Ish-diplomati shqiptar në Vietnam: Si i përjetova vitet e luftës

  • 22 October 2017 - 11:45
Ish-diplomati shqiptar në Vietnam: Si i përjetova vitet e luftës
Image

 

Maxhun Peka në Vietnam në vitet ‘70

Kanë kaluar vite që atëherë, por ai i ka të gjalla kujtimet. Në largësinë e viteve e ka më të lehtë të reflektojë mbi tmerrin që ka përjetuar gjatë viteve të Luftës në Vietnam. Diplomati i karrierës, Maxhun Peka, sjell disa kujtime të tij nga periudha e qëndrimit të tij në Vietnam, si i dërguar i vendit tonë. Po ashtu, ai bën edhe një analizë mbi atë që ka ndodhur dhe arsyet se përse u zhvillua kjo luftë.

Në vitin 1983, kur emërohet ambasador Fuqiplotë i Shqipërisë në Francë, ai qëndroi në këtë post për gjashtë vjet. Pas viteve ’90, Maxhun Peka mori edhe disa poste të tjera të rëndësishme në diplomacinë shqiptare. Në vitin 2005 ai emërohet Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të drejtuar nga Sali Berisha dhe në vitin 2006, Presidenti Moisiu e dekreton si Ambasador i Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, post që e mbajti deri në vitin 2011.

MAXHUN PEKA

Isha edhe unë dëshmitar i asaj tragjedie. Përjetova ato vite lufte në Vietnam, ato vite të tmerrshme, ato vite, që sot bëj pyetjen: a ishte e vërtetë apo ëndërr e keqe? I përjetova bombardimet, shkatërrimet, i pashë avionët B-52, kështjellat e ajrit kur hidhnin bombat, kur mbillnin vdekjen, kur shkretëtonin gjithçka, i pashë në ajër tepër krenar, por i pashë edhe në tokë të gjunjëzuar, të kthyer në hekurishte pa vlerë. Edhe sot, në shtëpinë time kam unaza apo artistike të tjera të punuara nga artizanët vietnamezë, nga copat e këtyre avionëve.

Avionë të kthyer në relikte. E pashë rrugën “Kham Thien” në Hanoi të kthyer në gërmadha brenda një minute, në mbrëmjen e datës 18 dhjetor 1972. I pashë ekskavatorët që nxirrnin nga gërmadha e asaj rruge kufomat, i pashë kur i fusnin në thasë celofoni, i hidhnin në kamionë për t’i varrosur diku jashtë qytetit në varre kolektive. Takova rastësisht, të nesërmen, një vajzë 12-13 vjeçare në trotuaret afër ambasadave, që nuk dinte as të qeshte dhe as të qante. Mësova se prindërit e saj kishin vdekur një natë më parë në rrugën “Kham Thien”.

Fëmijë? Ajo nuk dinte ç’është fëmijëria. E rritur? Tepër e vogël në moshë, për të mbijetuar. Mësova se këshilli i lagjes e strehonte dhe e ushqente diku në qendrat e ngritura për fatkeqët. E pashë spitalin Kim Lien, njërin nga spitalet më të mëdhenj të qytetit të shkatërruar, gërmadhë, pashë gropën e stërmadhe ku bomba e një nate më parë kishte rënë mbi një gropë bombe të një nate tjetër të mëparshme. Pashë edhe ftesat për dasmën e një infermiereje të spitalit, të shpërndara andej këndej, dhe mësova se dasma nuk do të bëhej kurrë.

Image

 

Ëndërr e bukur, ëndërr në përjetësi, ëndërr në kohë lufte. Njoha një vajzë të vogël që priste vdekjen në një spital lufte. Kërkonte krehër të krihte flokët për të vdekur e bukur. Pashë punëtorin e një miniere qymyri, që kur u kthye në shtëpi, e gjeti atë të shkatërruar, gruaja dhe gjashtë fëmijët të vdekur. Shtrëngonte grushtet para gërmadhave, para sendeve, fotografive të fëmijëve, i pashpresë, i pafuqishëm, i mbushur me urrejtje, vetëm urrejtje. Pashë edhe robërit amerikanë, pilotët e kështjellave të ajrit, në konferenca shtypi kokulur. Nëse ndonjëri guxonte të ngrinte kokën, vietnamezi që e shoqëronte, që nuk arrinte me trup as në gjysmën e trupit të pilotit, i thoshte “ul kokën, je rob lufte!” I dëgjova pilotët kur thoshin emrin, mbiemrin, numrin e ushtarit. Pashë rrugë të shkatërruara, qytete që nuk ekzistonin më, njerëz të gjymtuar, pashë, pashë e ç’nuk pashë në ato vite lufte.

Image

 

* * *

Sot bëj pyetjen përse? Kujt i shërbeu? Kush fitoi? Në logjikën e sotme, askujt dhe askush. Përse miliona të vrarë, të humbur, të sakatuar, të gjymtuar, përse qytete të sheshuara, uzina, fabrika, ura, spitale të shkatërruara. Përse vuajtje, uri, pasiguri? Përse rini pa shpresa, pa të ardhme, përse rini pa lumturi? Përse, përse, përse?

Përse-të nuk mbarojnë kurrë, kur shikon se jeta vazhdon në një mënyrë krejt tjetër, kur shikon se si Vietnami, ashtu dhe Amerika, bëjnë të pamundurën për t’i forcuar marrëdhëniet, për të forcuar miqësinë, për të harruar të kaluarën, për të harruar të gjithë ata që ranë heroikisht për të mbrojtur, në logjikën e vietnamezëve, atdheun, lirinë, sovranitetin, bashkimin e vendit të ndarë padrejtësisht në vitin 1954, dhe, në logjikën e Amerikës, ata që ranë për hir të angazhimit të Amerikës, të demokracisë më të madhe në botë, për fitoren e lirisë, demokracisë në çdo vend të globit, për hir të angazhimit për të qenë garant të normave civilizuese, ata që ranë heroikisht për të mbajtur Amerikën të gjallë, ata që kombi duhet t’i shohë si shembuj të vetsakrificës për nderin e Amerikës….

Ata të rënë në atë ndeshje gjigande në emër të moralit, të dy kategorive të kundërta morali, kujtohen vetëm një herë në vit, në ditën e martirëve të Vietnamit, dhe në ditën e të rënëve në Vietnam, që prehen në përjetësi në varrezat e Arlingtonit në Uashington.

Sot shkruhet se Vietnami ishte një gabim, se lufta në Vietnam ishte idiote, ishte një luftë ku Amerika u thye, u mund, nga e cila doli e humbur. Por a është e mundur që sot të gjykojmë objektivisht për luftrat e një gjysmë shekulli më parë?! Lexova librin “Zemra e Patriotit” të Max Cleland, për të cilin “Vietnami do të thoshte humbje: humbje këmbësh, humbje krahu, humbje rinie, humbje pafajësie, luftë e humbur…”. Po aty lexova diçka nga libri i Gjeneralit Moor, “Dikur ishim ushtarë… dhe të rinj”, lexova për betejën në luginën Ia Drang (Lugina e vdekjes).

450 burra (amerikanë) të rrethuar nga 2000 ushtarë vietnamezoveriorë. Tri ditë luftime, 79 ushtarë amerikanë të humbur dhe më shumë se 1000 vietnamezo-veriorë. Në vitin 1990, gjenerali Moor takohet me gjeneralin Nguyen Huu An, komandant i trupave vietnamezo-veriore. Ata darkuan në Pleiku, zonë ku u bënë luftimet në Vietnamin e Jugut. “Gjenerali vietnamez e mbërtheu gjeneralin Moor për shpatullash, pastaj e përqafoi dhe e puthi në dy faqe.

Në përgjigje, Moor i dha orën e tij të dorës në shenjë të miqësisë së tyre. Kur vdiq gjenerali An, Moor u rikthye në Vietnam dhe vizitoi shtëpinë e gjeneralit An. Në një cep të shenjtë të zyrës së tij, Moor gjeti orën që i pati dhënë…”. Ç’gjë e bukur: në luftë armiq për vdekje, në paqe miq deri në vdekje. Dy gladiatorë apo dy shahistë të mëdhenj. Mbas betejës i shtrëngojnë dorën njëritjetrit.

Dy epoka: ajo e luftës dhe ajo e paqes. Kush kishte të drejtë, brezi që bëri luftën apo brezi i sotëm i përkushtuar për bashkëjetesë? E kush mund të japë një përgjigje racionale? Epoka të ndryshme, mentalitete të ndryshme, morale të ndryshëm, Në vitet ’60, socializmi dhe rendi socialist ishin akoma tërheqës për popujt e shtypur. Barazia shoqërore, premtimet për punë për të gjithë, shërbime mjekësore për të gjithë, shkollim falas për të gjithë, bollëk e jetë të lumtur kishin gjetur shtrat te popujt e vuajtur të të gjitha kontinenteve.

Utopi, por e këndshme, ëndërr, por njerëzit e thjeshtë pëlqenin ta jetonin. Ideologjia majtiste kishte arritur të krijonte “moralin” e gatishmërisë për vetësakrifikim për arritjen e qëllimeve. Me këtë moral ishin gatuar edhe vietnamezët, të cilët, në ato vite lufte, ishin të gatshëm të jepnin jetën për të fituar mbi imperializmin… Morali i shoqërisë kapitaliste ishte krejt tjetër, ishte ai i demokracisë në çdo vend të globit, i të drejtave të njeriut, dhe flamurin për mbrojtjen e lirisë, demokracisë, të drejtat e njeriut e kishin marrë përsipër Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duhej ndaluar shtrirja e komunizmit. Nëse rendi komunist do të fitonte edhe në Vietnamin e Jugut, rreziku i shtrirjes së tij në Kamboxhia, Tailandë, Malajzi, e me radhë në vendet tjera të Azisë ishte eminent. Efekti domino e angazhoi Amerikën në Vietnam. Përpjekja nuk ishte vetëm Shtete të Bashkuara – Vietnam, por luftë midis dy sistemeve, sistemit kapitalist dhe atij socialist.

Fushë lufte ishte Vietnami, mish për top ishin vietnamezët, të cilët, në disa breza, ishin lindur dhe rritur në luftë, që nuk dinin të bënin asgjë tjetër më mirë se luftën. Shtetet e Bashkuara nuk kishin përballë vetëm Vietnamin e vendet tjera të bllokut socialist, por edhe lëvizjen e madhe kundër luftës në vetë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore. Shumë politikanë dhe analistë thonë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e humbën luftën në Vietnam, ata qortojnë politikën amerikane të atyre viteve për një angazhim të tillë.

Amerika u tërhoq “e humbur”, por me “nder”, në sajë të Marrëveshjes së Parisit. A është e vërtetë që Amerika humbi? Kjo varet nga këndvështrimet. Por po të bëjmë pyetjen: pse presidentët amerikanë u angazhuan aq fort në këtë luftë, del e qartë se objektivi i tyre nuk ishte thjesht Vietnami i Jugut, por të ndalohej “efekti domino”, shtrija e komunizmit në vende të tjera të Azisë Juglindore. Amerika humbi Vietnamin, por fitoi Azinë Juglindore, humbi luftën në terren, por arriti të realizojë objektivat për të cilat u angazhua.

Pati shumë të humbur, shumë arkivole, shumë kujtime të hidhura, shumë familje të dërmuara, shumë amerikanë të vrarë. Ky është fati i Amerikës. Në vitin 1961, Presidenti John F. Kennedy deklaronte me besim në vete (confidently) se Amerika ishte mjaft e fortë të “paguajë çdo çmim, të mbajë çdo barrë” për të siguruar suksesin e lirisë. Ky është fati i amerikanëve. Të jesh amerikan është nder, është privilegj, por është edhe sakrificë. Të udhëheqësh botën është e natyrshme që do të kesh edhe detyrime ndaj vendeve të ndryshme të botës.

Kjo justifikon angazhimin në Vietnam në vitet ’60, justifikon angazhimin në Irak, në Kosovë, do të justifikojë angazhimin e Amerikës edhe në vende të tjera të globit, për hir të lirisë dhe demokracisë. Le të bashkëjetojë sot Amerika me Vietnamin, le të nderohen ata që dhanë jetën në atë luftë në emër të idealeve, të idealeve utopike socialiste për vietnamezët, në emër të lirisë dhe demokracisë për amerikanët. Le të respektojmë idealet e secilës palë, të fitimtarit dhe të humburit.

Po të jetë nevoja që në emër të këtyre idealeve të ndeshen gjeneralë si Moor dhe Nguyen Huu An, le të jenë në luftë armiq për vdekje dhe në paqe miq deri në vdekje. Të bindur në fitoren e të drejtës, në fitoren e lirisë, demokracisë. Në përfundim do të ketë fitore për palët në konflikt, nuk do të ketë të humbur, sepse Amerika dhe trupat amerikane nuk janë pushtuese, ato sjellin lirinë, demokracinë, sjellin të ardhmen…

*Ish-diplomat në Vietnam në vitet e luftës 

(Kosova Sot)