Si u formua ushtria shqiptare në KOHËN E ISMAIL QEMAILIT - Dossier - Kosova Sot
Si u formua ushtria shqiptare në KOHËN E ISMAIL QEMAILIT

Si u formua ushtria shqiptare në KOHËN E ISMAIL QEMAILIT

ATDHETARËT VIZIONARË QË HODHËN THEMELET E MBROJTJES KOMBËTARE

70 oficerë dhe 150 nënoficerë të karrierës, të cilët ishin shkolluar në Turqi, u bënë pjesë e ushtrisë
Ishte vizioni largpamës i Ismail Qemalit, i cili ishte Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, të themelonte ushtrinë, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Këto përpjekje flasin për vendosmërinë dhe meritën e Qeverisë së Vlorës, për t'i dhënë Forcave të Armatosura një karakter dhe përmbajtje sa më kombëtare

Shpallja e Pavarësisë Kombëtare është një faqe e ndritur në historinë shqiptare. Ajo i dha fund sundimin shumëshekullor osman dhe çeli një epokë të re, të jetës politike e kombëtare të vendit tonë. Pas Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së flamurit Kombëtar Kuvendi i Vlorës u mor me organizimin administrativ të vendit. Më 4 dhjetor Kuvendi zgjodhi Kabinetin Qeveritar me Ismail Qemalin Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, ndërsa Ministër i Luftës (i Mbrojtjes) Mehmet Pashë Dërralla. Qeveria e Përkohshme u krijua dhe filloi veprimtarinë e saj në rrethana teje të vështira për Shqipërinë. Në planin e jashtëm, vijonte Lufta Ballkanike kundër forcave të ushtrisë turke, të cilat ishin kudo në tërheqje. Në veri luftohej e në Shkodër e cila synohej të pushtohej nga shovinistët malazias dhe serbë. Ndërkohë në jug, luftohej në Janinë e cila ishte e rrethuar nga forcat greke, që synoni të pushtonin të gjithë Shqipërinë e Jugut. Kështu që, Shqipëria ishte në rrezik të një copëtimi të ri nga shtetet fqinjë. Në planin e brendshëm vendi vuante e përjetonte shumë vështirësi, të natyrës ekonomike, shoqërore e politiko - ushtarake dhe të pasigurisë publike, që ishin rrjedhojë e mungesës së shtetit me institucionet dhe administratën vendase. Në këto kushte shumë të vështira dhe të rënda për vendin dhe popullin shqiptar, Shtetit të ri e të brishtë shqiptar, i duhej të krijonte institucionet e tij, midis të cilave edhe Forcat e Armatosura, që të mbrohej nga lakmitë, pikësynimet e shteteve fqinj ndaj vendit tonë dhe për të vendosur rregullin, qetësinë e rendin mbi anarkinë, që ekzistonte në atë kohë. Qeveria mori menjëherë masat për mbrojtjen e vendit, me ato pak forca që kishte në dispozicion të saj. Ismail Qemali urdhëroi të krijohej një forcë e armatosur, që të mbronte bregdetin e Vlorës dhe të mbyllte drejtimin Himarë - Vlorë dhe të vendosej në Qafën e Llogarasë.

Ushtria duhej të krijohej sa më shpejt që të ishte e mundur

Për të krijuar këtë forcë të armatosur, në atë kohë, I. Qemalit dhe Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, u duhej një strategji, që të mbështetej mbi një vizion dhe mendim ushtarak të kohës. Strategjia ishte e thjeshtë. Siç del nga dokumentacioni i kohës, Qeveria së Vlorës, sipas kësaj strategjie, në fazën e parë, synonte mbrojtjen e vendit nga copëtimi. Për këtë, Forcat e Armatosura dhe sidomos ushtria, duhej të krijoheshin sa më shpejtë që të ishte e mundur. Për këtë, do të shfrytëzoheshin efektivat e strukturave ekzistuese ushtarake ende në përbërje të njësive ushtarake turke, që vepronin në Shqipëri. Sigurisht që këto forca do të bazoheshin te kontigjenti ushtarak me origjinë shqiptare, që ishin pjesë e strukturës aktive e rezerviste, dhe pjesa tjetër, ajo e angazhuar në luftime, ishin vullnetarët popullorë të krahinave të ndryshme. Nevoja e ngutshme, për të krijuar një forcë të organizuar ushtarakisht e detyroi Qeverinë e Vlorës të hynte fillimisht, në bisedime me komandën e ushtrisë turke në Berat, për të siguruar armë e municion për forcat shqiptare. Kjo duket qartë në letrën që Ismail Qemali i dërgonte Prefektit të Beratit, më 9 dhjetor 1912, ku i shkruante: "Qëllimi ynë kryesor është si të shpëtojmë atdheun nga kthetrat e armikut, të ruajmë nga rreziku i shfarosjes tepricat e ushtrisë dhe ta forcojmë atë, për t'u përleshur me armikun. Kjo për ne është një çështje jetësore, njëkohësisht një detyrë e shenjtë për shefat e armatave." Ndërsa më poshtë vijon : "merrni masat që t'iu sigurohen ushtarëve nevojat në këtë kohë krize dhe të mbahet qetësia." Ky vizion Qeverisë së Vlorës, për krijimin e Forcave të Armatosura, nisi të vihej në zbatim me njëherë me krijimin e dikasterit te Mbrojtjes. Kuvendi Kombëtar në mbledhje e tij më 4 dhjetor 1912, zgjodhi "Grupimin Ekzekutiv të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës", të cilin e ligjëroi duke e dekretuar dhe e bëri të njohur në të gjithë vendin. Në përbërje të kësaj Qeverie përfshiu edhe një dikaster mjaft të rëndësishëm, ai me emërtimin Ministria e Luftës, që do të ishte organi kryesor për organizmin e drejtimin e Forcave të Armatosura Shqiptare. Ky vendim bëhej i njohur, në aktin e kohës së Kuvendit ku thuhej : "Në përbërje të këtij grupi bënte pjesë edhe Dikasteri i rëndësishëm i Luftës (i Mbrojtjes Kombëtare) i kryesuar nga Mehmet Pashë Dërralla (Tetova ), Gjeneral karriere dhe komandant i kryengritjeve të viteve 1909 - 1911. Ky dikaster në bashkëpunim me dikasterin e Punëve të Brendshme, morën masa për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe ruajtjen e rendit. Sipas këtij vizioni, strategjisë dhe skemës së përpunuar nga drejtuesit ushtarakë, krijimi dhe organizimi i forcave u krye në dy faza. Në fillim u formua dhe u organizua Ministria e Luftës, Shtabi Madhor dhe ajo e Punëve të Brendshme dhe strukturat e mundshme ushtarake, si ato Vullnetare, Rezerviste dhe Xhandarmëria si dhe Policia, në një periudhë të shkurtër - nëntor 1912 deri në qershor 1913. Faza tjetër, në fillim të qershor 1913 deri më 22 janar 1914, kur Qeveria e përkohshme e Vlorës u largua nga skena politike.

Ministria e Luftës

Strukturë parësore e Forcave të Armatosura ishte Xhandarmëria. Ajo nisi që në fillimet e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Kjo strukturë u vlerësua shumë sepse ishte një forcë që merrej me sigurimin e rendit dhe të qetësisë, por edhe në mbrojtjen e vendit, krahas strukturave ushtarake. Dokumentet e Qeverisë së Vlorës dëshmojnë se të gjitha përpjekjet e bëra nga organet e saj dhe ministritë përkatëse, çuan në organizimin e një force që deri në fillim të qershorit 1913 u shtri në mjaft zona ku njihej pushteti i kësaj qeverie. Mbi organizimin e Forcave të Armatosura, mund të formohet një ide jo vetëm nga dokumentacioni vendas por edhe i huaj. Konsulli i Austro - Hungarisë pranë Qeverisë së Vlorës Lejhanec informonte qeverinë e tij se: " …kohët e fundit Qeveria e Përkohshme është marrë me çështjen organizative dhe po bën emërime të shumta sidomos në fushën e administratës së brendshme ." Ministria e Luftës së bashku me pjesët përbërëse të saj, do të kryente edhe detyrën e Komandës së Përgjithshme, që përbënte hallkën më të lartë organizuese e drejtuese të Ushtrisë Kombëtare. Kjo Ministri përbëhej nga "Zyra e Shtabit Madhnuer ( shtabi Madhor), Zyrën qarkore, Zyrën herretare (Logjistika) dhe Zyrën shëndetë- sore." Dikasteri i Luftës përgatiti e përpunoi konceptin e organizimit të ushtrisë dhe një rregullore për funksionimin e saj që u hartua më 22 prill 1913. Ajo ishte e shkurtër e përbërë nga 7 pika në një faqe. Qeveria udhëzoi Ministrin e Luftës, që për organizimin e një ushtrie të rregullt, të shikohej e të merrej përvoja e ushtrive europiane. Kjo dëshmon edhe njëherë për vizionin e qartë të Qeverisë për krijimin e një ushtrie moderne të kohës. Në fazën pasuese, pikërisht në maj 1913, në përputhje me vizionin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Luftës u formua Shtabi Madhnuer (shtabi Madhor) si një nevojë e një hallke të qendërzuar, që do të shërbente për organizime, përgatitje dhe drejtimin profesional të veprimeve luftarake të FA. Ky Shtab, që u konceptua, ishte i thjeshtë, vetëm me 5 zyra, që i dha një hop organizimit të Forcave të Armatosura. Për këtë dëshmojnë qarkoret e hartuara nga ky shtab e të firmosura nga Kryetari i tij, major Ali Shefqet Shkupi. Elementet përbërës të Shtabit të përcaktuara në rregulloren e përkohshme të Ministrisë së Luftës të 22 prillit 1913, ishin 1- Qarqet e Shtabit Madhnuer, 2- Shkresinat e Shabit Madhnuer, 3 - Komisioni i rregulloreve e i ushtrimeve, 4- Komisionii i trajtimit të policisë e të xhandarmërisë, 5 - Komisioni i ndërtimit." Konceptimi, formimi dhe funksionimi i këtij shtabi, ku vepronin një grup ushtarakësh mjaft të formuar me kulturën profesionale ushtarake, të nivelit akademik dhe me një përvojë të lakmueshme luftërash, dëshmonte edhe për një kulturë të mirë politiko - ushtarake të drejtuesve të shtetit dhe të liderëve ushtarakë shqiptarë të asaj kohe. Ky shtab, që varej nga Ministria e Luftës, shërbente edhe si një organ këshillimor për çështjet ushtarake pranë Qeverisë së Vlorës.

Çdo repart drejtohej nga një oficer shqiptar me shumë përvojë

Është vendi të thuhet se Qeveria e Vlorës dhe ushtarakët shqiptarë ndihmuan pa asnjë hezitim punën e ushtarakëve holandezë, për ta bërë atë sa më funksionale në punën e saj. Ajo u organizua mbi bazën e 4 detashmenteve, reparte këto të barabarta me një batalion, me 300 xhandarë secila. Çdo repart drejtohej nga një oficer shqiptar me shumë përvojë. Të tillë ishin, major Mustafa Aranitasi, kapiten Mustafa Maksuti ( Shehu), kapiten Kasëm Qafëzezi dhe kapiten Rexhep Shala. Koncepti i drejtë në krijimin e forcave të Armatosura, u duk edhe në formimin e shërbimeve mbështetëse, siç ishin - Prapavija (Logjistika 6 maj 1913), i organizim mobilizimit (3 qershor 1913) dhe i Zbulimit ose Informativ (15 qershor 1913). Pa këto shërbime, vështirë se mund të kryenin veprimtarinë e tyre struktura ose hallkat drejtuese të forcave të Armatosura. Ndërkohë Qeveria e Vlorës në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Luftës dhe Shtabin Madhor, përcaktuan edhe nivelin e të drejtës elektorale e politike të ushtarakut. Për ta ilustruar këtë prirje të Qeverisë së Vlorës, mjafton të përmendet, së të gjitha porositë saj për armatime dhe uniformat e reja u bënë në Austri dhe në Itali. Për këtë në librin "Pavarësia dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha", thuhet ;- " Porosi të rëndësishme u bënë në arsenalet e Austro - Hungarisë, me gjithë ngushticën e madhe të mjeteve financiare." Ndërsa ambasadori i Vjenës në Romë Merei thotë ; - " …se në Ministrinë e jashtme italiane kishte marrë vesh për ardhjen në Itali të disa përfaqësuesve të Qeverisë së Vlorës, për të blerë uniforma për xhandarmërinë shqiptare." Të gjitha këto përpjekje për organizimin e Forcave të Armatosur tregojnë vendosmërinë dhe meritën e Qeverisë së Vlorës dhe të Ismail Qemalit, për t'i dhënë Forcave të Armatosura një karakter dhe përmbajtje sa më kombëtare. Kjo vendosmëri dhe prirje u duk edhe në përzgjedhjen e liderëve ushtarak, në krye të këtyre forcave si emërimin Gjeneral Mehmet Pashë Dërrallës në krye të Ministrisë së Luftës, Ali Shefqet Shkupit në krye të shtabit Madhor, si dhe komandantëve të reparteve si Ismail Haki Tatzati, Mustafa Maksuti, Kasëm Qafëzezi dhe Meleq Frashëri. Kjo dukuri shfaqet edhe në formacionet e tjera ushtarake të vitit 1912 - 1913, ku gjeje mjaftë ushtarakë komandues nga Kosova dhe trevat shqiptare, kjo tregon se deri atëherë u vlerësuan si një faktor bashkimi dhe krenarie gjithëkombëtare. Kjo u duk qartë në revistën "Zgjimi" që botohej në Korçë në vitin 1913, në numrin 33 botohej një fotografi e tre ushtarakëve shqiptarë në të shkruhej: "Shikoni pakëz këtë fytyrë, e patë? Këto janë uniformat e ushtrisë shqiptare. Kjo është rroba e Kombit Shqiptar! Kjo rrobë do të thotë se në botë është një shtet që quhet Shqipëri! Kështu që ushtria shqiptare vlerësohej në thelb, si pasqyra e kombit dhe shtetit shqiptar. Nuk ka vlerësim dhe simbolikë më të qartë në këtë plan. Me gjithë përpjekjet e Qeverisë së Vlorës për të krijuar një ushtri kombëtare të rregullt e bashkëkohore për shtetin e ri shqiptar, sipas përfytyrimeve dhe përmasave të sotme, nuk ia arriti dot qëllimit që i kishte vënë vetes, për shkak të mundësive të kufizuara politike dhe materiale të kohës, pasi veprimtaria e saj u ndërpre. Megjithatë, ajo hodhi bazat e para dhe shënoi fillimet e organizimit të Ushtrisë dhe të Forcave të Armatosura në vendin tonë. Ajo krijoi rreth 12 000 forca, nga të cilat 4000 - 5000 ishin xhandarë. Në këto struktura u bashkuan dhe shërbyen rreth 70 oficerë dhe 150 nënoficerë të karrierës, të cilët ishin shkolluar në Turqi. Kështu që, vizioni dhe mendimi ushtarak i Qeverisë së Vlorës dhe i ushtarakëve që kishte përreth, me gjithë kufizimet dhe mangësitë e kohës, duhet të vlerësohet si një shërbim i madh ndaj vendit dhe popullit shqiptar në tërësi dhe ndaj Forcave të Armatosura shqiptare dhe në veçanti të artit ushtarak të saj. Bashkim Qeli.

(Kosova Sot)

16 orë e 19 minuta më parë
21/04/18