< Byroja e gjelave, bibave dhe derrave - Dossier - Kosova Sot
Byroja e gjelave, bibave dhe derrave

Byroja e gjelave, bibave dhe derrave

Nga Kastriot Dervishi

1980/Byroja e gjelave, bibave dhe derrave

Në vitin 1980, kur diskutohej shumë për fazën e re të tufëzimit të bagëtive dhe zvogëlimin e oborrit kooperativist (pjesa e tokës anash shtëpive), Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës diskutonte se si t’ia merrte shpirtin popullit me lloj-lloj eksperimentesh që synonin të shpëtonin dështimin e pashembullt të kooperativave bujqësore. I merrte shpirtin fshatarit, e rrjedhimisht edhe qytetarit.

Image

Në studimin e kryesisë së Këshillit të Ministrave të datës 8.3.1980, oborri kooperativist, paraqitej kështu:

-tokë arë, 18.777 hektarë
-gjedhë, 238 mijë krerë (prej të cilëve 139 mijë krerë lopë)
-bagëti të imëta, 791 mijë
-njëthundrakë, 70 mijë
(Të gjitha i gëlltiti procesi i tufëzimit)
Ky raport, u diskutua gjerësisht në mbledhjen e gjatë Byrosë Politike të datës 22.4.1980. Më poshtë, një ekstrakt i kësaj mbledhjeje për të kuptuar se me çfarë merrej kupola e lartë komuniste. Përveç anëtarëve të Byrosë, merr pjesë në mbledhje edhe ministrja e Bujqësisë.

Pjesë nga debati

Kadri Hazbiu: …Tufëzimi është një problem që do të bëhet gradualisht si rrjedhim i punës bindëse që do të bëjmë me ta. Për sa i përket thundrakëve unë jam për atë që familjet të kenë të drejtë të mbajnë njëthundrakë. Sigurisht dhe këtë do ta nxisim dhe ata i nxit dhe interesi i tyre. Problemi i njëthundrakëve është me rëndësi shtetërore, ndërsa për problemin e shpendëve dhe derrave, unë mendoj se duhet të shikohet më mirë, për t’i kufizuar ato, sidomos shpendët.

Mehmet Shehu: Për bibat dhe gjelat e detit kemi marrë vendim.

Kadri Hazbiu: Atë vendim e kemi marrë, po nuk e di sa po zbatohet ky kufizim, sepse në shumë rajone të zonës fushore po mbajnë nga 15-20 gjela deti e pata, përveç pulave…Unë nuk e di se sa derra u lejojmë ne fshatarëve të mbajnë, po mendoj se ky është një problem i madh dhe ndoshta ne duhet t’i vëmë një kufi. Për mbajtjen e bletëve është tjetër punë, kurse duhet të shikojmë për derrat dhe shpendët (kryesisht për patat, pulat dhe gjelat e detit).

Themie Thomai: Çdo familje kooperativiste ka të drejtë të mbajë nga një.

Kadri Hazbiu: Po gicat, deri në ç’kohë duhet t’i mbajë?

Themie Thomai: Nuk lejohet të mbajë gica.

Kadri Hazbiu: Po këtu është puna.

(Kosova Sot)

52 minuta më parë