Dokumentet e CIA, ja si nisën bisedimet Shqipëri-Britani për incidentin e Korfuzit dhe vjedhjen e arit nga nazistët, përplasje me qeverinë e Berishës

  • 15 October 2018 - 09:54
Dokumentet e CIA, ja si nisën bisedimet Shqipëri-Britani për incidentin e Korfuzit dhe vjedhjen e arit nga nazistët, përplasje me qeverinë e Berishës

Dalin në ditë të tjera dokumente s ai takon aktivitetit të regjimit komunist në vend. CIA ka publikuar një artikull të “Monitor” në 1985 ku tregohet e ka pasur bisedime të fshehta mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Bisedimet janë kryer për rezervat e arit në vend dhe për shpërthimin e anijes britanike më 1946. Këto bisedime rinisën më 1995 kur në pushtet ishte Partia Demokratike.

Gusht 1985

E përditshmja Christian Science Monitor

Shqipëria do të rinisë bisedimet sekrete me Britaninë

Bisedimet sekrete mes përfaqësuesve shqiptarë dhe britanikë, mund të hapin një të çarë në perden e hekurt të Shqipërisë, e cila është ulur nga diktatori Jozef Stalin më shumë se 40 vjet më parë. Bisedimet sillen rreth një thesari të konsiderueshëm në flori të Shqipërisë, dhe për sulmet me mina detare ndaj dy luftanijeve britanike në 1946. Së shpejti pritet raundi tjetër i bisedimeve që sipas diplomatëve nisën pak para vdekjes së diktatorit Hoxha prillin e kaluar. Do të ishte një ekzagjerim sipas studiuesve të çështjes shqiptare këtu dhe në Londër, që këto kontakte të quhen një ndarje nga dekadat e izolimit stalinist të Shqipërisë, pasi dhe sekretari i ri i partisë është një mik i vjetër i Hoxhës dhe ndjek politikat e caktuara prej tij. Hapjet e kujdesshme të Shqipërisë ndaj qeverisë socialiste të Greqisë, rinisja e tregtisë me mikun e saj të vjetër Kinën dhe pranimi i disa zyrtarëve perëndimorë në vend, janë vetëm lëvizje të rralla. Dhe vërtet pas prishjes me BRSS në 1961 dhe me kinezët në 1978, izolimi egoist i Shqipërisë dhe barbaria ekonomike që erdhi me të është shtuar më shumë, prandaj Shqipëria ka nevojë për miq. Gatishmëria e regjimit të pas-Hoxhës për të diskutuar çështjen e Britanisë është një hap drejt zbutjes së izolimit të vendit. Kjo çështje ka të bëjë me marinarët dhe luftanijet e humbura nga Britania në 1946, dhe pretendimet e Shqipërisë për rreth 20 kg flori që raportohet se janë plaçkitur nga pushtuesit nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Floriri është rikuperuar dhe mbahet nga komisioni i floririt të Britanisë, Francës e SHBA. Një faktor që mund të prekë bisedimet janë tentativat britanike dhe amerikane të viteve 1949-1953 për të rrëzuar regjimin e Hoxhës. Këto tentativa gjatë administratës së presidentit Trouman, ishin njëfarë precedenti për tentativën e zbarkimit në Kubë në 1960, dhe aktualisht me luftën kundra-guerile ndaj qeverisë së majtë në Nikaragua.

Operacionet

Konservatori britanik Lord Bethell thotë në librin e tij “Puçi i Kim Filbit” se shërbimet sekrete britanike ashtu si dhe CIA e presidentit Trouoman infiltruan rreth 100 emigrantë anti-komunistë të pastërvitur mirë në Shqipëri. Ai jep emra të saktë, data dhe historitë personale të të gjithë atyre që u përfshinë. Kjo ishte në fakt tentativa e parë e armatosur e Perëndimit kundër një vendi të perandorisë lindore të Stalinit, dhe përfundoi në një katastrofë, kryesisht prej tradhtisë së agjentit të shërbimeve britanike dhe spiunit sovjetik Harold Kim Filbi. Ai ishte emëruar për të koordinuar operacionet me SHBA, por në fakt i kalonte të gjitha detajet te sovjetikët. Filbi i pranon këto me mburrje në librin e tij të kujtimeve, të publikuar pas arratisjes së tij nga Beiruti në Moskë në 1963. Shqiptarët zbrisnin në Shqipëri me barka e parashuta, pasi kishin marrë një trajnim elementar nga operativë britanikë që jetojnë edhe sot, të cilët ishin po ata që stërvitën partizanët shqiptarë kundër pushtuesve gjermanë e italianë. Afro gjysma e emigrantëve u kapën që në prekjen e parë të tokës pasi Sigurimi kishte detaje të sakta për kohën dhe vendin e mbërritjes së tyre, dhe shumica e agjentëve u ekzekutuan pas gjyqeve fasadë në Tiranë. Grupi i fundit i sponsorizuar nga SHBA u infiltrua në 1953 dhe përbëhej nga katër anëtarë të gardës së ish-mbretit Zog, dhe u ekzekutuan në Tiranë në 1954. Çështja e bisedimeve aktuale është rikuperimi i floririt të grabitur që llogaritet në vlerë rreth 60 milionë dollarë. Britania refuzon lëvrimin e floririt, për të cilin kërkohet dhe miratimi i SHBA dhe Francës, në rast se Shqipëria nuk pranon vendimin e gjykatës ndërkombëtare në 1949 për kompensimin, që tani është i pakonsiderueshëm, rreth 1 milionë dollarë për humbjen e 44 marinarëve dhe dy luftanijeve. Edhe operacionet e infiltrimit të viteve 1949-1953 ishin njëfarë hakmarrjeje për sulmin pranë Korfuzit. Incidenti nisi në 1946 kur dy luftanijet britanike u vunë nën zjarrin e baterive shqiptare në ngushticën tre milje të gjerë mes ishullit grek dhe tokës shqiptare. Po në këtë vend në 1984 një turist naiv u vra në një barkë të vogël nga plumbat e rojeve shqiptare pasi u afrua shumë bregut.

Shpërthimi

Ndërsa më 22 tetor 1946, teksa shumë banorë të Korfuzit shikonin nga ana tjetër e kanalit, dy luftanijet britanike Saumarez e Volage sfiduan rrezen prej tre miljesh të vendosur nga Shqipëria duke lundruar në ato që konsideronin ujëra ndërkombëtare (siç i konsideron edhe sot Shqipëria). Një minë detare thuajse ndau përgjysmë Saumarez. Kur Volage nisi të tërhiqte luftanijen tjetër drejt sigurisë, një tjetër minë shpërtheu në pjesën e saj të përparme. Tirana mohoi përgjegjësinë. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB vendet bënë me faj Shqipërinë, por rezoluta u ndalua me veto nga përfaqësuesi sovjetik Andrej Gromiko. Edhe në një vendi të gjykatës botërore në 1949 Shqipëria u bë përgjegjëse për aktin e dhunës, por çuditërisht gjykata pranoi se luftanijet kishin shkelur sovranitetin e Shqipërisë gjatë operacionit të heqjes së 22 minave detare të sapo vëna në kanalin e Korfuzit në nëntor 1946. Misteri shtohet më shumë pasi Shqipëria nuk zotëronte anije minavënëse asokohe. Në një tjetër kthesë të ngjarjeve, komandanti detar jugosllav anti-titist Karel Kovaçiç dezertoi përtej detit Adriatik drejt Italisë me një barkë të vogël, dhe në një dëshmi të mëvonshme tha se kishte parë dy luftanije jugosllave minavënëse që ishin nisur drejt ujërave shqiptare pak para 22 tetorit. Edhe hetime të mëtejshme sugjeronin se Jugosllavia, si vëllai i madh komunist i Shqipërisë, ishte vërtet i dyshuari kryesor.

Viti 1995

Ari i marrë nga nazistët

Komisioni trepalësh i arit ka në gjendje të paktën 17 milionë dollarë në vlerë ari shqiptar, të marrë nga nazistët gjatë luftës së dytë botërore. Qeveria e Britanisë dhe disa qytetarë privatë amerikanë kanë kundër-pretendime në lidhje me arin dhe qeverinë shqiptare. Ambasada do të vlerësonte shumë çdo informacion për zgjidhjen e debateve të shpronësimeve të qytetarëve amerikanë nga qeveria shqiptare. Qeveritë e SHBA, Britanisë e Francës ngritën komisionin

trepalësh pas Luftës së II Botërore për rekuperimin dhe shpërndarjen e arit të marrë ilegalisht nga nazistët. Ari në dispozicion të komisionit ka një total prej 7,120 kg, nga të cilat 1,500 kg janë për t’u shpërndarë në Shqipëri si një pagesë para-përfundimtare. Pas kësaj pagese para-përfundimtare do të shpërndahen edhe 5.6 ton ar si pagesë finale për vendet pretenduese. Për arsye të mungesës aktuale të sekretarit të përgjithshëm të Komisionit, ne nuk jemi të sigurt nëse Shqipëria do të marrë pjesë në pagesën finale. Përveç ngrirjes së disa dekadave në marrëdhëniet me perëndimin nga regjim i shkuar shqiptar, pengesa më serioze e kthimit të arit për Shqipërinë është pretendimi i Britanisë kundër Shqipërisë për shpërthimin e minave mbi dy luftanije të saj në kanalin e Korfuzit në vitin 1946. Incidenti i kushtoi jetën 38 detarëve. Me sa duket vlera e pretendimit britanik është më pak se 1 milionë paund.

Negociata me Britaninë e Madhe

Në kohën e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Britanisë në fillim ë këtij viti, BBC raportonte se dy qeveritë kishin pranuar rivendosjen e marrëdhënieve dhe zgjidhjet e debateve të hapura. Në një hetim të kohëve të fundit të përfaqësuesit amerikan të

Komisionit, homologu i tij në ambasadën britanike nuk ishte në dijeni të progresit të negociatave mes Shqipërisë dhe Britanisë për zgjidhjen e debateve të hapura, dhe premtoi të interesohej.

Përfaqësuesi britanik tha gjithashtu se disa pretendime private amerikane kundër Shqipërisë duhet të merreshin parasysh, përpara rikthimit të arit. Shumica e dosjeve të ambasadës mbi komisionin janë kthyer tashmë në Uashington dhe ne nuk gjejmë dot referenca për pretendimet private amerikane kundër qeverisë së Shqipërisë përveç rastit të përmendur në paragrafin b.

Aty thuhet se qytetarë amerikanë kanë pretendime pronash dhe financiare për dëme të pësuara nga konfiskimet e pronës prej qeverisë pas Luftës së II Botërore dhe se qeveria amerikane dhe shqiptare kanë rënë dakord me rastin e rivendosjes së marrëdhënieve, të nisin negociatat për një zgjidhje të shpejtë të pretendimeve. Sipas referencave vlera e përafërt e pretendimeve arrin në 1 milionë dollarë. Pa llogaritur vlerën e kudër-pretendimeve nga Britania e SHBA, apo ndonjë pjesë të mundshme për Shqipërinë të kompensimit final, vlera e 1500 kg flori që do t’i jepet Shqipërisë arrin në 17.120.000 dollarë sipas tregut aktual. Kjo paraqet një masë të konsiderueshme rezervash nga të cilat shqipëria mund të tërheqë në të ardhmen për programe të stabilizimit ekonomik. Duke menduar se qeveria britanike rrjedhimisht do të bjerë në marrëveshje me qeverinë shqiptare, ambasada kërkon t’i kalohet çdo informacion në lidhje me përpjekjet për marrëveshje në pretendimet amerikane kundër Shqipërisë, për kthimin e mundshëm të arit.

Negociatat

Departamenti i Shtetit ka marrë aprovimin e brendshëm dhe autoritetin për të negociuar mbi marrëveshjen dhe pretendimet shqiptare, që rrjedhimisht i lejojnë SHBA të ketë të drejtën e fjalës në komisionin trepalësh të arit (për rikthimin e pjesës së caktuar të arit ndaj Shqipërisë. Përpara kontaktimit të Shqipërisë për bisedimet e negociatave, ne deshëm të konsultoheshim me anëtarë të tjerë të grupit si Britania e Franca). Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka marrë pjesën e caktuar të arit të rekuperuar, të grabitur nga nazistët me vlerë afërsisht 25-30 milionë dollarë, i cili është bllokuar pas rezolutës së pretendimit nga SHBA dhe Britania. Britania ka hyrë në bisedime marrëveshjeje me Shqipërinë në maj, 1992, por rezoluta e SHBA mbetet pengesa e fundit për lëshimin e arit nga komisioni trepalësh. Ajo bazohet në pretendimet e SHBA për shpronësime të qytetarëve amerikanë të pronave në Shqipëri dhe një pretendim i vogël qeveritar. Si autoritetet shqiptare dhe ato britanike kanë komunikuar me SHBA për të kërkuar avancimin e negociatave të pretendimeve. Departamenti i Shtetit tani ka marrë autorizimin e brendshëm për të vazhduar negociatat dhe ka në plan të sugjerojë mesin e prillit për raundin e parë të tyre. Ne dëshirojmë të informojmë Britaninë dhe Francën për situatën aktuale dhe të konfirmojmë se nuk ka pengesa të tjera për lëshimin e pritur të arit. Departamenti kërkon me mirësjellje informimin e zyrtarëve të duhur se SHBA do të kontaktojë së shpejti me Shqipërinë për nisjen e negociatave. Ambasada duhet të konfirmojë me autoritetet britanike se nuk ka më pengesa të tjera (përveç pretendimeve amerikane) për lëshimin e arit nga komisioni trepalësh. Italia kishte sinjalizuar më herë se mund të kishte pretendime mbi arin bazuar në një përqindje interesi në bankën e Shqipërisë. Por në vitin 1982 qeveria italiane kishte dhënë garanci politike se nuk do të bënte pretendime të tilla. Por supozojmë se britanikët nuk kanë dëgjuar gjë për një ndryshim në pozitën italiane. 

(Kosova Sot)