Sadija tregon amanetin e Dritëroit dhe fjalimin para vdekjes

  • 22 January 2018 - 10:31
Sadija tregon amanetin e Dritëroit dhe fjalimin para vdekjes

Nga Eni Vasili

Kjo intervistë është pjesë e një cikli intervistash syresh të cilat mëtojnë të sjellin para lexuesve profilet e disa prej zonjave të cilat në një mënyrë apo një tjetër e kanë shënuar fatin e qytetit. Një prej tyre është zonja Sadije Agolli, bashkeshorte e Dritëroit. Më ka magjepsur gjithmonë kjo bashkjetesë simbiotike e tyre duke me bërë kurioze për cka e ushqen . Të mirë, të mencur, të ngjashëm, thuajse të bërë një, kështu i kam perceptuar sa herë i kam takuar të dy gjatë vizitave në shtëpinë e hapur për të gjithë.

Me këtë rrëfim për dhimbjen që nuk ishte aty në momentin e fundëm  të njeriut që i dedikoi jetën Sadije Agolli më rrëfeu gjithashtu sekretin një dashurie që zgjati gati 55 vjet, sekret që e gjeni në këtë intervistë.

Intervista është një ekskluzive për portalin hapur.al dhe botohet me dy pjesë ne gazeten Panorama.

PJESE NGA INTERVISTA

“E dashur Sadije, të dua si jetën time, madje më shumë, unë dëshiroj sinqerisht të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur do të të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mija.”   

Ky eshte nje dedikim I jashtezakonshem per ju ,ne fakt prania juaj ne vepren e Driteroit eshte konstante,jeni ne nje mori poezish fashurie po ky paragraph merr nje kuptim tjeter sot.A kaardhur flutur tek ju gjate ketij viti te veshtire ?

Ky ishte amaneti i Dritëroit qysh në 11 Maj 2014, pothuaj tre vjet para se të vdiste fizikisht, pasi Ai vetë e ka pohuar se do të vazhdojë të jetojë dhe këtë e ndjej çdo ditë dhe çdo natë, unë jetoj me të, pasi më shoqëron vazhdimisht jo me një  flutur, por me gjithë qënien e tij.  Ai ma la këtë amanet, kur më shihte se unë isha e lodhur, depresive, nostalgjike, kur fillova të hedh ndonjë gotë raki, të cilën nuk e kisha dashur asnjëherë. Donte të më gjallëronte, të më jepte kurajo, siç më kishte dhënë gjithnjë në çaste të vështira, që kishim kaluar së bashku. Duke jetuar me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin Ai e ndjente dhe e kuptonte se do të linte pas një vuajtje dhe dhimbje të madhe, prandaj e shkroi atë letër, që të kisha ku të mbështetesha, ashtu siç shkroi përpara shumë viteve poezinë “Kur të jesh mërzitur shumë”.  Ky është një nga tiparet e madhështisë së tij, prandaj Ai ka mbetur për mua dhe familjen si Shën Dritëroi.  Ai ishte i ndërgjegjshëm deri sa mbylli sytë, në dashurinë që kishim pasur mbi gjysëm shekulli, por lutej që unë të mos humbja mendjen dhe të vdisja, por të vazhdoja rrugën e tij, që të hapja gjithë ato dosje të stivosura, t’i nxirrja në dritën e botimit, siç po punojmë me fëmijët tani. Amaneti i Dritëroit  m’u kujtua edhe atë 5 shkurt 2017, kur toka u bë shtëpia e tij e re. Ishim të gjithë, jo vetëm unë, si të hutuar dhe nuk e dinim se kush do të mbante fjalën e lamtumirës. Mua m’u kujtua edhe në atë çast biseda me Dritëroin për vdekjen dhe Zylon e famshëm.   “Duhet të kisha shkruar në roman edhe si i shkruan Demka një fjalim vdekjeje Zylos në raste lamtumire a përcjelljeje të ndonjë personaliteti, pasi është rrezik që edhe mua do të më përcjellin pa fjalë lamtumire. Por me që nuk e kam shkruar në roman, duhet ta shkruaj për veten time sa jam gjallë, se ju të gjithë do të hutoheni dhe do të thoni: “Po ky lugat pse vdiq, se ne nuk ishim përgatitur për ta përcjellë.” Dhe qeshte, megjithatë nuk e shkroi. Ëndërronte të punonte dhe të shkruante vëllimin e dytë të “Shkëlqimit dhe rënies së shokut Zylo”, në shoqërinë kapitaliste. Mendjen dhe frymëzimin e kishte, por gishtërinjtë nuk i bindeshin. Mua më jepte sentenca apo poezi të shkurtëra për t’ia shkruar dhe nuk i shkonte ndërmend që të merrnin ndonjë sekretare për të na ndihmuar.  “Zylo dhe Demka në kapitalizëm do të jenë unikalë dhe ke mundësi të shkruash i lirë, pa autocensurë, por ç’ t’i bësh pleqërisë.” – më thoshte, duke qeshur, me dëshpërim.  Ai, Eni, parashikonte çdo gjë me qartësi, prandaj them me bindje se vetëm njeriu gjenial mund të ishte i tillë.   Dhe atë ditë të 5 shkurtit të 2017-ës, ditën e lamtumirës, kujtova fjalët e Dritëroit për fjalimin e vdekjes, pasi nuk dinim kush do ta mbante, prandaj mora mikrofonin dhe përshëndeta njerëzit që kishin ardhur për ta përcjellë.   Siç duket, Zoti të jep një fuqi mbinjerëzore për të kaluar situatat e vështira, pasi përshëndeta edhe në drekën që shtruam.  Më vonë unë nuk kujtoja asgjë, por pyesja fëmijët, Elonën dhe Artanin, që më kujtonin këto muaj që kalova pa Dritëroin. Ja është ajo flutura që la Ai dhe që më sjell në vete për të kryer detyrat e mia si zonjë shtëpie. Duket në atë flutur është shpirti i Shën Dritëroit, që nuk vdes, por jeton me ne edhe nëpërmjet veprave të shumta që ka lënë.

(Kosova Sot)