Rrëfehet koloneli shqiptar: Incidentet në Pashaliman me sovjetikët, “leksioni” që iu dha Hito Çako

  • 24 November 2017 - 11:15
Rrëfehet koloneli shqiptar: Incidentet në Pashaliman me sovjetikët, “leksioni” që iu dha Hito Çako

Kolonel Myfit Qorduka është një oficer i vjetër i marinës shqiptare. Ai ka qenë i pranishëm edhe në përballjen e famshme me sovjetikët në bazën e Pashalimanit dhe dëshmitar i atyre ditëve të tensionuara. Në një intervistë për “Albanian Free Press”, koloneli  tregon çfarë ndodhi në vitet 1959-1961 në bazën ushtarako-detare shqiptare. Momenti i vështirë kur u arrestua Kundëradmirali Teme Sejko dhe ardhja e Hito Çakos që zbuti situatën. Sinjali që Çako i dha sovjetikëve në një incident me oficerin sovjetik.

A ndodhën incidente në bazë dhe cilat ishin ato?

Pas vizitës së Hrushovit në bazën e Pashalimanit, në maj të vitit 1959, që shënoi dhe krisjen e parë (e cila shumë shpejt erdhi duke u thelluar) të marrëdhënieve politike e shtetërore, midis vendit tonë e Bashkimit Sovjetik, në bazën e Pashalimanit në Vlorë, ku ishte arsenali kryesor luftarak detar në administrim dypalësh, sovjetik e shqiptar, nisën të jenë më të shpeshta e problematike, konfliktet midis drejtuesve, madje shtrirë deri edhe tek ushtarakët e thjeshtë. Jo vetëm kaq, por me orientim nga qendra, pala sovjetike, me qëllim për të mos e lëshuar nga duart këtë pikë strategjike ushtarake, si dhe anijet e nëndetëset në organikë, filloi të sillte teknikë të re, logjistike dhe përforcime të tjera për komandën e saj në këtë bazë të rëndësishme. Mbajtja me çdo kusht e bazës së Pashalimanit, anijeve e nëndetëseve, kishte angazhuar direkt Enver Hoxhën e tërë udhëheqjen shqiptare, duke përgatitur efektivat e duke vënë njëkohësisht në krye të Flotës në bazën e Vlorës e bazat e tjera luftarake, njerëzit më të besuar.

Cila ishte pjesa më e vështirë e kësaj situate të tensionuar?

Incidentet dhe përkeqësimi i klimës se marrëdhënieve ndërshtetërore, veçanërisht që nga viti 1960 e në vazhdim, reflektohej dukshëm në marrëdhëniet e kuadrove dhe detarëve tanë me ata rusë (sovjetikë), veçanërisht në bazën e Pashalimanit. Në fund të gushtit 1960, vihet në pranga Kundëradmirali Teme Sejko, Komandant  i Flotës Luftarake Detare të Shqipërisë, nën akuzën e ”tradhtisë ndaj atdheut”, e qenien ”agjent i shërbimeve sekrete ruse e amerikane dhe asfalisë greke”. Arrestimi i Teme Sejkos, njeriut dhe ushtarakut me emër në Luftën Nacionalçlirimtare e në ushtrinë shqiptare më pas, i bërë në ato momente kur ai po përgatitej të dërgohej për studime të mëtejshme në Akademinë Ushtarake të Leningradit në BS, veçanërisht në pikun e përkeqësimit të marrëdhënieve me sovjetikët, erdhi befasisht e ngjalli kureshtje, jo vetëm në strukturat e mbrojtjes, por  në mbarë vendin. Pikërisht, pas prangave për Sejkon, në këtë situatë, Enver Hoxha, emëron si dorë të fortë e më të besuarin në krye të FLD-se, ushtarakun e njohur, Hito Çako.

Pikërisht në këtë periudhë nga më delikatet e historisë së Flotës sonë Luftarake, drejtuesit e ushtrisë e të Shtetit Shqiptar, firmosin emërimin e Kundëradmiralit Abdi Mati si zëvendës të Hito Çakos në krye të FLD-së, i cili, së bashku me Ziqiri Meron e Qamil Podën, ishin ndër kuadrot specialistë më të njohur të kësaj arme. Në atë gjendje të vështirë, maturia e pjekuria, niveli i lartë profesional i Matit, jo vetëm arriti të administrojë suksesshëm situatën, të përgatiste e të mobilizonte efektivat tona detare për të përmbushur me sukses urdhrin për ruajtjen e bazës e të nëndetëseve, duke detyruar sovjetikët të dështonin në misionin e tyre, por arriti që të bëhej në njëfarë mënyre dhe simbol i Flotës.

Si u prit ardhja e Hito Çakos në vend të Teme Sejkos?

Emërimi në këtë detyre të rëndësishme i Çakos, që ishte njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës e që nuk ishte me profesion detar, ishte më tepër e karakterit politik. Ai kishte ardhur aty si funksionar politik, për të menaxhuar atë situate kritike që po kalonin marrëdhëniet Shqipëri-Rusi (BS), reflektuar me incidente e situata të paparashikuara në FLD e në veçanti në bazën e Pashalimanit.

Si njeri zemërmirë, operativ, me intelekt, intuitiv në kapjen në kohë të gjendjes reale e orientimin e duhur në çfarëdo situate,  Kundëradmirali Çako, së bashku me ushtarakë të tjerë madhorë të FLD-se, Abdi Mati, Mark Plani e shumë të tjerë, mbahet mend për drejtim me aftësi, në atë klimë tejet kritike.

Ju flisni me superlativa për Hito Çakon, çfarë bëri ai në këtë kohë në Pashaliman? Sa autoritet kishte tek ushtarakët?

Emërimi i Çakos në krye të FLD-se, si i besuar e ”dorë e fortë”e Enver Hoxhës, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, përkon me emërimin nga rusët të Kapitenit të Rangut të Parë, Ribalko, si komandant (rus -sovjetik) i Brigadës së Nëndetëseve në bazën e Pashalimanit, në vend të Jegorovit, tregonte se në klimën e acartë midis dy vendeve, edhe sovjetikët edhe shqiptarët, kishin bërë emërimet e tyre më të mira. Gjatë një vizite në një nga nëndetëset e bazës, që vazhdonin të ishin në komandë të dyfishtë, në një nga ditët e para të emërimit në detyrë, Kundëradmirali Çako, gjen rastin t`i japë një “leksion” kapitenit sovjetik Riballko, lidhur me respektin e detyruar që imponojnë gradat dhe hierarkia në ushtri. Në të vërtetë, qëllimi i “leksionit” kishte si nëntekst komunikimin palës sovjetike se, me gjithë manovrat, nuk do ta kishin të lehtë të përmbushnin misionin e tyre, të mbanin bazën apo të merrnin nëndetëset dhe anijet luftarake me vete në një ikje të mundshme. Pra Ribalko të kuptonte, se dhe artileria e gjithë kalibrave, që ishte në gatishmëri në gjirin e Vlorës, nuk do të lejonte një ikje të mundshme “fshehurazi” të tyre nga gjiri. Duke informuar kapitenin rus (sovjetik), faktin se “mua më kanë emëruar në disa raste, edhe në detyra që nuk jam specialist i mirëfilltë, pra, si ky në krye të FLD-se”, po kjo nuk më pengon që të kontrolloj vartësit, përfshi dhe atë anijen ku Ribalko ishte bashkëdrejtues me një shqiptar, si për gatishmërinë, ashtu edhe për përkushtimin e vartësve në detyrë. Pra, gjithçka ishte e qartë. Ndërkohë që kapiteni rus (sovjetik), pas fjalës së Kundëradmiralit Çako, duke ruajtur qetësinë, buzëqeshi lehtë e miratoi ato që tha komandanti i Flotës Detare.  

Në vazhdën e incidenteve, sovjetikët, në përmbushje të qëllimit të urdhëruar nga eprorët e tyre, siç e kemi përmendur edhe më lartë, ngulmonin për të sjellë në bazën e Vlorës edhe efektiva, logjistike e pajisje të tjera. Këto, mendonin t`i kishin për situata te vështira që priteshin,  por që kuptohej, shikohej e reagohej nga pala shqiptare.

 (Kosova Sot)