Çamados, Kondurioti, Miauli, Kriezi dhe arvanitët heroikë të Greqisë

  • 15 June 2018 - 08:30
Çamados, Kondurioti, Miauli, Kriezi dhe arvanitët heroikë të Greqisë

Nga Luan Rama – Kur shfletoja librin e piktorit Louis Dupré mbi udhëtimin e tij nëpër Shqipëri, Greqi e deri në Stamboll, mbi takimin me Ali Pashën, suljotët që kishin mbetur në Korfuz nga “Regjimenti i Shqiptarëve”, veç shumë figurave të mrekulluara, pikturuar me një mjeshtri të veçantë ishte dhe një figurë simpatike, veshur në blu, që qëndronte buzë detit, në bregun e qytetit. Një portret i bukur, që shpesh kisha menduar se ishte figura e një greku, por kisha gabuar. Ishte një arvanitas i Hidrës, i familjes së famshme Çamados që aq shumë i kishte dhënë revolucionit grek për pavarësi. Në një shënim të vogël, në fund të faqes, Dupré kishte shkruar se ai ishte biri i Anastas Çamados. Duhet thënë se hidriotët dhe speciotët, ishin banorët arvanitas që në shekullin e XV siç dokumentohet dhe nga historianët grekë, arvanitas që kishin populluar këto ishuj të shkretë e gjithë shkëmbinj, për t’u fshehur nga ndëshkimet turke apo dhe të Ali Pashës, qoftë ata që kishin ardhur nga Epiri e Çamëria, si dhe nga Eubea, apo Evia siç quhet sot. E vetmja mënyrë e ekzistencës së tyre ishte t’i drejtoheshin detit dhe të përballeshin me furtunat detare, të bëheshin marinarë të shkëlqyer dhe të ngrinin një nga flotat tregtare që do të spikaste në Mesdhe dhe që i çonte anijet e saj deri në portet e Atlantikut apo në Detin e Zi. Pikërisht atëherë u ngritën ndërtesat e tyre të mëdha të stilit venecian dhe ata nuk veshën fustanellat e arvanitasve të tjerë, por u veshën me rroba qytetare dhe mëndafshe nga më të bukurat e botës. Ja pse kjo veshje më kishte gabuar kur kisha parë atë portret hidrioti në akuarelin e piktorit francez Louis Dupré.

Familja Çamados, siç shkruajnë historianët grekë, vinte nga Epiri, Çamëria, çka spikat që në emrin e kësaj familje: Çamado-Çamados-Çami. Ai djalosh, që pozonte para piktorit francez, në vitin 1819, nuk e dinte se gjashtë vjet më vonë, në betejën e famshme të Navarinit me flotën turko-egjiptiane, babai i tij, heroi i revolucionit grek dhe admirali Anastas Çamados, do të vritej heroikisht siç shkruhet dhe në librin “Historia e Greqisë nga viti 1892 deri në vitin 1844”, nga Antoine de baron Juchereau de Saint Denys, Çamados kishte rënë bashkë me nën-admiralin e tij, heroin tjetër të revolucionit, Shahini, një tjetër çam i ardhur nga Epiri. Piktura e Dupré-së, në një format 40x50cm, na paraqet një djalosh të paqtë, të bukur, me një vështrim ëndërrues buzë detit, në një kohë kur ende s’kishte filluar lufta për pavarësinë, por dhe ai, do t’i përgjigjej zërit të luftës për çlirimin e Greqisë.

Image

Shumë udhëtarë perëndimorë kaluan nga Hidra e Specaj në shekullin e XVIII e XIX, historianë, gjeografë, arkeologë, shkrimtarë e piktorë, të cilët na lanë mjaft vepra të botuara, apo tablo që u shfaqën në ekspozitat e metropoleve europiane. Veç tablove të piktorëve grekë për figurat arvanitase, edhe piktori francez Curzon na ka lënë një adoleshent hidriot mjaft simpatik, e po kështu dhe portretet t famshme që ka realizuar në Specaj piktori Adam Friedel, veçanërisht e portretin e Bubulinës apo heronjve të tjerë të revolucionit të këtij qyteti. Ja pse Bubulina shkëlqen me ato kostume të mrekullueshme, aq sa duket e idealizuar nga skocezi Friedel. Kostume të veçanta, rite shqiptare, gjuhë shqipe, madje dhe kulti i gjakut, hakmarrjes kur familja ç’nderohej… Ja pse u vra dhe Bubulina, gjatë asaj hakmarrjeje kur djali i saj rrëmbeu një vajzë arvanitase të Specaj, fqinjëve të tyre.

* * *
Udhëtimi im i parë në Hidra apo Hidhra siç shqiptohet në greqisht, ka qenë i paharruar, pasi gjithçka ishte poetike: deti i kaltër, qielli i pastër, një fllad që frynte në anije dhe shfaqja e magjishme e atij ishulli të vogël ku disa kulla të larta ngjiteshin ende drejt majës së malit. Ishte Hidra për të cilën kisha dëgjuar shumë. Hidra e bardhë… Gurë, deti i kaltër e i pafund, diell, histori dhe arvanitas. Hidra e bukur dhe avangarda e Revolucionit grek. Hidra, “Flota e Lirisë”, atdhe i Konduriotit, Miaulit, Tombazëve dhe e admiralëve Kriezi, djepi që përkundi fëmijërinë dhe rininë e Bubulinës. Hidra e poetit të famshëm të shekullit XIX Jean Moreas, apo Jani nga Morea (Papadiamanti) që dhe nga nëna e i ati, siç shkruante për të poeti i famshëm francez Guillaume Apollinaire, ai ishte arvanitas që në fundin e shekullit XIX krijonte në Francë shkollën artistike të Simbolizmit francez. Përshëndesja njerëz, takoja grekë, arvanitas, shqiptarë, kapërceja shkallë të gurta dhe në çdo pëllëmbë është e pamundur të mos pikëtakoje historinë me germë të madhe, “H”, pasi ngado ishin gjurmët e një kohe të lavdishme.
Ishin ndërtesa të rënda të arkondëve të mëdhenj arvanitas që në rast lufte mund të ktheheshin dhe në fortesa mbrojtëse, shtëpi të thjeshta popullore zbukuruar me lule, kafenetë në breg, pijetore dhe njerëz të rrahur nga deti si detarë të sprovuar që ishin të tillë historikisht në të gjithë Greqinë e Mesdheun. Hidra, vend i poetëve e artistëve, ku në një nga shtëpitë e Tombazëve sot është ngritur shkolla e Arteve të Bukura dhe ku një ditë erdhi dhe Marc Chagall. Në një ndërtesë tjetër vinte të banonte këtu Leonard Cohen (dhe më pas i biri, Adam Cohen gjithashtu që regjistroi dhe një disk të famshëm), apo ku vinte dikur Sofia Loren të luante në filmin “Hijet e detit” … Ja, atje në sheshin e manastirit “Kimisis Teotoki”, ajo kalonte duke lënë pas imazhin e vetë bukurisë ideale. Sot, as Cohen dhe as Loren nuk janë më aty… Në kafenenë buzë bregut dëgjojmë veçse këngën e Cohen.

Image

Në vitin 2004, ishte hera e tretë që shkelja në Hidra, në qytezën e atij ishulli të përmbytur nga dielli ku nuk kishte makina, por veç gomerë për të udhëtuar. Ngjisja rrugicat e ngushta që më kujtonin Beratin e Gjirokastrën, kaloja krah shtëpish dhe pyesja veten se ku mund të ishte shtëpia e dikurshme e Bubulinës (Laskarinës), para se vajzë e re, ajo të shkonte nuse në ishullin fqinj Specia, nga ku s’do të kthehej më. Gjithë rinia e saj kaloi në atë liman, ku vajzat prisnin të vinin djemtë hidriotë nga peshkimi apo luftërat e gjata, nga anijet që nganjëherë për të bërë tregti, merrnin udhën deri në Argjentinë, siç e përshkruan dhe historiani e shkrimtari francez Michel de Grece, në librin “Bouboulina”, të cilin e përktheva me aq dashuri. Ishte ai libër që më solli në Hidra për herë të parë në vitin 1996, ndërsa tani ishte vetë historia. Në çdo vend që shkoje, dikush mund të të fliste për shkrimtarin e poetin anglez Lawrence Durelle që vinte këtu; për mikun e tij Henry Miller e shumë të tjerë, si dhe për mikun tim Lacarriere, i cili Hidrën nuk e ndante nga goja kur bisedonim për Greqinë. Po të ecje më tutje në këmbë, të ngjiteshe sipër shpatit që binte thikë mbi det, do të gjeje lagjen e peshkatarëve apo atë që quhet “Kamino”, ku në tarracën e një restoranti të vogël popullor, mund të shijoje bukurinë e botës, duke pirë një uzo me “sardelica”. Më tutje, në Mandraki, në kthinat e ishullit, ishin ende gjurmët e kantierit të vjetër detar, kur në shekullin XVIII-XIX ndërtoheshin anijet e mëdha të tregtisë e të luftës. Vetëm në kohën e Revolucionit, Hidra numëronte 125 anije dhe dhjetë mijë marinarë të saj…

Sot, sa zbret në portin e vogël të Hidrës, në të majtë, ngrihet ndërtesa e muzeut, një nga ndërtesat që Konduriotët ia falën qytetit. Që andej i dallon akoma më mirë shtëpitë hijerënda të luftëtarëve të mëdhenj me ato mure të lartë si të Konduriotëve, Miaulëve, Tombazëve… Por kur hyn në sallonet e muzeut, hyn vërtetë në histori, se aty janë portretet e arvanitasve të mëdhenj që i dhanë fitoren revolucionit grek dhe që aq shumë luftuan për lirinë. Ja portretet e admiralit Anastas Kriezi (Kryeziu), një nga detarët e lavdishëm që shkoi deri në portin e Aleksandrisë të digjte armatën e vezirit të Egjiptit. Në kohën e mbretit gjerman Oton të vendosur nga Fuqitë e Mëdha, ai ishte ministër i Marinës dhe më pas kryeministër, ashtu siç kishte qenë dhe Dhimitër Vulgaris, dikur guvernatori i qytetit e më pas tri herë kryeministër i Greqisë së re. Pak hapa më tutje, ja dhe portreti në ngjyra i Jorgo Konduriotis, i cili i dha Revolucionit dy milionë franga ari; më tutje portretet e dy admiralëve të famshëm Tombazi, Emanuel dhe Jacob Tombazi, njëri prej tyre gjyshi i poetit Jean Moreas. Krah tyre dhe një violinë “Stradivarius” e kësaj familje që ruhet ende në muze. Por ajo çka ishte më interesante ishin dy portretet e familjes Kriezi: Eleni Kriezi dhe Epaminonda Kriezi si dhe e admiralit Anastas Camidos (Çami) që të tre çamë ortodoksë të ikur nga Çamëria dhe të vendosur në Hidra. Eleni mbante atëherë paratë e Revolucionit, ashtu si dhe Maria, nëna e Anastas Camidhes. Anastasi, ishte kapiteni i anijes së famshme “Nereus”, me 16 topa, që në betejën e ishullit Sfakteries më 1825 kundër anijeve egjiptiane të Ibrahim Pashës, ra heroikisht dhe hyri në legjendë, duke luftuar si dhe miku i tij Kanaris. Bashkë me Anastasin kishte rënë dhe kapiteni tjetër Stavro Shahini, një tjetër arvanitas i famshëm, fotografia e të cilit ndodhej gjithashtu në muze…

Image

Më 1825, pas vrasjes së tij, hidriotët menjëherë i ngritën këngë, të cilën e botoi më pas më 1860, konti francez Marcellus në librin e tij Këngë popullore të Greqisë moderne. Ja ç’thotë kënga:

“Po të isha zog do të fluturoja e do të shkoja në Misolongj, të shikoja sesi vërtitet shpata, si shkrehet pushka dhe si vriten skifterët e padukshëm të Rumelisë.
Ja ku një zog me krahë ngjyrë ari më thotë:

– Ndalo ti Jorgaqi;1 nëse ke etje për gjak arabi, këtu ka turq sa të duash që mund t’i vrasësh.
– A nuk i sheh që larg anijet osmane? Vdekja nderet mbi ata që shpejt do të kthehen në pluhur.

– Zogu im i vogël, nga i di gjithë këto që thua?
– Unë të dukem si zog, por nuk jam i tillë. Unë jam Çamado, dhe nga këta qiej ku banoj tani, kam ardhur tu shpalos të ardhmen”.
Edhe irlandezi James Emerson, autori i librit Tablo e Greqisë në vitin 1825, kishte përshkruar mbresat e tij kur kishte zbarkuar në Hidra, duke kujtuar takimet me banorët dhe njerëzit e shquar të këtij ishulli heroik. “Ndryshe nga pjesa tjetër e Greqisë, fytyrat e grave këtu janë më të bukura, por shamia që hedhin në kokë dhe e lidhin poshtë mjekrës ua mbulon disi këtë bukuri…”. Ai shkon të takojë një nga drejtuesit apo primatët apo prijësit më të rinj të ishullit, Gjika Gjuni (ndoshta Gjoni, L.R.). “Takimet e shpeshta me europianët e kanë bërë këtë njeri me mjaft kortezi e mirësjellje. Ai ka principe të shkëlqyera dhe një gjykim të shëndoshë, çka e kanë bërë një nga njerëzit më interesantë të ishullit… ai na flet për bursat për fëmijët që ata të shkojnë në shkollë dhe të mësojnë greqishten, pasi gjuha e vendit këtu është shqipja…”. Një ditë më pas ata vizitojnë në shtëpinë e tij të famshmin Kriezi, një nga drejtuesit e vjetër të ishullit. “Ai është pothuaj tek të tetëdhjetat dhe gjyshi i tij ka qenë ndër kolonët e hershëm të Hidrës, pra ka shumë eksperiencë dhe di shumë nga historia. Ka shtatë djem, të cilët që të gjithë i ka në flotën detare që lufton kundër flotës turke. Por ai është krenar veçanërisht me më të voglin, Anastasin, i cili drejton një nga anijet e atit të tij dhe që shquhet për trimëri të madhe”…

Kur del nga muzeu dhe hedh vështrimin nga deti e kupton se ky ishull jetonte dikur përmes heroikës së njerëzve të mëdhenj. Duke zbritur shkallët, ja dhe një shqiptar nga Berati që të thotë me krenari se gjatë dhjetë vjetëve aty janë vendosur 70 familje shqiptare të ardhura së fundmi, pas vitit 1990. Dhe ai, më shumë se kushdo nga ne shqiptarët, e ndjen sesa e rëndë është pesha e kufijve. Ishim në pragun e shtëpisë së dikurshme të Konduriotit, ndërkohë që përballë, njëqind metra më tutje, shikonim ndërtesën tjetër të Konduriotëve, akoma më madhështore.

Image

Sigurisht, familja e Konduriotit ishte nga më të njohurat dhe nga më të vjetrat e ishullit. Historiani ynë i njohur Kristo Frashëri, duke iu referuar studimeve të Nik Haliorit të botuar në revistën “To mellon” 1935, nr. 9, f. 225, shkruante ndër të tjera se në një nga shkrimet e tij kujtohej se “Kundurioti fliste me kënaqësi të madhe gjuhën shqipe me ishullorët dhe se admirali, kur shkonte në Hidhra, përshëndeste përzemërsisht në të folmen arvanite gjithë peshkatarët e ishullit”. Po në këtë botim grek, shkruhet: “Prifti hidhriot Athanas Kuluras 93-vjeçar, në gusht 2005 i tregoi T. Johallasit këtë dëshmi të shkurtër: Kur prifti ishte 18 vjeç (duhet të ketë qenë viti 1930 – K.F.) një hidhriot i tha të çonte në shtëpinë e Pavlo Kunduriotit një kornizë të re me fotografinë e Andrea Miaulit. Mbasi u përshëndetën, admirali e pyeti djaloshin Kulura nëse dinte arvanitisht. – Jo, u përgjigj Kulura. – E atëherë, çfarë hidhrioti je ti që nuk di arvanitisht? Ju të rinjtë nuk duhet ta përbuzni, – e qortoi gjenerali. Unë, – vazhdoi gjenerali, – edhe në kohën e luftës e të përleshjeve me kundërshtarët, me luftëtarët e mi flisja vetëm arvanitisht dhe i frymëzoja ata…” Po kështu, Frashëri na sjell dhe dëshminë e studjuesit arvanitas Johallas mbi gjuhën arvanitase, ku arvanitët e ishullit flisnin gjuhën shqipe: “Këtè çè të jap kártënë s’kéjëm káqq hri t’e tërkónim (= dërgonim), se néve ja u shkrúaghmë gjithë ndë kártë, po për ngarkógh agh i ziv (i ziu është përkthim shqip i Mavro Kordhatos – Mavro = i ziu – K.F.), e dogh edhe Lurjoti, se u s’e dóghë, se i njoha lojiotati. U njoh këtú me të vghánë e atit Télit, çë isht i vghagh martuarë ndë Maltë e u bë tu dhjavólu. Mos jipni vesh ndë kártë sistatiki çë i kemi dhënë; áo çë thotë kártë jonë i dhiiqisit se ma shërbév di muagh pa mistlró, áshtu dogh áshtu e bëm për t’e nxérim ka vétëhea. Një milë e pesëqint dumé na kostisi, rroba, kapelo, mamuze, këmishë, tirqi, vivlio, çë dogh ato bën, njeri i patu(rp)shëm. Néve trembeshim t’i flasim ndënjë tetjo vent, mos vegh e thegh ki, e na havavegh shërbesi. Ruhuni ka lojiotatitë; amán ka kigh njeri, amán; i lig njeri. Të tháshë një milë e pesëqint e pesëqind dumé se na kostisi, maedhe di milë. Komitátoa ma tha të bënim një ékthes për të shih pramëtë e Eládhësë; e dham t’e shkruan; e bëri. Pastagh nëkë mbet tropo të na e jip; u fandás t’e tipós vetë, e múar báshkë; káqë edhe më shumë”.2

Image

Pikërisht në Hidra, Specaj e Poros kishte jetuar për shumë vite studjuesi Carl Reinhold, i cili shërbente si mjek pranë marinës greke pas revolucionit. Por folklori i arvanitasve për të u kthye në një pasion të veçantë, duke mbledhur këngë popullore, përralla, fjalë të urta e legjenda, të cilat ndryshonin nga ato të grekëve. Madje ai i shkruante në një alfabet të çuditshëm ku në alfabetin me shkronja latine ndërhyjnë aty-këtu dhe shkronjat greke, apo germa të krijuara nga vetë ai. Ishin këngë dashurie, djepi, këngë humoristike që këndoheshin në raste festash familjare apo qytetare.
“Mirë mbrömë, kunduriote,
Ishte vent të flëmë sonte? –
– Ishtë, po s’guconj nga mëma,
– Se më nxe e vlen nga mbröma…”
Dorëshkrimin e tij, me një pjesë të folklorit arvanitas, Reinhold e botoi në Athinë në vitin 1855 nën titullin Netë pellazgjike (Noctes Pelasgicae),3 çka është dhe e para përmbledhje mbi këngët dhe folklorin shqiptar në Greqi. Një pjesë e botoi albanologu gjerman Gustav Mayer, por pjesë të tjera të dorëshkrimeve të tij humbën në mugëtirën e kohërave.
“More re të zeza,
Çë më sjell kakozezë,
Mos më sjell burrenë
Çë kam dëshiruarë…”
Vallë ishin këngët e trishta të dramave dhe tragjedive të hidriotëve në vitet e luftës e të mbijetesës? Por një nga këngët më të bukura, ai e gjeti në gratë e ishullit fqinj Specaj, këngë që e kemi dëgjuar dhe në repertorin e këngëve popullore të Tefta Tashkos, pa e ditur se kjo këngë e vjetër na vinte nga arvanitasit e ishujve të Greqisë:
“Kur më vien burri nga stani
puf, puf, puf më bön fustani,
kur më vien burri nga klisha
puf, puf, puf më bön këmisha,
kur më vien burri nga ndara,
dal e e pres me gas prëpara…”

Image

Në mbrëmje, lemë ishullit për të shkuar në bregun tjetër përballë, në Porto Xeli. Vështroja Hidrën me ëndje (Sidra, siç quhej në kohët e vjetra) e cila më largohej me të njëjtën pamje krenare. Dhe kështu mendoja atë kohë kur arvanitasit e parë në vitin 1460 kishin zbarkuar këtu në shkëmbinjtë e pabanuar në kohën kur bashkë me venecianët, shqiptarët luftonin kundër anijeve turke që donin të pushtonin ishujt e Greqisë… Aty kishte hedhur rrënjë një jetë shqiptare, e mbrujtur në gjuhë arvanite si dhe zakone e këngë që nuk janë shuar dhe në një lidhje të fortë greko-shqiptare… Mu kujtua Hidra e dashur, vendlindja e Jean Moreas4 të cilit i kisha kushtuar një libër, si dhe legjenda për të cilën shkruante Apollinaire “se një ditë, pas vdekjes, Jean Moreas hipur majë një kali, çante mes detit për të shkuar në vendlindjen e tij…”

Pra, tre vjet pas vdekjes së Moréas-it, Apollinaire do të pyeste në shtypin e kohës se “ç’bëhet rreth përmendores që do të ngrihej për Moréas-in në Paris”. Ndër të tjera ai shkruante: “Sot në Amerikë ka një legjendë për Moréas-in. Këtë legjendë të hatashme, ma tregoi Frederic Boutet. Legjenda ishte botuar me shumë detaje në një gazetë amerikane. Po t’i besosh kësaj legjende, thuhet se Jean Moréas kishte vendosur të shkonte për të takuar miqtë, duke u kërkuar fotografitë e tij, me qëllim për t’i zhdukur ato. Pastaj kishte blerë një kalë të bardhë, me të cilin shkoi gjer në Dieppe, ku deti nuk e ndaloi, pasi ai shkoi drejt tij dhe hyri me kalë.”5
Kjo legjendë nuk ishte thjesht një anekdotë. Së pari ajo tregonte se Moréas-i ishte bërë mjaft i njohur dhe në Kontinentin e Ri, në bregun tjetër të Atlantikut. Së dyti, imazhi i tij mbi kalë që humbiste drejt detit të pafund, tregonte për natyrën e vërtetë të Moréas-it, njeriut që kishte krijuar një legjendë rreth vetes dhe jetonte si në legjenda, pasi padyshim, ashtu do të kishte ëndërruar të ikte nga kjo botë, hipur mbi një kalë të bardhë, drejt një deti të pafund, të cilit aq shumë i kishte kënduar.

 

(Kosova Sot)