Duhet të kthejnë paratë mbrapsht, nisin gjyqet për mijëra ushtarakë

  • 21 April 2018 - 10:31
Duhet të kthejnë paratë mbrapsht, nisin gjyqet për mijëra ushtarakë

Voltiza Duro – Kanë nisur gjyqet e para ndaj mijëra ushtarakëve në lirim, të cilët detyrohen t’i kthejnë mbrapsht shtetit paratë e fituara nga vendimet e formës së prerë të marra kohë më parë. Nëpërmjet një vendimi unifikues, Gjykata e Lartë synon të rrëzojë vendimet që kanë shpallur fitues të proceseve gjyqësore ushtarakët e si pasojë këta të fundit duhet të dorëzojnë 2-37 milionë lekë të vjetra.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, Thoma Konduri tregon se Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nisur të thërrasë nëpër seanca ushtarakët, e sipas tij, ky është një sulm që qeveria po bën ndaj kësaj kategorie. Më tej, Konduri shton se kërkojnë që të zbutet diferenca e pensionit që merr një i liruar para 2014-ës me ushtarakët e liruar pas 2015-ës.

Disa kohë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e ushtarakëve në lirim për shfuqizimin e vendimit unifikues të Kolegjeve të Gjykatës së Lartë. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë vendim?
Në esencë Gjykata Kushtetuese ka mbështetur Gjykatën e Lartë, me argumentin se ankimimi që bëmë ne si shoqatë (në bashkëpunim me shoqatën e Policisë dhe Aleancën Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë) u rrëzua. E kjo jo për faktet që ne rreshtonim si shkelje të Gjykatës së Lartë, por për anën procedurale, pasi ne nuk kaluam nga rruga që kërkon Gjykata e Lartë për të arritur te Kushtetuesja. Ky ishte argumenti i tyre që rrëzoi kërkesën tonë. Dhe ky vendim është në dëm të ushtarakëve dhe në mbështetje të shkeljeve të rënda që ka bërë Gjykata e Lartë. E vetmja zgjidhje është që ushtarakët të vazhdojnë gjyqet edhe jashtë Shqipërisë, në rast se qeveria nuk merr masa të tjera.

Pse po e kundërshtojnë kaq fort ushtarakët këtë vendim?
Në bazë të vendimit unifikues ushtarakët detyrohen të kthejnë mbrapsht paratë. Janë mbi 1 mijë ushtarakë që kanë fituar gjyqet me vendime të formës së prerë në favor të kësaj kategorie dhe gjykatat administrative kanë hapur procese gjyqësore. Me daljen e vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, si pjesë e qeverisë, është hedhur në sulm kundër ushtarakëve që kanë fituar të drejtat, kanë fituar paratë e mund edhe t’i kenë harxhuar. Tani rithirren në gjyq për të dorëzuar paratë që kanë marrë me të drejtë.

A kanë filluar gjyqet për rikthimin e parave nga ana e ushtarakëve?
Gjykatat e Apelit, deri më tani kanë zhvilluar shumë seanca me kolegët tanë e argumenti i kësaj gjykate është: Unë kam një vendim unifikues dhe do e zbatoj atë. Kështu nuk merren fare parasysh vendimet e formës së prerë të marra më parë, duke shkelur në mënyrë flagrante praktikën juridike të zhvilluar deri më sot. Një gjykatë nuk mund të hedhë poshtë vendimet e një gjykate tjetër pa argumentim. Ushtarakët janë rithirrur nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore e tani janë nëpër gjyqe. Qeveria është në sulm kundër ushtarakëve që kanë marrë paratë.

Sa është masa e parave që duhet të kthejë mbrapsht kjo kategori?
Bëhet fjalë që ushtarakët të kthejnë mbrapsht shuma që variojnë nga 2 deri në 37 milionë, pasi të tilla janë dhe shkeljet e ISSH-së që kanë bërë para me ushtarakët. Këta të fundit i kanë marrë paratë me të drejtë me vendim gjykate, jo nga arka e shtetit. Ushtarakët tashmë nuk dinë më si t’i kthejnë këto para, edhe të vdesin do të vazhdojnë të ngelen debitorë. Ky është absurditet, e sot, po prevalon vendimi i Gjykatës së Lartë edhe mbi vetë ligjin, pavarësisht se nuk ka asnjë justifikim. Edhe pse vendimi unifikues ka dalë në tetor të 2016-ës, gjykatat po kundërshtojnë edhe vendimet e formës së prerë që janë marrë para këtij viti.

Sipas jush, si mund t’i jepet zgjidhje kësaj situate?
Së pari, qeveria duhet të detyrojë Institutin e Sigurimeve Shoqërore që të ndalë ankimet në gjykata për këto vendime që lidhen me ushtarakët dhe të anulojë proceset gjyqësore që janë hapur deri më tani. Kjo është zgjidhja më e drejtë. Një mënyrë tjetër është që gjykatat t’i “thërrasë” logjikës juridike dhe të mos prevalojë vendimi i Gjykatës së Lartë mbi ligjin. Ka pasur raste kur kjo Gjykatë e Lartë ka marrë vendime pro ushtarakëve më parë, e sot del kundër vendimeve të saj, pra po kundërshton vetveten. Një zgjidhje e tretë është që ushtarakët të vazhdojnë gjyqet në Strasburg e për këtë nuk kanë ndonjë shpenzim, përveç tarifave postare 5 apo 7 mijë lekë të vjetra. Ne si shoqatë jemi të gatshëm të ndihmojmë me këshilla juridike dhe praktikat e deritanishme në lidhje me dokumentacionin që iu duhet kolegëve për t’u ankuar në Strasburg.

Cilat janë pakënaqësitë e ushtarakëve lidhur me pensionet?
Deri në dhjetor të 2014-ës ligji vendoste një tavan për pensionet, në bazë të së cilit një ushtarak i liruar nuk mund të merrte më shumë se dy pensione bazë. Një pension bazë është 12500 lekë të reja; edhe pse pensioni sipas llogaritjeve mund të shkonte më tepër, nuk kishe të drejtë të shpërbleheshe më shumë se 25000 lekë të reja. Ndërkohë, për të gjithë të liruarit pas janarit të vitit 2015-të, ky ligj nuk zbatohej më. Ne kërkojmë që të zbutet diferenca e pensionit që merr një i liruar para 2014-ës me ushtarakët e liruar pas 2015-ës. Gjithashtu, kërkojmë shfuqizimin total të aktit normative numër 5 që konsiston në uljen e vlerës së pensioneve, nga 1800 lekë në vetëm 12000 lekë të reja. Kjo mund të rregullohet vetëm nëpërmjet indeksimit të diferencuar. Bëhet fjalë për diferenca para dhe pas 2015-ës, që variojnë me 60, 70 e deri në 150 mijë lekë të vjetra, diferencë mes masave të pensionit.

A keni kërkuar një zgjidhje në lidhje me këtë problem?
Ne e kemi kërkuar zbutjen e diferencës në shumë instanca e ISSH-ja na ka thënë që nuk mund të realizohet, pra diferenca do të hapet e ata janë të përgjegjshëm për këtë gjë që duan t’i bëjnë shtresave të ndryshme.

Sa zbatohet statusi i ushtarakut në vendin tonë?
Ne jemi lodhur duke folur për zbatimin e statusit të ushtarakut, por mesa duket qeveria dhe institucionet përkatëse nuk duan të zbatohet statusi. Kjo për faktin sepse statusi ka mbi 18 nene që iu japin të drejta apo detyra, ushtarakëve që kanë ndërprerë karrierën, e në këto vite nuk ka asnjë VKM apo udhëzim që të hapi rrugën e zbatimit të neneve përkatëse. Vetëm për nenin 35 janë bërë 7 ligje që kanë kundërshtuar njëri-tjetrin dhe 4 vendime të Gjykatës Kushtetuese si dhe një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë. Si mund të zbatohen kur qeveria nuk nxjerr vendim për këto nene e kur ministria nuk nxjerr udhëzime, e për këtë nuk po mban asnjë përgjegjësi as administrative, as morale, dhe as ligjore. Nuk zbatohen ligjet, sëmundje që ka filluar që në 1991-in.