< Kush ishte striptistja amerikane që kalonte mbrëmjet me diplomatin shqiptar? - Dossier - Kosova Sot
Kush ishte striptistja amerikane qė kalonte mbrėmjet me diplomatin shqiptar?

Kush ishte striptistja amerikane qė kalonte mbrėmjet me diplomatin shqiptar?

A e dashuroi vërtet Faik Konica Ann Corion, striptisten e famshme 29 vjeçare amerikane? Cila është e vërteta e një raporti intim mes diplomatit shqiptar dhe vajzës më të përfolur në mediat amerikane? Në një video të shpërndarë nga Botimet UET PRESS, në bashkëbisedim me Alda Bardhylin, Ilir Ikonomi e quan këtë raport më shumë thashetheme gazetash.

“Ndoshta të vërtetën nuk do ta mësojë askush sepse këto janë si të thuash thashetheme gazetash në shtypin e Uashingtonit. Gazetat flisnin shumë për marrëdhënien e Faik Konicës, me zonjën An Corio. Ajo  ishte një striptiste në Uashington dhe gazetat rendin shumë pas sensacioneve. Konica në vitin 1938 bën një deklaratë për agjencinë  e lajmeve Associated Press ku thotë se unë nuk kam asnjë gjë me An  Koner dhe  ajo është shumë e martuar, në kuptimin që ajo është e martuar dhe unë skam të bëj fare me të”. Konomi thotë se ka gjurmuar gazetat e kohës dhe është përpjekur të gjej çdo gjë ka pasur të bëjë me Faik Konicën në vitet kur ai ishte ambasador i mbretit Ahmet Zogut në Uashington. Lidhur me pyetjen në ishte Sara Blloshmi arsyeja e marrëdhënieve delikate mes Ahmet Zogut dhe Faik Konicës, referuar romanit “Sarah” të Alfred Pezës, Konomi u përgjigj se “Unë kam prirjen për të kërkuar dokumente nëpër arkiva dhe nuk kam gjetur ndonjë dokument që të flasë për këtë gjë. N.q.s. e gjej atë dhe kur ta gjej atëherë do të komentojë për këtë, por deri tani nuk kam dëgjuar”. Në fillim të vitit 1938 Faiku ishte parë të takohej me aktoren e famshme të striptizës, 29-vjeçaren Ann Corio (An Korio), dhe menjëherë u hap fjala se ai kishte ndërmend të lidhte kurorë me të .Corio ishte një nga 12 fëmijët e një çifti emigrantësh italianë dhe ishte bërë e njohur me shfaqjet e saj në varietenë e tipit burlesque që përfshinte parodi si dhe një dozë të mirë striptize. Në Amerikën e kohës, stripti ishte pjesa më e rëndësishme e kësaj varieteje të përshtatur për një audiencë mashkullore. Në Uashington, teatri, në hyrje të të cilit ndriçonin dy fjalët e shkruara me neon Burlesque Burlesque ndodhej në Rrugën Nëntë. Këtu atmosfera ishte krejt e ndryshme nga rrugët e tjera aty pranë që mbizotëroheshin nga dyqanet Garfinkel dhe Hecht’s. Faiku ishte ndër frekuentuesit e teatrit, siç kuptojmë nga ky paragraf i marrë nga një gazetë e kohës: “Pak përfaqësues të huaj ia kalojnë Faik Konicës për nga popullariteti në qarqet shoqërore, mes politikanëve dhe shtypit. Ai është një kombinim i rrallë i mikpritësit të shkëlqyer, dijetarit, linguistit dhe playboy-it.Në netët e dimrit, kur detyra diplomatike e lejon, ai ulet në radhën e parë të teatrit burlesque të kryeqytetit. Njëra nga të preferuarat e tij është Ann Corio, kërcimtarja e striptit”. Corio ishte vajzë inteligjente. E kishte mbaruar shkollën e artit me një diplomë Magna Cum Laude dhe në rrethet shoqërore përshkruhej si mjaft e edukuar dhe brilante në bisedë. Ishte ndër artistet më të paguara të këtij zanati dhe fitonte deri në një mijë dollarë në javë. Corio ishte martuar me Emmet Callahan, pronar i disa teatrove. Faiku nuk e mohonte se e kishte ftuar Ann Corion disa herë për çaj. Shtytja mund të ketë qenë kurioziteti për bukuroshen e striptit dhe përgjithësisht tërheqja e Faikut drejt çdo lloj arti. Corio mund të ketë qenë po aq e tërhequr nga erudicioni i këtij njeriu që nuk ngjante me askënd tjetër në trupin diplomatik. Por, meqenëse zërat kishin marrë dhënë, ai u detyrua të bënte këtë përgënjeshtrim publik mbrëmjen e 11 janarit 1938: “Ministrin e Shqipërisë e argëton së tepërmi cektësia e disa gazetarëve amerikanë, të cilët kanë arritur në përfundimin se ai ka rënë në dashuri dhe ka ndërmend të martohet me sharmanten Ann Corio, megjithëse ajo është mjaft e martuar. Përveç konsideratave të tjera, është fakt shumë i njohur se ligji i vendit ua ndalon diplomatëve shqiptarë të martohen me shtetase të huaja”. Gazetat aq prisnin. Washington Post-i e botoi menjëherë deklaratën e Faikut bashkë me foton e tij dhe të Ann Corios përbri. Shumë të tjera reaguan me qesëndi. John O’Rehn i gazetës The Sun, shkruante: “Askush nuk i përdor më me dinjitet deklaratat formale se sa Faik Konica, ministri shqiptar në Shtetet e Bashkuara… Por nuk besoj se ministrin e argëtuan këto zëra, prandaj mendoj se deklarata e tij na zbuloi një Faik mjaft diplomatik.” Corio shihej nga disa si gruaja më e bukur e botës, prandaj çdo burrë që shoqërohej me të nuk i shpëtonte dot syrit vigjilent të reporterëve. Pak kohë pas deklaratës së Faikut ajo u nda nga burri pastaj u bashkuan. Gazetat e njoftuan lajmin pa harruar të shtonin “atë historinë me diplomatin shqiptar”. Lajmin e botoi edhe Dielli i Gurrazezit dhe në përkthim ndihej një nëntekst i qartë qesëndie. Për një farë kohe, emri i Faikut do të shtohej si bisht në çdo histori që kishte lidhje me mbretëreshën amerikane të striptit, pa çka se e gjithë kjo mund të ishte një sajesë e shtypit të etur për sensacione.

Pyetjet se përse shqiptarët e duan ende Konicën, Konomi u përgjigj:” Është interesante, shqiptarët janë kaq të tërhequr pas Faik Konicës  dhe duhet të ketë diçka që i bën ata kuriozë për Faik Konicën. Unë mendoj se njëra nga arsyet është se Faik Konica vinte në pah të metat e shqiptarëve. Ju e dini shqiptarët shpesh kur flasin me njëri-tjetrin shajnë veten e tyre. Për shembull  ne jemi kështu ne jemi ashtu ose mallkojnë veten që janë kështu ose janë ashtu dhe Faik Konica këtë kishte. Ai gjente të metat e shqiptarëve që ishin të spikatura dhe ua thoshte hapur atyre, por kjo si të thuash si ajo dëshira e babait ose nënës  për fëmijën që kane ndrojtje t’ia thonë të vërtetat ne sy fëmijës për ta përmirësuar atë dhe sigurisht që natyra e Faik Konicës ishte e sertë, por në fund të fundit qëllimi i tij ishte që shqiptaret të përmirësoheshin” . Më shumë mbi Konicën mund të lexoni në librin “Faik Konica, Jeta në Washington”, botim i UET PRESS.

thumbnail_6thumbnail_13thumbnail_14thumbnail_17

(Kosova Sot)

 
20 orë e 26 minuta më parë