LETRA NGA POPULLI / “Të varen deputetët, të rrojë shoku Enver”

  • 13 October 2017 - 10:45
LETRA NGA POPULLI / “Të varen deputetët, të rrojë shoku Enver”

Fatmira NIKOLLI

Para së gjithash jetë të gjatë Shokut Enver dhe Partisë Komuniste. Telegrame të shkurtra, letra të gjata, pas një analize (!) të detajuar të “krimit” që kishte bërë grupi i deputetëve sabotatorë para 1947-ës, kërkojnë njëzëri, me të njëjtën gjuhë e me të njëjtët terma, dënimin maksimal për tradhtarët e kombit. Në copa telegramesh që kanë ende kokën “Mbretnija Shqiptare”, grupime lagjesh, qytetesh, vullnetarësh, profesionesh e zanatesh, drejtorish e studentësh, madje edhe nxënësit, thonë të kenë analizuar me detaje gjyqin popullor dhe kanë dhënë pas këtij qëmtimi një verdikt popullor nga të katërta anët e vendit, me një bindje të frikshme, hidhen vula e firma, madje ndokush që më gjasë nuk ka ditur të shkruajë, nuk ka ngurruar të pohojë mbështetjen për verdiktin duke firmosur me gjurmë gishtash. Kërkohet dënim i pamëshirshëm dhe kërkohet që shpata e drejtësisë të vërë dënimin kapital.

Deputetet per deputetet
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të RPSSH, në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë, Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike, me rastin e përkujtimit të 70-vjetorit të ekzekutimit të “grupit të deputetëve” organizon aktivitetin “Deputetët për Deputetët”, që do të zhvillohet në sallën e seancave plenare, pranë Kuvendit të Shqipërisë, më datë 10 tetor, ora 11, në sallën e seancës plenare. Nga 21 të dënuar, 15 qenë deputetë të cilët iu kundërvunë herët kufizimit të lirive politike të shqiptarëve, duke u akuzuar si pro-perëndimorë. Kjo ngjarje shënoi edhe shkëputjen e Shqipërisë nga Perëndimi dhe vlerat e tij demokratike, që pasoi për pothuajse 5 dekada. Në bashkëpunim me 3 grupet parlamentare, 15 deputetë dhe përfaqësues të trupit diplomatik do reflektojnë me diskutime në një seance të posaçme mbi ngjarjen, sistemin totalitar, mendimin ndryshe dhe vlerat europiane, duke u bërë zëri i atyre deputetëve, të cilëve iu ndërpre jeta në mes. Do të mbajnë fjalë të rastit dhe kryeministri Rama dhe kryetari i opozitës, Basha si dhe ambasadorët e OKB-së, OSBE-së dhe Gjermanisë. AIDSSH do të zbardhë edhe materialet arkivore që gjenden për këtë gjyq, përmes një CD-je me materialet e dixhitalizuara.

LETRA NGA POPULLI
Mes autorëve të letrave nga populli që qenë “vigjilentë” përmendim të burgosurit e Kampit së Maliqit, 13 500 vullnetarët e hekurudhës së Rinisë Durrës-Elbasan, Ushtria Kombëtare Shqiptare, punëtorët civilë e ushtarakë të Shtypshkronjës Ushtarake, ushtarakët e repartit 572, punëtorët e zdrukthëtarisë “Misto Mame” dhe kantierit të NSHN-së së Ndërtimit e zdrukthëtarisë, 100 vullnetarët e kursit të kuadrit të Brigadës Speciale “7 Nëntorit” të hekurudhës Durrës Elbasan, komisari politik i repartit 710-të, populli i rajonit nr 2., populli i lagjes “Vel Martaneshi”, nëpunësit e Komisionit të Kontrollit të Shtetit, Plenumi i Degës Sindikale të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës përmes një letre dërguar Josif Pashkos, 205 vullnetarët e Brigadës VII Gjirokastër, maturantët e Institutit Teknik, këshilli i degës sindikale të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nëpunësit e Sigurimeve Shoqërore, punëtorët e Institutit Teknik, 232 vullnetarët e Brigadës sulmuese “Vojo Kushi” të qarkut Tiranë, 200 vullnetarët e Brigadës “Alqi K.”, vullnetarët e Brigadës së Beratit, kryesia e Këshillit Qendror të Shoqatës së Bashkimit të Invalidëve, nëpunësit e degës Sindikale të Kryeministrisë, arsimtarët e rrethit të Tepelenës, studentët shqiptarë të Universitetit të Ljubjanës, gratë e qytetit të Elbasanit pasi janë mbledhur në një “miting”, arsimtarët e Vlorës, gratë e Korçës, arsimtarët e shkollave fillore dhe të mesme të Tiranës, populli i katundit të Nartës, punëtorët e Maliqit, firma me ‘gishta’, e njëjta gjuhë, pothuaj një turmë që thërret me të madhe: ‘Vdekje’ përmes letrash grisur nga fletoret e aritmetikës a telegramesh urgjente(!), me shkrim dore e shkronja kapitale, të tërë pasi kanë ndjekur me vëmendje gjyqin (çka e theksojnë).

13 500 TË BASHKUAR
Mjaft interesante mbetet sot të shohësh një letër që përfaqëson 13500 njerëz. Një perëndi e di, se si janë bashkuar tërë këta njëmendje për të kërkuar drejtësi, se si janë bashkuar të hartojnë e dërgojnë një letër, që për çudi duket si riprodhim i shumë të tjerave, sa duket ose sikur të tëra kanë një dorë që i bashkon, ose se ideologjia qe përhapur aq shumë, sa të gjithë mendonin njësoj, njëherësh, një zë, si kor, trup i vetëm, gjykim i vetëm, të gjithë në një.
“Telegram
Durrës 19.9.1947
Gjykatës së Naltë Ushtarake
Tiranë
Ne, 13500 vullnetarët e Hekurudhës së parë të Rinos, duke ndjekur me vëmendje zhvillimin e procesit të gjyqit kundra tradhtarëve, spiunëve dhe armiqve të popullit, shprehim urrejtjen më të madhe për veprat e tyre kriminale dhe të poshtra. Ne që sulmojmë natë dhe ditë me kazma e lopata në shkëmbinj dhe objekte e që nuk kursejmë as pikën më të fundit të djersës për të ndërtuar jetën e re nën udhëheqjen e Enverit dhe të Partisë, nuk durojmë që të cenohet pushteti ynë demokratik dhe veprat tona të lavdishme, që po ngrehim sot. Të revoltuar pra në kulm për krimet e tyre në kurriz të popullit kërkojmë nga trupi gjykues që shpata e drejtësisë të bjerë e pamëshirshme mbi këta spiunë sabotatorë, mbeturina të Ballit dhe Legalitetit të shitun në sterlinat e anglo-amerikanëve. 13500 vullnetarët e Hekurudhës së Rinisë Durrës-Elbasan”.
Ndërkaq, nuk harrohej të vihej në dukje se “agjentët dhe spiunazhet e imperializmit, sabotatorët dhe armiqtë e popullit shqiptar nuk kanë pasur kurrë ndonji herë dhe nuk do të kenë vend në Shqipninë e ENVERIT T’ONË të dashtun t’Udhëheqësit të çquar të popullit shqiptar. Na, ushtarakët e lartpërmendun i premtojnë komandantit t’onë të Përgjithshëm dhe Partisë t’onë heroike ‘PARTISË KOMUNISTE’ se kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë vigjilentë dhe mbrojtës të fortë t’interesavet të popullit tonë trim”.
Kërkohet pra që, “shpata e drejtësisë (i njëjti term), të bjerë edhe mbi Riza Alizotin, përmes një letre të punëtorëve të kantierit të Urës Vajgurore e Kuçovës”.

Lista e torturave (sipas Kastriot Dervishit)
1    Jeleku (tortura më e tmerrshme, njeriu lidhet pas një huri dhe merr pamjen e një qengji që piqet në hell).
2    Kamxhiku dhe druri.
3    Të lënët pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe në këmbë me ditë të tëra.
4    Korrenti elektrik deri sa i binte të fikët.
5    Hedhja në qafë e zinxhirëve me peshë të rëndë.
6    Lidhja me duar nga pas në dritare ose në ndonjë dru varur deri sa t’i priten gishtat.
7    Thyerja e kockave dhe ndukja e mishit me darë (kjo u përdor sidomos pas dënimit me vdekje të Shefqet Bejës dhe kundra tyre).
8    Kripa në gojë.
9    Shpifnin gjoja sikur do të ekzekutoheshin ose do të vareshin dhe u shtihej në ajër ose shpiheshin te litari.
10    Tortura morale në lidhje me familjen: do të burgosim, do të t’i vrasim, bile në Shkodër për të thyer rezistencën e Dulo Kalit shpunë në një dhomë ngjitur me të dy të burgosura vajza dhe dy të burgosur burra dhe ato bënë gjoja sikur ishin vajzat e tij dhe i kishin prurë t’i çnderuar.
11    Futja kokëposhtë në vozë plot me ujë.
12    Një herë Myftar Tarja (hetues-shënim) i futi një Toptanit nevojë në gojë dhe çorape të palara.
13    Djegia e mishit me cigare. Në fund kundra një provokatori të Kukësit i është hedhur alkool në duar ose në leshra.
– Gjellë me kripë e lënia pa ujë.
– Futje në ujë dhe lënie me tesha të lagura në dimër.
– Pakësim i ushqimit gradual për të vdekur brenda 1 ose 2 vjetëve.
– Lënia pa gjumë në këmbë.

 (Kosova Sot)