“Mora djalin në krahë, u thashë do bëhemi dëshmorë”, ish-themeluesi i PD tregon historinë e protestës - Dossier - Kosova Sot
“Mora djalin në krahë, u thashë do bëhemi dëshmorë”, ish-themeluesi i PD tregon historinë e protestës

“Mora djalin në krahë, u thashë do bëhemi dëshmorë”, ish-themeluesi i PD tregon historinë e protestës

Themeluesi i Partisë Demokratike, Neritan Ceka, ka rrëfyer historinë e 21 shkurtit 1991, ku një turmë e madhe njerëzish kërkoi të hynte me forcë në zonën e ish-Bllokut.

Sipas Cekës, ndërkohë që njerëzit ishin në qendër të Tiranës, u hap lajmi se Nexhmie Hoxha kishte bërë një grusht shteti.

“Më duket sikur ajo ngjarje ka ndodhur dje. Ka njerëz që thonë më mirë t’i kisha lejuar njerëzit të shkonin drejt Bllokut. Më 21 shkurt e gjithë Shqipëria kishte ardhur në Tiranë pas rrëzimit të bustit. Patën disa të shtëna nga Blloku dhe siç ndodhte në atë komunikim vesh më vesh ishte më i shpejtë se media dhe u përhap lajmi se kishte ndodhur një grusht shteti. Sipas asaj që u tha ishte se pushtetin e kishte marrë Nexhmije Hoxha dhe Sulo Gradeci. Ky ishte motivi që njerëzit shkuan, jo për të sulmuar Bllokun, por për të kërkuar që të mos vendosej diktatura”, rrëfen Ceka për Report TV. Historiani i njohur ka rrëfyer edhe momentin kur nxori djalin e tij për t’i treguar turmës se nuk kishte një grusht shteti.

“Ka pasur edhe njerëz të tjerë që kërkuan të frenonin turmën. Nuk kam qenë unë i vetmi. Kur ishte formuar kordoni i Policisë dhe kishte dalë garda nga garnizonet, nga PD kishin ardhur disa persona si: Agron Çika, Bashkim Sala, Pëllumb Karameta, gjeta edhe disa intelektualë si Edmond Budina, të cilët po mundoheshin të ndalonin popullin. Unë pata refleksin të kërkoj një megafon nga Policia. Pyeta Policinë, në atë kohë komandant ka qenë Sejdo Brahimaj, që më dha informacionin që nuk ka ndodhur asgjë. Kishte pasur një kalim të një motoçiklete, që kërkonte të kalonte në Bllok dhe rojet kishin shtirë në ajër dhe nga alarmi që ishte dhënë në Bllok kishte dalë Garda. I thashë: Më thua të vërtetën? Sepse unë do të shkoj t’i them popullit të tërhiqet, pra që nuk ka grusht shteti dhe nuk e ka marrë pushtetin Nexhmije Hoxha. Më tha “Absolutisht jo, Nexhmije Hoxha ka shkuar në Dajt”. I kishte shpërngulur një natë më parë Ramiz Alia të gjithë familjet e Bllokut. Mora megafonin, hipa në makinën e PD, i bëra thirrje popullit, por asnjë nuk tërhiqej. Në atë kohë u shfaq gruaja ime me djalin, i cili po kthehej nga kopshti. Kërkova djalin dhe i thashë popullit: Ky është djali im. Po shkoj unë i pari dhe keni për të parë që do të qëllojnë dhe le të jem unë dhe djali im dëshmorët e parë të demokracisë. Atëherë e gjithë turma thirri “kthehemi, kthehemi”, ka sqaruar Ceka.

“ÇFARE MESAZHI ME DHA BERISHA”

Ceka ka rrëfyer takimin me strukturat e qeverisë së kohës. “Situata ishte shumë e rrezikshme. Nga PD-ja shkova unë dhe Agron Çika. Kemi shkuar në Shkollën e Bashkuar. Kemi hyrë në folenë e grerëzave. 1000 njerëz të armatosur. Ata filluan të shtinin kundër popullit. Berisha më kishte thënë: Neritan, të shkosh dhe të thuash që ky është një grusht shteti dhe do të përfundojnë në gjyq ushtarak. Unë ia thashë këtë, ky ishte një guxim i madh në atë kohë”, rrëfen Ceka.

(Kosova Sot)

19 orë e 46 minuta më parë
20/06/18