A ishte një vullkan, shkaku i humbjes së Napoleon Bonapartit në Vaterlo?

  • 13 September 2018 - 10:20
A ishte një vullkan, shkaku i humbjes së Napoleon Bonapartit në Vaterlo?

Matematikani dhe meteorologu amerikan Eduard Lorenc, mbajti në vitin 1972 një konferencë me një titull, që më vonë do të bëhej i famshëm:”A mundet që rrahja e flatrave një fluture në Brazil, të shkaktojë një tornado në Teksas?”.

Dhe sinteza e asaj që përkufizohet nga atëherë si “Efekti Flutur”, ishte përmendur tashmë që në vitin 1950 nga njëri prej matematikanëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, Alan Turing, i konsideruar si “babai i shkencës kompjuterike”, dhe që kreu vetëvrasje kur ishte vetëm 41-vjeç, për dënimin dhe poshtërimet që vuajti në Britaninë e Madhe, për shkak të homoseksualitetit të tij.

Sigurisht, shpërthimi i vullkanit Tambora në Indonezi në vitin 1815, nuk mund të krahasohet me rrahjen e lehtë të flatrave të një future. 19 prilli i vitit 1815 (edhe pse tashmë shpërthimi i parë kishte ndodhur më 11 prill), krijoi një ferr të vërtetë, 20 herë më shkatërrues se ai që shkatërroi  Pompein në vitin 79 Pas Krishtit.

Prej tij, nuk vdiqën vetëm njerëzit e zonës përreth. Në kushtet kur shpërthimi hodhi në ajër një sasi aq të madhe hiri, sa që kishte aftësinë për të errësuar diellin për disa ditë me rradhë në të gjithë rajonin, efektet më të dukshme, si shpërthimet dhe dridhjet e tokës, u sinjalizuan deri në 1600 kilometra larg.

Por jo vetëm kaq:siç ndodh gjithmonë në rastet e shpërthimeve të fuqishme, pati një ndryshim të klimës, që shkaktoi një rënie globale të temperaturës, duke sjellë zi buke, dhe çuar në vdekjen e mijëra njerëzve, përveç rreth 60.000 viktimave të katastrofës natyrore.

Hirit vullkanik, i hedhur në atmosferën e sipërme, e bëri 1816 “vitin pa verë”, gjatë të cilit i ftohti, dëbora dhe akulli dëmtuan rëndë bujqësinë në verilindje të Shteteve të Bashkuara dhe Europën Veriore. Pikërisht gjatë asaj vere, shumë banorë të Shteteve të Bashkuara pushtuan pjesën perëndimore, duke u përpjekur t’i shpëtojnë mjerimit që kishte prekur shumë sektorë të popullsisë, ndërsa në Europë pati revolta të shumta nga mungesa e ushqimit.

Por edhe para këtyre efekteve shkatërruese, shpërthimi i Tamborës mund të ketë ndihmuar në ndryshimin e historisë së Europës. Në orët e hershme të mëngjesit të 18 qershorit 1815, Napoleon Bonaparti po sa andej-këndej nën një shi të pandërprerë, që mbushi terreshin ku disa orë më vonë, ai do të kishte zhvilluar betejën epike, që do të vuloste humbjen e tij të fundit pranë Vaterlosë në Belgjikë.

Shiu pengoi planet e Napoleonit, që mbështetej shumë tek përdorimi i artilerisë së rëndë për të mposhtur forcat britanike, para se aleatët prusianë të mbërrinin në ndihmë të tyre. I shqetësuar se një terren plot baltë do të ngadalësonte, në mos do të pengonte avancimin e topave, kuajve dhe burrave, gjenerali priti disi tepër për të nisur sulmin.

Pikërisht falë kësaj vonese, prusianët e marshallit Blyher, arritën t’i vijnë në ndihmë ushtarëve britanikë, të komanduar nga gjenerali Uellington, që ndodheshin në prag të disfatës. Sipas Metju Genxh, profesor i “Imperial College” në Londër, ishte pikërisht shpërthimi i Tamborës, ai që ndikoi tek klima në Europën e largët.

Hiri i hedhur në atmosferë, ngarkoi në maksimum korrentet elektrike në jonosferë, ku dhe formohen retë. Sudimi i dr.Genxh, botuar nga “Shoqëria Gjeologjike të Amerikës”, paraqet një teori, që në kundërshtim me atë që është menduar më parë, hiret vullkanike janë në gjendje të mbërrijnë në atmosferën e sipërme, duke krijuar anomali të motit, që mund të ndikojnë në klimën e gjithë botës.

Pa të dhëna klimatike për vitin 1815, teoria e profesor Genxhe nuk është shkencërisht e vërtetueshme, por moti me shumë shira që preku Europën në muajt pas shpërthimit, mund të shpjegohet me një formacion të jashtëzakonshëm resh, të shkaktuar nga lartësia e madhe e arritur nga hiri vullkanik.

Genxh pastaj përmend në hulumtimin e tij pikërisht Betejën e Vaterlosë:”Moti i lagësht në Europë, është përmendur nga historianët si një faktor që kontribuoi në humbjen e Napoleon Bonapartit në Vaterlo”.

Në lidhje me humbjen e Napoleonit në Vaterlo, Viktor Hugo, në romanin e tij ‘Të mjerët”, shkruante se “një qiell jashtëzakonisht i mbuluar me mjegull, ishte i mjaftueshëm për të shkaktuar shembjen e një bote”. Natyrisht ai nuk e imagjinonte, se gjithçka kishte nisur me një shpërthim vullkanik në anën tjetër të Tokës.

Burimi: VanillaMag

(Kosova Sot)