< Stalini- komunistit jugosllav: Gëlltiteni Shqipërinë, sa më parë, aq më mirë - Dossier - Kosova Sot
Stalini- komunistit jugosllav: Gėlltiteni Shqipėrinė, sa mė parė, aq mė mirė

Stalini- komunistit jugosllav: Gėlltiteni Shqipėrinė, sa mė parė, aq mė mirė

BESNIK DIZDARI

Lind thirrja “Tiranë-Beograd!” “… Një vit më vonë, më 23 qershor, Enver Hoxha erdhi në Beograd për vizitë zyrtare. Ai u ndje fort i përkëdhelur kur pa se në aeroport kishte dalë vetë Tito për ta pritur. Nga ana e tij, Tito po bënte një sforcim shumë të madh – çka megjithatë dukej se ishte mirë që po ndodhte kështu – për t’i treguar se takimi ishte midis të barabartëve.

Në thelb ajo ishte një vizitë e ngrohtë dhe miqësore. Anëtarët e qeverisë u pritën prej funksionarëve jugosllavë në nivel barazie dhe përgjegjësie, të cilëve u ishte besuar detyra e stabilizimit të marrëdhënieve të punës dhe të mikpritjes. Me disa, besoj dy ose tre, u mora edhe unë.

Motra ime Milka, e cila kishte qenë në lidhje me shqiptarët në Kosovë gjatë luftës, bënte përkthyesen, e këtë, miqtë tanë do ta vlerësonin si një shenjë të veçantë afërsie. Marrëdhëniet midis dy vendeve në vitet e para të mbasluftës ishin të tilla, saqë të gjithë ishim të bindur se do të arrihej në një bashkim politik dhe ekonomik, por duke respektuar veçoritë kombëtare dhe etnike. Nuk mund të ushqenim iluzione të tilla me demokracitë e reja popullore, ndoshta – dhe vetëm disi spontanisht – me përjashtim të Bullgarisë.

Image

Milovan Gjilas në vitet e disidencës

 

Këto shtete nuk kishin përjetuar një revolucion; ato kishin qeveri koalicioni dhe më tepër shqetësoheshin për pavarësinë e tyre formale sesa të një “internacionalizmi”. Duke munguar, megjithatë, pengesat ideologjike dhe emocionale, çka shpesh i bënin të vështira marrëdhëniet me Bullgarinë dhe Shqipërinë, prapëseprapë marrëdhëniet tona me ta ishin më të qëndrueshme dhe më të hapura”, shkruan Milovan Gjilas.

E vërteta është se pritja e delegacionit shqiptar ka përmasa gjigande në të gjitha kahet që ta marrësh. Në aeroport ka dalë vetë Tito me ushtrinë e krerëve të tjerë: nga të famshmit Mosha Pjade e deri te Koça Popoviç. Spektakolare është ndërkaq, pritja rrugëve të Beogradit, ku vargu i gjatë i veturave e shndërron kryeqytetin jugosllav në një festë madhështore të mijëra e mijëra njerëzve dy anëve të rrugës.

Në makinën e parë Enveri dhe Tito, në të dytën apo të tretën e të tjerat “duetet” nuk ndalin njëri mbas tjetrit: Myslym Peza me Stanoje Simiçin, Bedri Spahiu me Koça Popoviçin, Manol Konomi me Frolin, Nako Spiro me Boris Kidriçin, Nesti Kerenxhi me Aleksandër Rankoviçin, Manush Myftiu me Vukmanoviç Tempon, Vasil Konomi me Velebitin, Hysni Kapo me Josip Gjergjën, Sadik Bekteshi me gjeneral Djuriçin! Si të ishin dyshe kampionësh olimpikë, që i presin po në vetura të hapura sot shtetet fitimtare të olimpiadave.

Është një karusel i padëgjuar veturash rrugëve të Beogradit me këto dyshe që të duken vërtet fantastike për kah artificialitetit dhe pompozitetit të një miqësie në zenit, pa menduar askush se sa shpejt do të vinte rënia. Ky është çasti kur përveç parullave të njohura, shpërthen edhe ajo më “origjinalja”, që kurrë nuk është përmendur në Shqipëri: “Tiranë – Beograd!” Është një eufori e pafund. Nga Serbia në Slloveni e Kroaci, kur për Zagrebin shkruhet se Enver Hoxha është pritur deri prej 150.000 qytetarësh kroatë!

Çka do të kulmojë me ceremoninë pompoze të nënshkrimit të të ashtuquajturit “Paktit të miqësisë dhe ndihmës reciproke” dhe me kulminacionin e 26 qershorit 1946 të dhënies Enver Hoxhës të titullit “Hero i Popujve të Jugosllavisë”. Ndërkaq, në gjithë këtë eufori të pamat veçohen dy sensacione të tjera: që nuk përmendet askund Kosova, të cilën as që ia propozojnë Enver Hoxhës ta vizitojë.

Dhe tjetra që ka të bëjë me historinë e gazetarisë shqiptare, kur më 2 korrik 1946, ditën e kthimit të delegacionit dhe të mitingut në Tiranë, gazeta “Bashkimi” boton dy numra: një të mëngjesit dhe një të mbrëmjes! Kjo nuk kishte ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur asnjëherë më në historinë e Shqipërisë.

NGA “BASHKIMI” JUGOSLLAVI – SHQIPËRI, TE PRAGU I KONFLIKTIT

Shkruan Milovan Gjilas: “Konfliktin do ta nxisnin divergjencat midis politikës jugosllave dhe asaj sovjetike në lidhje me Shqipërinë. Ende edhe sot në Beograd dhe në Tiranë, këto marrëdhënie të Mbasluftës janë objekt i interpretimeve të ndryshme ose kundërshtuese, çka vjen prej qëndrimeve të ndryshme, simbas interesave po të ndryshme ideologjike kombëtare që mund të merren me mend.

Thuhej shpesh se Beogradi e trajtonte Tiranën ashtu siç trajtonte Moska Beogradin. Ishte një paralele shumë e thjeshtësuar dhe sipërfaqësore. Problemi ishte shumë më kompleks. Për aq sa di dhe për aq sa kam mundur të mësoj prej dokumenteve të botuara në Jugosllavi, marrëdhëniet ekonomike që ekzistonin midis dy vendeve përngjasonin vetëm në vija të trasha me ato që ekzistonin mes Bashkimin Sovjetik dhe vendeve të Europës Lindore.

Për shembull, në të dyja rastet ishin krijuar shoqëri me kapitale të përbashkëta. Por, faktet tregojnë se Jugosllavia i jepte Shqipërisë më shumë nga çka përfitonte. Nëpërmjet shoqërisë së përbashkët, Jugosllavia ndërtoi hekurudhën Durrës – Peqin, po ashtu dhe disa fabrika të vogla, ndërkohë që kishte dhënë kredi deri në dy bilionë lekë (40 milionë dollarë).

Image

RANKOVIC, TITO, GJILAS, KARDEL, 1953

 

Nga ana tjetër, Shqipëria ishte furnizuar me sasi të konsiderueshme gruri kur më 1946- n qe goditur nga thatësira, ndonëse edhe vendi ynë tepër i drobitur nga lufta, përjetonte mungesa të shumta të prodhimeve për nevojat më fillestare. Kjo marrëdhënie ekonomike e kushtueshme dhe e pabarabartë për ne, zhvillohej në këto kushte vetëm sepse, mbas mbarimit të luftës, drejtuesit kryesorë të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë kishin nëpërmend bashkimin e dy vendeve në një Shqipëri, e cila do të bëhej republikë e shtatë jugosllave, një republikë që do të përfshinte edhe rajonin e Kosovë-Metohisë me shumicë shqiptare”. E ndërkaq, po papritmas shfaqet Gjilas, që vazhdon me shtjellimin e tij që deri më sot nuk e kishim hasur askund.

Ai shkruan: “Kështu shpresohej se mund të zgjidheshin më mirë çështjet territoriale dhe të mbylleshin paragjykimet kombëtare (nacionale). Edhe pse shoqëritë e përbashkëta dhe tregtia bëheshin rregullisht falë marrëveshjeve kontraktuale, konteksti i përgjithshëm justifikohej nën dritën e këtij bashkimi politik. Për këtë arsye marrëdhëniet me Shqipërinë nxiteshin prej një altruizmi dhe bujarie.

Në praktikë ne e konsideronim atë një republikë tonën të pazhvilluar. Por kjo ishte e papranueshme për popullin shqiptar, pavarësisht se shpirti i pavarësisë dhe ndenja e identitetit kombëtar për këtë popull nuk ishin kaq thelbësore”. Këtu Gjilas, duket se rrëshqet, ose është disi i paqartë a i nxituar, kur dihet se ai e kishte ngritur lart shpirtin kombëtar të shqiptarëve. E ngatërron koha, politika e udhëheqësve shqiptarë apo nxitimi?… Dhe nga nëna ai nuk është malazez. “Për hir të së vërtetës, – ka shkruar Gjilas fjalë për fjalë, – nëna ime nuk ishte malazeze… Gjyshi im nga nëna Gavro Radenovi?i ishte nga Plava, fshati Meteh, çka prej ku familja e tij quhej Meteshani (Metešani). Kur zemërohej babai im, afirmonte se fisi Radenovi?i – Meteshani ishin shqiptarë”.

Shkruan Milovan Gjilas: “Asokohe marrëdhëniet jugosllavo – shqiptare nuk kishin mbërritur ende në trysninë e çështjes së Kosovë – Metohisë. Udhëheqjet e të dyja vendeve e kishin marrë qëndrimin në favor të bashkimit, përderisa problemi i këtij rajoni kufitar do të zgjidhej në mënyrë natyrale me përfshirjen e tij në bashkimin federativ shqiptar. Në këtë vështrim, ne kërkonim të maskonim njëlloj kontradikte jo të ndryshme nga ajo e propozuar prej bullgarëve për formimin e Federatës bullgaro-jugosllave, me përfshirjen e rajonit të Pirinit si pjesë e Maqedonisë. Drejtuesit shqiptarë nuk përqendroheshin këtu, por problemi po tensionohej, ose të paktën ndihej disi në mënyrë të pavetëdijshme, sidomos më mbas, kur marrëdhëniet me ne nisën të prisheshin”.

GJILAS DHE RASTI TRAGJIK I NAKO SPIRUT

Shkruan Gjilas: “Më 1947, sidomos andej kah fundi i këtij viti, lidershipi sa vjen dhe e shton impenjimin e tij ndaj Shqipërisë në fushën ekonomike, politike e ushtarake. Çka ngjet falë iniciativës së Titos dhe në sajë të drejtimit mbikëqyrës të tij. Specialistët jugosllavë punonin për të transmetuar përvojat tona të partisë, si dhe për ushtrinë shqiptare e për të bashkuar në një dy ekonomitë. Nga ana e tyre, shqiptarët dukeshin se po u përshtateshin zhvillimeve të tilla.

Federata me Jugosllavinë përfaqësonte trashëgiminë ende të gjallë të socializmit ballkanik, e përforcuar tejet nga përvoja më e fundit e luftës dhe rezistencës ndaj trysnive perëndimore. Por ndërkaq, qeveria sovjetike nuk tregonte asnjë entuziazëm për një bashkim të mundshëm të dy vendeve. Andej kah fundi i vitit 1946, ambasadori Sadchikov kishte shprehur rezerva për traktatet e aleancës jugosllavo – shqiptare dhe i kishte kërkuar Shqipërisë që të reflektonte mirë për çka po bënte. Ndërkaq, më 1947 kishin dalë në dritë kundërshti të forta për çështje të karakterit ekonomik.

Nako Spiru, asokohe përgjegjës për politikën ekonomike, shfaq kundërshtime për marrëveshjet e ndihmës reciproke të firmosura më 1946. Një delegacion i kryesuar prej tij vjen në Beograd për ta diskutuar këtë problem.

Image

Enver Hoxha dhe Nako Spiru

 

Divergjencat u zbutën ndërkaq. Por, kur e pata takuar, ai më tha – pa inat dhe vërejtje, por vetëm duke përmendur shifra – se marrëdhëniet tona ekonomike, ashtu siç qenë programuar, nuk ishin as pozitive, as të drejta për Shqipërinë. Kësisoj, zbutja e mosmarrëveshjeve dukej iluzore dhe vetëm për pak kohë të durueshme. Spiru vazhdonte të ishte polemik ndaj nesh, një- soj si përfaqësuesit sovjetikë në Tiranë (në mënyrë të veçantë ambasadori) dhe kritik ndaj çdo qëndrueshmërie të marrëdhënieve jugosllavo – shqiptare.

Deri në çfarë pike kundërshtimi i Spirut ishte i lidhur me manovrat e errëta të ambasadorit sovjetik, këtë nuk e di; por fakti është si njëra, ashtu dhe të tjerat, si të thuash, verifikoheshin ndërsjelltas. E vërteta është se shumica e Komitetit Qendror shqiptar gjithnjë mbronte variantin e riafrimit me Jugosllavinë dhe bënte hapa konkretë në këtë drejtim. Në këtë linjë lëvizte edhe Enver Hoxha, ndonëse pa entuziazëm dhe pa e marrë iniciativën e radhës, një prej arsyeve kjo, që Beogradi e konsideronte një komunist të tipit të borgjezit të vogël.

Përpjekjet nervoze, kontradiktore, por këmbëngulëse të Nako Spirut për të bllokuar pika të synimeve kontraktuale me Jugosllavinë, krijoi një krizë brenda Komitetit Qendror shqiptar. Pa dyshim, një pjesë e kësaj vinte edhe prej përfaqësuesve tonë në Tiranë. Spiru qe përjashtuar nga partia dhe zëvendësuar: një vendim që Hoxha nuk mund ta vinte në diskutim, të paktën publikisht.

Tepër i shqetësuar, i izoluar dhe i akuzuar për “deviacione shoviniste” për shkak të qëndrimeve të tij në pajtim të marrëdhënieve midis të dy vendeve socialiste, Spiru vetëvritet në vjeshtën e vitit 1947. Veprimi shkaktoi konfuzion, stepje dhe njëlloj zymtësie në sferat e larta në Beograd, po edhe më tepër në Tiranë – çka përtej shpjegimeve sipërfaqësore ideologjike apo të komenteve me të cilat kërkohej të shuhej zjarri, duke e përcaktuar Spirun si një njeri tejet të ndjeshëm, një intelektual dhe një nacionalist”.

Ndërkaq, Gjilas pohon krijimin e Byrosë Informative dhe vendimin që kuartjeri i përgjithshëm i saj të vendosej në Beograd, çka duket sikur e zvogëlon përmasën e mosmarrëveshjeve të sapolindura të Jugosllavisë me BRSS e Shqipërinë, siç thekson ai. E megjithatë dukej se konflikti, shton ai, do të shpërthejë me ashpërsi. Për një çast të bën të mendosh se Nako Spiru është fitili, teksa shihet se Gjilas i jep jo pak vend. Natyrisht për “çështjen Spiru” është shkruar në Shqipëri.

Kahet e gjykimeve ende duket se shpesh janë disi edhe naive. Mbi të gjitha me të metën e madhe; mungesën e informacionit të plotë, më dokumentues – çka në Shqipëri kurrë nuk është bërë zakon që të ketë përparësi. Po mbërrinte fundi i vitit 1947, pragu i vitit “të madh” 1948 të “tradhtisë” së Jugosllavisë së Titos.

Shkruan Milovan Gjilas: “Gjithnjë e më nervoz, Tito këmbëngulte për bashkimin me Shqipërinë. Brenda rrethit të tij të ngushtë ai nuk e fshihte – kur, përveç të tjerave, kjo nuk do të ishte e mundur – frikën se sovjetikët do të na sulmonin e të grindeshin me Shqipërinë. Dhe kështu, në vend që synimi për bashkimin të nxiste vullnet të mirë prej të dyja palëve, gjithçka po shfaqej përherë e më tepër si një sulm nga ana jugosllave. Pa asnjë shkak, vetëm për pretekstin e dëshirës për të mbrojtur fqinjin tonë prej rrezikut që po vinte prej “reaksionit grek” ose prej “imperialistëve” që fshiheshin në Greqi, Tito bëhet i vetëdijshëm për të përgatitur dërgimin atje të dy divizioneve.

Ashtu si dhe punët e tjera ushtarake në Shqipëri, edhe ky operacion iu besua Milan Kupreshaninit, një prej gjeneralëve më të zot, më të moderuar dhe të disiplinuar, të cilit mund t’i besohej. Isha i pranishëm kur Tito ia dha atij këshillat e para. Mirëpo, as përgatitjet, as vendimet për të dërguar dy divizionet nuk ishin diskutuar në politbyro dhe as në rrethin e ngushtë të Titos (që ishim unë, Rankoviçi e Kardeli).

Megjithatë, Rankoviçi ishte njohur me të gjitha detajet e planit qysh nga çasti kur shumë detyra të lidhura me të gjitha këto rëndonin mbi shpatullat e tij (spiunazhi, marrëdhëniet ndërpartiake, përzgjedhja e kuadrove, etj.). Edhe krerët e Ushtrisë – Goshnjak, Popoviç e Vukmanoviç Tempo – ishin vënë në dijeni, versioni zyrtar, edhe për drejtuesit kryesorë ishte se gjithçka po bëhej për “të shpëtuar” dhe “mbrojtur” Shqipërinë. Por unë nuk isha i bindur për një veprim të tillë; “të përvetësoje” Shqipërinë kësisoj ishte një veprim i papërshtatshëm me parimet dhe mëtimet e bashkimit vullnetar të popujve dhe të vetëvendosjes së tyre…

Dukej që sovjetikët dhe një pjesë e udhëheqësve shqiptarë të drejtuar prej Hoxhës, ishin të paqartë plotësisht për atë se çka po ndodhte. Në numrin e parë të revistës “Shqipëria – Jugosllavia” (20 janar 1948), organ i Institutit për Bashkëpunimin Kulturor midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, Hoxha përshëndeti Titon dhe Jugosllavinë, por nënvizonte se vendi i tij e kishte fituar lirinë me forcat e tij. Natyrisht që ai kishte dyshime dhe donte të fitonte kohë, duke pritur garancinë e mbështetjes nga Moska”.

Dhe kjo mbështetje për të cilën parashikonte Gjilas, ose urdhrat e reja moskovite për Shqipërinë, nuk do të vononin. Çka do të thoshte se deri në këtë çast, e gjitha ishte një bindje shqiptare e përulur ndaj Jugosllavisë së Titos, e cila megjithatë po “guxonte” pak si tepër… Duhej të shfaqej “i madhi” Stalin – shpëtimtari, siç e kanë përcaktuar “përjetësisht” Partia Komuniste apo e Punës së Shqipërisë. E kjo do të thotë që asgjë Shqipëria nuk mund të bënte pa të.

DHE STALINI QË QORTON, NXIT DHE MIRATON…

Shkruan Milovan Gjilas: “Andej kah fundi i dhjetorit 1947, ne morëm një telegram të Stalinit përmes të cilit kërkohej që një anëtar i Komitetit Qendror jugosllav – mundësisht unë – të vinte në Moskë për stabilizuar një vijë politike të përbashkët të dy qeverive në lidhje me Shqipërinë. Kundërshtitë ishin shtuar ndërkaq, për shkak të vetëvrasjes së Nako Spirut dhe të makinacioneve të dukshme prej Hoxhës dhe funksionarëve të tjerë të lartë shqiptarë të organizuara në marrëveshje me përfaqësuesit sovjetikë.

Ndërkaq, sovjetikët në Tiranë ishin pak a shumë kritikë ndaj politikës jugosllave në Shqipëri. Parashtrimet e tyre bazoheshin në argumente logjike dhe bindëse, çka politika me lehtësi të madhe ia arrin t’i gjejë kur futet në rastet konkrete. Dhe ja: Përse jugosllavët kanë formuar shoqëri të përbashkëta me shqiptarët dhe refuzojnë forma të tilla bashkëpunimi me BRSS-në?

Përse Jugosllavia shton praninë e instruktorëve të saj ushtarakë në ushtrinë shqiptare, kur për vete kërkon instruktorë sovjetikë? Përse në Shqipëri punojnë specialistë civilë jugosllavë për të ndihmuar dhe zhvilluar ekonominë e tyre, kur për vete kërkonte specialistë nga jashtë? Dhe përse Jugosllavia e varfër dhe e pazhvilluar shqetësohej kaq shumë për zhvillimin e Shqipërisë?

E të tjera në vazhdim. Nuk ishte ndërkohë krejt e qartë arsyeja përse Stalini ishte shprehur përjashtimisht që të shkoja unë. Në librin tim “Biseda me Stalinin” kam shtjelluar dy hipoteza. E para ishte se Stalini më njihte si një njeri të hapur dhe të sinqertë. E dyta ishte se ndoshta ai dëshironte që të më tërhiqte nga ana e tij. Dukej që në ndryshim nga Hebrangu dhe Zujoviçi – te të cilët më parë ai mbështetej – unë i përkisja rrethit të bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Titos qysh nga viti 1937, kur Tito kishte marrë drejtimin e partisë.

Ndërkaq, në Beograd nuk mora urdhra apo instruksione të veçanta, sepse përveç të tjerave, nuk ishin të nevojshëm, ngaqë isha krejtësisht i informuar mbi marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare, si dhe për ndërhyrjen “e ashpër” dhe “të papërgjegjshme”, siç ne i përcaktonim, të misionit sovjetik në Tiranë… Në Moskë disa orë mbas arritjes sonë, ndërkohë që merreshim vesh me ambasadorin tonë Vladimir Popoviç, duke u treguar lajmet e fundit nga Jugosllavia dhe duke na pyetur për perspektivat që hapnin për ne marrëdhëniet me BRSS, bie telefoni.

Ishte ministri i Jashtëm sovjetik, i cili njoftonte se Stalini dëshironte të më priste nëse nuk isha shumë i lodhur… Nga ora nëntë e mbrëmjes më drejtuan për në Kremlin në zyrën e Stalinit. Së bashku me të ishin Molotovi e Zhdanovi, ky i fundit me cilësinë e përgjegjësit për marrëdhëniet me partitë komuniste të huaja. Mbas përshëndetjeve dhe riteve të takimit, Stalini u ul para tryezës dhe menjëherë shtroi problemin për Shqipërinë: “Kështu pra, në Komitetin Qendror shqiptar vriten për fajin tuaj! Keq, shumë keq!…”.

Unë pohova faktin se situata ishte e papëlqyeshme dhe nisa të shpjegoj se Nako Spiru me kundërshtimin e tij në riafrimin me Jugosllavinë, ishte vetizoluar brenda Komitetit Qendror të tij. Por, pa mbaruar unë, për befasinë time, Stalini ndërhyn duke thënë: “Shqipëria nuk na shqetëson aspak për këte. Nuk kemi asgjë kundër që Jugosllavia ta gëlltisë”. Dhe çon gishtin në gojë, me gjestin e gëlltitjes. Duhej të stepesha keqas, por gjithsesi u sforcova për t’u bindur për kuptimësinë e këtyre fjalëve dhe këtë gjest apo shpirtin e humorit të tij sarkastik dhe piktoresk.

Dhe përmblodha veten duke thënë: “Nuk është fjala për “të gëlltitur” diçka, por për të mbërritur te bashkimi… “Ah, po kjo do të thotë pikërisht “ta gëlltitësh”, – ndërhyri Molotovi. Dhe Stalini që rithekson, duke e përsëritur gjestin: “Po, po, ta gëlltisësh. Jemi dakord që këtë ju ta bëni – madje sa më parë që të jetë e mundur, aq më mirë është”. Sigurisht përsiatja e “gëlltitjes” njihet ndër ne.

Ndoshta ajo që duhet shkëputur prej këtyre kujtimeve të panjohura deri më sot në Shqipëri, janë edhe këto radhë të mëposhtme. “Atmosfera ishte patjetër e përzemërt. Bile Molotovi kishte dhënë afirmimin e tij me një ton të një batute miqësore. Mirëpo, gjestet e Stalinit dhe miratimi prej tij i bashkimit tonë të mundshëm me Shqipërinë, përkundrazi, mua më bënte të dyshoja se diçka nuk shkonte në politikën tonë ndaj Shqipërisë.

Bashkimi nuk procedonte me miratimin e vetë shqiptarëve, teksa ngjasonte në gjithçka me aneksimin e vendeve baltike që kishte realizuar BRSS. Por Stalini po më kthente në realitetin e atnatshëm, teksa më thotë: “Po Hoxha? Cili është mendimi yt për të?”. U përpoqa të mos jepja një përgjigje të prerë dhe krejt të qartë, ndërsa Stalini shprehu saktësisht gjykimin që jepnin për Hoxhën udhëheqësit jugosllavë: “Është një borgjez i vogël që anonte nga nacionalizmi, apo jo”?.

“Po, edhe ne mendojmë kështu”, pohova. Dhe shtova: “Atje, me sa duket, njeriu më i fortë është Xoxe”. Ndërkaq, Stalini po i jepte fund bisedimit rreth Shqipërisë, duke thënë: “Midis nesh nuk ka mospërputhje. Shkruaji ti vetë Titos një relacion në emër të qeverisë sovjetike dhe nesër ma dërgo që ta shoh”. I shqetësuar, duke menduar se nuk e kisha kuptuar mirë këtë kërkesë të pazakonshme – pra që të shkruaja unë një relacion në emër të qeverisë sovjetike – e pyeta edhe një here, teksa ai pohoi pa asnjë mëdyshje.

Për një çast u ndjeva i përkëdhelur prej besimit që Stalini po më blatonte, por kur të nesërmen përgatita tekstin, isha i vëmendshëm që në të të mos kishte asnjë lloj elementi që mund të përdorej kundër Titos e qeverisë sonë. Po atë ditë, ambasadori ynë ia dorëzoi këtë relacion qeverisë sovjetike. Relacionit nuk iu ndryshua asgjë, sepse ai nuk përmbante asgjë që dinakëria plot djallëzi e Stalinit mund ta merrte për interesin e vet. Unë shkrova thjesht se qeveria sovjetike e vlerësonte pozitivisht politikën tonë ndaj Shqipërisë”, shkruan Gjilas.

Këtu përfundon ky cikël i shpejtë i yni nën temën e “dokumentit dhe historisë”. Për të mos vazhduar për zhvillimet dramatike që asokohe do të pasonin midis Jugosllavisë, Shqipërisë e Bashkimit Sovjetik çka kanë të bëjnë me çarjen e madhe të të ashtuquajturit “kampi socialist”. Dihet, ndër ne gjithçka do të përmbysej, do të ndërronte, do të mashtronte, do të mohonte pohime të pafund të mëparshme, do të ndryshonte pa mëshirë të vërteta të shumta, do të bënte sikur harronte, do të shtrembëronte e do të rikrijonte shumë rrena për të vërteta.

(Kosova Sot)

1 orë e 23 minuta më parë