Letra e fratit françeskan / Mbreti Zog A kishte sekretar privat gjerman?!

  • 28 July 2015 - 09:41
Letra e fratit françeskan /  Mbreti Zog A kishte sekretar privat gjerman?!

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” nis publikimin çdo fundjavë të letrave

Letrat e mëposhtme mes fratit dhe Mustafa Krujës nxjerrin në dritë disa të errëta historike që lidhen me Mbretin Zog. Frati i kërkon Mustafa Krujës të dhëna rreth të vërtetës së Kongresit të Lushnjës, një debat i lindur nga një libër gjerman dhe të vërtetat që fsheh në raportin mes Italisë dhe Mbretit Zog.

Brenda këtij konteksti frati i kërkon Krujës të dijë komunikimin e familjes mbretërore, arkivit të tij, nëse shkruante e fliste në gjermanisht, e për këtë arsye nëse kishte pasur një sekretar privat gjerman, siç mësonte nga libri.

Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, ccdo fundjavw publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***

Graz, me 4 Gusht 1951

I dashtuni mik,

Njetash e mora letren tande e pa tjeter po vehem me T’i pergjegjë.

Mâ parë e mâ dalë po gzohem se paske kenë shndoshë prej së ligës, qi të paska pasë kapë në ket kohë. Neser nade po jam kah nisem per Salzburg. Aty janë, si per gjith vjetë, die Hochschulwochen. Neser mbrama çilet e para Hochschulwoche  e ksaj vjete. Argumenti qi do të zhvillohet rreth ksaj jave âsht ky: “Der Mensch vor der Geschichte”. Âsht e dijtun se kjo vor ktu nuk don me thânë para por kundrejt. Pra: “Njeri kundrejt ase perball historís”. Janë gati 20 Vorträge e Vorlesungen qi mbrenda nji jave do të siellen rreth ktij argumentit.

Mjerisht vetë nuk po mundem sot me i shkrue Mbretit per shum arsye. Mâ parë e mâ dalë pse sot nuk po kam kurrsesi kohë, mbasi letren per Te duhet me e shkrue ashtu me të matun, si i perket Personës së Tij. E sot po më mungon koha fizike me u vû e me pleqnue nji leter kso dore. Së dytit, mandej, nuk po dij se çë titull me i dhânë në zarf perjashta. Kte keni me pasë mirsín me m’a diftue në letren e ardhshme. Shkruenje Ju në gjuhën frengishte e vetë kam me e shkrue si të më thoni ju. Mandej po më kandet me pritë nji fije per me pá se si ka me reague Mbreti para letres seme qi ju po thoni se keni me i a lexue. Mbasi t’a dij pergjegjen e Mbretit neper pergjegje t’ Uejen, at herë do të vehem shpejt e shpejt me I shkrue, tue I u falë nderës.

Në Salzburg do të ndalem nja dý javë. Aty gjinden Nush Bushati e Ndue Paluca e me ande shkoj me i pá e me bisedue me ta.

Ingjenjer Hajdar Kerçikun jam kenë me e pá. Dr. Kiene do të shkoj me e pá mbasi të kthehem prej Salzburgut. Posë dr. Kerçikut nuk kam pa kurrkend deri më tash.

Sot po Të bâj ndoj pyetje të vogel, pse ndryshej po dalin letrat teper të shkurta.

Në nji liber me titull “Come si è fatto re d’Albania Ahmet Zogu”, (Si u bâ Mbret i Shqipnisë Ahmet Zogu”) të publikuem në vj. 1940 prej nji fratit italjan qi ka kenë 40 vjet misjonar në Shqypni, lexohen kto fjalë:

“Contro il volere d’ Italia, il 21 gennaio 1920 fu tenuto il congresso di Lushnje, dove si pose il fondamento dello stato albanese con governo proprio, indipendente e coi confini assegnati a Londra nel 1913. L’anima d’esso fu padre Giorgio Fishta con Dr. Luigi Gurakuqi e Mons. Bumçi.”  (Kundër vullnetit t’Italisë, më 21 janar 1920, u mbajt Kongresi i Lushnjes, ku u hodh themeli i shtetit shqiptar me nji qeveri të veten, të pavarun dhe me kufijtë e përcaktuem në Londër më 1913. Shpirti i tij qe At Gjergj Fishta me Dr. Luigj Gurakuqin dhe Imzot Bumçin.” )

A âsht e vertetë qi l’anima di questo congresso të jenë kenë kta të tre, a por âsht kenë ndoj tjeter?

Më keni pasë kallxue njiherë punen e Gani Toptanit qi jet i vramë në Stamollë e se si mandej nji lalë i tij shkon e i merr gjakun tue vrá dorasin. M’ intereson me dijtë se si shkoi me marue ky lala i Ganiut? A e pat gjetë gjâ per ket vrasë, apor jo? Shka don me thânë fjala lalë?

Edhe nji tjeter pyetje e po mbaroj. Si do të kuptohet qi aj tfillimi, të cillin ma pat dergue Mbreti permbi ditët e mbrame para okupacjonit italjan, âsht i shkruem në gjuhë tedeshke? A ka Mbreti ndonji tedeshk si sekretar privat apor âsht gjuha tedeshke gjuha zyrtare e arkivit të Tij?

Po e mbylli tue Të dergue shndete të veçanta, mbasi kso here ké nevojë mâ shum se tjera herë. I lutem Zotit qi Të të mbajë doren e vet mbi krye per shum vjet, qi të mundeni me i vjeftë atmes s’onë të dashtun me shkrime, me fjalë e me vepra, mbasi endè keni mundsín. Adenauer e tjerë janë mâ të moçem se Ju e megjithkta kanë në dorë fatet e popujve të tyne. Edhe Ju, ndoshta, mund të vijë koha qi me i marrë prap në dorë fatet e të shkretit popull t’onë.

Shum shndet e të mira t’ uron me gjith zemer.

Miku i yt

P.P. Margjokaj O.F.M.

Paulin Margjokaj

Franziskanerplatz, 14

Graz (Austria)

Ramleh (Aleksandrí), 12. 8. 1951

Mik i dashun,

Mora letrën t’Ânde me 4, sidhe pusullën me 1 të k.m. bashkë me nji letër të Kërçikut.

Po T’a kam lakmí për konferencat “Njeriu përballë historís”. A Të pëlqen ky përkthim i im?

Adresën e Mbretit mbi pështjellsën shkrueje frëngjisht kështu: Sa Majesté Zog I, Roi des Albanais-8, Rue Laurens-Ramleh (Alexandrie) – Egypten.

Plan’ i Yt me pritun reagimin e Mbretit kundrejt letrës qi më ke shkrue mue para se me i shkrue Ti falënderimin t’ Ând atij, âsht i gabuem e në kundërshtim me kshillin qi Të pata dhânë vetë në t’emen para ksaj. Ti do t’a falënderojsh “për premtimin bujar e kshillet e drejta” nëpër Z-in Kruja “mbas nji lutjeje qi pata pasun guximin me Ju drejtue po me atë ndërmjetsí”. Ky falënderim i a përgatitë mâ mirë sheshin letrës s’Ate qi do t’i diftoj un mbandej. Në falënderimin t’Ând do t’i a nisish, simbas mendimit t’em, me nji paraqitje të shkurtë të vetes s’Ate : studimet qi ke bâmë etj.; mbandej veprimtarín qi ke ndër mend me zhvillue ; edhe mâ në funt i flet për bujarín qi ai ka diftue në Shqipní për persona e institute intelektuale qi mund t’i shërbejshin atdheut, gjâ qi Të ka dhânë guximin me i u drejtue atij edhe në këtë rasë, ndonse ndryshim’ i kushteve t’atëhershme me të soçmet nuk T’âsht i panjohun. Madje shi kjo gjâ të ka bâmë me u kufizue në kërkesën t’Ânde ndër caqet mâ të ngushtat, “sikurse do të Ju a parashtrojë Z. Kruja”.

Kështu po m’a merr mêndja mue, e Ti tash e peshon punën edhe në peshtarin t’ Ând.

Fjalët qi po më shkruen prej veprës s’atij kolegut t’Ând italjan qi paska shkue pjesën mâ të madhen të jetës së vjefshme në Shqipní, po më bâjnë mâ fort se libr’ i atij Gjermanit mos me pasë besim në historín e shkrueme, në qoftë se kjo bazohet për nji pjesë të madhe mbi vepra kontemporane. “Dr. Luigj Gurakuqi – qi s’e ka pasun këtë titull, në sa e kam un -, P. Gjergj Fishta e Mons. Bumçi, kur u bâ kongres’i Lushnjes janë ndodhun në Paris, si delegetën në konferencën e paqës shi t’asaj qeverije të kryesueme prej Turkhan Pashës, kundra së cilës u mblodh kongresi kryengritës e të cilën, me gjithë delegacjonin e Parisit, ai e rrëzoi. Na, lum miku, kemi qênë kundra atij kongresi, qi ka pasë për nxitës e protagonista kryesorë njerzit e “Klikës” së famshme. Këtu, veç, s’jam tue gjykue kongresin, se ky proces do të përbânte nji ndër kapitujt mâ të gjatët të historís së Shqipnís së ksokoshme. Por vetëm desha t’i përgjigjem pyetjes s’ate qi kufizohet në rolin e tri personave. Pra “l’anima di questo congresso” ka qênë “Klika”, qeverij’ e Turkhan Pashës ka qênë kundra, delegacjon i Parisit ka qênë pasiv, se merrej me punë tjera, me problemën e Shqipnís në konferencën e paqës.

Fjala lalë në Shqipní – çudë si s’e paska Puka, kurse Mirdita po – âsht nji titull nderimi familjar; i epet prej gjindvet mâ të rij, mâ mirë me thânë prej të rijve, të parit të shtëpís ase vëllaut mâ të madhit. Ndër shtëpija zotnísh kujdestar i nji djali të vogël e mbandej të ri, edhe burrë, thirret prej këtij lalë. ndër malsina t’ona shpesh herë përdoret edhe për tatë. Mbret’ i ynë, Abdurrahman Krosin (Matin) e ka thirrë gjithmonë lalë. Krejt ç’janë Merlikaj mue më thërrasin lalë.

Ai lala i Gani Toptanit, qi ka qênë krután e qi i muer gjakun në Stamboll, jo tue vramë dorasin qi qe zhdukun, por nji mâ të madh se këtê, qi ishte nxitsi e i biri i Gran Vezirit, ai qe dënue për dekë, por mbasi Sultan Hamidi çdo dënim deket, pa përjashtim, e kthente në burgim të përjetshëm, kështu edhe ai i shpëtoi konopit. Në revolucjonin e Tyrqve të Rij, të burgosunit e Stambollit u liruen prej popullit, e ndër ta edhe Xhiu i Fajës duel e u kthye në vênd e në shtëpí të vet mbas 9 vjet burgu.

Mbretit ka kush i shkruen gjermanisht. Vetë ai e flet këtë gjuhë mâ mirë se çdo tjetër të huej. Me Mbretneshën, kur s’flasin shqip, flasin gjermanisht. Atë përgjegjën e ka shkrue gjermanisht, besoj un, vetëm pse teksti për t’u qërtuem ishte shkrue po në atë gjuhë.

Shumë faleminderës për urimet mbarimtare (finale). Nji anekdot të nji pape (kujtoj të Piu XI) do t’a keshë ndëgjue ndoshta: Kur i paskeshin votun kardinalat in corpore për t’i urue 80-vjetorin e moshës së tij, dekani i paska urue 100 vjet. E papa i përgjegjka: “Per carità, non mettiamo limite alla volontà di Dio!” Ndiç edhe un po due me Të thânë : Të lutem, uromë vetëm qi Perendija të më mbarojë deshiret e drejta.

Kët’ urim, pra, giacchè ci siamo, po T’a bâj edhe un Tý.

M.Kruja

Graz, me 29 gusht 1951

Mik i dashtun,

Dje pra e shkrova letren per Madhnín e Tij. U mundova me e shkrue krejt njashtu si më thoshe ti në letrën e mbrame.

Të falem nderës per tfillime qi më dhae. Kso here, veç, due qi të më spjegojsh mâ mirë punen e Kongresit të Lushnjes. Pse, me diftue të drejten, mue me tfillimin t’And veçse m’âsht perzie koka edhe mâ fort e nuk i dij mâ maje ksaj çashtje. Ti po thue në leter tande: “kundra qeverís së kryesueme prej Turkhan Pashës u mblodh kongresi kryengritës i Lushnjes” e ky kongres paska pasë rrzue qeverín e Turkhanit edhe delegacjonin e saj në Paris. Po kush kje ai qi formoi, ase mâ mirë të tham, qi nxiti formimin e qeveris së Turkhanit, kundra së cilës paska pasë veprue kongresi kryengritës i Lushnjes? Ai libri tedeshk, per të cilin të kam shkrue disa heresh, shprehet kshtu mbi ket kongres:

“In Lushnja wurde ausgezeichnete Arbeit geleistet. Der Kongreß riß durch seire Aktivität nicht nur Albanien aus seiner Agonie, sondern er stellte auch konkrete politische Ziele auf und begann unmittelbar, im Sinn dieser Ziele zu handeln. Durrazzo wurde seiner Würde als Hauptstadt des Landes enthoben und durch Tirana ersetzt. Die in Durazzo unter dem Einfluß Italiens tagende Regierung wurde als unverbindlich arklärt, und um an ihre Stelle möglichts rasch eine andere legitime Regierungsgewalt zu setzen, wurden Neuwahlen ausgeschrieben, die unter größten Schwierigkeiten auch in den Landesteilen unter griechischer, beziehungsweise französischer Besetzung durchgefürt wurden. Ja, selbst Kosovo war durch Vertreter in dem nunmehr am 27. März 1920 zusammentretenden ersten Parlament des neuen Regimes in Tirana vertreten. Sulejman Pascha Delvino bildete das erste Kabinett, in dem Ahmet Zogu in dem der lago nach sehr schwierigen, aber auch einflußreichen Portefeuille des Inneministers amtierte. Die Frage des Staatsoberhauptes und der Staatsform hatte man in Luschnija als augenblicklich uninteressant damit umgangen, daß für den de iure ja noch vorhandenenen Monarchen ein Regentchaftsrat die Funktionen dre krone übernahm, der aus je einem Vertreter der vier Religionen des Landes zusammengesets war; Abdi Bey Toptani vertrat in ihm den sunnitischen Islam, Akif Pascha Elbasani, ein enger Mitarbeiter Achmed Zogus während der Elbasaner Tage 1916 und vorher schon ergebener Anhänger des Prinzen zu Wied, den Bektaschismus. ( pwrkth. Në Lushnje u bë punë shumë e mirë.Kongresi, nëpërmjet aktivitetit të tij, jo vetëm e nxori Shqipërinë nga agonia e saj, por caktoi dhe qëllime konkrete politike dhe filloi menjëherë të vepronte në bazë të këtyre qëllimeve. Durrësi nuk do t’ishte më kryeqyteti i Vendit. U zëvendësua nga Tirana. Qeveria vepruese e Durrësit nën ndikimin e Italisë, u shpall e pavlefshme dhe u vendos që, sa më shpejt që të ishte e mundur, të ngrihej një tjetër pushtet qeverisës ; u shpallën dhe zgjedhje të reja, të cilat u realizuan me vështirësi të mëdha dhe në pjesët e vendit nën pushtimin grek, përkatësisht atë francez. Po, madje dhe vetë Kosova kishte përfaqësuesit e saj në qeverinë e re në Tiranë të dalë nga parlamenti i parë shqiptar, i mbledhur më 27 mars 1920. Sulejman Pashë Delvina formoi kabinetin e parë, në të cilin Ahmet Zogu kishte portofolin tepër të vështirë dhe po ashtu me shumë influencë të Ministrit të Brendshëm. Çështjen e kreut dhe të formës së shtetit në Lushnje e zgjidhën për momentin duke i dhënë një Këshilli të Regjencës funksionet de jure të monarkut, këshill që përbëhej nga përfaqësues të katër feve të Vendit. Abdi Bej Toptani përfaqësonte në të Islamin Sunit, Aqif Pashë Elbasani, një bashkëpuntor i ngushtë i Ahmed Zogut gjatë Ditëve të Elbasanit më 1926, dhe më parë mbështetës i devotshëm i Princ Vidit, përfaqësonte Bektashizmin.)

Die ganze verfügbare Kraft des Staates wurde nun darauf konzentriert, die äußere Integrität des landes wieder sicherzustellen. In Vollzug dieser Aufgabe wurde zunächst die bisherige Pariser Delegation durch neue, jüngere Kräfte ersetzt. Turhan Pascha kehrte, nachdem er so seiner Amter entkleidet 1927 in Dem verstarb. Schwerer als diese Reform war das Problem der Auseinandersetzung mit den widerrechtlich auf albanischem Boden weilenden Streitkräften der Okkupationsmächte. Auch dieses Problem wurde aber obgleich Albanien noch keine Armee besaß und nur ein irreguläres Aufgebet einsetzen kante halbwegs zufriedenstellend gelöst.”

(perkth. E gjithë forca e disponueshme e shtetit u përqëndrua në ri-sigurimin e integritetit të jashtëm të Vendit. Për zbatimin e kësaj detyre si hap i mëtejshëm u zëvendësua Delegacioni i atëhershëm i Parisit me forca të reja. Turhan Pasha, pasi u zhvesh nga detyra e tij, u kthye në Dem ku dhe vdiq më 1927. Më e rëndë se kjo reformë ishte problemi i ndeshjes me trupat e paligjshme të fuqive pushtuese, të vendosura në tokën shqiptare. Edhe ky problem megjithëse Shqipëria nuk kishte akoma ushtrinë e saj dhe mund të vinte në përdorim vetëm një numur të parregullt njerëzish, u zgjidh deri diku në mënyrë të kënaqshme.”)

Shka thue ti per kto fjalët e auktorit gjerman?

Mue më intereson ktu me dijtë, posë tjerash, edhe se kush kje perfaqsuesi i katholikve në ket “Regentschaftsrat”, qi paska pasë kenë themelue si konsekvencë e kongresit të Lushnjes. Edhe përfaqsuesin e orthodoksvet m’ intereson me e dijtë.

Mbasi Ti paske kenë me delegacjonin shqyptar në Paris, shka vetë përparandej nuk e kam dijtë, Të lutem të më diftojsh se çë pozicjon kanë pasë Mons. Bumçi e P. Fishta? E a âsht e vertetë se P. Fishta pat udhtue n’atë kohë per London e Washington per me u mbushë menden qeverive të ktyne kryeqyteteve per nevojen e integritetit të Shqypnís? Se P. Fishta pat kenë n’atë kohë në Anglí e Amerikë e dij, por m’ intereson me dijtë a shkoi nder kto dy vende i Derguem zyrtarisht prej Delegacjonit shqyptar, apor vetem shkoi mendsh së veta.

Mbasi po âsht fjala ktu mbarë, më difto edhe se në cilin parlament e në çë vjetë âsht kenë P. Gjergji deputet. Me gjasë âsht kenë nji herë edhe nenkryetar i Parlamentit – a âsht e vertetë?

Gjithashtu kur kje P. Ambroz Marlaskaj deputet?

A âsht e vertetë se P. Vinçenc Prendushi ka kenë emnue nji herë senator? Më duket si me e pasë ndie nji herë ket gja e mos u rresha, âsht kenë shi në ket kohen para kongresit të Lushnjes.

Në fund dishroj me dijtë edhe se kush patën kenë përfaqësuesat e klerit katholik n’asemblén kombtare të thirrun nen okupacjonin tedeshk në vjeshten e 1943, prej së cilës asemblé mandej duel kvadriumvirati, ku P. Anton Harapi pat marrë pjesë si përfaqësues i katholikvet.

Kso here mjaft me pyetje. E dij se ke me pasë me se me lodhë kokën per me iu pergjegjë gjith ktyne pyetjeve.

Tue Të përshëndetë me urimet mâ të perzemertat e tue T’u falë nderës per ndermjetsí.

Mbetem mik i Yti.

P. MargjokajO.F.M.

Graz, me 3 tetuer 1951

Shum i dashtuni Mik,

Dje u mbushen pesë javë, qi Të pata shkrue Tý e nji ditë perpara i pata shkrue edhe Mbretit. Prej teje nuk kam pritë ndonji pergjegje të shpejtë, pse në letren e mbrame t’emen pata bamë shum pyetje qi lypin nji tfillim t’Andin.

Puna e ndihmës prej anës së Mbretit po shtyhet bajagì gját. Të tana planet e mija janë të bazueme në ndihmën qi Mbreti më pat bâ me shpresue se do t’më epte. Deri tash jam kah hî paprâ në borxh, pse ditë më tjetrën pres se po vjen ndoj send. Por âsht e dijtun se kjo nuk hecë ashtu gját. Un jam perherë me frigë se a mos po ndrron ndoj punë andej pari e vetë po jes me duer thát. Kndej kemi ndie e âsht botue edhe nder gazeta, se Mbreti po na lanka Egjiptin e po na shkueka me xânë vend n’Amerikë, ku po paska blé nji farm. Natyrisht Mbreti mundet me ma dergue ndihmen e vet edhe prej Ameriket, por drue se kúr të jét dá prej Teje e harron se vetë jam gjallë nder kto ana e se pres ndihmen e Tij.

Porsa t’a merrish ket leter, të késh mirësín me u vû e me m’a spjegue krejt punen. Rrugët me nisë pare prej Egjiptit janë të shumta e të kollajta. Me çek âsht rruga mâ e kollajta e mâ e mira. Por nuk po due vetë me e msue Mbretin në ket pikë. Vetë Të pata shkrue njiherë, qi un dishroj të dergohen paret në mndyrë qi kta të ktushemt mos t’a marrin vesht se vetë jam i pasun. Kta medoemos nuk e kuptojn e nuk xân besë se me njato pare qi të marr vetë prej Mbretit do të kqyri me u arrangjue per dý ase trí vjet, po duelen e mjaftuen.

Mâ gját nuk po shkoj, pse kto punë t’i kam spjegue gjanë e gjatë disa heresh. Kso here nuk po të baj kurrnji pyetje historike, pse ké boll se me shka me e lodhë koken me pvetjet letres së perparshme, e mandej kjo puna e ndihmës së Mbretit nuk mund të lêhet per mâ vonë, mjesá puna e pyetjeve po. Shum shndet e pres me dishír të madh nji pergjegje tanden mbi ket pikë njiherë.

Miku i yt

P. Margjokaj O.F.M.