Mjeku i Enverit: Si më zëvendësoi Isuf Kalo, diagnoza e gabuar që rrezikoi jetën e Sokolit - Dossier - Kosova Sot
Mjeku i Enverit: Si më zëvendësoi Isuf Kalo, diagnoza e gabuar që rrezikoi jetën e Sokolit

Mjeku i Enverit: Si më zëvendësoi Isuf Kalo, diagnoza e gabuar që rrezikoi jetën e Sokolit

AFRIM IMAJ/ Në vijim të rrëfimit të tij në “Panorama” për kohën kur ka punuar pranë Enver Hoxhës si mjek i tij personal, profesor Hektor Peçi bën vlerësimin e tij për profesor Isuf Kalon, mjekun që e zëvendësoi pas largimit të tij nga Blloku.

isufi-enveri

Profesor Peçi shprehet se ka gati librin e tij “Të pathënat”, i cili do të botohet pas disa javësh dhe ku aty do të tregojë gjithçka ka mbajtur mister, gjatë viteve që punonte pranë Enver Hoxhës.

Ai e cilëson Isuf Kalon, mjek me pak përvojë, që nuk kishte punuar asnjëherë në klinikat e spitaleve të kohës, por që çuditërisht kishte mbërritur të ishte mjek i klinikës speciale të udhëheqjes së partisë.

Për profesor Peçin, paaftësia e Isuf Kalos arriti kulmin kur nuk arriti dot të bëjë diagnostikim e apandesitit të djalit të Enver Hoxhës, Sokolit, i cili rrezikoi jetën duke e nisur me urgjencë në Francë për trajtim të specializuar.

Edhe pse ka bërë gabime të tilla diagnostike, Isuf Kalo, sipas profesor Peçit, arriti të mos largohej nga klinika speciale e udhëheqjes. Duke folur gjatë për pasardhësin e tij si mjek i Enver Hoxhës, profesor Hektor Peçi tregon se ka qenë ai, që e ka propozuar Isuf Kalon te Hysni Kapo për ta marrë me vete për specializim për një vit në Kinë.

Hektor Peçi
Hektor Peçi

Ai tregon se si pas vdekjes së Enver Hoxhës, duke abuzuar me emrin e tij, Isuf Kalo trokiste në çdo ministri dhe kërkonte favore për emërime të larta duke përdorur klishenë “me urdhër nga lart”, ndërkohë që nuk kishte asnjë urdhër për ato që ai kërkonte.

Profesor Peçi, edhe pse mbështet Liliana Hoxhën dhe bashkëshortin e saj për personalitetin e Isuf Kalos, nuk është dakord me të për akuzat se ka pasur një komplot të Nexhmije Hoxhës, Ramiz Alisë dhe Isuf Kalos për të eliminuar Enver Hoxhën përmes ilaçeve. “Jo, jo, nuk hyj unë në ato punë. Nuk e besoj të kenë ndodhur të tilla gjëra”, shprehet profesor Peçi.

Çfarë marrëdhëniesh keni pasur, pas largimit si mjek personal i Enver Hoxhës, me Isuf Kalon?

Isuf Kalo ka historira të shumta dhe të gjitha do dalin në një botim te libri im “Të pathënat”. Isufi është specie e veçantë. Ka ardhur, ka marrë shefllëkun tim, merrte pushtet dhe gjithmonë thoshte “me urdhër nga lart”. Se nga kush e kishte urdhrin, as e merrja vesh. Këtë gjë e sqaroi profesor Fejzi Hoxha para vdekjes, bëri nja 20 faqe letër, ishte djali i tij që e shpërndau dhe më solli dhe mua një kopje. Unë nuk e bëra të madhe dhe as publike. Një kopje paska vajtur te Liliana Hoxha dhe ajo me Sokolin e botuan. Isufi bëri përpjekjet që të mos botohej, por ajo u botua.

Në letrën e tij, profesor Fejziu ka thënë se Isuf Kalo fliste për ju për ryshfete dhe imoralitet. Keni dijeni për këto?

Po, por të tëra i ka thënë dhe i ka bërë ai. Unë, në fakt, kam qenë njeri i afërt i vëllait dhe nënës së Isuf Kalos dhe nuk doja të merresha me budallallëqet e tij, që edhe ai vetë i ka kuptuar, ma merr mendja. Ai është djalë i zgjuar shumë, por e ka zgjuarsinë për gjëra të liga.

Isuf Kalo ju ka zëvendësuar ju edhe në fakultetin e Mjekësisë pas vdekjes së Enverit?

Po, po, është e vërtetë. Të gjitha postet i mori “me urdhër nga lart”. Më vonë e nxori profesor Hoxha se nuk ishte asnjë urdhër nga lart, por ishte zhgënjimi që pësoi profesori, që i kishte shërbyer për të marrë gjithë ato vende.

Në librin e saj, Liliana ka botuar letrën për Isuf Kalon, ku shpjegon se si ai ka ecur në karrierë. Kur thoni “me urdhër nga lart”, kush i jepte urdhrat, Ramiz Alia apo Nexhmije Hoxha?

Isufi merrte profesor Fejziun dhe ndonjëherë dhe Sulo Gradecin dhe shkonte ministri më ministri, më hiqte mua dhe emëronte veten. Por nuk kishte asnjë urdhër. Unë nuk e dija nga dilte ai urdhër, por të gjitha u sqaruan në atë letër që ka bërë profesori. Isuf Kalo shpërdoronte emrin si mjek i Enver Hoxhës, të familjes Hoxha për të rregulluar veten.

Ju e mbështesni Liliana Hoxhën kur flet për një komplot për eliminimin e Enver Hoxhës përmes ilaçeve?

Jo, jo, nuk hyj unë në ato punë. Nuk e besoj të kenë ndodhur të tilla gjëra.

Cili ka qenë vlerësimi juaj për Isuf Kalon nga ana profesionale?

Nga ana profesionale, ai nuk bëri profesion. Sepse ai bëri një specializim me mua në Kinë, një vit, por ishte shumë fillestar, nuk kishte punuar fare në klinikë. Më pas u kthye dhe u emërua në klinikën speciale për të bërë gjilpërat në damar për udhëheqjen. Edhe këtë punë ai nuk e bënte dot, sepse ka një dridhje duarsh kongjenitale. Por ai gjeti një vend pune. Kur më mori mua familja e Enverit, Isufi mbeti për Hysni Kapon. Kur ika unë, ai zuri vendin tim.

Nuk e pengonte mosha shumë e re Isuf Kalon për të qenë mjek në klinikën speciale të udhëheqjes?

Të thashë që puna e tij ishte të bënte gjilpëra në damar. Gjithashtu, ai u ngrit me rrugët e tij dhe me një përbërje të mirë politike të familjes, gjeti një vend pune të kënaqshëm. Por punë në klinikat e spitalit, ai nuk ka bërë ndonjëherë. Kurse unë, 7 vjet që ndenja pranë Enver Hoxhës, nuk u shkëputa një ditë nga spitali, mbaja të sëmurët e mi nën kujdes. Ju keni qenë brenda familjeve të Bllokut të udhëheqjes komuniste.

Si kanë qenë marrëdhëniet mes familjeve Hoxha, Shehu e Kapo, po mes fëmijëve të tyre?

Kanë qenë gjëra që nuk më linin përshtypje as për mirë dhe as për keq, nuk përbënin interes tek unë. Ata kishin lidhjet e tyre dhe unë nuk i vështroja këto gjëra. Unë shikoja punën dhe përgjegjësinë që kisha.

Ju bën përshtypje profesor, që Isuf Kalo e akuzon Liliana Hoxhën si njeri me luhatje mendore…

Çdo njeri do mbrohet me mënyrën e tij. Ata sot janë në sherr, kur para disa vitesh kanë qenë shumë miq. Ata duhet të tregonin dhe gabimet e tyre dhe pastaj të flisnin për gabimet e tij. Isufi u hoq nga Enveri për shkak se desh vdiq Sokoli, për një gabim trashanik diagnostik. Mirëpo, largimi i Isuf Kalos i bënte dëm Fejzi Hoxhës, i cili ishte i moshuar dhe duhej të ishte pranë udhëheqjes, sepse specialistë të tjerë nuk kishte, unë dhe Isufi kemi qenë endokrinologë. Profesor Fejziu kërkonte të linte një zëvendësues të tij në klinikën speciale. Dhe se si iu besua Isufit kjo punë, e ka thënë dhe Liliana në një intervistë të saj, kur në një moshë fare të re, pa përvojë, mori përsipër shëndetin e Enver Hoxhës dhe të udhëheqësve të tjerë.

Si e shikoni ju profesor Kalon gjatë karrierës së tij?

Mua më kërkoi Enveri që të shkoja 1 vit specializim në Kinë. Komunikimet e rregullta i kisha me Hysni Kapon. Hysniu ma tha që tani duhet të nisesh për në Kinë, por mirë është të shkoni dy veta, që të specializohet edhe një mjek për popullin, jo vetëm për udhëheqjen. Hysniu më tha, më thuaj ndonjë emër, kë do marrësh me vete në specializim. Unë i dhashë emrin e Isuf Kalos, sepse isha mik i familjes së tij. Por jo se do ndriçonte ndonjë gjë Isufi, se akoma nuk ia kishte filluar profesionit të mjekut.

Si trajtohej Isuf Kalo në familjen Hoxha?

Ashtu siç e shpjegon Sokoli edhe në librin e Lilianës. Si Sokoli, dhe Enver Hoxha nuk e pëlqenin Isuf Kalon. Enveri, madje, ka pasur çudi se si shkoi ai në klinikën e udhëheqjes, e ka cilësuar si njeri të përkëdhelur. Këto i ka thënë dhe Liliana.

Sokol Hoxha e shpreh dukshëm respektin ndaj jush, ndërsa vëllai i tij, Iliri, nuk shprehet. Ka ndonjë arsye për këtë diferencë qëndrimesh brenda familjes Hoxha?

Ndoshta ekziston ndonjë arsye tek Iliri, përderisa ai nuk shprehet. Ai duhet të shprehet dhe jo unë, gruaja e tij duhet të shprehet dhe jo unë.

Marrëdhëniet tuaja kanë qenë korrekte, nuk ka pasur ndonjë fërkim, ndonjë sherr apo debat?

Jo, jo. Absolutisht.

Atëherë, ju nuk keni dëgjuar se ndaj jush ka pasur një intrigë të tillë..?

Jo, jo tani e lexova nga gazeta juaj

(Kosova Sot)

10 orë e 12 minuta më parë
19/07/18