Dokumentet e CIA, ja irritimi që nisi në Tiranë pas afrimit të BRSS me Jugosllavinë më 1962, Hoxha e cilësonte Hrushovin tradhtar të marksizëm-leninizmit

  • 24 September 2018 - 08:06
Dokumentet e CIA, ja irritimi që nisi në Tiranë pas afrimit të BRSS me Jugosllavinë më 1962, Hoxha e cilësonte Hrushovin tradhtar të marksizëm-leninizmit

CIA ka treguar detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik më 1992 sa i takon marrëdhënieve me Jugosllavinë. Moska ktheu sërish sytë nga Beogradi dhe kjo nuk u kapërdi nga Enver Hoxha. Ky i fundit nisi sulmet ndaj Hrushovit, duke e akuzuar se po tradhtonte marksizëm-leninizmin. Po ashtu tregohen detaje mbi marrëdhëniet me Kinën.

Maj 1961

Lidhjet e Shqipërisë me Kinë-BRSS

Aftësia e Shqipërisë për t’iu shmangur udhëheqjes së Moskës në sistemin e satelitëve të Evropës Lindore, është simbol i marrëdhënieve të tensionuara në bllok mes Moskës e Pekinit. Këtu përfshihet gjithashtu situata e Shqipërisë dhe frika e saj nga fqinjët ballkanikë, të cilët mirëpresin çdo mundësi për të ndërhyrë. Të preokupuar gjithashtu me ruajtjen e rendit të brendshëm dhe ekonominë më primitive në Evropë, udhëheqësit shqiptarë kanë qenë të pakënaqur me politikat sovjetike që prej vdekje së Stalinit. Mes të tjerave ata janë ankuar për përmirësimin e marrëdhënieve të bllokut me Jugosllavinë në 1954. Një tjetër mundësi për këtë erdhi në pranverën e 1960, kur Pekini doli hapur me debatin e tij me Moskën. Në të dyja konferencat komuniste, si në atë të Bukureshtit në qershor dhe në të nëntorit në Moskë udhëheqësit shqiptarë Hoxha e Shehu e vendosën vendin e tyre në mënyrë të pamohueshme përkrah Pekinit. Prej nëntorit ata kanë përmendur disa herë pakënaqësitë me Moskën, megjithëse mes vetë Moskës e Pekinit publikisht marrëdhëniet dukeshin të qeta. Në samitin e Paktit të Varshavës në mars Shqipëria dërgoi një delegacion të nivelit të dytë dhe përsëritën opozicionin ndaj politikave sovjetike. Lëvizja e fundit kundër Moskës ishte gjyqi publik këtë muaj i dhjetë “tradhtarëve e spiunëve” të akuzuar se kërkonin të përmbysnin pushtetin në Shqipëri, si agjentë të Greqisë, Jugosllavisë e Shteteve të Bashkuara. Por në fakt dëshmitë e gjyqit i drejtoheshin Bashkimit Sovjetik dhe politikave të tij, veçanërisht atyre ndaj Jugosllavisë. Grushti i pretenduar i shtetit jo vetëm që nuk kishte të bënte me Perëndimin por ishte tentativa e BRSS vitin e kaluar për të spastruar partinë shqiptare nga elementët anti-sovjetikë dhe pro-kinezë. Pas kësaj tentative Moska e ka sulmuar Shqipërinë vetëm me presionin ekonomik, me nënkuptime në fjalimet e saj dhe me kritikat direkte të liderëve të partive satelite sovjetike, si udhëheqësi gjermano-lindor Ulbricht dhe kreu komunist italian Togliatti. Ndërsa komunistët kinezë nga ana tjetër kanë treguar në shumë mënyra mbështetjen për qëndrimin “heretik” shqiptar. Ata kanë zëvendësuar Moskës si furnizuesi kryesor i grupit për Shqipërinë duke dhënë rreth 180 000 ton që prej shtatorit të shkuar, përkundër 70 000 ton nga BRSS, një pjesë e së cilës është blerë me para në dorë nga Kina megjithë krizën e urisë në vend. Në prill at njoftuan një akord të ri miqësie me Tiranën dhe kredi prej rreth 125 milionë dollarë për planin pesë-vjeçar 1961-1965. Këto veprime reduktojnë aftësinë e Moskës për të ushtruar presion ekonomik ndaj Tiranës. Duke reflektuar debatin e gjerë me Moskës e Pekinit, problemi shqiptar tashmë ka marrë përmasa më të mëdha në Moskë, e cila herët e vonë do të marrë masa për ta eliminuar. Pro aftësia momentale e Tiranës për të bërë atë që nuk arriti të bënte Hungaria, i ka hapur sytë vendeve të tjera të orbitës sovjetike që kërkojnë më shumë pavarësi dhe atyre që kanë simpati për orientimin e majtë të Kinës.

Qershor 1962

Reagimi shqiptar ndaj afrimit sovjetiko-jugosllav

Duket qartë se ka një thellim të shqetësimit në Shqipëri për pasojat e afrimit të kohëve të fundit mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë. Kryeministri shqiptar Enver Hoxha është i ndërgjegjshëm se ky hap paralajmëron ndarjen total të Shqipërisë nga Moska dhe gjithashtu mund të dyshojë se Moska e Beogradi mund të jenë duke arritur një akord të përbashkët veprimi kundër Shqipërisë. Në komentin e tij të parë që prej vizitës së Brezhnjevit në Jugosllavi në 24 shtator deri më 4 tetor, Hoxha mbrojti pretendimet e regjimit në ideologjinë e pastër marksiste dhe akuzoi Hrushovin për një “tradhti të madhe” të marksizëm leninizmit në politikën e tij të afrimit me Titon. Një artikull i 13 tetorit në të përditshmen shtetërore shqiptare “Zëri i Popullit” sugjeronte se kjo lëvizje mund të sillte një përçarje në lëvizjen ndërkombëtare komuniste dhe i bënte thirrje partive të tjera t’i bashkoheshin Shqipërisë në opozicionin e saj ndaj politikave të Hrushovit. Duke pretenduar se masat e komunistëve e revizionistëve nuk mund të jetojnë për shumë gjatë brenda të njëjtës parti apo brenda të njëjtës lëvizje politike, artikulli pretendonte se sapo të jetë e mundur, komunistët dhe udhëheqësit e tyre që deri tani kanë mbështetur Hrushovin, tashmë duhet të gjejnë kurajën dhe energjinë për t’u distancuar nga revizionistët.

Artikulli krahasonte situatën aktuale me përpjekjen e Leninit dhe Stalinit kundër revizionistëve e oportunistëve të kohës së tyre. “Ne e dimë shumë mirë se vetëm me anë të eliminimit përfundimtar të Menshevikëve në 1912 u vendos uniteti komunist”. Shqiptarët nuk kanë hezituar të sulmojnë Hrushovin me emër dhe duket se po nxisin dhe Kinën të eliminojnë stilin e përdorimit të Titos si maskë të sulmeve ndaj Hrushovit. Artikulli thekson më tej se revizionizmi jugosllav është diskredituar gjerësisht por fronti i përbashkët i Titos me Hrushovin ende nuk është demaskuar prandaj ka ardhur koha që kjo të ndodhë. Shqipëria padyshim e kupton që asnjë parti komuniste nuk është e gatshme t’i bashkohet një grupi të pavarur nga Moska. Por ajo mund të besojë se ka vërtet një numër partish që mund të mbështesin Pekinin nëse komunistët kinezë marrin drejtimin e një lëvizjeje opozicioni brenda komunizmit ndërkombëtar. Megjithëse nuk ka sinjalizime se Pekini kërkon të marrë një lëvizje kaq radikale, Tirana duket se inkurajohet nga disa referenca në shtypin kinez ndaj përpjekjeve të Leninit në kohën e tij kundër revizionistëve.

Në shkurt për shembull gazeta teorike kineze “Flamuri i Kuq” theksoi se Lenini ishe detyruar të bashkohej me marksistët revolucionarë të vendeve të ndryshme për të kundërshtuar revizionistët e Internacionales së Dytë. Por qëllimi më i afërt i Tiranës mund të jetë nxitja e përçarjes në botën komuniste veçanërisht mes partive të Evropës Lindore. Katër prej tyre, partia bullgare, hungareze, ceke dhe gjermano-lindore pritet të mbajnë kongreset në fund të vitit ose në fillim të vitit që vjen. Tirana është e ndërgjegjshme se disa prej partive, sidomos hungarezët kanë rezerva ndaj sovjetikëve për politikat e brendshme dhe të jashtme, ashtu si dhe parti të tjera që nuk kanë ndjekur një linjë të njëjtë në sulmet e Moskës ndaj Shqipërisë. Jo të gjitha partitë i kanë tërhequr ambasadorët e tyre nga Tirana ndërsa Polonia e Bullgaria kanë ende marrëveshje tregtare me të. Regjim i Hoxhës mund të besojë se dallime më të thella mes sovjetikëve dhe satelitëve t tyre mund të gjenden nën sipërfaqe.

Prill 1962

Ndryshime në tregtinë e jashtme shqiptare

Një transmetim i fundit nga Tirana tregon se tregtia shqiptare me Kinën komuniste po zgjerohet me shpejtësi ndërsa ajo me BRSS po reduktohet, dhe ndoshta regjimi i Hoxhës pret që Kina të marrë tashmë rolin që dikur kishte Bashkimi Sovjetik brenda fundit të këtij viti. Megjithëse tregtia me BRSS besohet se ka ndaluar, këmbimet shqiptare me vende të tjera satelite vazhdojnë, kurse tregtia me Çekosllovakinë është në rritje. Pushteti planifikon vetëm një rritje të vogël në tregtinë me vendet jashtë bllokut sovjetik në 1962, pas rritjes së shpejtë një vit më parë. Duke e njohur ndihmën e konsiderueshme të Kinës sipas “frymës ndërkombëtare” Tirana deklaron në transmetimet e saj se tregtia me Kinën do të jetë sivjet 2.3 herë më e madhe se një vit më parë. Si rezultat tregtia kineze e Shqipërisë u rrit nga 28 për qind në 1961 në 59 për qind në 1962, duke përfshirë këmbimet e mallrave si dhe kreditë afatgjata të Kinës. Shqipëria do të marrë mallra të vlefshme si grurë, metal të fletëzuar, fertilizues dhe traktorë, dhe do të dërgojë në Kinë minerale kromi, naftë bruto, bakër dhe duhan.

Disa nga mallrat e marra nga Kina do të jenë të blera në vendet perëndimore ose nga BRSS, por të financuara nga Kina. Njoftimi i Tiranës e bën të qartë se nuk do të ketë tregti me BRSS pro gjithsesi kjo ndërprerje nuk do t’i paraprijë një ndërprerjeje dhe me vendet e tjera të bllokut sovjetik. Statistikat çekosllovake tregojnë se tregtia me Shqipërinë është rritur në 1961. Tirana ka nënshkruar5 gjithashtu kontrata tregtare me disa vende të tjera satelite në vitin 1962, të cilat përmbajnë listat e zakonshme të produkteve por nuk përcaktojnë volumin tregtar. Informacione të tjera sugjerojnë se tregtia me vende satelite përveç Çekosllovakisë do të jetë disi më e vogël se në 1960 e 1961. Një shpjegim i mundshëm për partneritetin me Çekosllovakinë është mbështetja e saj për industrinë shqiptare të kromit dhe hekur-nikelit, prej çmimeve të favorshme dhe kostove të ulëta të transportit. Shqipëria besohet se ka vendosur në balancë tregtinë e saj me Çekosllovakinë në 1961 siç kërkohet për anulimin e krediteve, dhe do të përpiqet të ruajë këtë balance.

Disa përpjekje të tjera të Shqipërisë për të shtuar tregtinë me vende jashtë bllokut sovjetik kanë pasur njëfarë suksesi dhe qeveria po mbështetet në rritjen e këtyre lidhjeve. Aftësia e vendit për të përballuar humbjen e importeve nga BRSS është shtuar disi nga rritja e prodhimit industrial e bujqësor në 1961, çka solli një rritje të eksporteve prej 6%. Një tjetër rritje prej 7% pritet në 1962. Për arsye të mungesës së informacionit mbi tregtinë shqiptare është e vështirë të përcaktohet masa e importeve shqiptare në 1961. Plani i 1962 parashikon një rritje të masës tregtare me 10 për qind dhe kjo falë ndihmës së re kineze, kështu që humbja e dërgesave sovjetike nuk do të ketë shumë impakt në ekonominë e vendit.


(Kosova Sot)