< Pakti i britanikëve me kreun e Ballit Kombëtar. Raporti: Arsyet e vetëvrasjes së Safet Butkës - Dossier - Kosova Sot
Pakti i britanikėve me kreun e Ballit Kombėtar. Raporti: Arsyet e vetėvrasjes sė Safet Butkės

Pakti i britanikėve me kreun e Ballit Kombėtar. Raporti: Arsyet e vetėvrasjes sė Safet Butkės

ERALD KAPRI

Me nisjen e pushtimit gjerman në Shqipëri, britanikët vulosën një marrëveshje me një nga liderët kryesorë të Ballit Kombëtar, Prof. Safet Butkën. Sipas raporteve të kohës, Safet Butka vlerësohej mjaft nga britanikët dhe konsiderohej si një nga komandandët më me influencë në Jugun e Shqipërisë. Kreu i misionit britanik, Billi Meklein ka një korenspondencë mjaft interesante me Safet Butkën në gusht të vitit 1943. Në këtë moment, sipas britanikëve, Butka ishte komandanti më me potencial në zonën e Korçës, duke e njohur si një palë të rëndësishme me marrëveshje të shkruar, si me askënd tjetër.

Butka nënshkroi marrëveshjen, duke i hapur rrugën nisjes së një rezistence antifashiste model. Nën mbështetjen e britanikëve Safet Butka zhvilloi disa beteja ushtarake kundër italianëve dhe gjermanëve. Marrëveshja e britanikëve me Safet Butkën tregoi se në gusht 1943 forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar kishin një rëndësi parësore për Aleatët. Por, hedhja poshtë e marrëveshjes së Mukjes dhe nisja e luftës së armatosur nga Enver Hoxha, për të likujduar Ballin Kombëtar, çoi në vetëvrasjen e Safet Butkës.

ImageProfesor Safet Butka i burgosur nga italianët në Ventotene

Sipas raportit të Ministrisë së Jashtme Britanike, mars 1955, “Safet Butka, kreu vetëvrasje, pasi pësoi dëshpërim nga Lufta Civile, shtator 1943”. Vlen të theksohet se humbja e Safet Butkës dhe e Hysni Lepenicës (kreut ushtarak të Ballit në Vlorë), pothuaj në të njëjtën kohë, shtator 1943, menjëherë pas Konferences së Labinotit, ku PKSH shpalli zyrtarisht luftën e armatosur kundër forcave nacionaliste, ishte një goditje shokuese për Ballin Kombëtar, pasi nisi rënia e forcës ushtarake të kësaj organizate, si edhe një humbje për luftën antifashiste.

Gjithsesi, korrenspondenca e britanikut Meklein dhe Butkës jep detaje mjaft interesante mbi veprimtarinë e nacionalistëve. Menjëherë Prof. Safet Butka, komandanti i çetave të Ballit Kombëtar të qarkut të Korçës, i përgjigjet pozitivisht letrës së major Meklein për t’u takuar në fshatin Shtyllë të Vithkuqit.

Safet Butka me forcat e tij nacionaliste ndodhej në fshatin Shipskë të Korçës, zonë e çliruar, prej nga ku i kërkonte majorit britanik që, përsa kohë të bënte përgatitjet e duhura për të përballuar çdo sulm të forcave gjermane në zonat e çliruara, të pranonte përfaqësuesin e tij, kapiten Jani Dilon, për bisedime paraprake.

LETERKEMBIMI

DOKUMENTI:

Komandant,

Në përgjigje të letrës suaj, kam nderin t’Ju informoj se, sipas urdhrit të marrë nga shtabi, jam duke marrë të gjitha masat e nevojshme me qëllim përqendrimin e trupave të mia, për t’i bërë ballë çdo tentative sulmi nga ana e armikut mbi territoret e çliruara. Për të plotësuar përgatitjet e mia, më duhet pak kohë; nga ana tjetër, nuk e di në qoftë se ju do të vendosni të qëndroni në Shtyllë gjatë kësaj kohe.

Duke pasur parasysh për çka më sipër, ju lutem Komandant, të më dërgoni fjalë në Shipska, ku unë ndodhem aktualisht; pranë meje ndodhet kapiteni Jean Dilo, i cili dëshiron të takohet me Ju për të shkëmbyer mendime. Pranoni, i dashur Komandant, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Shipska, 3/8/1943

Prof. Safet Butka

Safet Butka autorizoi më 5.8.1943 kapitenin Jani Dilo, birin e patriotit Ilo Dilo Sheperi dhe juristin Xhevdet Kapshtica, për të biseduar paraprakisht mbi një marrëveshje ushtarake në mes të Misionit Britanik “Consensus 1”, të kryesuar nga Meklein dhe çetave të Safet Butkës.

DOKUMENTI:

Komandant,

E mora letrën tuaj dhe me kënaqësi të madhe po përgatitem për të ardhur te ju. Fatkeqësisht, detyra të rëndësishme më pengojnë të jem i përpiktë në takim. Në vazhdim të njoftimeve urgjente që më dërgoni, njoftime që duhet të kenë karakter ushtarak, kam nderin t’ju prezantoj kapitenin Jean Dilo të armatës sonë të përgjithshme dhe Z. Xh. Kapshtica, jurist dhe anëtar i Komitetit për Prefekturën e Korçës. Ata të dy gëzojnë besimin tim. Pranoni, i dashur Komandant, përshëndetjet e mia të përzemërta.

5/8/1943

Prof. Safet Butka

Image

Faksimile e marrëveshjes

Ndërmjet majorit Meklein dhe kapitenit Dilo, më 6.08.1943, u nënshkrua marrëveshja paraprake për luftime të përbashkëta kundër kolonave gjermane në rrugët nacionale Barmash-Leskovik; Perat-Korçë-Librazhd dhe Pogradec-Maliq, sipas planit të parapërgatitur nga shtabi i forcave të Safet Butkës.

DOKUMENTI:

MARRËVESHJE PARAPRAKE

I. Kapiten Jani Dilo – Major Mclean II.

II. Ne kemi marrë nga Shtabi ynë i Përgjithshëm urdhrin për të sulmuar kollonat italiane dhe për t’i ndaluar që të qarkullojnë.

III. Ne jemi të gatshëm të sulmojmë me një herë sipas planit të përgatitur nga ju.

IV. Ne jemi dakort të sulmojmë kollonat armike në vendet e mëposhtme: Barmash-Leskovik-Berat-Korçë-Librazhd dhe më me hollësi: Qafë e Thanës-Librazhd-Maliq-Pogradec dhe në vende të tjera, për të cilat ne do të vendosim pasnesër në mëngjes.

V. Pasnesër në mëngjes ne jemi dakort që të takohemi në Vithkuq:

a. Për të studiuar planin në përgjithësi

b. Për të studiuar nëse terreni Qafëzez-Bellovodë është i përshtatshëm për të sulmuar armikun.

c. Përpara të pasnesërmes në mëngjes, të paktën 300 ushtarë të përqendrohen pranë Vithkuqit, në më pak se tre orë.

d. Që kryetarët e këtyre 300 ushtarëve të jenë në konferencë pasnesër në mëngjes.

VI. Të jepet urdhri të sulmohet në rajonin e Pogradec- Maliq. Ne do të japim një seksion, dy pushkë kundër tankseve, mina.

8/8/43 

Kap. Jani Dilo, Major Mclean

Safet Butka e miratoi projekt-marrëveshjen Dilo-Maklin dhe planin e sulmit ndaj gjermanëve. Butka mendon që sulmet të përqendroheshin menjëherë në krahinat BarmashBerat dhe Qaf’ e Thanës-Librazhd, ku kolonat armike e kishin të nevojshme kalimin e detyruar, ndërsa aksionet Korçë- Pogradec dhe Korçë-Barmash të zhvilloheshin pak më vonë, pasi të ishte siguruar jeta e popullsisë, e bagëtive dhe mbledhja e të lashtave.

DOKUMENTI:

I dashur Zoti Major,

E lexova deklaratën Dilo-Mclean. Ashtu si ju është komunikuar, ne kemi urdhrin të sulmojmë armikun në mënyrë që të mos e lejojmë të zhvendoset me qëllim që ta detyrojmë të kthehet. Siç ramë dakord me kapitenin Dilo, plani do të përcaktohet nga oficerët tanë. Nga ana tjetër, për arsye jetësore, komiteti ka vendosur të shtyjë për më vonë sulmin tjetër në krahinat Korçë-Pogradec, Korçë-Barmash.

Kjo për faktin se popullatat e këtyre krahinave janë në sezonin e korrjeve dhe ata nuk janë paralajmëruar të lënë shtëpitë e tyre dhe të transportojnë grurin në krahinat malore, gjë që do të ishte e domosdoshme për popullatën dhe tufat e bagëtive. Duke pasur parasysh këto arsye, ne mendojmë që sulmet të përqendrohen menjëherë në krahinat Bramash-Berat dhe Qaf’ e Thanës-Librazhd, ku kolonat armike e kanë në nevojshme kalimin e detyruar. Kështu, për arsye të sipërparashtruara, i njëjti armik dhe e njëjta kolonë armike do të sulmohet disa kilometra më larg.

Për sa i përket dërgimit të seksionit (NÇl-shënim i red.) nga ana juaj, ne mendojmë se të dyja organizatat nuk janë afruar ende; është plotësisht e pavend të pranosh që seksioni të drejtohet nga ushtarakë, që mbajnë yllin e kuq, sepse, siç jeni në dijeni, disa prej ushtarëve tanë nuk janë të aftë të luftojnë trimërisht, duke pasur parasysh ndjenjat e atyre jo fort të favorshme. Për sa i përket takimit të vendosur për në Vithkuq, jam dakord dhe do të vij atje me trupat e mia. Pranoni, Zoti Major, përshëndetjet e mia të përzemërta.

7/8/943

Safet Butka

Image

Safet Butka

Safet Butka me shtabin e tij, të përbërë nga Jani Dilo, Fazlli Frashëri, Dhimitër Falo dhe Xhevdet Kapshtica si edhe 400 luftëtarë nacionalistë, arriti në Vithkuq, ku u takua me majorin Meklein dhe kapitenin Dejvid Smajli. Po atë ditë, më 8.08.1943, Safet Butka dhe Meklein, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Misionin Britanik, që po e japim më poshtë:

DOKUMENTI

Marrëveshje I.

Balli Kombëtar i Korçës merr përsipër të bëjë menjëherë aksione ofensive në zonat Qafë Thanë-Librazhd dhe Barmash-Perat. II.Balli Kombëtar i Korçës merr përsipër të bëjë aksione ofensive pas mbrëmjes së datës 15 të muajit në vazhdim në zonat Korçë-Barmash, Korçë-Pogradec e rrethinat. Ndërkohë partia tjetër nuk duhet të bëjë asnjë veprim në krahinat e sipërpërmendura, për të lejuar popullsinë të evakuojë fshatrat.

III.Pas dy aksioneve të para të Ballit Kombëtar në Qafë Thanë e Barmash, majori merr përsipër të dërgojë vazhdimisht oficerë për të marrë kontakt dhe instruksione pranë shtabit të Ballit Kombëtar, si edhe për të mësuar ushtarët në përdorimin e armëve teknike. IV.Pas aksioneve, Majori merr përsipër të japë ndihma me materiale lufte.

8/8/43

N.C.D. Mclean major

Safet Butka

Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje me britanikët, u zhvilluan dy beteja nga ana e çetave të Ballit Kombëtar të komanduara nga Safet Butka, e para kundër gjermanëve te kthesat e Barmashit, më datë 13.08.1943, dhe e dyta kundër italianëve, në Pocestë, afër Maliqit, më datë 9-13 shtator 1943.

Në aksionin e parë të datës 13 gusht, ku merrte pjesë edhe oficeri britanik Dejvid Smajli, si ushtarak dhe specialist për vendosjen e minave, autokolona e blinduar gjermane pësoi një goditje të rëndë, u vranë 23 ushtarë dhe oficerë gjermanë (18 në goditjen e parë dhe pesë në të dytën) dhe u morën dokumentet e identifikimit, si edhe u shkatërrua një top 88 mm, u hodhën në erë katër kamionë dhe një autoblindë. Dejvid Smajli, kapiten anglez i Misionit Britanik në Shqipëri, pjesëmarrës aktiv në betejën e Kthesave të Barmashit më 13 gusht 1943 kundër autokolonës gjermane, e përshkruan këtë luftë te libri “Albanian Assignment”, London 1975:

DOKUMENTI:

Më 10 gusht unë u largova nga Shtylla për të ngritur një pritë me një çetë balliste. Pusia ishte rezultat i një marrëveshjeje të Maklinit me Safet Butkën dhe qe organizuar për të provuar, ndërmjet të tjerash, gatishmërinë e Ballit Kombëtar për të luftuar italianët dhe gjermanët. Fred Nosi dhe partizanët shoqërues të Misionit e kundërshtuan fuqimisht këtë aksion dhe ndërmorën masa për ta sabotuar atë.

Data e caktuar për pritën ishte 12 gushti… Të nesërmen iu afruam rrugës ku do të bënim aksionin, përtej fshatit të djegur Barmash… Kishim ngritur një vend ideal për ngritjen e pusisë, atje ku rruga ishte gdhendur në faqe të malit dhe kthesat vinin një pas një. Ana tjetër e rrugës shkonte thikë deri poshtë në lumë. Nuk kishte mundësi shpëtimi nga asnjë anë. Çetën e vendosëm në faqe të malit, nja 200 m larg nga rruga, por mbi të, në një grykë që na ndante nga armiku. Natën mora dhjetë burra me 16 mina dhe zbritëm në rrugë me qëllim që të vendosnim minat në dy grupe, çdo 250 m larg njëra-tjetrës, por që nuk dukeshin.

Kur kishim vendosur katër minat e para… më takoi t’i vendosja minat e tjera vetë dhe për këtë m’u deshën katër orë punë pa ndonjë pengesë. Në agim iu ngjita malit te pozicioni i çetës, i lodhur dhe i inatosur. Aty më priste kapiten Burimi, i cili më tha me keqardhje se njerëzit që komandonte nuk ishin mjaft të stërvitur në këtë punë dhe për këtë isha dakort edhe unë. U vendosëm në pozicionet tona dhe pas pak u qetësova kur pashë se po vinte një kamion i tipit me zinxhir për tërheqjen e topave të rëndë, që po rimorkionte një top 88 mm.

Disa nga të çetës kujtuan se ishte tanks. Unë drejtova aparatin fotografik dhe Bredën time 20 mm te pika ku kisha vendosur minat. Të gjithë mbajtëm frymën. Kamioni i madh hasi në minë dhe u hodh në erë, mbuluar me flakë e tym. Zhurma e shpërthimit ushtoi nga mali në mal. Fotografova çastin kur kamioni u hodh në erë. Menjëherë hapëm zjarr kundër armikut. Gjermanët që kishin mbetur gjallë kërkonin strehim, por ne i qëlluam pa mëshirë. I thashë kapiten Burimit të dërgonte disa njerëz poshtë për të mbledhur etiketat e identifikimit dhe të shtynin topin nga rruga në lumin poshtë, meqenëse ishte i dëmtuar. Disa luftëtarë zbritën te rruga.

Dëgjuam të shtëna, ndoshta vranë të plagosurit. Topin e shtynë nga rruga dhe e hodhën në lumë, kurse kamionin, të bërë copë-copë, nuk mundën ta lëviznin. Ata ishin marrë dhe etiketat e identifikimit. Ishin vrarë 18 gjermanë, 12 brenda në kamion dhe gjashtë në rrugë. Ndërkohë dëgjuam motorët e kamionëve të një autokolone që po afrohej nga një drejtim i kundërt, nga Leskoviku… Kamioni i parë hasi te minat. E fotografova. Kolona ndaloi. Nga dy gjermanë zbritën prej çdo kamioni me qëllim që të largoheshin. I qëlluam. Me dylbitë e mia pashë se pesë gjermanë ishin shtrirë përtokë te kamioni i parë, kështu që fillova të qëlloja mbi të dytin me Bredën time.

Mori zjarr edhe kamioni i tretë. Pas 10 minutash gjermanët u organizuan dhe nisën të qëllonin. Ne iu përgjigjëm zjarrit me zjarr, pastaj u larguam. Megjithëse nuk e vlerësova sa duhet shpirtin luftarak të shqiptarëve, isha i kënaqur me rezultatet: kishim vrarë 23 gjermanë, pa pasur asnjë humbje; morëm etiketat e identifikimit, hodhëm në erë një kamion me zinxhirë dhe tre kamionë të zakonshëm, shkatërruam një top 88 mm.

Me njerëz më të disiplinuar, do të kishim pasur mundësi t’i zhduknim të gjithë. Shefi i Misionit britanik Meklein e çmoi betejën dhe e vijoi komunikimin me Safet Butkën. Në letrën e datës 31 gusht 1943, ai i shkruante sërish Prof. Butkës për ta vazhduar bashkëpunimin me aksione të tjera në rrugën Korçë-Janinë.

DOKUMENTI:

31 gusht 1943

Panarit

PROFESORI IM I DASHUR,

Ju falënderoj për letrën tuaj të 28.8.1943, që e mora pak me vonesë. Jemi gati për t’u dhënë disa instruksione njerëzve tuaj. Dua të bëj lidhjen me Ju dhe Jani Dilon, sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kemi marrë direktiva nga Shtabi ynë i Përgjithshëm që ne duhet të vazhdojmë në rrugën Korçë- Janinë.

Ne kemi pak material për Ju. Sipas asaj që Ju keni rënë dakord të bëni për të vazhduar aksionet në rrugën midis Barmashit dhe Peratit, ne jemi të gatshëm të shkojmë tok me forcat tuaja për t’ju ndihmuar me pak materiale (predha antitank, mina, eksploziv etj.) dhe të dhëna taktike. A do të mundemi të takohemi me ju ose me Jani Dilon nesër në Panarit për të bërë disa rregullime praktike? Pasnesër unë do të nisem drejt Leskovikut, për t’u vendosur atje.

Por, përpara se të nisem, dua të flas me Ju për të zgjedhur vendin për shtabin tim dhe të gjitha rregullimet e tjera. Ju kërkoj të më falni që nuk ju takova në Selenicë, pasi isha duke bërë veprime operative. Atëherë, po pres mbërritjen e Jani Dilos ose tuajin në Panarit, nesër më 31 gusht ’43.

Me shpresë që t’ju shoh,

Sinqerisht

Bill Meklein Major

Sipas marrëveshjes dhe komunikimit në vazhdim me majorin Meklein, Safet Butka organizoi një betejë tjetër prej katër ditësh, 9-13 shtator 1943, në Pocestë, në rrugën Korçë-Pogradec kundër një autokolone italiane. Çetat e Safet Butkës luftuan bashkërisht me forcat partizane të komanduara nga Nexhip Vinçani, sipas rekomandimit të Meklein. Në këtë betejë të përbashkët, ranë dëshmorë një nacionalist dhe dy partizanë….

 

(Kosova Sot)

13 orë e 53 minuta më parë