, në dhjetor 1943. Që atëherë pat luajtur një rol shumë aktiv në lëvizje duke qenë këshilltari politik i Ganiut, veçanërisht në njohjen e politikës ndërkombëtare. Më vonë, me kërkesën e Lt. Kolonel Mekleinit, ai punoi si përkthyes për 3 muaj pranë misionit britanik që ndodhej me Abaz Kupin.

U shpresua se Said Kryeziu do të shkonte në Bari si përfaqësues i Ganiut, Muharrem Bajraktarit dhe Abaz Kupit. Kur kjo nuk u bë e mundur, ai u kthye në lëvizjen e vëllait, duke qenë sërish shumë aktiv. U kthye vetëm 4 ditë kur erdhi Brigada e 5-të, e cila e arrestoi. Ai qëndroi si i burgosur politik, derisa u la të ikte për në Itali. Said Kryeziu është një shqiptar i jashtëzakonshëm dhe pavarësisht temperamentit nervoz, ka një inteligjencë dhe personalitet të shënuar. Është zotëri i vërtetë, plot sharm dhe i sinqertë. Eksperienca e tij e bën një bashkëbisedues shumë të mirë.

LËVIZJE TË TJERA NACIONALISTE

Ka edhe disa shefa të tjerë në zonën veriore të Dibrës, të cilët pavarësisht se deklarohen si përkrahës të Muharrem Bajraktarit, mbështetësit e tyre duhen që të kenë një lëvizje të pavarur si ajo e Gani Kryeziut. Propozimet e organizatës së Muharrem Bajraktarit janë marrë në shqyrtim nga oficerë të tjerë që kanë punuar në rajonin e Dibrës dhe janë shënuar në raporte të ndryshme, siç është raporti i Majorit Ridëll.

Këta liderë lokalë janë: Mehmet Alija, bajraktari i Hasit, i cili deklaronte se kishte një numër të madh mbështetësish, por që në fakt nuk kishte besueshmërinë e plotë të njerëzve në rajonin e tij. Ai u bë një mbështetës i fortë i lëvizjes së Ganiut dhe mori pjesë me forcat e tij në sulmin ndaj minierës së Zogajt. Ymer Bardhoshi nga Puka. Së bashku me Pashkë Gurin nga Mirdita pretendonte se mund të ngrinte një forcë të fortë nacionaliste e të sulmonte garnizonin e Pukës.

Ata bashkëpunuan me Ganiun dhe koordinuan aksione të ardhshme, por dukeshin më shumë të interesuar në çështje personale sesa të interesuar për të luftuar gjermanët. Në fakt, ata kryen dy aksione të vogla në rrugën mes Kukësit dhe Pukës. Me siguri ata do të ishin bashkuar plotësisht me Ganiun nëse ai do të lejohej të ekzistonte. KATOLIKËT Shqiptarët me besim katolik ishin në pjesë të madhe armiqë- sorë me lëvizjen e në veçanti me marrëdhënie me komunistët.

Propaganda gjermane kishte gjetur vend në zonat katolike dhe në lëvizjen e Ganiut e shihnin me dyshim shumë prej tyre. Rajonet më të infektuara ishin ato nën drejtimin e Marka Gjonit, si dhe rajoni i Nikajt dhe Shalës. Shefi i Shalës dhe i Nikajt në fakt nisi të bashkëpunojë me lëvizjen e Ganiut.

Në këtë kohë u kuptua se nevoja për të fituar influencë ishte vetëm duke luftuar e në veçanti të mbështesnin lëvizjen e Ganiut që ishte krahu i aleatëve. Ndërsa suksesi i Ganiut shtohej, po ashtu shtoheshin edhe radhët e mbështetësve katolikë pranë tij.

Nga ERALD KAPRI

(Kosova Sot)