Raporti sekret, Kadri Hazbiu: Kush e detyroi Mehmetin të vrasë veten

  • 22 June 2018 - 11:45
Raporti sekret, Kadri Hazbiu: Kush e detyroi Mehmetin të vrasë veten

DASHNOR KALOÇI/ Vetëm pak javë pas ngjarje së 18 dhjetorit të largët të vitit 1982, kur Kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumba pistolete në rrethana misterioze, për të cilat, edhe sot pas 36 vjetësh, vazhdohet të diskutohet ende, me porosi të Komitetit Qendror të PPSHsë, në të gjitha organizatat bazë të Partisë, në mbarë vendin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej: “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, mbi ‘Tablonë Sinoptike’ për armikun e poliagjentin Mehmet Shehu”.

Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentesh me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesëmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-Kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me dhjetëra emra, ushtarakë, funksionarë të lartë, etj., etj.

Po kështu, këto mbledhje u intensifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, (i cili për gati tri dekada me radhë kishte mbajtur postin delikat të ministrit të Brendshëm), ku dhe ndaj tij, u përsërit e njëjta tablo, si me ish-Kryeministrin Mehmet Shehu.

Edhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e partisë të rretheve përkatëse kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas ia kanë dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së. Për të gjitha këto mbledhje, gazeta “Panorama” disponon një numër dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qendror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj., etj., informojnë Komitetin Qendror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutuar aty.

Po kështu. përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulëta. që nga Komiteti Qendror e më poshtë, apo dhe raporte kolegjiale të shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së korpuseve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte ushtria shqiptare asokohe. Nga kjo dosje, gazeta publikon nga sot dokumente të panjohura që janë prodhuar nga Komiteti i Partisë së Korpusit të Fierit, të nënshkruara nga sekretari i partisë së kësaj njësie, Andon Dollaku…

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

Sekret

KOMITETI I PARTISË Nr. 957 prot. REP. 65.61 Fier, më 25 tetor 1982 I N F O R M A C I O N MBI DISA PROBLEME QË DOLËN NGA MBLEDHJA E ORGANIZATAVE BAZË TË PARTISË SË SHTABEVE DHE KOMITETIT TË PARTISË SË KORPUSIT GJATË DISKUTIMIT TË MATERIALIT TË BYROSË POLITIKE TË K.Q. TË PARTISË “MBI MUNGESEN E THEKSUAR TË VIGJELENCËS DHE GABIMET E RËNDA TË KADRI HAZBIUT NË KOHËN QË ISHTE MPB” DHE KONKLUZIONE TË PLENUMIT TË 5-të TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH

KOMITETIT QENDROR TE PPSH

Në zbatim të detyrave që vuri Komiteti Qendror i Partisë për punimin e materialeve të Plenumit të 5-të, u zhvillua aktivi i Partisë i Korpusit, mbledhjet e organizatave bazë të partisë së shtabeve dhe mbledhja e komitetit të Partisë së Korpusit. Komunistët u solidarizuan plotësisht me konkluzionet e Byrosë Politike dhe vendimet e Plenumit të 5 të K.Q. të Partisë për dënimin e veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut, si bashkëpunëtor i superagjentit Mehmet shehu.

U dënua me urrejtje të thellë veprimtaria e këtyre agjentëve të imperializmit dhe revizionizmit dhe në të njëjtën kohë, të gjithë komunistët, si një trup, i vetëm shprehën dashurinë e zjarrtë për Partinë, për shokun Enver Hoxha, që me mprehtësi, principialitet dhe vigjilencë të lartë revolucionare ka mbrojtur dhe mbron Partinë, atdheun dhe popullin nga të gjithë këta komplotistë të rrezikshëm në shërbim të agjenturave të huaja.

Duke u thelluar në këto materiale, komunistët nxorën përgjegjësinë e tyre dhe kudo ndihet një frymë e lartë mobilizimi e vigjilence revolucionare, ndjenjë e lartë përgjegjësie për forcimin e gatishmërisë luftarake dhe realizimin në front të të gjitha detyrave të vitit 1982. Komunistët dhe kuadrot e ftuar sollën shembuj që vërtetojnë tradhtinë dhe punën sabotuese që ka bërë kryeagjenti Mehmet Shehu e bashkëpunëtorët e tij të ngushtë: Kadri Hazbiu, Veli Llaka, Nazar berberi, Maliq Sadushi etj.

Image

Nga mbledhjet e organizatave bazë dolën këto probleme:

“SABOTIMI ME FORTIFIKIMET, ALFRED MOISIU DHE MENDU BACKA PERGJEGJES”

Veprimtaria e armiqve ka sabotuar dhe fushën e fortifikimit. Me urdhër të veçantë të MMP, disa rajone të batalioneve, në vijat e çelikta të mbrojtjes së qyteteve janë planëzuar dhe vendosur Qendra Zjarri jashtë kapaciteteve e nevojave, gjë që ka ndikuar në dëmtimin e rëndë të ekonomisë popullore.

Image

Gjithashtu, me orientimin e tyre janë vendosur QZ gjatë viteve 1975-1977, taktikisht dhe teknikisht me gabime, sa më afër buzës së ujit dhe me frëngji të rrafsh me tokën, të cilat një pjesë janë përmbytur nga deti dhe të tjerat gjatë gjithë kohës rrinë të mbushura me ujë. Armiqtë kanë sabotuar, edhe duke bërë fortifikime të panevojshme, ku është i fortifikuar vetë terreni. Dhënia e urdhrit nga armiku Kadri Hazbiu, që t’i jepet përparësi për vitin 1983 vetëm punimeve fushore e në vende ku ato punime pengojnë bujqësinë, është i padrejtë.

Edhe mendimet që hodhi Kadri Hazbiu, që të bëhet 6 muaj stërvitje dhe 6 muaj punime për vitin 1983, është i gabuar, sepse ul shkallën e gatishmërisë dhe nga ana tjetër, përparësi i duhet dhënë stërvitjes së vogël. Duhet të rishikohen pozicionet fushore të tankeve, pasi zënë një sasi toke buke të madhe dhe nuk shfrytëzohen. U kritikua Instituti i Projektimit, i cili, krahas projektit, të dërgojë dhe preventivin.

Gjithashtu, projektimi i Qendrave të Zjarrit të topave pa zmbrapsje janë të pasigurta, se janë projektuar keq. Për këtë, Alfred Moisiu dhe Mendu Backa mbajnë përgjegjësi. Nuk janë parashikuar masa për hidroizolimin e objekteve dhe të disa projekteve për tunele, janë me beton pa hekur, gjoja për kursim.

Image

Bateritë komplekse nuk ndërtohen me të gjitha elementët. Për këtë janë informuar ish-zëvendësministrat Alfred Moisiu dhe Mendu Backa dhe nuk kanë zgjidhur gjë.

“KADRIU THOSHTE TE FUTEN NE BURG 6000 VETE, S’NA BEJNE GJE”

Metoda e punës e armikut Kadri Hazbiu ishte tipike me metodën e punës së armikut Mehmet Shehu? Kështu në një rast Kadri Hazbiu, meqenëse pati vështirësi për lidhjen telefonike me Shtabin e Përgjithshëm nga Bristani në Karaburun, la 14 detyra për 1 muaj Shtabin e Korpusit. Në metodën e punës së Kadri Hazbiut, karakteristike ka qenë liberalizmi i theksuar, qëndrimet sektare, arrogante dhe prepotente.

Ai është shprehur para kuadrove të Korpusit që, “Le të futen në burg, 5000, 6000 vetë, s’na bëjnë gjë”. Në porositë dhe urdhrat e tij zinte gjithnjë vend shprehja:”Të ndiqet penalisht, të dënohet” etj.

U kritikua botimi “Mbi disa vepra penale ushtarake që parashikon Kodi Penal i RPSSH”, që është përgatitur nën drejtimin e Kadri Hazbiut, për të nxjerrë kultin e tij në Ushtri. Kadri Hazbiu hiqej si masovik dhe këtë e bënte për të rritur kultin dhe veten. Çdo individ që ankohej me gojë apo me shkrim, ai i jepte të drejtë pa e verifikuar.

Metoda e punës e armiqve Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe e ish-zëvendësministrave Veli Llaka, Mendu Backa, Alfred Moisiu, Nazar Berberi ishte për të ulur figurën e komisarit politik të të gjithë hallkave. Këtë e bënin me qëllim të caktuar për të goditur punën e drejtimit kolegjial të komisarëve, të përfaqësuesve të Partisë në komandë, duke anuar nga drejtimi unik. Kjo shpjegohet edhe nga veprimi i fundit që bëri Kadri Hazbiu gjatë rikonicionit, ku thirri vetëm komandantët e njësive dhe reparteve, ndërsa komisarët e sekretarët nuk i përfilli fare, duke e justifikuar se bëhen shumë në makinë etj..

“VELI LLAKA FAVORIZONTE TE AFERMIT DHE KUADROT NGA TEPELENA”

Ashtu si në të gjitha fushat e tjera të mbrojtjes dhe zbatimin e politikës së Partisë me kuadrin, armiku Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Veli Llaka, Nazar Berberi e Maliq Sadushi kanë sabotuar dhe i janë kundërvënë me vepra orientimeve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë “Mbi nomenklaturën e kuadrit”.

Këta armiq për të afruar njerzit e tyre në poste drejtuese, kanë shkelur normat e vendosura nga Partia për politikën e kuadrit. Kadri Hazbiu i ka dhënë porosi komandës së Korpusit për të lëvizur ky apo ai kuadër, duke mos mbajtur parasysh kriteret e vendosura nga Partia. Po ashtu, Veli Llaka e Maliq Sadushi janë karakterizuar vazhdimisht nga trajtimi personal i politikës së kuadrit.

Veli Llaka, me mendjemadhësi me të gjitha udhëzimet e rregullat e vendosura nga Partia, ka titulluar oficer vëllanë e tij Adem Llakën dhe kushëririn e tij, Enver Behajn, duke i vendosur me punë, të parin në Degën Ushtarake në Vlorë dhe të dytin në Degën Ushtarake në Fier, ku shtoi organikën.

Disa kuadro nga Tepelena, që gëzonin simpatinë e Veli Llakës, me ndërhyrjen e tij janë tërhequr në aparatin e MMP-së dhe Akademisë Ushtarake si, Serjan Halili, Zimet Hazisi etj.. Gjithashtu, Veli Llaka ka përkrahur dhe të afërmin e tij, Luftar Osmanin. Po kështu, edhe Maliq Sadushi vazhdimisht ka dhënë porosi për trajtimin e privilegjeve të miqve të tij jashtë çdo rregulli, siç është rasti i Gjon Vajzës, i cili megjithëse kandidat Partie, është lëvizur dy herë në detyra të ndryshme. Ka ndikuar edhe në veshjen e disa nënoficerëve në kundërshtim me orientimet e dhëna.

“RRJETI AGJENTUROR I KADRI HAZBIUT NE DIVJAKE”

Për armiqtë e Partisë dhe të popullit. 1. Për Kadri Hazbiun -Donte dhe respektonte më shumë komandantët. Nëpërmjet urdhrave të ndryshme ai ka dënuar shumë ushtarë dhe oficerë të pafajshëm.

Ai me dashje ka mbuluar veprimtarinë e grupeve armiqësore, ka kultivuar uljen e vigjilencës edhe në MMP dhe nënreparte e poshtë. Ai në Pogradec është shprehur: “Mua më digjet shpirti për popullin kosovar, po për çamërit…”.

-Kadri Hazbiu ka veprimtari agjenturore në Divjakë. Ai gjuante shpesh në Divjakë. Ka pasur mik për 20 vjet peshkatarin e quajtur Mihal Bitri, djali i të cilit ishte polic dhe u bë udhëheqës i grupit diversionist.

Kadriu ka ardhur dy të shtuna rresht në Divjakë për gjueti, para se të vinte banda, duke marrë me vete edhe udhëheqës të tjerë të Partisë (Hekuran Isai, Qirjako Mihali) dhe kanë gjuajtur me Mihal Bitrin, atje ku zbarkoi banda.

-Kadri Hazbiu në bisedën me kuadrot në Fier ka thënë: “Të mos i japim njeri me vete Mehmet Shehut, kush lë mbesat e nipat e tij, është pusht”. Ai ngrinte lart fisin e Mehmet Shehut dhe thoshte: “Janë trima, është bahçe trimash. Mehmet Shehu është ferrë që doli nga një bahçe”.

-Ka injoruar rolin e komisarit në Ushtri. Disiplinën në Ushtri donte ta vendoste me dënime në masë, të cilën edhe e ka realizuar. Mbante afër ish-komandantin e Brigadës së tankeve, Petrit Mançen, që edhe ky i servirej atij (dhe Mehmet Shehut) ndaj të shikohet edhe puna e Petrit Mançes.

-Kur doli në rikonicion në Ersekë, Kadri Hazbiu mori me vete dy komandantë brigadash nga Korpusi i Fierit (Muço Besho e Luftar Osmani). Në ditët që zhvillonte rikonicion në Fier, Vlorë dhe Lushnjë, nuk morri komisarët dhe sekretarët e Partisë, sepse “bëhen shumë e bien në sy”, “harxhon shumë karburant” etj.

-Ka përkrahur e transferuar oficerë si Veliçan Golemin në Tiranë. Mburrej tek thoshte: “Urova njërin që ishte përjashtuar nga Partia”, “Urime që u përjashtove”.

-Në bisedën që bëri në Ballsh me popullin, ai u shpreh: “Mehmet Shehun e detyroi ustai të vriste veten, qofsha unë i gabuar po qe se s’është kështu”. Kjo tregon se ai ka ditur, pra, është bashkëpunëtor me të. Ai ka thënë gjithashtu: “Qofsha unë i gabuar, por ky është eshaloni i fundit që ka hedhur armiku (e kish fjalën për Mehmet Shehun).

-Kadriu është shprehur se në një stërvitje që ka drejtuar Mehmet Shehu, llogariti 50.000 të vrarë.

-Në Korpusin e Pukës dënoi në masë kuadrot. -Nuk ka pyetur për komisarët e injoronte punën e tyre.

-Ndaj sekretares së parë të Fierit, shoqes Naunka Bozo, mbajti qëndrim të keq, e quajti çilimi dhe u shpreh se Naunka duhet të dëgjonte Lefter Çiflikun e të mos bënte gjë pa të.

 

(Kosova Sot)