“Jeta ime pa Dritëroin, cili qe amaneti i fundit. E vërteta e ‘ftohjes’ me Kadarenë” (E PLOTË) - Dossier - Kosova Sot
“Jeta ime pa Dritëroin, cili qe amaneti i fundit. E vërteta e ‘ftohjes’ me Kadarenë” (E PLOTË)

“Jeta ime pa Dritëroin, cili qe amaneti i fundit. E vërteta e ‘ftohjes’ me Kadarenë” (E PLOTË)

Nga Eni Vasili

Kjo intervistë është pjesë e një cikli intervistash syresh të cilat mëtojnë të sjellin para lexuesve profilet e disa prej zonjave të cilat në një mënyrë apo një tjetër e kanë shënuar fatin e qytetit. Një prej tyre është zonja Sadije Agolli, bashkeshorte e Dritëroit. Më ka magjepsur gjithmonë kjo bashkjetesë simbiotike e tyre duke me bërë kurioze për cka e ushqen . Të mirë, të mencur, të ngjashëm, thuajse të bërë një, kështu i kam perceptuar sa herë  kam takuar të dy gjatë vizitave në shtëpinë e hapur për të gjithë.

“Pengu më i madh që kam është që nuk isha aty t’i mbyllja sytë “- më thotë ajo ndërsa pimë kafenë në të njëjtin divan të shtëpisë ku Dritëroin e kam intervistuar kaq herë.“ Mendoj se i ka hequr vetë tubat e oksigjenit, është lodhur dhe e ka bërë kur nuk ndodhesha aty pasi e dinte që nuk do ta lejoja. Besoj që ka dashur vetë të ikë.“

Me këtë rrëfim për dhimbjen që nuk ishte aty në momentin e fundëm  të njeriut që i dedikoi jetën Sadije Agolli më rrëfeu gjithashtu sekretin një dashurie që zgjati gati 55 vjet, sekret që e gjeni në këtë intervisë.

Më duhet të falenderoj në mënyrë të vecantë zonjën Agolli që pranoi insistimin tim për këtë intervistë me shumë bujari dhe dashamirësi  në një moment shumë të vështirë për të dhë familjen e saj. Ne vigjilje të një vjetorit të humbjes së Dritëroit ky bashkëpisedim është një dëshmi për jetën e tij si njeri dhe shkrimtar, si baba e si shok, por jo vetëm kaq.  Është një dëshmi për një  dashuri të rrallë , ashtu sic e duam  të gjithë.

Intervista është një ekskluzive për portalin hapur.al dhe botohet me dy pjesë ne gazeten Panorama.

Image

Znj.Sadije dua të nis këtë bashkëbisedim me ju në rradhë të parë duke pyetur për shëndetin tuaj, a jeni e fortë…ka diçka që ju mundon…?

Më vjen mirë që  këtë bashkëbisedim në letër ta bëj me një gazetare, të cilën e vlerësoj, se hyn në rradhën e gazetareve që kanë krijuar emrin e tyre dhe nuk ngatërrohet me emra të tjerë, qofshin gra dhe vajza, qofshin burra. Sigurisht, këtë bashkëbisedim e kam shumë zor ta bëj në mënyrë të natyrshme me zë, por zgjodha letrën e bardhë, se e kam më të lehtë të kuvendoj nëpërmjet saj. Unë kam dhënë shumë pak intervista, sidomos të bëj bashkëbisedime për temat intime të jetës bashkëshortore. Kështu ndodh kur jeton me një figurë të njohur dhe je gjithnjë në hije. Kjo është normale, pasi epiqendra ishte Dritëroi. Pastaj për të dhënë intervista e kam shumë të vështirë, në këto kohë kur po punoj dhe po përjetoj një dhimbje shumë, shumë të madhe e pas një bashkëjetese të gjatë 53-54 vjeçare, bashkëjetesë të plotë, kur plaga nuk mbyllet asnjëherë. Ajo ngacmohet vazhdimisht nga kujtimet, nga mbresat, nga veprat që ka shkruar, nga dosjet e stivosura, nga blloqet e shënimeve, nga albumet e shumta me fotografi, nga telefonatat e shokëve, miqve të shumtë, të njohur e të panjohur, nga sendet e shumëllojta, duke filluar nga stilografët, stilolapsat dhe duke përfunduar me çakmakët, gotat, bastunët, që i dhuruan miqtë, kur Dritëroit iu thye këmba. Orë për orë me Atë, ditën dhe natën, prandaj kam pagjumësi të vazhdueshme, pasi në çdo moment e ndjej parnë meje. Edhe në varreza kam shkuar më rrallë, se nuk e pranoj vdekjen e tij, më duket se e lë vetëm në shtëpi dhe do të më kërkojë. Ende jam si në jerm dhe vetëm e shkruara më bën më të vetëdijshme, shkarkoj llogjikoj, arsyetoj. Në të shkruarën gjej fjalët të komunikoj, pasi dhe fëmijët nuk dua t’i mërzis vazhdimisht me dhimbjen time. Janë 53 vjet, mbi gjysëm shekulli që kemi qenë gjithnjë me njëri-tjetrin, kemi biseduar, kemi qeshur, kemi qarë.

Image

Po bëhet viti nga humbja e Dritëroit… si ju janë dukur këto  muaj… ?

Unë jetoj ditë për ditë dhe orë për orë me Dritëroin, ditën dhe natën, prandaj kam dhe pagjumësi të vazhdueshme, pasi në çdo moment e ndjej se është pranë meje. Edhe në varreza kam shkuar më rrallë, se më duket sikur e le vetëm në shtëpi dhe do të më kërkojë. Janë 53 vjet, mbi gjysëm shekulli që kemi qenë gjithnjë me njëri-tjetrin, kemi biseduar, kemi qeshur, jemi përlotur, jemi grindur, jemi përkëdhelur, kemi diskutuar e debatuar…

Image

Prej më shumë se 52 vitesh, ju dhe Dritëroi keni ndarë jetën, keni ndarë çdo ditë të jetës tuaj… çdo të thotë sot, ta kalosh ditën pa Dritëroin…

Kuptohet, është një jetë e tërë dhe më duket se më mungon një pjesë e trupit dhe e trurit. Kanë kaluar 11 muaj dhe unë nuk po arrij të mësohem, të ambjentohem me këtë realitet, që është krejt i ri për mua. Kjo është gjendja ime e tanishme dhe shëndeti varet nga kjo. Mua më mungon gjithçka, por ndjej përgjegjësi më të madhe, pasi duhet të realizoj në libra, ato dorëshkrime që nuk arriti t’i plotësojë dhe t’i shihte të botuar. Unë jam shtylla ku duhet të mbahet shtëpia e Dritëroit me vlerat  që ka lënë. Janë fëmijët, nipërit dhe mbesat, janë miqtë, që do të më ndihmojnë për të realizuar ëndrrën e kësaj jete, që më ka mbetur, me aq sa kam mundësi, fizike dhe shpirtërore.

Dritëroi, megjithëse ka shkruar në poezi, në prozë, në drama, në publicistikë, për pleqërinë, nuk i pëlqente ta quanin plak. Ai përdorte më shumë fjalët, i moshuar dhe e moshuar, pasi siç thoshte Ai: “plak apo plakë” quhesh kur ke humbur mendjen dhe nuk bën asgjë. Derisa unë vazhdoj të lëviz, të bëj dhe të kryej punët e mija, derisa kam interes të lexoj, të shkruaj, të jap mendime, të ndjek ngjarjet letraro-artistike, politike dhe shoqërore nëpërmjet kanaleve televizive, domethënë që e jetoj jetën plotësisht. – më përsëriste shpesh.

Këtë parim ndjek edhe unë tani. Sigurisht, lëvizjet dhe hapat që hedh tani, janë më të javashme. Edhe dashurinë dhe dhembshurinë për njerëzit që dua, i shpreh më shumë dhe më shpesh. Dhe në përgjithësi, fal gabimet apo justifikoj të metat, që vë re tek të tjerët. Nuk bëhem hatërlie, siç i themi ne në Shkodër, siç bëhesha kur isha më e re dhe me Dritëroin pranë.

Ju më pyesni si e kaloni ditën pa Dritëroin. Po përpiqem të përshtatem me këtë mënyrë jetese të re, kur më mungon gjëja kryesore: dashuria, dhëmbshuria, fjala, zëri i tij, që më kanë shoqëruar për 53 vjet me radhë. Kjo është gjëja më e vështirë për të gjithë ata që humbasin njeriun më të çmuar, jo vetëm duke u nisur nga numri i viteve të kaluara së bashku, por edhe nga kujtimet dhe deri tek elementet më të vogla, që mbushin jetën tonë nga lindja deri sa mbyllim sytë.

Unë Dritëroin e kam pranë në çdo orë të ditës dhe të natës, pasi ditë-nata më janë bërë njëlloj, nuk vë re dallim mes tyre,  edhe nga që rri gjithnjë me dritë të ndezur. Atë e kam para syve, me kokën e bukur dhe të hijshme, të vendosur në mes të jastëkut, trupin e drejtuar në dyshek, sytë e mbyllur si në gjumë. “S’duhej t’ia prish gjumin,” – flas me vete dhe lotët më rrjedhin si nga një burim i vogël.

Image

Lexoj poezitë, aforizmat, letërkëmbimin 1964-65, shkruaj dhe lus Zotin të m’i forcojë gishtërinjtë, që deri sa kam mendjen, të kem dhe forcë fizike për të përballuar këtë realitet të ri. Ai fjeti dhe do të zgjohet kur të shkoj pranë tij dhe të përqafohemi në tokën mëmë që na bashkon.

Në këto muaj e kam pasur trurin gjithnjë të kurdisur, siç thoshte Dritëroi, dhe nuk kam fjetur ditë, natë. Edhe ilaçet e gjumit nuk më bënin efekt, por më jepnin vetëm turbullirë, prandaj nuk i përdora. Më dilte përpara vetëm Dritëroi dhe jeta me të, shfletoja dorëshkrimet, albume fotografish, libra dhe pyesja veten: Ç’do të bënte Dritëroi po ta lija vetëm?  Ai në moshën e tretë kishte vështirësi në ecje, sidomos kur theu këmbën, prandaj u mbyllëm katër vjet në shtëpi. Por Ai e mbushte ditën dhe natën me punë, e çkurdiste trurin, kur donte të flinte duke zbatuar çdo këshillë mjekësore. Bëhej fëmija më i bindur, ndërsa lapsin dhe letrën nuk i ndau kurrë. Për këtë arsye dhe unë këto muaj kam shkruar, pasi shkarkoj ato që ndjej.

“E dashur Sadije, të dua si jetën time, madje më shumë, unë dëshiroj sinqerisht të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur do të të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mija.”   

Ky eshte nje dedikim I jashtezakonshem per ju ,ne fakt prania juaj ne vepren e Driteroit eshte konstante,jeni ne nje mori poezish fashurie po ky paragraph merr nje kuptim tjeter sot.A kaardhur flutur tek ju gjate ketij viti te veshtire ?

Ky ishte amaneti i Dritëroit qysh në 11 Maj 2014, pothuaj tre vjet para se të vdiste fizikisht, pasi Ai vetë e ka pohuar se do të vazhdojë të jetojë dhe këtë e ndjej çdo ditë dhe çdo natë, unë jetoj me të, pasi më shoqëron vazhdimisht jo me një  flutur, por me gjithë qënien e tij.  Ai ma la këtë amanet, kur më shihte se unë isha e lodhur, depresive, nostalgjike, kur fillova të hedh ndonjë gotë raki, të cilën nuk e kisha dashur asnjëherë. Donte të më gjallëronte, të më jepte kurajo, siç më kishte dhënë gjithnjë në çaste të vështira, që kishim kaluar së bashku.

Duke jetuar me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin Ai e ndjente dhe e kuptonte se do të linte pas një vuajtje dhe dhimbje të madhe, prandaj e shkroi atë letër, që të kisha ku të mbështetesha, ashtu siç shkroi përpara shumë viteve poezinë “Kur të jesh mërzitur shumë”. Ky është një nga tiparet e madhështisë së tij, prandaj Ai ka mbetur për mua dhe familjen si Shën Dritëroi. Ai ishte i ndërgjegjshëm deri sa mbylli sytë, në dashurinë që kishim pasur mbi gjysëm shekulli, por lutej që unë të mos humbja mendjen dhe të vdisja, por të vazhdoja rrugën e tij, që të hapja gjithë ato dosje të stivosura, t’i nxirrja në dritën e botimit, siç po punojmë me fëmijët tani.

Amaneti i Dritëroit m’u kujtua edhe atë 5 shkurt 2017, kur toka u bë shtëpia e tij e re. Ishim të gjithë, jo vetëm unë, si të hutuar dhe nuk e dinim se kush do të mbante fjalën e lamtumirës. Mua m’u kujtua edhe në atë çast biseda me Dritëroin për vdekjen dhe Zylon e famshëm.   “Duhet të kisha shkruar në roman edhe si i shkruan Demka një fjalim vdekjeje Zylos në raste lamtumire a përcjelljeje të ndonjë personaliteti, pasi është rrezik që edhe mua do të më përcjellin pa fjalë lamtumire. Por me që nuk e kam shkruar në roman, duhet ta shkruaj për veten time sa jam gjallë, se ju të gjithë do të hutoheni dhe do të thoni: “Po ky lugat pse vdiq, se ne nuk ishim përgatitur për ta përcjellë.”

Dhe qeshte, megjithatë nuk e shkroi. Ëndërronte të punonte dhe të shkruante vëllimin e dytë të “Shkëlqimit dhe rënies së shokut Zylo”, në shoqërinë kapitaliste. Mendjen dhe frymëzimin e kishte, por gishtërinjtë nuk i bindeshin. Mua më jepte sentenca apo poezi të shkurtëra për t’ia shkruar dhe nuk i shkonte ndërmend që të merrnin ndonjë sekretare për të na ndihmuar.  “Zylo dhe Demka në kapitalizëm do të jenë unikalë dhe ke mundësi të shkruash i lirë, pa autocensurë, por ç’ t’i bësh pleqërisë.” – më thoshte, duke qeshur, me dëshpërim.  Ai, Eni, parashikonte çdo gjë me qartësi, prandaj them me bindje se vetëm njeriu gjenial mund të ishte i tillë.

Dhe atë ditë të 5 shkurtit të 2017-ës, ditën e lamtumirës, kujtova fjalët e Dritëroit për fjalimin e vdekjes, pasi nuk dinim kush do ta mbante, prandaj mora mikrofonin dhe përshëndeta njerëzit që kishin ardhur për ta përcjellë.   Siç duket, Zoti të jep një fuqi mbinjerëzore për të kaluar situatat e vështira, pasi përshëndeta edhe në drekën që shtruam.  Më vonë unë nuk kujtoja asgjë, por pyesja fëmijët, Elonën dhe Artanin, që më kujtonin këto muaj që kalova pa Dritëroin. Ja është ajo flutura që la Ai dhe që më sjell në vete për të kryer detyrat e mia si zonjë shtëpie. Duket në atë flutur është shpirti i Shën Dritëroit, që nuk vdes, por jeton me ne edhe nëpërmjet veprave të shumta që ka lënë.

Dua të kthehem tani shumë vite më parë… si u njohët me Dritëroin…e mbani mend atë moment…

Takimi i parë me Dritëroin ka qenë në një aktivitet letraro-artistik në Fakultetin Histori-Filologji në fundvitin e 1962-së. Këto ishin aktivitetet që na gëzonin ne të rinjtë e asaj kohe, pasi mbylleshin me një mbrëmje vallëzimi. Dritëroi ishte i martuar me gruan ruse Nina dhe kishte një djalë 6-vjeçar Arianin. Kështu, kur vallëzova me Atë, m’u duk një burrë i pjekur dhe jo djalosh. Unë kisha mbushur 21 vjeç. Duke kërcyer tango, më tha: “Unë kërcej vetëm tango dhe vals, pasi fokstrot nuk kërcej dot, se nuk di të hidhem dhe kam frikë mos u shkel këmbët vajzave dhe ma marrin për të keq”.

Çfarë ju pëlqeu tek ai…çfarë ju tërhoqi…

Ishte i çiltër, bënte humor dhe dinte menjëherë të komunikonte me të panjohurit. Ky takim mund të harrohej, po të mos takoheshim përsëri në dasmën e Elena dhe Ismail Kadaresë në vjeshtën e vitit 1964. Dritëroi, në atë kohë, ishte beqar, pasi Nina, ishte larguar së bashku me  djalin Arian. Ndarja kishte ndodhur pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.  Ajo qante vazhdimisht për prindërit e moshuar, që jetonin në Peterburg, qante për vendin e saj, që nuk do t’i shihte më. Jeta u bë e padurueshme, prandaj të dy vendosëm që ajo të kthehej  së bashku djalin në Bashkimin Sovjetik. Sigurisht ka qenë e vështirë ndarja edhe me Ninën, edhe me Arianin, që nuk arrinte të kuptonte asgjë nga arsyet e vërteta të largimit. Por kjo ishte zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë për të dy. Edhe unë nuk pranova të qëndroja në Rusi, pasi më propozuan edhe të punësohesha në gazetën ku kryeva stazhin e gazetarit. Atje e ndjeja veten të huaj. Edhe ajo, megjithëse ishte mësuese e anglishtes në shkollën e mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, e njdente veten gjithnjë të huaj dhe nuk përshtatej në mjedisin shqiptar.

Image

Kështu më tregoi Dritëroi shumë më vonë, kur u martuam, historinë me gruan ruse dhe nuk e kemi përmendur më as unë, as Ai. Këtë kapitull të jetës Ai e kishte mbyllur dhe as unë nuk e ngacmova një plagë të rinisë së tij. Të kthehem tek pyetja juaj për njohjen time me Dritëroin.

Në Elbasan, në dasmën e Elenës ne ishim të ftuara si mikesha të saj, kurse në dasmën e Ismailit në Tiranë si shoqe-krushka. Ishte dasëm shkrimtari, me të ftuar shkrimtarë të moshave të ndryshme, por të pa shoqëruar nga gratë e tyre. Dasma, si të gjitha dasmat, ishte e gëzuar; Elena ishte shoqja e parë e kursit gjuhë-letërsi, që martohej me një poet-shkrimtar. Doli nuse shumë e bukur.  Gjithë shkrimtarët kërcenin me ne vajzat-studente të vitit të katërt të letërsisë.

Dritëroi qëndronte në një tavolinë me gotë rakie përpara dhe herë pas here i dëgjohej zëri i lartë, duke ngritur dolli për çiftin e ri.  Shkrimtari Naum Prifti donte ta shkëpuste Dritëroin nga tavolina dhe vetmia dhe i propozoi ta njihte me një shoqen time, por Ai i kishte thënë: “Dua të njihem me atë shkodranen tjetër, se ka bel të hollë e vithe të kolme.”  Kështu, u shkëput Dritëroi nga tavolina dhe gota e rakisë, kërceu tango dhe vals, duke zhurmuar me zërin e tij të fortë.

Nga mesi i natës, kur u larguam nga dasma, Dritëroi na ftoi në shtëpinë e tij, që e kishte në Bulevardin “Stalin” siç quhej në atë kohë Bulevardi Zogu I, karshi ndërtesës së gazetës “Zëri i Popullit”. Hokatar e duke folur me zë të lartë zgjoi edhe prindërit e moshuar me vizitën e pazakontë të mesnatës. Kishte një dhomë-studio të bukur, me bibliotekë të pasur, me një akuarium me peshq të kuq të vegjël. Dritëroi, siç dukej e kishte të zakonshme këtë sjellje, pasi prindërit e tij nuk u zgjuan të alarmuar, kur hymë ne.

Ditë më vonë filluan takimet tona në pasditet letrare në shtëpitë e Naum Priftit, Fatos Arapit, të piktorit Andon Kuqali, në kafenenë para konviktit të vajzave në rrugën e Elbasanit, në kodrat e qytetit të sapondërtuar Studenti, në kodrat e Liqenit…

A e munduat shumë Dritëroin deri sa i thatë “PO”, apo u dorëzuat lehtë…

Dashuria jonë nuk lindi me shikimin e parë, më shumë u tërhoqëm duke njohur më mirë njëri-tjetrin. Dritëroi ishte i çiltër, i natyrshëm. As njëri, as tjetri nuk u dorëzuam lehtë, sidomos unë, që isha e rrethuar nga paragjykimet. T’i jepja fjalën për martesë një burri, që kishte qenë një herë i martuar, që kishte edhe një fëmijë, nuk ishte e lehtë. Dashuria erdhi duke u forcuar pas shumë takimeve, deri sa përfundova në shtëpinë e tij. Atë natë i dhamë fjalën njëri-tjetrit për martesë.

Ne i ishim rrëfyer njëri-tjetrit për çdo gjë: për rrethin familjar, farefisnor, miqësor… Dritëroi ishte komunist dhe ishte i pari, që hynte në familjen tonë të prekur nga reformat e viteve 1945-47, si ish- tregëtarë. Qysh në moshë  të njomë kam parë babain dhe xhaxhain e madh me pranga në duar, pasi i kishin sekuestruar arka dhe qypa me florinj të tyre dhe të një mikut të tyre, Man Tepelija quhej.

 Çfarë mund të na thoni për momentin, që konsiderohet edhe “magjik” për një çift… si ndodhi… e prisnit atë ditë, atë moment që erdhi edhe propozimi për martesë…

Dritëroi si komunist, mund ta kishte më të vështirë bashkimin me mua, e megjithatë ai nuk i dha rëndësi,  më tregonte dhe Ai historitë e veta familjare. Gjatë kësaj kohe ne iu rrëfyem njëri-tjetrit  më shumë se sa mund të rrëfehej një besimtar tek prifti. Ndofta këto rrëfime, para se t’i jepesha plotësisht, janë sekreti i një dashurie jetëgjatë.

Virgjëria ishte gjëja më e çmuar për një vajzë të ndershme të asaj kohe. Dhe ajo natë ka qenë celebrimi i një dashurie pa dëshmitarë, nën dritën e hënës së vjeshtës. Por më vështirë e pata për ta bindur babain fanatik e besimtar.  Kjo është një histori më vete.

 Në vitet ’60, nuk ishim në botën e internetit dhe teknologjisë, por në kohën kur shkëmbeheshin letra…dhe mes jush dhe Dritëroit shkëmbeheshin shumë të tilla, sidomos para datës së dasmës…mbani mend ndonjë detaj prej tyre…

Dritëroi u detyrua nga dashuria për mua, t’i zbatonte rregullat e asaj kohe, të qëndronte një vit i fejuar. Prandaj dhe patëm një letërkëmbim të gjatë me letra, kur mungonte bota e internetit dhe e teknologjisë  së sotme. Bukuria e këtyre letrave qëndron në faktin se shumica e tyre u ruajtën nga të dy për 52 vjet me radhë, se mund të humbnin, siç kanë humbur shumë gjëra të tjera.

Dritëroi ishte i ndërgjegjshëm si shkrimtar dhe më përsëriste vazhdimisht: “Asgjë e shkruar nuk duhet të humbasë, se ka vlerën e vet.” Dhe tani ky letërkëmbim më ka zgjuar shumë ngjarje, që ishin harruar në sirtaret e kyçura të trurit. Sigurisht, më kanë ngjallur shumë emocione dhe prandaj po vuaj dhe e kam vazhdimisht pranë unë dhe fëmijët. Për këtë arsye nuk mësohemi me vdekjen e tij, na duket se fle dhe do të zgjohet përsëri.

Image

Unë kam pasur privilegjin të jem e dashura, gruaja, mikja e tij gjatë një jete: në rini, në pleqëri dhe deri sa mbylli sytë. Elona ka bërë një punë të madhe me botimet e fundit, pasi plotësohet biografia e Dritëroit, të cilën e ka lënë të shkruar në të gjitha veprat e tij. Sa herë i thosha, që të shkruante autobiografinë e tij, më thoshte: “Është herët akoma. Kam plane të tjera.”

Ndërsa herën e fundit, kur e hapa këtë temë, më tha: “Nuk do ta shkruaj. Biografia ime është e shkruar në veprat që kam punuar një jetë të tërë. Le ta bëjnë biografët, se e gjejnë të plotë me të mirat dhe të këqiat e mia.” Dhe Dritëroi kishte të drejtë: Në qendër të krijimtarisë së tij është njeriu me ngjarjet e veta, është mjedisi i kohës, natyra, familja, shoqëria, historia e vendit  gjatë gjashtë dekadave. Është fat për Dritëroin vetë dhe vendin tonë që Ai e jetoi jetën me intensitet, me parime, me ideale të larta, me moral të pastër, me sinqeritet, natyrshmëri, pa hipokrizi, pa urrejtje…

 Ç’vend ka zënë poeti i madh Dritëro Agolli, si bashkëshort dhe si baba? Ka një ndarje në këtë çështje apo është e vështirë…

Dritëroi ishte baba i dashur, por që nuk e shprehte me fjalë. Ai, nuk mbaj mend asnjë herë, t’i ketë qëlluar fëmijët gjatë gjithë jetës së tij. Shqetësohej për shëndetin e tyre dhe si i pagjumë i kontrollonte gjatë natës, kur unë flija nga lodhja e ditës. Edhe po të kishte ndonjë vërejtje për ata, m’i thoshte mua për t’ia transmetuar. Sa herë fëmijët e pyesnin për problemet që kishin në shkollë, ai nuk përtonte, linte çdo punë dhe jua shpjegonte me hollësi. Nuk bënte dallim mes fëmijëve dhe fjalët e mira dhe të ëmbla nuk ia kursente për t’i lavdëruar.

Ndonjëherë edhe i citonte fjalët e tyre në biseda me mua apo me miqtë. “Këtë më tha Elona, këtë më tha Artani”. Krenohej si çdo baba. Për ne, si familje, Ai ishte burri i shtëpisë, që kishte detyrimet e veta si çdo njeri tjetër i zakonshëm. Kishim kërkesat tona ndaj tij, në mënyrë të natyrshme siç i ka çdo familje, drejtuar një bashkëshorti, babai e gjyshi më vonë. Ai ndihej i lumtur apo i trishtuar kur nuk e dëgjonim. Mos mendoni se Ai nuk nxehej dhe çdo gjë rrëshqiste si në vaj. Ai kur nxehej ishte devollli gjaknxehtë, por falte shpejt dhe nuk e mbante inatin. Unë përpiqesha që të ishin sa më të rralla këto ndodhi, por ka pasur edhe shumë syresh.

A do të ishte për ju, i njëjti Dritëro, nëse nuk do të ishte edhe poeti që njohim ne…

Në fillim, kur u takuam, e njoha si poet dhe gazetar, por më vonë, në jetën familjare, ai ishte burri, babai i fëmijëve, që kishte detyrimet e veta. Nuk mendoja se duhet të ishte i privilegjuar. Ato ishin vlera të tjera, që plotësonin figurën e tij, e pasuronin me tipare të reja, por për ne ishte burri i shtëpisë, shtylla e shtëpisë, shtylla ku mbahej një familje. Talentin dhe prirjet ia kishte dhuruar Zoti dhe natyra. Ai sakrifikonte nga gjumi për të përmbushur pasionin e tij, si çdo krijues.

 A ishte e vështirë për një familje si ju, të jetonit në diktaturë…

Unë linda, u rrita, u formova në atë regjim, në të cilin, që në Kushtetutë ishte shkruar për diktaturën e proletariatit si forcë drejtuese dhe udhëheqëse. U mësuam me atë mënyrë jetese me shtrëngesa, por dhe privilegje si intelektualë. Luftonim për të jetuar me ndershmëri dhe bënim jetë modeste si të gjithë. Mos mendo se ne përmendnim fjalën komunist dhe diktaturë edhe kur bënim dashuri, edhe kur hanim bukë, edhe kur punonim. Bënim jetën e zakonshme të çdo çifti si në realitetin socialist, ashtu edhe në shoqërinë kapitaliste, me hallet dhe gëzimet, që të sjell puna, familja. Kështu, ishim përshtatur dhe luftonim për ta shijuar jetën me ato mundësi që kishim, me ndershmëri dhe pa njollosur emrin tonë me djallëzira, gënjeshtra. As duhet menduar që Dritëroi ishte komunist, anëtar i Partisë së Punës, dhe e ndjente veten të privilegjuar në shoqëri, në punë apo edhe në shtëpi. Kujtoheshim për këtë emërtim vetëm kur kishte ndonjë mbledhje të jashtëzakonshme partie.

Dritëroi ishte gazetar, poet dhe shkrimtar dhe do të ishte i tillë, me talentin që i fali Zoti dhe natyra, në çdo regjim që të jetonte. Në rastin e shkrimtarit vlerësohet talenti, pastaj vjen regjimi. Po të them të drejtën, nuk kam dëshirë të futem në këtë temë, se edhe baskëbisedimi  im do të politizohet, siç bëhet kur diskutojmë edhe për ushqimet që hamë për të jetuar. T’ia lemë historianëve, që janë të shumtë dhe kritikëve për të diskutuar dhe për të shkruar për këto probleme aq të përfolura në të përditshmen tonë. Do të thoshim se edhe Molieri që i mbyllte komeditë me fjalët: “Rroftë mbreti”, ka qenë monarkist që lëvdonte mbretërit dhe do të harronim se ai erdhi me veprën e tij deri në ditët tona. Veprat e tij lexohen e duartrokiten edhe sot në shekullin e 21-të.

Edhe shkrimtarët që kanë krijuar në kohën e socializmit, po të duash themi, në kohën e diktaturës, do t’i vlerësojmë nga veprat. Sigurisht, kjo do të ndodhë pas 30-40 viteve, por tani mund të them se për Dritëroin kishte vlerë vepra që shkruante, siç e ndjente dhe përjetonte. Moto e jetës së tij ishte që mos i bënte keq asnjeriu, përkundrazi t’i ndihmonte me mundësitë që kishte.

Ka nga ata që poetin e shohin edhe si shkrimtar të oborrit, që i shërbeu sistemit. Keni një koment për këtë çështje?

Dritëroi ishte gazetar, poet, shkrimtar, në radhë të parë, pastaj njeri aktiv në politikë. “Po të kishim para syve vetëm parime, parime, ideologji, ideologji nuk do të bënim asgjë”, – më thoshte me të qeshur kur dëgjonte diskutime të zgjatura për këto tema. “Duhet të shohim përpara, të ardhmen, ku do të arrijmë, prandaj jetojmë dhe luftojmë për të triumfuar më e mira pas diskutimeve dhe debateve”. Si armë në krijimtari dhe në jetë, Ai kishte humorin, ironinë, logjikën, diturinë e fituar nga leximet e shumta në çdo fushë të jetës.

Që prej vitit 1975 ka qenë edhe deputet, në Kuvendin Popullor. A mendoni se i ul pikë figurës së poetit të madh, angazhimi i tij politik gjatë kohës së diktaturës…

Kur u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor dhe anëtar i Komitetit Qendror, Ai qeshte dhe më thoshte: “Sapo u zgjodha unë, u hoqën dy privilegje, 1000 lekshi (i vjetër) dhe një latë drush”, që e jepnin në kohën e dimrit plus të tjerëve. “Siç duket, jemi në fazën e kursimeve dhe nuk ia dalin me gjithë këto deputetë dhe anëtarë të KQ të PPSH dhe unë isha tersi, që u bëra shkak edhe për të tjerët. Ose janë keq me planet dhe do të kursejnë më shumë.” Nuk kam koment apo vlerësim për periudhën e socializmit totalitar, le të flasin të tjerët, pasi është temë shumë e gjerë dhe për një bisedë të veçantë

Nga ana e tij, vetë Dritëroi duket se nuk e vlerëson shumë këtë pjesë të karrierës së tij. Ai ka shkruar disa epitafe për veten e tij një ndër të cilat është edhe ky… “Këtu po prehet Dritëroi në gjumë, Nën dhe si mëkatar dhe si poet. Mëkate ndofta nuk do bënte shumë, Sikur mos kishte qenë deputet”

Epitafi që citoni ju, është më përgjithsues. Ai e ka shkruar këtë poezi pas viteve ’90-të, dhe janë deputetë (të zgjedhurit e popullit) të çdo sistemi apo regjimi. Ai ka qenë deputet në dy rregjime: edhe në socializëm, edhe në periudhën e tranzicionit demokratik. Megjithatë, të them me bindjen e një gruaje që ka bashkëjetuar 53 vjet, Dritëroi nuk ka bërë asnjëherë mëkate në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Ai ka lënë pas gjithë atë krijimtari, që ndonjë tjetri me më pak talent dhe cilësi, do t’i duheshin dy dhe ndofta tre jetë.

Këtë përfundim nxjerr tani kur po kaloj me sy, me mendje dhe po shfletoj gjithë veprën e tij, dorëshkrimet, blloqet e shumtë me shënime, mjetet e ndryshme, që mblidhte dhe i sistemonte vetë…

Dritëroi ka qenë një shkrimtar i angazhuar, nuk kanë munguar komentet e tij mbi politikën. A keni pasur ju një rol në formësimin e qëndrimeve të Dritëroit pas viteve 90? Konsultohej ai me ju?

Me Dritëroin kemi diskutuar për çdo problem qysh kur jemi dashuruar, fejuar dhe më vonë martuar. Ai jo vetëm këshillohej, bisedonte me mua, por Ai dëgjonte dhe një fëmijë, një njeri fare të zakonshëm dhe lapsin e letrën s’i ndante kurrë nga vetja. Po të isha skulptore, sigurisht po të kisha aftësinë dhe talentin e skulptores së vërtetë, do ta gdhendja portretin e tij në formën e një libri të madh me një laps. Ky është imazhi që më shoqëron kudo që ndodhen.

Nga bashkëbiseduesi dinte çfarë të merrte dhe ta përdorte kur bënte komentet e tij jo vetëm në politikë, por në çdo fushë tjetër të jetës. Ne kemi ndikuar tek njëri-tjetri, pasi kemi pasur fatin të puqeshim bashkë edhe me punën që kryenim. Shpesh herë edhe shërbimet jashtë Tiranës i organizonim së bashku. Unë  kam punuar si gazetare në gazetën “Mësuesi” dhe në revistën “Skena dhe ekrani” qysh kur u hap dhe deri sa u mbyll pas viteve ’90. Ndofta ky është një nga sekretet e dashurisë sonë jetëgjatë, pasi gjenim mirëkuptim në çdo problem, të lehtë apo të vështirë.

 Mund të na rrëfeni se cili ka qenë momenti juaj më i vështirë përpara viteve ’90 dhe se cili ka qenë momenti më i vështirë pas viteve ’90?

Si në të gjitha familjet, kemi pasur edhe momente të vështira dhe e kam të zorshme të dalloj njërën prej tyre, para dhe pas viteve ’90. Jeta është luftë, përpjekje, andralla të shumta, të cilat në këtë moshën time 75-vjeçare, nuk më duken asgjë, por ndryshe jeta nuk do të kishte bukurinë dhe plotësinë e saj. Këto probleme ishin familjare dhe shoqërore, pasi çdo shqetësim ka efektin zinxhir, ndikojnë tek njëri-tjetri. Përveç problemeve që sjell krijimtaria dhe sidomos veprat me dilema, pikëpyetje, që direkt apo indirekt atakojnë regjimin e kohës; dhe këto nuk ishin të pakta, sidomos në prozë; kishte dhe probleme të tjera kur ashpërsohej lufta e klasave, kur futeshin në burg miq apo shokë, që krijonin tension dhe thyerje të qetësisë të jetës së përditshme. Ndërsa pas viteve ’90, ishte ndodhia në Kongresin e 10-të të PPSH-së, mbas fjalës apo diskutimit të Dritëroit në atë Kongres.

Mbas një nate pa gjumë, duke e daktilografuar këtë fjalim në makinën Olivetti, Dritëroi u ndesh me kundërshtimin e sallës me delegatë të Kongresit. E mbaroi fjalën e tij, duke i thënë: “Siç po shoh, ju nuk do të rinovoheni kurrë dhe kot u lodha duke folur në këtë sallë.” Dhe u ul në radhën e parë, nuk shkoi në vendin që kishte zënë në fillim të mbledhjes. Pas mbledhjes Ai nuk erdhi në shtëpi, pasi e kishte marrë Petro Lalaj me vete në shtëpinë e tij.

Atë ditë u shqetësova shumë, pasi dy policë vërtiteshin përreth Pallatit tonë, ndërsa më vonë më morën në telefon nga Ministria e Brendshme dhe më thanë, që të mos shqetësoheshim, se na kishin marrë në mbrojtje edhe neve, edhe Dritëroin atje ku ishte. Kur  Dritëroi u kthye në shtëpi, i shoqëruar nga punonjës të Ministrisë së Brendshme, e kaloi këtë situatë me humor, duke thënë: “Sa budallenj janë. Nuk kuptojnë asgjë, nuk kuptojnë gjendjen në të cilën ndodhemi, por thërrisnin Parti-Enver. Ishin të egërsuar shumë, por asgjë nuk do të bëjnë. S’kanë më forca, që ta kthejnë mbrapsht këtë lëvizje, që ka filluar.” Kjo ndodhi i përket 12 qershorit 1991.

Pastaj ka ngjarje të shumta, që mbushnin jetën tonë, me krijimtari letrare dhe publicistike, me botime librash, me debate, me takime të ndryshme…

Ju keni qenë komshinj me Kadarenë. Çfarë marrëdhëniesh kishit me Kadarenë dhe familjen e tij? Pse u ftohën marrëdhëniet mes dy shkrimtarëve në vitet ’80?

Me Ismailin dhe Elenën kemi pasur gjithnjë marrëdhënie të mira. Me Elenën isha katër vjet në degën Gjuhë-Letërsi të fakultetit Histori-Filologji. Ishim shoqe, siç janë vajzat studente që ndajnë gjithnjë në mes tyre gëzimet dhe shqetësimet. Kemi shkuar në shtëpinë e saj në Elbasan për Ditën e Verës vazhdimisht. Njiheshim dhe me prindërit e saj, të cilët ishin shumë të dashur.

Edhe dashurinë me Ismailin e morëm vesh dhe krenoheshim që vajza e kursit tonë, ishte e dashura e një poeti të njohur. Ishim vajza dhe djem të gjallë, gazmorë, që shfrytëzonim kohën e lirë duke lexuar e duke bërë jetë artistike. Mos mendoni se ne në atë kohë bisedonim për diktaturën. Me ato mundësi, ne e gëzonim jetën, lexonim shumë, pasi nuk ishte koha e sotme e internetit dhe erës dixhitale. Ishte një jetë më romantike dhe me ëndrra.

Ishim të lira, se jetonim në konvikt dhe secila njihej dhe dashurohej me ndonjë djalë e më vonë, shumica u martuan me ata që donin. Sigurisht, kishte dhe drama ndarjesh, por çdo gjë merrej vesh se ambienti ku zhvilloheshin këto ngjarje, ishte i kufizuar. Me Elenën dhe Ismailin u lidha më ngushtë pas njohjes me Dritëroin, pasi shpeshherë takimet bëheshin edhe në apartamentin e tyre. Kur vonohesha në takimet me Dritëroin, ka pasur raste, sidomos në fillimet, shkoja te shtëpia e tyre për ta kaluar pjesën tjetër të natës në një krevat portativ, që kishin ata në apartament.

Eni, më fute në historinë e rinisë së shkujdesur nga rregullat dhe normat. Ishim naivë dhe të pastër në dashuri, miqësi dhe në shoqëri. Ne e kemi ruajtur dhe forcuar shoqërinë dhe miqësinë në çdo kohë. Me çiftin Kadare nuk mbaj mend të kemi shkëmbyer fjalë me zë të lart, në asnjë rast. Secila familje krijoi miqësitë dhe shoqëritë e veta me kalimin e kohës dhe është normale. Varet nga puna, kërkesat, shijet letrare, nga takimet me miq të rinj, nga interesat e punës dhe krijimtarisë. Dritëroi ishte edhe gazetar, prandaj kemi pasur një rreth të gjerë miqsh dhe shokësh.

Image

 

Ne u lidhëm shumë me çiftin e kinoregjisorëve të shquar, Xhanfise dhe Endri Keko, me familjen e Rita dhe Niko Nikollës, me çiftin Gjenovefa Heba dhe Nikolla Zoraqi, me çiftet e Vangjush Gambetës dhe Vangjush Zallëmit, me Gjenovefa dhe Arqile Aleksit, me Sotir dhe Violeta Papulin (Çotin e quajtur ndër miq), dhe sa të tjerë, më shumë apo më pak të njohur në të gjithë Shqipërinë. Ti Eni thua se ishit komshinj me Kadaretë dhe çfarë marrëdhëniesh kemi pasur? Shumë të mira, jo vetëm kur ishim komshinj në pallatin e Rrugës së Dibrës, por edhe kur ishim të ndarë nga shtëpitë. Nuk ishin këto vizita te njëri-tjetri vetëm me raste festash a ditëlindjesh, pra, zyrtare, por edhe me rast e pa rast. Uleshim ne në apartamentin e Elenës dhe Ismailit një kat më poshtë dhe ngjiteshin ata te ne, pa lajmërime ditësh apo orësh. Ftohja pas viteve ’80 nuk është e vërtetë. Kemi pasur gjithnjë miqësi dhe shoqëri të mirë.

Po tregoj dhe ngjarjen e “arratisjes” së Ismailit pas viteve ’90. Ai, atë natë, u ngjit lart në apartamentin tonë, si zakonisht me Elenën dhe i tha Dritëroit: “Do të shkoj në Francë, se kam një takim për librat që më janë botuar atje. Nuk e di a e ke të lirë makinën dhe shoferin Spiro për të më përcjellë deri në Rinas? Këtë herë kam disa valixhe dhe makina ime nuk i zë, prandaj më duhen dy makina.” Dritëroi iu përgjigj: ” Po, patjetër do të vijë Spiroja.” Biseduan për librat që i ishin botuar në Francë dhe të nesërmen, ai iku dhe u shpërnda lajmi për arratisjen e Kadaresë. Ai, derisa nuk kishte makinë, merrte shoferin me makinën e Dritëroit si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, sa herë shkonte me shërbim në rrethe apo kishte ndonjë problem tjetër e neve na dukej normale ta kërkonte për një rast të tillë.

Artani, djali ynë, kur kishte parë Elenën dhe Ismailin poshtë, para nisjes në Rinas me dy makina të mbushura me valixhe, i tha Dritëroit: “Babi, Ismaili nuk do të kthehet nga Franca, do të ikë.” “Jo, mor, nuk ikën Ismaili”, iu përgjigj Dritëroi. Por, të nesërmen e asaj dite u përhap lajmi se Ismaili kishte kërkuar strehim politik në Francë. Zhurmoi shtypi duke e etiketuar me lloj-lloj epitetesh. I kërkuan edhe Dritëroit të prononcohej në gazetën “Zëri i Popullit” dhe në mbledhjen e organizuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku ishte kryetar i saj. Ai nuk e quajti as tradhtar, as i pabesë, as si ishi privilegjuar që tradhtoi interesat e vendit, por tha: “Ismaili u largua nga vendi i dëshpëruar, ngaqë reformat për ndryshim po vonohen”.

Prandaj, pyetja juaj pse u ftohën marrëdhëniet është e pabazë; mund të them se edhe në periudhat më të nxehta politike, ato kanë qenë korrekte dhe normale, me zigzaget e tyre si krijues, si shkrimtarë, si miq. Secili ka pasur miqësitë dhe shoqëritë e veta, por e respektonin njëri-tjetrin. Dritëroi ka qenë gazetar, më vonë, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ka krijuar duke shfrytëzuar kohën e lirë, pa marrë muaj pushimi me lejë krijuese. U jepte lejë krijuese shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë, si dhe profesione të lira.

Elona ka publikuar në fb “Kështu dhe ashtu”, poezia e fundit e Dritëroit. Cili ka qenë mesazhi i kësaj poezie? Është thjesht një qëndrim që Dritëroi mbajti për veprën e tij? Apo edhe një kritikë e tërthortë për ata që kërkuan t’i veshin vetes statusin e “rebelit” gjatë viteve të diktaturës?

Poezia e fundit “Kështu dhe ashtu” është pyetja, dilema e çdo krijuesi deri sa mbyll sytë. Është qëndrimi që mbajti jo vetëm ai ndaj veprës së tij, por të të gjithëve. Çdo krijues i vërtetë dyshon te vlerat e vërteta dhe kjo i nxit të shkruajnë, të kompozojnë, të pikturojnë apo të skalitin një gur a një shkëmb. Është dilema e çdo njeriu që mendon. Kur hesht dhe nuk dyshon më, zëre se ke mbaruar. Ndërsa, për rebelin në diktaturë, njeriu, aq më shumë krijuesi, është rebel në çdo sistem e regjim, pasi kërkon vazhdimisht ndryshim.

Ju i jeni përkushtuar Dritëroit dhe familjes suaj dhe ky ka qenë një impenjim me kohë të plotë, a do të kishit dashur një karrierë të suksesshme si gazetare apo shkrimtare? Keni ndonjë ambicie personale, që nuk e keni plotësuar deri tani?

Jam njohur me Dritëroin kur isha 21 vjeçe. Sigurisht, deri në atë moshë kisha edhe unë ëndrrat e mia. Bëja hartime të bukura, tregime, lexoja shumë dhe ëndërroja të shkruaja një novelë, dramë – dashurie, madje e kisha filluar duke marrë personazhe realë të jetës së përditshme, por ajo mbeti pa u përfunduar. Ngaqë lexoja veprat e klasikëve, ndieja dobësinë time dhe prandaj i lashë si ëndrra në sirtarë. Ju kushtova Dritëroit dhe familjes me kohë të plotë. Nuk kam pasur ambicie, se e kuptoja që duhet të sakrifikoja dhe kohën t’ia kushtoja Dritëroit. Si gazetare, gjeja kënaqësinë e punës dhe kaq ishte.

Ju keni një letërkëmbim të gjatë me Dritëroin, a i keni shkruar ndonjë poezi? Nëse po, mund të na e përmendni?

Kemi pasur një letërkëmbim të shpeshtë, dy-tre letra në javë. Qysh në fillim u mësuam t’i rrëfeheshim njëri-tjetrit dhe ky rrëfim vazhdoi gjatë një viti fejesë, duke hyrë deri në imtësitë më të vogla të jetës. E thashë edhe në fillim të bashkëbisedimit: ky është sekreti i një dashurie jetëgjatë, që nuk iu mërzitëm njëri-tjetrit, por, përkundrazi, e kërkonim kudo ku ndodheshim. Unë nuk kam shkruar kurrë poezi. Poezinë e mirë e lexoja sa herë doja të qetësohesha, kur doja të shkruaja a të hidhja në letër diçka, kur shkruaja artikuj, e lexoja poezinë në gjendje të gëzuar apo depresive. Poezia e vërtetë, flas, është dhunti e njerëzve të veçantë, që u bëhet mënyrë jetese, siç i ishte bërë dhe Dritëroit.

Përpara se të largohej nga jeta, meraku i Dritëro Agollit ishte fati i dorëshkrimeve të tij, atyre dorëshkrimeve që nuk janë botuar. Çfarë përmbajnë ato…?

Kur Dritëroi mbylli sytë, të gjithë në familje ishim si në jerm. Elona ishte si e çakërdisur, shumë impulsive dhe në atë gjendje hynte e dilte në dhomën e gjumit, hapte kapakët e bibliotekës, ku Dritëroi dhe unë kishim vënë dosjet e shumta, të radhitura njëra mbi tjetrën. Unë nuk mbaja mend asgjë dhe u deshën muaj për të kujtuar. Isha bërë si trung, që më merrnin për krahu dhe më drejtonin nëpër ceremonitë që u bënë për Dritëroin. Nuk kujtoja asgjë, dhe aq më tepër të merresha me dosjet. Kishte vite që i kishim stivosur, ndërsa fëmijët kishin pasur gjithnjë kureshtje për dorëshkrimet.

Elona dhe Artani, nga kureshtja, i merrnin fshehurazi Dritëroit, i lexonin letërkëmbimet dhe poezitë, dorëshkrimet në prozë dhe po fshehurazi i sistemonin, siç i kishim vendosur ne. Elona, për të na sjellë në realitetin e ri edhe mua, edhe Artanin, na i dha dorëshkrimet e aforizmave, letërkëmbimit si dhe përmbledhjen me poezi lirike për t’i lexuar, se do t’i botonte në shtëpinë botuese “Dritëro”, të cilën e ka mbajtur të hapur vetëm për veprat e Dritëroit. Unë pata aq logjikë sa t’i thosha, pasi i pashë: “Duhet t’ia jap një specialisti gjakftohtë, pasi Dritëroi nuk i ka lënë kot stivë dhe nuk i ka botuar.” Ne nuk kishim biseduar për fatin e dorëshkrimeve. Dritëroi, nuk e di përse, nuk fliste për ato, i largohej gjithnjë vdekjes dhe më thoshte: “Ka kohë”. Tani, duke e gjykuar, kujtoj se vuante fatin e dorëshkrimeve.

Në përgjithësi, kishte shpirtin e dyshimit, madje edhe tek unë, që kisha një jetë me të. Krijimtaria ishte personale, kishte punuar gjithnjë në vetmi dhe i heshtur, sidomos në prozë. Me poezinë ishte më i hapur, e lexonte dhe vetë me zë të lartë, kur ishte në humor e ndiente tingëllimin dhe thoshte: “Këtu jam në terrenin tim, e kuptoj kur e kam qullosur ose nuk kam bërë gjë.” E shijonte recitimin dhe recitonte bukur. Siç duket, i kishte përvetësuar këto shprehi nga shkolla dhe poetët rusë gjatë kohës së studimeve. Ai ka lënë në dorëshkrim, të pambaruar, romanin “Vrasja e kukuvajkës” me temë dashurie. Ngjarjet vendosen në një zonë të Shqipërisë së veriut, në një kantier sharrëtarësh. Shkroi 80 faqe dhe pastaj e la.

“Do ta shkruaj më vonë. Është temë e vështirë për ta pranuar në botim. Këtë ngjarje e kam dëgjuar në Mirditë”, më thoshte kur unë e ngacmoja për të punuar me romanin e lënë përgjysmë, që në vitet e socializmit. Këto janë vështirësitë që ndienim në diktaturë. Sidomos, shkrimtarët dhe artistët e provonin më shumë dhe bënin lëshime ose e linin veprën përgjysmë. Këtu mund të sjell si shembull dhe tregimet në librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, libër që përmendet edhe në dosjen e letërkëmbimeve. U detyrua të botonte edhe dy reportazhe, që të botohej libri. Historia e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është më dramatike. Ai u botua pjesë-pjesë në revistën “Hosteni” ku kryeredaktor ishte miku i tij, Niko Nikolla. Dritëroi, kur botonte Zylon, ishte nën presionin e redaksisë, që i kërkonte çdo javë vazhdimin, por edhe të frymëzimit të tij për ta mbaruar. Sigurisht, ai punoi shumë me këtë roman derisa e dorëzoi të plotë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”.

Libri u prit mirë, por edhe me shumë vërejtje nga aparati i Komitetit Qendror të Partisë. Dritëroi bënte humor dhe thoshte: “Kur më kritikojnë mua që jam anëtar i Komitetit Qendror, mendo për të tjerët. Por veprat e mira gjithnjë kritikohen. Aty matet dhe vlera e tyre. Kështu ka ndodhur në çdo kohë dhe në çdo vend. Më keq është kur vepra kalon në heshtje, atëherë duhet vënë një pikëpyetje e madhe për vlerat e saj. Ja unë, kam kritikuar veprën e Ismailit “Pallati i ëndrrave”, por ai roman është më i miri që ka shkruar Ismaili. Dhe këtë e bëra, se më detyroi Ramiz Alija. Ndërsa, temën për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ia dhashë unë, pasi ia tregova si ngjarje, që e dëgjova në një fshat. I shkonte më shumë stilit të Ismailit kjo temë, sesa mua, pasi kam mënyrë tjetër të të shkruarit.”

Ka shumë ngjarje të tilla, që kanë mbushur jetën tonë të gjatë, por për ta mbyllur, po tregoj edhe një ngjarje të viteve të fundit. Limoz Dizdari ishte kryetar i Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe një ditë na mori në telefon: “Kam një lajm të mirë për Dritëroin. Nga komisioni i çmimit “Nobel” na kërkojnë një propozim për çmimin e këtij viti, përveç atij të Ismailit, dhe unë mendova të dërgojmë edhe emrin e Dritëroit”, më tha Limozi në telefon. Nuk besoj të pranojë Dritëroi, megjithatë të ta thotë vetë ai. iu përgjigja. Dhe, ashtu vërtet, Dritëroi i tha: “Derisa është propozuar për kaq vite emri i Ismailit, nuk ka pse t’i jepet Komisionit emër tjetër, prandaj dhe unë nuk pranoj propozimin tënd Limoz.”

Po punoni që të botohen?

Dorëshkrimet janë të ndryshme. Ato kanë vlerë botimi ose vlerë arkivore, prandaj mendojmë me fëmijët, në një të ardhme t’i dorëzojmë në Arkivin e Shtetit, në këndin që do të jetë për Dritëroin, si për çdo personalitet tjetër të historisë së Shqipërisë Eni, të falënderoj për bashkëbisedimin, megjithëse ka qenë shumë e vështirë për mua të përqendrohem dhe t’u përgjigjem pyetjeve të tua.

Të vlerësoj si gazetare e zonja, që ke njohuri për Dritëroin si shkrimtar dhe si njeri, por ende unë nuk jam në gjendje të mirë dhe fizike mendore, t’i përgjigjem interesit tuaj të gjerë. Ky bashkëbisedim ishte një nxitje për t’u shkarkuar nga disa kujtime të vogla nga jeta jonë e gjatë. Sigurisht, ne me fëmijët, por më vonë dhe nipërit dhe mbesat do të punojnë për të botuar dhe ribotuar veprat që ka lënë ai, me një korpus të gjerë të krijimtarisë, por edhe në fusha të tjera të punës së shumanshme të tij.

(Kosova Sot)

 

 

3 orë e 50 minuta më parë
21/05/18