< Historia e deputetit shkodran, amaneti i Riza Danit: Më varrosni pranë vajzës, me shpresë vdes si burrë - Dossier - Kosova Sot
Historia e deputetit shkodran, amaneti i Riza Danit: Mė varrosni pranė vajzės, me shpresė vdes si burrė

Historia e deputetit shkodran, amaneti i Riza Danit: Mė varrosni pranė vajzės, me shpresė vdes si burrė

Riza Dani pat lindur në Shkodër në një familje patriotike. Mbasi mbaroi shkollën “Ruzhdien” në qytet, vazhdoi studimet në Universitetin e Stambollit. Ra shpejt në kontakt me mjediset patriotike shqiptare dhe që në rini iu përkushtua lëvizjes kombëtar përkrah të vëllait Dan Hasani. Njihte 4 gjuhë, gjermanisht, turqisht, italisht e sllavisht dhe në vitet 1908-1912 qe pjesëtar i “Klubit Gjuha Shqiptare” me miqtë e familjes Atë Gjergj Fishta, Gurakuqi e Dom Ndre Mjeda. Ishte nismëtar i grupit të ngritjes së flamurit në Shkodër në fillimet e vitit 1913 dhe drejtonte gazetën politiko-shoqërore “Shkodra”. Me nacionalistët e atdhetarë krijoi organizatën politiko-nacionaliste “Krahu Kombëtar”, që luajti rol të madh për lëvizjet kombëtare në vend, për stabilizimin e shtetit të ri shqiptar deri në 1924-ën. Me krijimin e Partisë Popullore, Riza Dani aderon në këtë parti me nacionalistë të tjerë, duke synuar krijimin e një Shqipërie etnike, që mbronte interesat e borgjezisë së mesme dhe kishte përparësi të përmirësonte gjendjen e fshatarësisë. Riza Dani zgjidhet deputet i Shkodrës në legjislaturat 1921-1924 së bashku me Luigj Gurakuqin, Atë Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Maliq Bushati e tjerë. Në vitin 1924 emërohet prefekt i qarkut të Durrësit. Si opozitar i qeverisë së Zogut dënohet me vdekje e si pasojë emigron për pak kohë në Fjume të Jugosllavisë e pastaj stabilizohet në Grac të Austrisë. Në një ditë të ftohtë dimri i vijnë dy baxhanakët, Sejfi Vllamasi e Xhevat Korca nga Vjena. Ata i propozojnë për atentatin që do të bëjnë kundra mbretit Zog, në shkurt 1931. Rizai përgjigjet se: “Kështu bëjnë guerilasit çetnikë e bolshevikë me vra mbas shpine e sidomos në dhe të huaj. Ne duhet të mblidhemi e të bajmë një program më të mirë se Zogu e ta paraqesim në parlament, e po fituem me vota, e rrëzojmë Zogun e jo me vrasje të turpshme”.
1939
Riza Dani në vitin 1939 kthehet në Shkodër përgjithmonë dhe organizohet me patriotë e nacionalistë për çlirimin e vendit nga okupacioni huaj. Nuk pranon krijimin e qeverisë antikombëtare e proitaliane të Shefqet Verlacit. Rizai aderoi në Frontin Demokratik Nacionalçlirimtar për çlirimin e vendit nga okupatori e rindërtimin e tij. Mori pjesë në mbledhjen e Tapizës (korrik 1943) ku formohet Komiteti i Shpëtimit Kombëtar, që ka në program çlirimin e Shqipërisë në kufijtë e 1913-ën e të drejtën universale për vetëvendosje. Emërohet kryetar i frontit për qarkun e Shkodrës e më vonë kryetar i komitetit të Shkodrës. Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1946 zgjidhet nga populli i Shkodrës si deputet. Shumë urdhra e veprime nuk i shërbenin ngritjes së shtetit normal. Burgoseshin e pushkatoheshin pa gjyqe ose me një urdhër në copë letre intelektualë, patriotë, klerikë, studentë, tregtarë, pronarë, ushtarakë etj., ndërsa çdo përpjekje për demokraci, pluralizëm politik e opozitë nuk u përkrahej.
ROBËRIMI I RI
Riza Dani në situatat e reja që po kalonte vendi po e kuptonte që prej gjakut të derdhur, Shqipëria ishte çliruar nga okupatori i huaj, por mjerisht do të robërohej nga një sistem sllavo-komunist utopik që po aplikohej. Kuptoi se duhej ngritur zëri nga të gjithë në protesta e veprime opozitare. Grupi i deputetëve demokratë Gjergj Kokoshi, Riza Dani, Kol Preka, Sheh Karbunara e tjerë ranë në kontakt me grupet intelektuale e organizatat opozitare të krijuara nga mesi i vitit 1945 në Shkodër e qytete të tjera. Këto do të organizoheshin për të kërkuar në zgjedhjet e ardhshme një sistem demokratik perëndimor që kishte në themel pluralizmin politik, lirinë e individit, lirinë e fjalës e shtypit. Lëvizjet opozitare u zgjeruan e u formatuan në grupime me veprime politike. Uran Butka në librin “Kryengritjet e para kundra komunizmit” shkruan se në një mbledhje më 6 korrik 1946 në Shkodër, Riza Dani foli për nevojën e organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme. Në mbledhjen e 9 të asamblesë, Riza Dani pat kundërshtuar projekt-statusin e paraqitur si jo kombëtar e i ngarkuar me frymë ideologjike komuniste. Më 7 mars 1946, pas vërejtjes që bëri Riza Dani, Nako Spiroja pasi kishte marrë udhëzime e urdhra nga eprorët, diskuton gjatë e përqendrohet vetëm në fjalën e deputetit të Shkodrës, që e quan si pararojë të reaksionit. Por, Dani iu përgjigj se, “kam qenë kundra turkut, kundra Toptanit, kundra rebelëve, kundra Zogut, kundra italianëve para e pas 7 prillit. Kam qëndruar larg çdo reaksioni e interesi privat. Jo për hatrin e Nako Spiros, por pse kështu e ka kërkuar interesi i atdheut.
PARANDJENJA
Dr. Pjetër Pepa në librin “Dosja e diktaturës” shkruan se Dani i di pasojat e fjalimit të ashpër, ndaj i thotë nipit të tij se, “dua një njeri që ta dijë se këtë fjalim e kam shkruar me gjakftohtësi dhe kryesisht i ndërgjegjshëm. Me një fjalë, dua të kem një dëshmitar që të dëshmojë në të ardhmen se shprehjet që kam përdor në Parlament, s’kanë qenë të rastit apo se kam qenë i nevrikosur, por sepse jam i ndërgjegjshëm për ato që të them e për atë që do të ngjase”. Ai e kishte të qartë se e priste hakmarrja mesjetare sllavo-bolshevike, megjithatë vendosi të bënte çka kishte bindje. Më vonë, diktatori Enver Hoxha, në librin “Kur hidhen themelet” shënon për Riza Danin se, “ishte njeri me influencë në Shkodër, ishte demokrat, liberal, antizogist e antifashist” dhe se “Dani kërkonte të bënte edhe asamblenë tonë një kuvend ligjesh, ku secili të fliste sa t’i donte qejfi, pa asnjë kufizim e të gjitha ç’thonin Riza Dani me shokë të botoheshin në shtyp”. Kur kam lindur më 27 korrik 1946 në darkë, Rizaja po kthehej nga falja e Teravisë në Xhami. I dalin para në oborr e i thonë: “Riza efendi, nusja e Xhevatit lindi djalë. Ai i përgjigjet: Nusja me shëndet të mirë, djali me jetë gjatë, e më vjen keq se kanë me hekë keq”. Fjalë  profetike për familjen Dani. Riza Dani me intelektualët e Shkodrës do të organizojnë një kryengritje të përgjithshme, ku marrin pjesë forca nga Kallmeti, Lezha, Mirdita e Puka, Zadrima e Nënshati, Postriba e Ura Shtrejtë, Dukagjini e Shoshi, Kopliku, Malësia e Madhe e Kelmendi. Në agim të 9 shtatorit sulmohen kazermat e Shkodrës. Në mesin e shtatorit 1946, u arrestuan të gjithë meshkujt e familjes Dani. Nga gjyqet e diktaturës dënohen 3 vetë 26 vjet burg (së bashku) e Rizai pushkatohet dhe sekuestrohen shtëpitë e fabrikat.
TORTURAT
Deputeti Riza Dani arrestohet dhe nga 11 tetori i 1946-ës torturohet nga ‘hienat’ komuniste antinjerëzore deri në 23 dhjetor 1946, dita kur i hiqet “Imuniteti”. Ja si e tregon një pjesë të vuajtjeve të deputetëve të Shkodrës, Kol Prela e Riza Dani, bashkëvuejtësi i qelive e burgjeve, Sami Rrepishti: “Kol Prela më tregoi se në nevojtoren ‘qeli’ pranë ishte Riza Dani, deputeti i Shkodrës, që herë pas here shpërthente me thirrje të nalta e shamje, që shuheshin menjëherë nga rojet e kuqe e shkopi i tyre mbi kurrizin e shtatëdhjetëvjeçarit demokrat”.
Më 11 tetor 1946 merret në pyetjeje Riza Dani nga hetuesi i Sigurimit të ushtrisë, Stavri Xhara para majorëve Vaskë Koleci e Zoi Themeli. Kjo ndodh mbasi ai kishte kalue tortura antinjerëzore, që vetëm ai ka ditur t’i përballojë. Mandati i hiqet në 23 dhjetor 1946, pra një deputet me mandat u nënshrohet hetimeve me metoda sllavo-mesjetare e qëndron me dinjitet e forcë morale lartë, duke kundërshtuar me guxim të pavërtetat. Hetuesia e përcjell me shënimin: “Qëndrimi i tij para hetuesisë ka qenë armiqësor, nuk ka pranuar të firmosë asgjë”. Me qëndrim krenar e stoik e me ndjenjë të lartë përgjegjësie, deputeti Riza Dani deklaron: “Jam i ndërgjegjshëm për çka kam thanë e çka kam ba e veprue. Paçi hijen tuaj”. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura, pa avokat. Nuk ka firmosë e nuk ka kërkue falje. Shpifja është argument i atij që s’ka arsye. 31 dhjetori 1947 si një re e zezë paralajmëron se është mbledhur Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i mbledhur për të gjykuar 19 të pandehurit. Në ato orë të vona të asaj nate të errët, komunikohet vetëm vendimi ogurzi: 7 pushkatim, 6 burgosje përjetë, të tjerët 20 e 15 vjet burgim. E gjithë kjo bëhet mbi bazën e një “Promemorie përcjellëse” që vinte nga hetuesia e mbushur me shpifje.
AMANETI dhe VARRI
Dua ta tregoj dëshminë e fundit të jetës së mundimshme e të palodhur në shërbim të lirisë së vërtet, qëllim që i kishte vënë vetes me ndërgjegje dhe realizoi me ndershmëri e dinjitet deputeti Riza Dani. Këto dëshmi konkrete të shkruara nga dora e tij në rripa letre cigareje ia pat dhënë mbesës së vet, zonjës Fetie. “Çështja është tepër serioze, gjyqi me dyer të mbyllura, pa avokat e publik. Prokurori më akuzon si organizator i organizatës së deputetëve, kam marrë pjesë në mbledhjet e saj, kam ba mbledhje me të arratisur. Janë gënjeshtra të turpshme të formulueme me magji të një sistemi mesjetar torturash, sistem që asht aplikue edhe në mue. Sidoqoftë, moralisht jam i fortë e i kam mohuar të gjitha në gjyq. Ç’vendim jep ky, nuk e di. Rizai”, shënohet në një letër tjetër. Më pas ka shkruar: “Me shpresë në Zotin do të vdes si burrë. I falem nderit Fetit për kujdesjen e për gjellët që më ka sjellë. Bulen (gruan) amanet nipave. Këto Feti ia jep doktor Omerit. Kopjen e ruan për histori”. Një tjetër ditë ka shkruar: “Tashti që po të shkruaj kam vuajtë shumë, 3 ditë pa bukë e ujë, 20 ditë çimento, shtrojë e mbulojë. Feti thuaj doktor Omerit këto që po të shkruaj: Akuzat i kam refuzue të gjitha si shpifje të turpshme. Në rast hallallëku, dua të varrosem pranë Agimes (vajzës)”. Deputeti i Shkodrës, Riza Dani, ekzekutohet në 7 shkurt 1948 e bie me të tjerët në një varr të përbashkët. Familja Dani nuk i ka gjetur akoma kockat e tij dhe duam vetëm të dimë ku prehet.

 (Kosova Sot)

6 orë e 39 minuta më parë