CIA zbardh operacionin me 6 pika për të rrëzuar regjimin komunist, në plan ishte dërgimi i letrave helmuese për krerët e Partisë Komuniste

  • 22 September 2018 - 09:43
CIA zbardh operacionin me 6 pika për të rrëzuar regjimin komunist, në plan ishte dërgimi i letrave helmuese për krerët e Partisë Komuniste

CIA kishte menduar të gjitha alternativat për të rrëzuar regjimin komunist. Në një dokument të deklasifikuar nga amerikanët, thuhet se kishin një plan me 6 pika, ku një ndër to ishte dhe të dërgoheshin letra me helm. CIA synonte të sulmonte regjimin me rreth 1 mijë vetë.

Korrik 1951

Statusi i operacioneve kundër Shqipërisë

Të gjitha fazat e autorizuara të operacionit shqiptar BGFIEND po zbatohen në mënyrë aktive nga SHBA dhe personeli i huaj i caktuar në projekt. Në 1951, programi i infiltrimeve tenton vendosjen e 40-50 agjentëve në 10-12 grupe dhe po vijon me intensitet. Kohët e fundit 14 njerëz janë lëshuar nga avionë klandestinë në tre vendndodhje të ndryshme në Shqipëri. Këta përfaqësues të Komitetit Shqipëria e Lirë janë instruktuar të organizojnë elementë miqësorë për krijimin e shtëpive të sigurta, krijimin e rrjeteve të rezistencës dhe pritjen e lëshimeve të furnizimit me arme dhe pajisje. Pjesa tjetër e agjentëve do të lëshohet në ndodhjet e caktuara pas përfundimit të kurseve të trajnimit në kampin e Gjermanisë. Përveç kësaj një tjetër operacion shqiptar do të shfrytëzojë në gusht shërbimet e Hamit Matjanit, një lider i njohur i rezistencës që është tashmë në Greqi. Pra operacioni i infiltrimeve po vazhdon sipas planit. Ideja e një force për goditje të shpejtë prej 1000 vetësh vazhdon të ketë mbështetje në rrethet e CIA-s dhe britanikëve, por politikat varen nga vendosmëria e qeverive respektive për nisjen e punës.

Propaganda

Aktualisht ritmi i aktivitetit të propagandës radio ka qenë i moderuar, pasi masa e ndalimit të lëshimeve të fletushkave e vendosur nga DASH në prill nuk është shfuqizuar. Disa sasi të vogla broshurash janë lëshuar në formë maskimi gjatë lëshimit të agjentëve të infiltruar. Por nuk pritet të kemi përdorim të shpeshtë të avionëve edhe kur të hiqen ndalimi për lëshimet e fletushkave pasi britanikët kanë shprehur vullnetin për të përdorur avionët e tyre. Stacioni klandestin i Radios KSHL nuk ka nisur transmetimet ende prej vështirësive teknike. Por për të parandaluar shtyrje të mëtejshme do të nisin transmetimet tokësore të cilat janë autorizuar, deri në kompletimin e pikës transmetuese në barkën klandestine. Gazeta e Komitetit Shqipëria e Lirë “Shqipëria” vazhdon të publikohet çdo dy javë dhe një edicion më i vogël do të përdoren në lëshimet dhe në fushatën e letrave individuale me postë. Po shikojmë mundësinë e zgjerimit të përfaqësimit në Komitetin Shqipëria e lirë me dy grupe të tjera të skenës politike shqiptare. Prej majit Jugosllavia ka nisur sponsorizimin e një organizate të saj të refugjatëve shqiptarë dhe aktivitetet e saj po bëhen të njohura, duke krijuar një formë rivaliteti me komitetin tonë KSHL. Por në vend të promovimit të përmbysjes së qeverisë së Hoxhës, organizata jugosllave tenton marrjen e kontrollit të qeverisë shqiptare me anë të zëvendësimit të disa figurave dhe krijimit të një shteti komunist nacionalist. Për t’iu kundërvënë objektivave jugosllave deri në formalizimin e politikave të SHBA mbi çështjen, ne do të shtojmë mbështetjen për KSHL dhe rritjen e prestigjit të tij.

 

Nëntor 1951

Raport projekti BGFIEND

Që prej nisjes së tij në 1949, projekti ishte një sipërmarrje e koordinuar me britanikët dhe kishte si objektiv kryesor përmbysjen e regjimit të dominuar nga sovjetikët në Shqipëri, duke mundësuar kështu vendosjen e një qeverie të mbështetur nga populli shqiptar me objektiva jo-kundërshtarë ndaj atyre të Shteteve të Bashkuara për rajonin. Në vija të përgjithshme këto objektiva ishin eliminimi i bazës së mbështetjes për guerilasit komunistë grekë, mohimi i një bazë të mundshme ajrore tokësore e detare në Mesdhe për sovjetikët dhe dhënia e një stimuli psikologjik ndaj vendeve prapa Perdes së Hekurt, duke demonstruar mundësinë e përmbysjes së një regjimi komunist që mund të duket si i rrënjosur thellë. Veprimet për këto objektiva parashikohej të zhvilloheshin sipas katër elementëve kryesore: Krijimit dhe mbështetjes së Komitetit Kombëtar Shqiptar të përbërë prej grupeve të ndryshme të shqiptarëve në emigracion, organizimit dhe stërvitjes së patriotëve shqiptarë jashtë vendit në kuadër të Komitetit, organizimit dhe stërvitjes së simpatizantëve brenda Shqipërisë, dhe krijimi i një grupi të përkohshëm nën mbikëqyrjen e Komitetit që do të funksionojë si qeveri pas grushtit të shtetit. Projekti u zhvillua sipas koordinimit të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Zhvillimet politike në Ballkan gjatë kësaj periudhe sollën një ndryshim të gjendjes së çështjeve që rrjedhimisht sollën ndryshim edhe të objektivave për Shqipërinë. Faktorët e rinj ishin ndarja e Titos nga blloku i Kominform dhe eliminimi i suksesshëm i lëvizjes guerile komuniste ndaj Greqisë. Këto pika që sollën ndryshimin kishin të bënin me ndryshimin e mendësisë së Jugosllavisë ndaj Perëndimit dhe ndoshta frikën e veprimit sovjetik kundër Titos me pretekstin e ndihmës ndaj Shqipërisë.

Problemet

Me hartimin e objektivave të reja për reduktimin e vlerës së Shqipërisë ndaj sovjetikëve tentuam të trazonim kontrollin e autoriteteve komuniste në vend duke i ngacmuar me vështirësi të brendshme. Inkurajuam popullin shqiptar në rezistencën e tyre duke ruajtur shpresat e çlirimit të mëvonshëm dhe duke i përgatitur psikologjikisht për çlirim nga tirania komuniste. Nxitëm krijuam dhe mbështetëm një rrjet fillestar rezistence që do të përdorej si bazë për lëvizjen e çlirimit të vendit, në rast se një objektiv i tillë bëhej politikisht dhe strategjikisht i dëshirueshëm. Por mungesa e një programi kombëtar afatgjatë ka penguar planet tona edhe pse çdo përpjekje është bërë gjatë konsultimeve të shpeshta me DASH për qartësimin e politikave. Në diskutimin e fundit më 8 gusht 1951 u bë e qartë se ende nuk ishte caktuar një program i qartë, edhe pse dëshirohej ruajtja e influencës amerikane në vend. Mes pikave më të rëndësishme për CIA janë paragrafët e cituar: Shtetet e Bashkuara kanë si objektiv për Shqipërinë shtetin e pavarur, miqësor ndaj Perëndimit. Koncepti origjinal ishte që kjo të arrihej me anë të një force të shpejtë prej rreth 1000 shqiptarësh të armatosur që do të stërviten si pjesë e përpjekjeve anglo-amerikane. Kjo ide po mendohej seriozisht për zbatim në fazat e para të operacionit dhe mbështetej nga Komiteti Kombëtar, por deri në pranverë 1950 u braktis tërësisht pasi ky tip veprimi nuk konsiderohej më praktik për të ardhmen e afërt.

Ja veprimet e kundërshtarëve ndaj regjimit komunist

Përveç organizatave të brendshme dhe Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, ka disa veprues brenda Shqipërisë që përfaqësojnë grupet e emigrantëve në Itali, Greqi e Jugosllavi. Por mes këtyre të fundit, me gjithë objektivin e përbashkët anti-komunist, ka divergjenca sipas interesave të veçanta të tre vendeve. Aktivitetet e tyre kanë qenë të kufizuara prej frikës së secilit prej fqinjëve, se një ndryshim i regjimit mund të bëjë të përfitojë fqinjët e tjerë apo se kriza mund të përhapet në rajon. Përpjekjet e grupeve të brendshme të rezistencës dhe të atyre në emigracion janë të pakoordinuara dhe objektivat e tyre bien në konflikt me njëri-tjetrin, dhe këto faktorë kanë lehtësuar punën e forcave të sigurisë duke i izoluar elementët dhe duke shkatërruar grupet individuale. Në kushtet aktuale rezistenca nuk është një kërcënim për regjimin komunist dhe pa ndihmë të jashtme, forcat e sigurisë do ta kufizojnë.

Arritja e një marrëveshje Greqi-Jugosllavi-Itali

Ekzistenca e shtetit shqiptar në të kaluarën është varur gjithmonë nga mendësia e fuqive të mëdha. Megjithëse tre fqinjët kryesorë të Shqipërisë supozohet të dëshirojnë eliminimin e regjimit aktual në Shqipëri, interesat e tyre përfundimtare mbi vendin janë të papajtueshme mes tyre. Prej izolimit të Shqipërisë nga orbita sovjetike në 1948, pozita e fqinjëve ka qenë ajo e pozicionit të caktuar nga ku të përfitojnë sa më shumë në rast të përmbysjes së regjimit Hoxha. Si rezultat secili prej tyre i kundërvihet lëvizjeve të tjetrit, duke sjellë një shpërndaje dhe konfuzion të rezistencës në Shqipëri. Rivaliteti mes tyre është gjithashtu një faktor që kufizon operacionet e kombeve edhe në zhvillimin e planeve të koordinuara të mbrojtjes në Evropën juglindore. Italia e Jugosllavia kanë pranuar parimin e Shqipërisë së pavarur e sovrane, në kufijtë aktualë, jashtë kontrollit sovjetik. Kurse Greqia deri tani nuk e pranon parimin, prej pretendimeve për Epirin e Veriut.

Si operonte lidhja shqiptare në Jugosllavi

Qëllimi i Titos duket se është krijimi i një regjimi anti-sovjetik në Shqipëri dhe rikthim i statusit të saj të viteve 1944-1948. Me sa duket për këtë qëllim i krijua në Jugosllavi në maj 1951 Lidhja e Refugjatëve Politikë Shqiptarë në Jugosllavi. Lidhja pretendon të përfaqësojë rreth 5.000 shqiptarë në Jugosllavi dhe kontrollohet nga komunistët që u larguan nga Shqipëria pas vitit 1948. Ajo është krijuar nga Beogradi si një instrument i politikave jugosllave dhe ka si objektiv të deklaruar një Shqipëri “të lirë, të pavarur, të pandashme, demokratike e republikane”. Lidhja ka kryer disa operacione spiunazhi, kabotazhi dhe propagande, dhe zotëron potencial për operacione më të gjera. Por është ndoshta pozita e ekspozuar aktualisht e Jugosllavisë pas ndarjes me BRSS, ka penguar Titon të përdorë Lidhjen me fuqi të plotë. Zyrtarët jugosllavë kanë thënë se përpjekje serioze për përmbysjen e regjimit të Hoxhës mund të bëhen pretekst për Bashkimin Sovjetik për veprime ushtarake ndaj Jugosllavisë.

Plani i CIA për propagandë kundër Hoxhës

-Botimi i gazetës Shqipëria në gjuhën shqipe dhe përdorimi i përmbajtjes së saj kryesore për broshurat e propagandës së lëshuar nga ajri në Shqipëri.

-Botimi në kohën e duhur të njoftimeve periodike mbi Shqipërinë, i publikuar në anglisht, frëngjisht e italisht, i shpërndarë në agjencitë kryesore të shtypit perëndimor.

-Përgatitja e teksteve të broshurave të propagandës dhe shkrimet e transmetimeve klandestine në radio.

-Operacioni i “letrave helmuese” me postë, kundër liderëve të lartë të regjimit komunist në Shqipëri.

-Monitorimi i Radio Tiranës, monitorim i shtypit botëror për lajme mbi Shqipërinë, që mund të përdoren në programin tonë të propagandës.

-Lidhjet me grupet e emigrantëve, veçanërisht me ato që bëjnë pjesë në Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë.

Synimet e SHBA dhe grupet e angazhuara

Një oficer i selisë kryesore do të mbajë lidhje me selinë kryesore të NCFA në Nju Jork.

Të gjitha lidhjet e tjera të mbahen nga grupi i Shqipërisë së CIA, përveç kontakteve me agjentin e publikimit të Shqipëria në Romë, i cili do të lidhet me një oficer të SE. NCFA është e përbërë nga përfaqësues të grupeve kryesore politike të Shqipërisë si dhe nga të pavarur. Komiteti ekzekutiv i saj përbëhet nga liderë të të gjitha grupeve, pas riorganizimit të tij në dhjetor 1953 ku u përfshinë dhe elementë që më parë nuk përfaqësoheshin. Grupi i shënjestruar është populli shqiptar, në sensin që të gjithë përpjekjet e NCFA kanë si qëllim krijimin e një atmosfere rezistence kundër regjimit dhe përfundimisht çlirimin e popullit prej tij. Qeveria komuniste e Shqipërisë të bëhet objektiv i talljeve dhe i tentativave për dezertim.

Frika e amerikanëve nga OKB

Shqetësimi parësor i sigurisë është që mbështetja e qeverisë amerikane për NCFA të mos bëhet objekt i provuar me dokumente përpara enteve të rëndësishme si OKB apo organizata të tjera ndërkombëtare dhe artikujsh turpërues në gazeta e media. Metodat aktuale të fragmentimit të operacioneve besohet të reduktojnë rrezikun e këtij skenari në minimum. Ekspozimi ndaj OKB apo grupeve të tjera ndërkombëtare i mbështetjes për NCFA nga agjenci shtetërore amerikane do të turpëronte qeverinë amerikane. Por për operacionet është ruajtur masa e distanciit dhe mospranimit të përgjegjësisë. Mbyllja e projektit do të sillte një problem për angazhimin e personelit të NCFA dhe tentativa të rivendosjes së tyre duhet të kryhen. Plani i katastrofës: Personeli i rëndësishëm i NCFA përfshihet në planet e katastrofës/evakuimit drejt Italisë apo vendeve të tjera në Mesdhe, por jo drejt Shteteve të Bashkuara.

Projekti OBLIVIOUS për rrëzimin e regjimit

Projekti OBLIVIOUS ka qenë operativ që prej vitit 1949, si nën-degë e projektit OBOPUS (i njohur më parë si BGFIEND). Qëllimet e tij janë ndjekja e përpjekjeve për përmbysjen e suksesshme të regjimit komunist në Shqipëri. Operacioni i përkushtohet disa anëtarëve të komitetit që kanë mbështetur me besnikëri politikat e SHBA, për mbështetje të vazhdueshme në rast nevoje. NCFA njihet në vend dhe konsiderohet si një pikë bashkimi e shqiptarëve në e migracion. Ndër rezultatet e pritura janë ngacmimet e vazhdueshme të regjimit komunist në Shqipëri, ndjellja e shpirtit të rezistencës, dhe kur suksesi të besohet i mundshëm, të sponsorizohet grushti i shtetit. Efektiviteti i operacioneve survejohet periodikisht nga agjenti i caktuar i agjencisë, si dhe nga shërbimet britanike.

Jugosllavia donte një Shqipëri të pavarur

Më 26 maj, gjatë një bisede me amerikanët, Xhilas deklaroi se Jugosllavia dëshironte një Shqipëri të pavarur dhe jo të ndarë mes Italisë e Greqisë; ata nuk do të kundërshtonin nëse qeveria e kontrolluar nga Cominform përmbysej dhe se grupe demokratike ekzistonin ën Shqipëri si një alternativë ndaj qeverisë së Hoxhës. Ai tha gjithashtu se nuk ishin të frikësuar nëse një ndryshim në Shqipëri do të provokonte Rusinë. Në një bisedë me të njëjtin burim, Leo Mates, asistent-ministër i punëve të jashtme, deklaroi se Shqipëria nuk ia vlen për një luftë botërore, pasi Rusia mund të veprojë nëse i kërcënohet prestigji. Ndërsa ministri jugosllav në Romë, tha më 28 maj se nuk besonte se rusët do të vepronin nëse kërcënohej Shqipëria, duke cituar si arsye mungesën e marrëveshjeve për të tilla situata mbrojtjeje. Në qershor një emisar jugosllav u takua në Romë me anëtarë të BKI dhe deklaroi se Tito do të përdorë forcën, nëse është e nevojshme për të mbrojtur integritetin e Shqipërisë Komunizmi, edhe pse i nevojshëm për jugosllavët, mund të jetë i dëmshëm për Shqipërinë Çlirimi i Shqipërisë mund të vijë vetëm nga Prizreni, tentativat nga seli të tjera do të sjellin vetëm sakrifica të pavlera Shqiptarët e Jugosllavisë po përgatiten të përmbysin regjimin aktual në momentin më të mirë. Jugosllavia nuk beson se BRSS do të hyjë në luftë për Shqipërinë. Operacionet jugosllave të agjenturës në Shqipëri janë rritur muajt e fundit dhe shqiptarët në Jugosllavi po trajnohen më mirë. Përmendja e një kabllogrami shtetëror ku raportohet se grekët janë të alarmuar për qëllimet jugosllave në Shqipëri, dhe se më mirë pranonin ndarjen e saj sesa të aneksohej nga Jugosllavia, ishte për të ilustruar qëllimet aktuale greke.

CIA propagandë përmes shtypit e radios

Gazeta Shqipëria, organi i çdo dyjavshëm i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, u botua sipas programit për muajin gusht. Një broshurë, në fomin e miniaturës së botimit Shqipëria është aprovuar për lëshim nga ajri në Shqipëri. Artikulli kryesor i saj është një shkrim në përgjigje të shkrimeve të shpërndara nga jugosllavët në fillim të qershorit, në emër të lidhjes së refugjatëve politikë shqiptarë. Faza e parë e operacionit BGFIEND është aprovuar për lëshime e propagandës dhe furnizimeve të agjentëve. Po ndërmerren veprimet për prokurimin e 30 000 thasëve të furnizimeve me nga gjysmë kilogram miell, për t’u lëshuar fshehtësish mbi Shqipëri. Secili prej tyre do t përmbajë dhe nga një broshurë propagande. Disa testime për lëshimet e tyre janë kryer me sukses.

(Kosova Sot)