Zbulohet urdhri i Enver Hoxhës: Shqiptarët të mos mbajnë derr në shtëpi

  • 07 November 2017 - 22:10
Zbulohet urdhri i Enver Hoxhës: Shqiptarët të mos mbajnë derr në shtëpi

Ish- drejtori i Arkivit në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi zbulon të tjera dokumente nga koha e regjimit diktatorial. Ai publikon ekstraktin e një bisede mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, ku i pari kërkon që të ndalohet mbajtja e derrave dhe e kafshëve të punës në shtëpi. Hoxha shprehet se derrat nuk ka mundësi t’i mbajë në oborrin e saj familja kooperativiste, pasi ky ka nevojë për koncentrat që ajo nuk ka t’ia japë.

1980/Lufta heroike e Partisë së Punës kundër derrave, gomerëve dhe mushkave Lufta e egër që Partia e Punës i shpalli kafshëve të buta të oborrit kooperativist, nuk u ndal vetëm te kafshët të cilëve iu merrej mishi e nënproduktet, por edhe te kafshët që përdoreshin për punë.

Në pjesën e fundit të diskutimeve të datës 4.11.1980, shokët e byrosë vendosën fatin e derrit në fshat, si dhe u dhanë duart kafshëve të punës. Po ndërsa derri do tufëzohej “qyl”, partia mendonte se për kafshët e punës mund të jepte ndonjë kacidhe me këste (gjë e cila nuk ka funksionuar sepse ose janë shitur shumë lirë ose janë “falur”). Më parë të njëjtin fat kishin pësuar edhe qetë (kafshë pune për punimin e tokës me parmendë).

Me këto vendime, përfundimisht, Partia e Punës e sovjetizoi tërësisht fshatarin. Pjesa e përzgjedhur më poshtë është diskutimi midis sekretarit të parë dhe kryeministrit të vendit. 

Diktatori shprehet i penduar se si i ka lënë deri sot fshatarët të mbijetonin me të ardhurat që i sillte oborri i shtëpisë. 

 

Ekstrakt nga diskutimet 

Enver Hoxha: Një tjetër çështje që duhet të kemi parasysh është që oborri kooperativist të mos mbajë më derr.

Mehmet Shehu: Dakord, të mos mbajë as derr.

Enver Hoxha: Nuk ka mundësi ta mbajë derrin në oborrin e vet familja kooperativiste, se ky ka nevojë për koncentrat që ajo nuk ka t’ia japë. Në qoftë se duhen mbajtur derra, kjo t’u vihet detyrë kooperativave t’i mbajnë. 

Mehmet Shehu: Janë fshatarët me popullsi të besimit ish katolik që kërkojnë të mbajnë sot nga një derr. 

Enver Hoxha: Le të kërkojnë, s’ka katolikë më te ne (të qeshura). 

Mishin e derrit e ha sot edhe ish myslimani që ç’ke me të (të qeshura). Pra, derr nuk duhet të lejohet të mbajë oborri. Edhe kafshët e ngarkesës kalë, mushkë ose gomar, në asnjë mënyrë nuk duhet t’ia lejojmë të mbajë oborri kooperativist, për arsye se këto kanë nevojë për tërshërë, për bar, për kashtë misri. Interesant si e kemi lejuar një gjë të tillë? Po ja që e kemi lejuar dhe natyrisht kemi bërë gabim, por në atë kohë ato edhe na duheshin. Ç’të bëjmë tani me këto kafshë të oborreve? Ato nuk mund t’ua marrim pronarëve të tyre, por e vetmja rrugë është të bëjmë kolektivizimin e tyre në kooperativë. Tani të vendosim se si do ta bëjmë këtë kolektivizim, si t’ua marrim atyre që i kanë? 

Mehmet Shehu: Të veprojmë si me qetë shoku Enver. Edhe këta ne ua kemi marrë oborreve dhe vlerën e tyre ua kemi paguar, po me këste.

Enver Hoxha: Domethënë t’ua kolektivizojmë dhe t’ua paguajmë vleftën me këste. 

Mehmet Shehu: Dëme në këto kafshë mendoj nuk do kemi se kur filluam të kolektivizojmë bagëtitë për mish e qumësht, shumë familje i therën një pjesë të tyre, kurse gomarin ose mushkën nuk e ther dot se nuk e hanë. Edhe kalin po kështu, kurse lopën që e ka mund ta therë. 

Enver Hoxha: Jo, as lopën nuk do ta therë, mendoj unë.

Mehmet Shehu: Megjithatë, ne nuk mendojmë të kalojmë në kolektivizim të lopëve, po në tufëzim të tyre, ndërsa në gomarë, mushka e kuaj duhet të kalojmë në kolektivizim. Të bëjë thirrje partia, të kalojmë në kolektivizimin e kafshëve të ngarkesës dhe të marrë fund kjo punë. Të kemi parasysh se kolektivizimi (i gomerëve, kuajve, mushkave etj-shënim), do të bëhet me pagesë, jo përnjëherë, po me këste, ashtu siç kemi kolektivizuar qetë.

(Kosova Sot)