“Estetika” e Alfred Uçit është kopjuar nga sovjetikët”

  • 01 June 2018 - 09:28
“Estetika” e Alfred Uçit është kopjuar nga sovjetikët”

Dashnor Kaloçi – Edhe pse Shtëpia Botuese “8 Nëntori” ishte e destinuar kryesisht për librin politik, gjë e cila nënkuptonte se censura ndaj autorëve që dërgonin aty librat për botim ishte në shkallën më të \=lartë dhe gjithashtu edhe autocensura nga vetë autorët ishte po në këtë shkallë, përsëri vigjilenca e organeve kompetente aty ishte në maksimum. Madje, edhe ndaj autorëve që gëzonin një emër të madh jo vetëm në fushat përkatëse nga ata vinin, por që gjithashtu kishin një mbështetje të madhe dhe në nomeklaturën e lartë të regjimit komunist të asaj kohe. Si psh., prof. dr. Alfred Uçi, (nipi i Petro Nini Luarasit) akademik dhe estet i njohur, ish-partizan që në moshën 14-vjeçare, i diplomuar për Estetikë dhe Filozofi në vitet ’50-të në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, pedagog i Estetikës dhe Filozofisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës që nga krijimi, anëtar i Akademisë së Shkencave që nga themelimi i saj, drejtor i Institutit të Kulturës Popullore e deri në funksionin e kryetarit të Komitetit të Shkencës dhe Kulturës në fundin e viteve ’80-të. (Si rrallë ndonjë personalitet tjetër i kulturës shqiptare dhe me funksione të larta drejtuese gjatë periudhës së regjimit komunist, duhet thënë se akademiku Uçi ka gëzuar një reputacion të madh edhe pas vitit 1990-të, madje ai është vlerësuar dhe dekoruar edhe nga Presidenti Nishani me dekoratën e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”). Edhe pse gëzonte një reputacion të madh në qarqet akademike e kulturore, akademiku Uçi nuk kishte mundur që t’i shpëtonte “filtrit” që ndërmerrte Drejtoria e Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, e cila merrej kryesisht me botimin e librit politik. Madje jo vetëm kaq, por edhe ta akuzonte atë se librin e tij “Estetika, jeta arti”, e kishte kopjuar apo përshtatur nga literatura dhe librat sovjetikë. Por ajo që vihet re në dokumentin në fjalë, është fakti se Ramiz Alia nuk ka vënë asnjë shënim në dokument, gjë e cila rrallë ndodhte, për të mos thënë se në rastin konkret, ku bëhet fjalë për një problem plagjiature, kemi të bëjmë me një përjashtim. Ndoshta kjo gjë ka ndikuar që libri i prof. Uçit, “Estetika, jeta, arti” ta ketë kaluar barrierën e Drejtorisë së Shtëpisë Botuese “8 Nëntori” dhe të dilte nga botimi, ndryshe nga disa autorë të tjerë që citohen në këtë dokument, ku librat e tyre janë pezulluar dhe nuk kanë dalë nga botimi. Bashkë me akademikun e njohur Uçi, në raport-informacionin e drejtorit të Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, Kristo Sharra, dërguar sektorit të Shtypit dhe Propagandës së Komitetit Qendror të PPSH-së, (që mbulohej personalisht nga Ramiz Alia), janë akuzuar për plagjiaturë edhe disa autorë të tjerë, si Thimi Çollaku, Osman Allkja, Petrit Mezezi, Vangjel Zigori, Dhamo Bezhani e Ali Zotërija. Për më shumë rreth kësaj na njeh dokumenti në fjalë, të cilin ashtu si pjesa më e madhe e dokumenteve të botuar në këtë libër, po e publikojmë të plotë.


INFORMACION
Në prizmin e fjalimeve të shokut Enver Hoxha, mbajtur kohët e fundit në Byronë Politike të K.Q. të PPSH-së, drejtoria dhe organizata bazë e Partisë e Shtëpisë Botuese “8 Nëntori” ka ngritur një komision të posaçëm, i cili prej disa ditësh merret me studimin e disa librave me karakter politik, kulturor, tekniko-shkencor dhe të profileve të tjera. Ky studim, i cili ka për qëllim që të përcaktojë masën e origjinalitetit dhe përmbajtjen politiko-ideologjike të këtyre librave, bëhet nga shokët e redaksisë dhe nga bashkëpunëtorë të jashtëm. Nga të dhënat e pjesshme që kemi deri më tani rezulton se:
1.Për librin “Afrika” të autorit Petrit Mëzezi
(Punonjës i Ministrisë së Jashtme) që është gati për qarkullim, ka mendime nga shokët e drejtorisë së shtypit të kësaj ministrie se është kopjuar nga një libër rusisht, botim i vitit 1972. Autori ka futur disa mendime të vetat tek-tuk, por ato nuk janë të plota e të thella. Ky libër përveç që shumica është i kopjuar, del se ka edhe interpretime të gabuara nga ana politike. Republika Popullor Arabe e Egjiptit, p.sh. përshkruhet mjaft gjatë, në mënyrë të ngrohtë miqësore. Dalin në pah përparimet e mëdha që janë bërë në të gjitha fushat (nënkuptohet me ndihmën e B.S.). E meta e tij qëndron se nuk del me forcë qëndrimi hipokrit i revizionistëve sovjetikë ndaj popujve të RA të Egjiptit për këto lloj ndihmash. Në shtypin tonë ka pasur artikuj të shumtë që sqarojnë këtë problem si dhe qëndrimin e qeverisë së RP të Shqipërisë ndaj kësaj çështjeje.


Mënyra se si është përshkruar RA e Egjiptit stonon me atë të Algjerisë. Algjeria përshkruhet shkurt dhe më tepër dalin në dukje të metat dhe prapambetja e këtij vendi. E përshkruar në këtë mënyrë lexuesi krijon përshtypjen sikur ka njëfarë kundërvënie midis këtyre dy vendeve, gjë të cilën e inkurajojnë revizionistët sovjetik. Këtu bëhet fjalë edhe për sektorin e “vetadministrimit” (tipik jugosllav), gjë e cila na duket ndërhyrje në punët e tyre politik-ekonomike. Gjendja ekonomike, kulturale, shëndetësore që paraqitet për Algjerinë nuk i përgjigjet realitetit të sotëm.
Në këtë libër flitet dhe për Kongon. Njëri shtet quhet Kongo Brazdvil, tjetri quhet Kongo Kinshasa (Leopodvil). Në të vërtetë zyrtarisht këto shtete quhen: R.D. e Kongos dhe Republika e Zajres. Duket që është e vjetruar. Guenea (Bisao) ka fituar pavarësinë. Në libër nuk del kjo gjë. Situata politike në Etiopi ka ndryshuar e po ndryshon vazhdimisht dhe sigurisht kjo nuk përkon me librin. Jemi të mendimit që libri “Afrika” ta çojmë në Ministrinë e Jashtme për ta parë më thellë. Këtë libër tani për tani e kemi pezulluar për të mos dalë në qarkullim. Pas konkluzioneve përfundimtare që do të na vinë nga shokët e Ministrisë së Jashtme do të vendosim nëse do ta nxjerrim apo jo në shitje.
2. Autori Thimi Çollaku (punonjës në Radio Tirana), vitet e fundit ka shkruar tre libra për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Libri me titull “Mbretërit e pakurorzuar të Amerikës”, është botuar në vitin 1968. Libri me titull “Shoqëria e sëmurë” në vitin 1970 dhe libri “E vërteta mbi demokracinë e dollarit” është botuar ën vitin 1973.
Nga shqyrtimi që po i bëhet, del se të tre këta libra kanë të njëjtën tematikë e fakte të njëllojta. Nga këto del se: Autori pjesën dërmuese të materialit e ka të kopjuar nga libra dhe broshura e artikuj sovjetik. Për librin e parë “Mbretërit e pakurorzuar të Amerikës”, jo vetëm materiali, por edhe titulli është marrë fjalë për fjalë nga një libër sovjetik, botim i vitit 1968. Po kështu, edhe materiali i dy librave të tjerë është marrë nga materialet sovjetike.
Ky autor ka shkuar dhe më tej: në të dy librat e mëvonshëm “Shoqëria e sëmurë” dhe “E vërteta mbi demokracinë e dollarit”, ka rikopjuar mjaft artikuj të librit “Mbretërit e pakurorzuar të Amerikës”. Me një fjalë janë botuar tre libra, ku pjesa më e madhe e fakteve janë të njëllojta. Vetë fakti që në fund të librave nuk kanë vënë bibliografitë e literaturës së shfrytëzuar, tregon se autori megjithëqë mundohet të krijojë përshtypjen se gjoja ka shfrytëzuar edhe literaturë tjetër veç asaj sovjetike, del se ai është mbështetur vetëm në një apo dy libra, apo te disa artikuj të shkëputur nga literatura sovjetike.

3. Libri “Udhëve të historisë së maqinave”, i Osman Allkjes është marrë prej këtyre librave sovjetikë:
1) “Maqinat”
2) “Maqinat e shekullit të XX”
3) “Maqinat dhe njeriu”
Nga faqja 57 e këtij libri ka pjesë pothuaj të njëjta me librin “Maqinat dhe njeriu” dhe konkretisht:
Fq. 57-64 u përgjigjen paragraf pas paragrafi faqeve 70-81 të librit rusisht.
Faqe 82-faqe 105 r.
Faqe 85-86 – faqeve 110 r.
Faqe 96-98 – faqeve 124-127 r.
Vende-vende përkthimi çalon. Ka fraza të përkthyera gabim si psh., “Pasardhësit e tij, fëmijët, të parët në botë, ndërtuan anijen e luftës “Dealogos” në të cilën vendosën 15 topa”. (fq.69)
Duhej thënë: “Pjella e tij, (ose krijesa e tij) e fundit ishte e para anije lufte me avull “Demologos”, në të cilën ishin instaluar 30 topa”.
Gara e parë automobilistike u bë në korrik 1894 e jo në qershor (fq.85 rusisht fq.110).
Maqina e parë arriti në Ruan pas 6 orësh (f.110) e jo pas 15 orësh (shih fq. 86).
Motori diesel gjeti përdorim të gjerë. Shqip është thënë….” si në maqinat që udhëtojnë në tokë ashtu dhe në ato ajrore”. (fq.86).
Nuk ishte e mundur të përdorej ky motor në atë kohë.

 


4. Në librin me titull “Estetika, jeta, arti”, të Alfred Uçit, shembujt për ilustrim janë futur në mënyrë artificiale dhe formalisht. Ndihet menjëherë që këta shembuj (shumica e tyre janë vargje), janë futur sa për të ilustruar diçka, por ato nuk burojnë si rezultat i argumentit që trajtohet. Duket më fort sikur këta shembuj kanë zëvendësuar në tekst vargje të tjera të po kësaj natyre, të letërsive të tjera. Pasi e mbaron së lexuari këtë libër nga këta shembuj që citohen aty-këtu, nuk të krijohet asnjë ide për ekzistencën e një estetike shqiptare, popullore dhe të kultivuar njëkohësisht. Letërsia dhe artet kanë në bazën e tyre një estetikë të fuqishme, e cila nuk bie ndesh me parimet e përgjithshme të estetikës marksiste-leniniste, përkundrazi, ajo është një mishërim i tyre. Në tekstet e estetikës revizioniste sovjetike, përveç shembujve të klasikëve botërorë, në përgjithësi dhe shembujve të artit rus, nuk ka asgjë që të lidhet me karakterin kombëtar të estetikës. Kjo i përshtatet politikës rusomadhe dhe shoviniste të zhdukjes së kombeve, që po realizon revizionizmi sovjetik. Duke folur gjithmonë në përgjithësi dhe vetëm kur vjen puna për Rusinë në veçanti, këta estetë revizionistë kanë përgatitur praktikisht dystimin, zhdukjen e karakterit kombëtar të letërsive dhe arteve në perandorinë sovjetike. Në mënyrë paraprake mund të themi (sepse akoma nuk kemi bërë konfrontimet me literaturën e huaj që ka shfrytëzuar autori) se libri i Alfred Uçit është shkruar sipas kësaj skeme. Futja e shembujve në formë ilustrimi nga poezia jonë, e bërë kjo në mënyrë të jashtme, metafizike, nuk e shpëton gjendjen. Gjithë trupi i veprës duket si i huaj dhe këta shembuj mbeten si zbukurime të jashtme. Libri i Alfred Uçit do të kishte karakter kombëtar, në qoftë se do të ndihej “kombëtarja”, “shqiptarja”, jo në ca vargje, tituj veprash ose emra personazhesh, por në bazën e tij, në konceptet në tezat që trajtohen. Ky libër mbetet jashtë artit tonë popullor që është tabani i gjitha arteve tona. Kapitulli ku kritikohen estetët revizionistë sovjetikë është shkruar shumë dobët, aty kemi vetëm kritikë rrazash. Tezat që kritikohen kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, nuk përbëjnë një sistem. Nga librat tekniko-shkencorë që janë çuar për recensionim deri tani kemi të dhëna vetëm për librin “Manuali i Kimistit” me autorë Ali Zotrija, Dhamo Bezhani dhe Vangjeli Zigori. Ky libër është i tëri i kopjuar nga rusishtja. Mendohet se nga librat e botuara në këtë redaksi, shumica dërrmuese e tyre janë të përkthyer e të kopjuar dhe kanë frymë teknokratike. Autorët nuk kanë bërë përpjekje për t’i lidhur ato me dinamikën e zhvillimit dhe përvojën e pasur 30-vjeçare të Partisë sonë në fushën e revolucionit tekniko-shkencor. Në këto libra nuk del njeriu ynë i ri, figura e tij, talenti i klasës sonë punëtore dhe inteligjencës popullore. Ka munguar përpjekja e autorëve për të dhënë veprat origjinale ose për t’i përshtatur veprat e përkthyera me problemet tona. Këto janë disa të dhëna paraprake të cilat këto ditë do t’i studiojmë dhe do t’i thellojmë më tej.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
SHTEPIA BOTUESE “8 NENTORI” 
TIRANË, MË 30.XI.1974
Nr. 920 prot.

KOMITETIT QENDROR TE PPSH
(Sektorit të Shtypit dhe Propagandës)
Tiranë

Bashkangjitur ju dërgojmë një informacion
mbi disa të dhëna të pjesshme të studimit që
kemi bërë deri tani për origjinalitetin dhe 
përmbajtjen e disa librave botuar kohët e 
fundit nga Shtëpia Botuese “8 Nëntori”.
Studimi vazhdon edhe për të dhënat e tjera 
që do të kemi do t’ju informojmë më vonë.

DREJTORI
(Kristo Sharra)

(Kosova Sot)