1951/ Arkivat serbe, prifti pukjan i kërkon Zogut 1200 dollarë për ta zbuluar

  • 04 September 2015 - 17:52
1951/ Arkivat serbe, prifti pukjan i kërkon Zogut 1200 dollarë për ta zbuluar

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”

 Vazhdon edhe në këtë letërkëmbim mes fratit e Mustafa Krujës debati për librin gjerman dhe të vërtetat që fsheh në raportin mes Italisë dhe Mbretit Zog.

Por në këtë letër koefidente të dy personaliteteve shihet përpjekje e fratit për të depërtuar në arkivat serbe me qëllim studimin e historisë së shqiptarëve. Argumenti se në këto arkiva fshihet një pasuri e madhe e dokumenteve shqiptare do mund të çonte ndihmen që Mbreti Zog u pat dhënë me kohë françeskanëve, duke shpresuar edhe për këtë rast.

Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***

Ramleh (Aleksandrí), 11. 10. 51

I dashuni mik,

Të gjitha letrat e Tua i kam marrë: 9 korrik, 29 gusht e 3 tetuer. Po u përgjegjem tash të gjithave grumbull.

Pikë së pari për çâshtjen qi T’intereson mâ fort. Vetëm dje kam mujtun me folë me Mbretin shtruem, e e nisa kuvêndin me tê prej çâshtjes sate. Si i thásh me gojë ç’ishte nevoja me i thânë, i vûna përpara në tavolinë nji promemoria  të shkruem: “Frat’ i ynë (Pater Paulin Margjokaj, Franziskanerkloster-Graz), kërkon prej Madhnís s’Uej, për nji specializim 2-3 vjeç n’universitetin e Graz-it e studime ndër biblijotheka e arqiva të ndryshme nji ndihmë totale 1200 dollarësh, të dame eventualisht në kiste. Pater Paulini don me u specjalizue në slavishtën e sërbishten e vjetër, tue i pasë shënjue vetes për studime e vëzhgime historike, kontaktet e marredhânjet e Iliro-Shqiptarëvet me botën slave në mesjetë, e tue qênë dokumentat e ksaj pjese të historís s’onë gati krejt të shkruem slavisht.” Kështu m’u duk mue me folë mâ së miri për qëllimin t’onë. Me gojë shtova cilsít morale e intelektuale të Tua ashtu si dijta e thashë se Ti ishe i destinuem me dirigjue krejt veprimtarín e ardhëshme franciskane në Shqipní e me pasun nji vend të shquem në klerin katholik shqiptar, për në qoftë se Shqipnija ka për të shpëtue nji ditë prej regjimit komunist. Përgjegja e Mbretit qe kjo: “Tash e studjoj çâshtjen e t’ap nji përgjegje për fratin”. Nuk due të bâj prognostika, shpresoj vetëm se s’ka për t’a qitun punën në harresë, se për ndryshe do t’ishte e vështirë mâ për mue me i a ngërmue.

Pyetjet e Tua me letrën 29 gusht i përkasin nji faze historike tepër delikate e vëndimtare të Shtetit shqiptar e njikohsisht edhe nji kthese gjithaqë vëndimtare të jetës s’eme politike. Ka me m’u dashun pra këtu me shkrue nji pjesë me rândsí, ndoshta mâ të rândsishmen të bijografís s’eme, e Ti e din shumë mirë se sa e vështirë âsht autobijografija për kê e ndien përgjegjsín e së vërtetës historike. Shto mbandej qi tânë dokumentat qi kishin me më ndihun për me e qitun në bregt tant bien que mal  këtë barrë, kanë mbetun në Shqipní, qi don me thânë kanë hupun për jetë. Më duhet, pra, me i u pështetun vetëm kujtesës, e kjo shpesh herë e tradhton njeriun pa kurrnji të keq. Me këtë rasë po Të bâj nji rrëfim: egoizma më ka tundue shpesh herë me mendue: “A thue ka për të dalë ndonji shkrimtar i ndërgjegjshëm i Shqipnís mâ i ri se un, qi mbas dekës s’eme nemose të më lajë prej mëkatesh politike qi më janë ngarkue pa të drejtë e me shkrue nji bijografí t’emen qi t’i përshtatet a s’paku t’i afrohet së vërtetës historike? Besojshem, siç besoj gjithnji, se nji lakmí e këtilë âsht krejt legjitime. Pa i a thânë kurrkuj, më shkonte mêndja ke Don Lazër Shantoja, me gjithë qi, i shkreti, s’ka pasun temperament historjani. Kam pasun kontakte shumë me tê e në perjoden e mërgimit 1924-1939 nji korrespendencë të gjatë. Tash në këtë mërgim qi jemi tue e jetue, nji meshtar katholik shekullar u zvëndsue për mue prej nji rregulltari. Nuk po t’ imtoj, nuk po t’a lâ amanet, se amaneti âsht i rândë, e thotë edhe nji kângë shqiptare, qi ti të shkruejsh bijografín t’eme; por kur po vjen rasa, po shtrëngohem me të dhânë vetë shumë elementa për nji punë kso dore. Qe si, edhe tash, para se me të shkrue ça mbaj mênd mbi historín e Kongresit të Lushnjes po më duhet me të folë mbi jetën t’eme, e kam me të folë nj’ashtu sikur vjen nji katholik i devotshëm përpara rrëfimores për me t’u rrëfye.

Kur i kam kthye shpinën votrës familjare për me shkue atje ku më kishte thirrë fat’ i im pa pritun e pa kujtue, ishem 15 vjeç të mbushuna. Karakter’i im pra ishte già  i formuem e i kristalizuem irrimediabilmente,  së paku themelisht, rreth votrës së nji familjeje patrijarkale të Krujës. N’atë moshë nisem prudhë për me shkue me studjue në gjymnazin tyrk të Janinës. Kishem kryem në qytetin t’em klasët fillore e plotore ndër kushte teknike arsimore të vajtueshme, siç ishin aso kohet shkollat tyrke ndër vênde të tretuna si Kruja: shkolla fillore kishte nji mësues të vetëm: nji hoxhë krutân krejt esull për të gjitha njohunít, edhe mâ filltaret, moderne. Zêne se atje s’kishem fitue tjetër veçse këndimin e shkrimin me gërma arabishte e disá elementa të fés  mohamedane, si me thânë kateqizmën. Edhe kur kalova në plotoren, qi mund të krahasohej me tri rendet e gjymnazit t’ulët, pata vetëm nji mësues hoxhë, Tyrk ky. Por në tri vjet nuk nxûna veçse aqë sa, në rasë nevoje mos me mbetun pa bukë për atë gjuhë. Deshmija qi mora, e ardhun prej Stambolli e shtypun me emnat e lândvet qi duhet t’u mësojshin, e kishte gjymsën e këtyne të bardhë për nota, sepse s’ishin mësuem te na. Me këtë deshmí u paraqita un në gjymnazin e Janinës mbas 2 a 3 vjeç qi e pata marrë. Gjymnazet e Tyrqís, typ gjymnazit modern – jo klasik – t’Evropës, ishin mjaft në rregull edhe aso kohe. Ishte vjeta 1902. Drejtori u habit prej deshmís s’eme e më tha se me tê un mund t’u shkruejshem vetëm në rendin e parë, e jo në të katërtin si pretendojshem në bazë të saj si t’ishte nji deshmí në rregull. Me shumë vështirsí e jo pa nji ndërhŷmje energjike të kujdestarit t’em Esat Pashë Toptanit, qi aso kohe komandonte gjindarmërín e atij vilajeti me titull të nji divisjonari, u pranuesh në rendin e tretë. Në krye të motit shkolluer  dola, në provimet, i par’i klasës. Të dytën vjetë e ruejta prap atë gradë, të tretën e humba, por të katërtën e kapa përsri. Motin e fundit vota e e bâna në Stamboll e, edhe atje, qeshë i pari.

Shum’ i fortë në mathematikë, desha me hŷmë atëherë n’Ingjenjerí. Im atë, analfabet, m’urdhnoi me pyetun Esatin e ky m’a preu me spatë qi duhej të merrshem Mylkije-n. Kjo ishte nji kopje e Ecole Supérieure des Sciences Politique   të Parisit, e themelueme nën patronage-i  e Sulltan Hamidit për karrjerën diplomatike e të shefave t’ Administratës civile. Pranoheshin, me konkurs, vetëm katërdhetë kandidatë të dalë prej gjymnazesh. Atë mot, në 1907, në mos u gabofsha ishin 187 kandidatë. Un fitova i njimbëdhetti.

Mbas nji vjete, në korrikun e 1908-s u shpall në Tyrqí kushtetsija (konstitucjoni), qi njihte të gjitha nj’ato të drejta individuale e kolektive qi dihen simbas çdo kushtetsije moderne. Plasi kështu lufta kulturore e Shqiptarvet, qi deri atëherë s’kishin të drejtë me nxânë legalisht gjuhën e vet e me pasun shkollat e veta. Un shqipen e kishem nxânë qyshë i vogël në Krujë nëpër rrethet bektashijane. Kishem lexue të tâna veprat e Neim Frashërit, shumë vjersha patrijotike të tija i kishem nxânë përmêndsh, qyshë në gjymnaz kishem këndue edhe shumë libra tyrqisht të ndaluem prej regjimit absolutist, me shumë kujdes e meditacjon edhe librecin e Sami Frashërit, tyrqisht e shqip, Shqipnija: ç’ka qênë, ç’âsht e ç’do të bâhet. Ishem bâ nji patrijot e revolucjonar shqiptar. Rinija studentore shqiptare u bâ atëherë flamurtarja e asaj lufte. Në Stamboll un ishem gjithkund në ballë. Nji artikull i im tyrqisht, i botuem në nji nga fletoret mâ të rândsishmet t’atij kryeqyteti me psevdonym, pat bâmë bujë të madhe ndër qarqet shqiptare, e kur u zbulue, pa vullnetin t’em, se kush e kishte shkrue, brezi qi s’kishte të përpjekun me mue e qi s’më njihte – deputetën, senatorë e funkcjonarë të naltë, s’donte me e besue se auktori ishte nji student. Kujtoj se përkthimin shqip të këtij artikulli, nxjerrë prej dorshkrimit të ruejtun, e kam pasë botue tash në vjett e fundit të luftës në rivistën Leka. S’jam i sigurtë, por kështu më bâhet. Çdo shkresë kolektive e studentave shqiptarë të Stambollit, protestë zyrtare pushtetevet tyrke a e botueme ndër fletore, dilte gati vetëm prej pendës s’eme. Në Tiranë, Refik Toptani çel në shtëpí të vet nji shkollë shqipe e fanatikët e vêndit, në bashkëpunim me pushtetet tyrke, çojnë peshë kalamâjt e shkollave zyrtare e i thejnë të mjerit xhamat e shtëpisë me gurë; un, djalë i ri student, marr e i drejtoj kryetarit të bashkís, Mehmet Alí Be Toptanit nji letër e e bâj hor. Letra bân bujë në Tiranë, fanatikët indignohen, nacjonalistat më brohorisin.

Nji ditë prej ditsh më dëbojnë nga shkolla. Personalitetet shqiptare qi ndodhen në Stamboll përpiqen për revokimin e atij dëbimi. S’u ec. Un përgatitem me shkue në Shtetet e Bashkueme, për me punue e me mbarue studimet e mija atje. Nji princ tyrk, kundrështar i despotizmës s’atij regjimi, hajsmi liberal, më dha shpenzimet e udhtimit, 25 lira ar. Por shpejt më vjen nji lajm : nji prej profesorve të mij qi më paska pasë dashtun e çëmue, paska pasë punue për mue pa e dijtun un dhe paska marrë fjalën prej ministrit e komitetit të partís qi ishte në fuqí për me më pranue. E u ktheva prap në Mylkije, ku më 1910 kreva studimet e mija.

Nuk prita as shpërdamjen e diplomavet: fluturova në Krujën t’eme. Diploma m’epte automatikisht të drejtën me u emnue nënprefekt mbas nji stage-i tri vjeç pranë zyrave të nji valiu qi të dojshem me zgjedhun. Mund të lypshem me e krye atë stage  në Shkodër. Por shka? Nënprefekt i Tyrqís un? Ndienjat e planet e mija ishin tjera. Lypa me u emnue profesor në gjymnazin e Durrsit. Kishte mungesë të madhe për profesora e lutj’e ime u pranue. Ishem tashmâ i njohun në gjithë prefekturën e Durrsit, Kruja m’adhuronte, ndonse djalë 23-vjeçar. I a hŷna propagandës e nji organizimi të  fshehtë. Formova, në bashkëpunim me dom Nikoll Kaçorrin, nji komitet revolucjonar me qêndër në Durrës me elementa intelektualë të rij. Betova parín e Krujës për kryengritje. Stambolli u lajmue për këtë veprimtarí t’emen e më transferoi n’Urfa (Ur-i i Asyrjanvet). Por tepër vonë, vjeta 1912 kishte hŷmë, un n’emën të Shqipnís së Mesme edhe, veçan, të beglerve të Toptanit ishem marrë vesht me Prenk Pashën për nji kryengritje të përbashkët me Mirditën, e në Kosovë kjo kishte fillue, ndërsa në malet e Shkodrës, nisun shumë mâ  para pa u marrë vesht me viset tjera, kryengritja lokale ishte shue prej ushtrís tyrke. Epiqêndra e kryngritjes së madhe të 1912-s qe Kosova, qi peshonte shumë mâ rândë se gjithë viset tjera bashkë për fuqín e madhe dhe vrullin e pandalshëm ndër sulme. Kosovarët i u rrasën Shkupit mbrênda, Stambolli ndërroi qeverín, ajo qi erdh në fuqí kërkoi nji armpushim e marrveshtje me Shqiptarët. Mjerisht, kur mbërrîmë në Shkup na, delegatët e Mirditës me Marka Gjonin në krye e na të Shqipnís së Mesme me Avdi Beg Toptanin si të parë, Kosovarët i kishin pasë dhânë fund marrveshtjes me komandantin tyrk Ibrahim Pashën me kushte qi s’u afroheshin kurrkund deshireve t’ona.

Por u largova prej themës s’eme. Qëllim’ i im ishte me të përshkrue a sommi capi  jetën t’eme deri në kongresin e Lushnjes për me t’a bâmë mâ të kuptueshëm rolin t’em në këtë ndodhí rândsiplotë. E pra po vazhdoj. Gjeta në Shkup atëherë nji profesor t’emin në gjymnaz të Janinës qi ishte tash drejtor i arsimit të vilajetit të Kosovës. Ky ishte nji Prevezan, Zoti e din në se prej gjaku shqiptar, tyrk apo grek. Më proponoi drejtorín e gjymnazit të Pejës me kathedrën e gjuhës shqipe, qi ndër kushtet e Shkupit qe pranue me u mësue. E lashë me i u përgjegjun si t’u kthejshem në vend t’em. Në Durrës m’erdh emnimi për nënprefekt në Lesh. Por kërkova e m’u dha kathedr’e shqipes në gjymnaz të Durrsit pa titull e funkcjon tjetër. Dojshem me qênë i lirë, se e shifshem qi misjoni apostulluer s’ishte krye ende.

Plasi lufta e Balkanit. Tyrqit u thyen në Kumanovë e nuk zûnë vênd serjozisht askund mâ. Mblidhemi në Durrës disá nacjonalista në kuvênd të fshehët, ndër të cilët, kujtoj, veç Avdi Begut ka qênë edhe ndonji Toptan tjetër e Dom Nikolli. Shkruem e nënshkruem nji messaggio  për perëndorin e Austro-Hungarís tue  i u lutun qi të përpiqej me sigurue pavarsín e Shqipnís. Nuk ngjati shumë mbandej e i a mbërrîni, nëpër Vjenë e Romë, Ismail Kemali i shoqnuem prej Luigj Gurakuqit e sa nacjonalistave tjerë prej kolonís shqiptare të Bukureshtit. U organizue kuvênd i Vlonës qi shpalli pavarsín. Un qeshë atje delegat i Krujës e i Shoqnís Vllaznija të Durrsit, qi kishem themelue e organizue vetë, sikur kam thânë mâ nalt.

Ishem 25 vjeç. Si muer fund kuvêndi u emnuesh nënprefekt i… kryeqytetit ase në dash thuej prefekt e në dash guvernor, se krejt Shteti aso kohe ishte vetëm ajo nënprefekturë. Mbas nja tre muejsh, Ismail Kemali më muer si sekretar të kshillit ministruer. Ishem edhe “senator” ndër 12 qi zgjodh kuvêndi me funkcjon konsultativ pranë qeverís së përkohshme, të kryesueme prej Ismail Kemalit vetë e ku Kaçorri ishte nënkryetar. Shkodra, atëherë, ishte e rrethueme. Ditën qi Esat Pasha va dorzoi këtê Malazezvet, ase nesret, i a mbërrînë në Vlonë gazetat italjane me atë lajm edhe me nji tjetër të titulluem en manchette: “Essad Pascià principe d’Albania”.  U alarmuem të gjithë, jo aq sepse do t’u bânte Esati princ, sa nga lidhja e këtyne dý lajmeve bashkë, dmth. nga frika e nji marrveshtjeje t’Esatit me Slavët për t’i lëshue Malit të Zí Shkodrën për gjithmonë. Ismail Kemali na dërgoi Avdi Beun, qi kishte në qeverín e tij si ministër të financavet, e mue turravrap në Tiranë. Në kontaktet qi patëm me Esatin Avdi Beu, i kushrîni, e un, qi ishem për tê si Bruti për Qesarin para se t’a vritte, kuptuem qartas se ai s’ishte i pastër në çâshtjen e Shkodrës. Madje mue, qi më kujtonte verbnisht të vetin, m’a pohoi shqip se Shkodra  mund të mbetej nën Malin e Zí. Atë ças e mbrapa un u bâna përnjimênd Brut-i i Esat Toptanit, veçse vetëm me gojë e me propagandë. Se sa dâm i ka bâmë fjal’e ime atij pashe e sa dâm personal i kam pamë un ksaj veprimtarije përbân nji kapitull të gjatë me e përshkrue.

Esati, mbasi deshtuen planet me e shpallë veten menjiherë e drejtpëdrejt  princ të Shqipnís, bâni sikur hoq dorë e u muer vesht me Ismail Kemalin e hŷni  në qeverín e tij si ministër i mbrêndshëm. N’atë perjodë, qi ngjati veç nja 15 dit, a nji muej ndoshta, u bâ organizim’i administratës së Shtetit në të gjitha krahinat qi ishin lirue prej Sërbvet e s’ishin nën nji regjim ndërkombëtar, a të nji tjetër Shteti. U zgjodhën e u emnuen nëpunsat. Un nuk desha të shërbej n’administratën civile nën Esatin, kërkova prej Luigj Gurakuqit, Ministrit t’Arsimit, qi të m’emnonte Drejtor Arsimi të prefekturës së Durrsit. Esati kundërshtoi kâmbëngultas në kshillin ministruer për kët’emnim. Qe i pari shênj qi kishte qëllime t’errta ndër mênd : ajo prefekturë ishte feud’i tij dhe e kishte provue se sa i mërzitshëm ishem un atje për tê. Donte me më largue, proponoi me më dërgue nënprefekt në Starovë. Por Gurakuqi, me të cilin ishim intimë, kundrështoi e tha qi duhej mâ parë t’u pyetshem. Un refuzova kategorikisht dhe lypa drejtorín e arsimit n’Elbasan. Esatit, me kâmbënguljen energjike të Gurakuqit, i u desh tash me e pranue këtê. Me dekret në xhep, un mora leje me qëndrue disa dit në Durrës pranë familjes s’eme. Edhe Esati, mbas pak ditsh, tue zânë për shkak festën e bajramit, e la Vlonën e vot në Tiranë. Por në të vërtetë, mbasi pat emnue ku i duhej e sa mundi nëpunsa qi i kishte të vett, ishte tue shkue atje për me përgatitun shqizmën e tij. Për mue kishte ndryshue mendim : s’la njeri pa më çue për me m’a mbushun mênden qi të rrijshem në Durrës ashtu si pata dashun në fillim, kur s’i pëlqeu atij . Duket se n’Elbasan, bashkë me Aqif Pashën, qi e kishte kushrî edhe atê, por kundrështar, më gjykoi mâ të rrezikshëm se në Durrës ku kishte damë me ngrehun selín e vet e prandej do të më kishte nën kontroll të ngushtë. Por s’i bâni dobí. Mâ vonë më çoi edhe n’Elbasan nji njeri. S’la argument pa përdorë për me më tërhjekun n’anë të vet, argumenta moralë e materjalë, posë kërcnimesh qi s’më bâni kurrë, ndoshta tue na njohun mirë mue e familjen t’eme.

Me 7 mars 1914 zdrypi në Durrës Princ Ëiedi, bashkë me komisjonin qi, nën kryesín e Esatit e i përbâmë mâ të shumtën prej beglerësh, kishin organizue Austrija e Italija për me shkue në Neu-Ëied me i paraqitun pro forma kunorën e Shqipnís. U formue qeverij’ e Turkhan Pashës (e para, nën princ Ëiedin), në të cilën Esati qe il factotum si ministër i mbrêndshëm e i luftës. Un u thirra prej Elbasani si kshilltar në ministrí t’Arsimit, ku Dr. Turtulli, orthodoks, ishte ministër e Luigj Gurakuqi nënministër.

Plasi kryengritja reakcjonare e Shqipnís së Mesme kundra Ëiedit. Esati, i paditun si nxitës, për mue pa të drejtë, i asaj kryengritjeje, u kap e italjanët i a muerën princit tue e shtrëngue qi të kufizohej me dëbimin e tij prej Shqipnije.

Me 2 shtatuer 1914 edhe princi vetë u shtrëngue me e lânë Shqipnín. Po atë ditë ikën n’Italí edhe shumic’e nacjonalistavet qi ndodheshin në Durrës, e ndër ta edhe un bashkë me Luigj Gurakuqin e tjerë shokë, qi zdrypëm në Bari. Ajo ditë e zezë mue më gjet vetëm me 20 napoljona në xhep: hoqa e i lashë familjes gjymsën e me gjymsën tjetër mujta me jetue 5 javë në Bari, posë dyve të fundit qi ruejta për nji biljetë vapori Bari-Shëngjin e sa me mbërrîmë deri në Rrëshê të Thkellës. Atje, t’a marrmen vesht Ahmet Beg Zogolli, çoi e më grishi në konak të vet në Mat. Kemi qênë njohun me tê qyshë në Stamboll, ku ai ishte nja 12-13 vjeç e un 19. Ndêjta mik i mbretit t’ardhshëm të Shqiptarvet katër muej e mbandej u ktheva prap në Rrëshê.

Të lëshuemen Princ Ëiedi Shqipnín, a, mâ drejt me thânë, qytetin e Durrsit, se në këtê ishte kufizue zotnim’ i tij, Esat Pasha s’pat vonue me kthye, për me zânë vêndin e tij, prej Italije e me pelqimin e ksaj, qi ishte e kënaqun pse kishte mbërrîmë me pamë të larguem prej bregut linduer t’Adrijatikut nji princ gjerman e mâ fort mik t’Austro-Hungarís sesa të vetin. Ai hŷni në Shqipní nëpër Jugoslllaví, tue mbëledhun në krahinën dibrane e matjane nji fuqí besnikësh të vet e tue hângër nji drekë ke Zogolli. Vëllai i parë i ksaj dere feudale, Xhelal Begu, njeri i mirë por i pa-aftë, i rânë mbas pijet e pa asnji  lakmí politike, shkoi me tê e mbet siç ishte edhe mâ parë, krejt i tij për gjithmonë, ndërsa tjetri, Ahmet Begu, djalë i ri nja njizetvjeçar a pak mâ tepër, shumë i zgjuet e plot me ambicje, s’luejti prej shtëpís së vet. Esati u prit prej parís reakcjonare (ky adjektiv duhet marrë me kuptimin politik të thjeshtë, kombtar e fetar, por jo shoqnuer) qi kishte dëbue Ëiedin, pa enthusjazëm e me dyshime. Ai ra në Tiranë e vot e zûni selín e Princ Ëiedit në Durrës, ku formoi nji qeverí me elementa pa kurrfarë personaliteti e natyrisht diktatorjale. Krijoi nji flamur të ri për Shqipnín e tij: me nji yll të bardhë mbi fushë të kuqe, bojnat e Tyrqís, por pa hânën e saj. Kurse rebelat t’anë kishin vûmë kudo flamurin e Tyrqís të plotë, ashtu siç e kishim pasun për shumë qindvjet robnije. Shpejt reakcjoni i shpalli luftë edhe Esatit, qi lypi ndihmën e Serbís mbasi mbet edhe ai i rrethuem në Durrës si Ëiedi. Njisí ushtarake sërbe pushtuen, si masë prekaucjonale, Oroshin e Mirditës, kapën e i çuen Esatit për dhuntí disa krenë, e n’anë tjetër nëpër Martanesh e Elbasan shkuen deri në Tiranë, të pritun gjithkund me scaramuçe   prej kundrështarvet tyrkomana t’Esat Pashës, qi u bânë, tekembramja, miza kualsh. Esat Toptani u bâ kështu i zot’i gjithë qyteteve të Shqipnís, posë Shkodrës ku vazhdonte regjimi internacjonal i përparshëm, i kthyem, mbas shpërndamjes së përfaqësuesve të huej për shkak të luftës, në nji regjim oligarqik nën kryesín e Prengë Bibë-Dodës. Malet kishin mbetun si gjithmonë.

Sërbt kishin kthye në vênd të vet : Esati s’kish mâ nevojë për ta. Nisi menjiherë me vêndosun kudo pushtetin e vet, me emnue njerëz besnikë nëpër zyrat e me kapun rebelat e kundrështarët e arratisun. Mbas do kohe më vjen rendi mue. I kthyem, si thashë, prej sarajesh të Zogollit në nji dugajë të nji bashkqytetari t’em në Rrëshê, nji ditë prej ditsh qe po marr nji ultimatum t’Esatit nëpër komandantin e Krujës: “Në qoftë se mbrênda 15 ditve s’ke me ramë në dorë, s’ke pse pyet mâ për njerzit e tu!” Kështu thonte ai ultimatum. E njimênd, sa mashkuj të Merlikaj ishin, i kishte kap’e burgosun në Durrës, posë nji kushrîni të parë qi ishte arratisun. Im atë e deri im ungj, Xhiu i Fajës, ishin ndër ta. E un, po mos të bijshem në dorë, s’kishem pse pyetshem mâ për këta gjind, do me thânë se do të çarteshin të tânë për mue. Ç’bân njeriu i ndërgjegjshëm në nji rasë të këtilë?  Ishem djalosh 27-28 vjeçar, e më dhimbej jeta, si gjithkuj. Nji ultimatum aq’i furishëm dhe luft’e kalueme e ime kundra diktatorit s’lêjshin vênd me u mashtrue. Por në fund të shpirtit t’em fshihej nji tjetër frikë, qi më kërcnohej mâ e mndershme se deka. Dikur, imtimit të tij për bashkëpunim i ishem përgjegjun me nji letër ku, e mbaj mend mirë, këndoheshin edhe nje-këto fjalë tekstuale: “Juve Ju ka falë Perëndija nji emën të madh e nji kâmbë të naltë, pare e gjâ; un s’kam veçse nji nderë, po t’a humb edhe këtê, s’më jet mâ kurrgjâ tjetër!” Drojshem tash se për të marrë gjakun e ksaj së fyemje të rândë indirekte, mos të më vênte para dilemës me zgjedhun ndërmjet  bashkëpunimit me tê, qi e kishem quejtun çnderim, e dekës në litar, në të cilën rasë mund të më lëshonte zêmra me pranue anën e parë. Apo s’ishte tue më tundue djalli, edhe vetëm tue mendue eventualitetin e ksaj dileme, me i thânë vetes nga nji herë, tinzisht, përmbrênda: “Kush e di? Ndoshta do Zoti e ka nevojë, si dikur, për bashkëpunim t’em e shpëtoj deket!”

Kishem pranë, kur e mora at’ultimatum, të zon’e dugajës, analfabet, bajraktarin e Rrëshênit edhe Refik Beg Toptanin, i arratisun si un edhe ky. Nuk po zgjatem – se teper gjatë madje shkoi ky përshkrim – me dramën mjaft interesante të bisedimit me këta tre shokë n’atë ças. Kruetan’ i im dijti me më diftue udhën mâ t’arsyeshmen; më tha: “Ti Mustafë mos na pyet ne për nji punë kaqë delikate, por nisu e shko në Shkodër, ku ke shokë qi munden me të kshillue!” Sepse thema e bisedës kjo po ishte: “Si me i a bâmë?” At’udhë qi më kshilloi bashkqytetari, Xhafer Taga, zgjodha edhe un, por jo pa pyetun me nji letër edhe Ahmet Beg  Zogollin. Përgjegja e këtij qe evasive : më vênte në beft kundrejt nji “kameleoni” si Esati, por s’më thonte se a duhej të pranojshem dekën për vete apo për të mijt.

Në Shkodër mblodha në kshill dhetë shokë intelektualë dhe u vûna përpara dokumentin fatpremë. U thashë: “Do të gjykoni ju, sikur t’ishi un, e un do të bâj si t’a vêndoni ju me shumicë; kam ardhun te ju për me i shpëtue nji subjektiviteti qi rândon tepër mbi gjykimin t’em, ju, sido-kudo jeni mâ të lirë, mâ objektivë”. Këtyne u vûna përpara edhe dilemën intime qi më torturonte. 9 më kshilluen me u dorzue, i dhetti, Salih Nivica, tue e xhveshun vetin nga çdo ndienjë njerzore e morale, gjykoi: “Un e njoh Esat Toptanin për nji bishë : po i rae në dorë, ti ke me mbarue e mbarim’i yt kishte me qênë nji dâm aq’i madh për nji Shqipní kaqë të vorfën për shokët e tú, qi nji vetvrasë e jote si kjo qi të kshillojnë tjerët, mbas mendimit t’em do t’ishte nji krim kundra atdheut, nji tradhtí ; gjint e tú, edhe sikur të sakrifikohen të tânë, në fund të fundit janë aqë Shqiptarë qi desin e kurrgjâ mâ tepër…”

U nisa për Durrës n’e nesre qi hŷni Mal’ i Zí në Shkodër, me ethe në shtat se mos po më ndalshin me m’internue si bânë me do personalitete politike aso kohe. Dola në Lesh pa incidente. Vota mâ parë në Krujë për me përshëndetun për të mbrapmen herë gjithë farefisin t’em e me pamë komandantin qi pat qênë ndërmjets’i ultimatumit. Ky më la të lirë me shkue vetë në Durrës. Atje kishem edhe familjen t’eme, mbetun në grá e kalamâj. Ishem martue para nja 20 muejsh (tetuer 1913 – korrik 1915) e më kishte lemë djal’i parë kur ishem në Rrëshê (5 fruer). Vota fill e në shtëpí, pashë nânën, foshnjen qi kishem krijue për me vuejtun sod ndër burgjet komuniste t’Atdheut, për të cilin un po u bâjshem flí, gruen e re qi kam mundue tepër me jetën t’eme politike e qi sod, në pleqní, shpresoj se s’âsht tue më mallkue në fushën e përqëndrimit të t’internuemve atje larg në krahinën e Tepelenës, vllaznit e motrën, edhe  çova e thirra nji mik për t’ i a dërgue personalisht Pashës qi t’i thonte se më kishte nën vullnetin e tij për cilin burg qi të kishte vênd edhe për mue (të burgosunit ishin aqë shumë në Durrës aso kohe, qi ishin zânë shtëpija me qirá e kthyem në burgje, mbasi ai i vërteti ishte mbushun kaherë). I u luta vetëm qi mos të më çonte gjindarmë në shtëpí për me më marrë, se kudo qi të urdhnonte, do të shkojshem me kâmbët e mija sikur kishem votun der aty. Ndërmjetsi i ishte lutun me më lânë atë natë në shtëpí me gjinden t’eme, por kot. Porsa u kthye ndërmjetsi, bashkë me tê vota në burgun e madh ku kishte urdhnue Pasha e ku paska pasun ende vênd për mue. Atje gjeta edhe axhën t’em, shi nj’atë Xhín e Fajës qi aq fort i a kishte rritun emnin e oxhakut e të personës së tij. Kur më pa, me e pasë premë gjak s’i dilte. E kur i thashë, për t’a ligjue dorzimin t’em, se drojshem për tê e tjerët të familjes, m’u idhnue e m’u përgjegj me atë hije të rândë burrnijet qi e shquente : “Paj flaka t’i kish mbërrîmë në kupë të qiellit krejt familjes me sa ka e ça ka, veç tý mos të të shihshem këtu!” Nesret para mesdite, të tanë burrat të Merlikaj u liruen prej burgjesh me kusht qi mbrênda dý orëve t’u nisshin për Krujë.

Deri kah gjysa e dhetorit mbeta në burg të Durrsit. Në mos u gabofsha, në muej të nândorit më paskish plasun nâna 45-vjeçare prej idhnimit, por mue s’më diftoi kush. E shkreta, pak kohë mâ parë, paskish pasë fshehun nji revole e shkue me tê në Durrës (se im atë e kishte pasë marrë familjen e çue në Krujë) për me votun te Esati e me i u lutun qi të më lironte, e, po t’i a mohonte këtë lutje, për me e vramë! Ç’nuk bân dashunij’ e nji nâne!… Por bûjka atë natë te nji mik e ky mbërrijka me i a mbushun mênden me e kthye për Krujë. Zjarm i luftës kishte marrë Evropën mbarë, e Austrija po i avitej kufînit  të Shqipnís. Esati do t’ikte. Shumë prej rebelvet qi, mbas Princ Ëiedit, i kishin vûmë pushkën edhe atij, i kishte vjerrë. Me mue u suell burrë. Nuk bâni asnjânën prej dý anve të dilemës qi kishem drashun un. Shërbimet qi i kishte bâmë familj’e ime s’i kishte harruem. E kufizoi veprimin e tij kundra nesh me nevojën e projës së personës e të sundimit të tij. Por tue u përgatitun për ikje, s’kishte dashun qi të burgosunit e tij të vijshin e t’i lirojshin Austrijakët. Ishim kund nja 300 burra, ndër të cilët vetëm nja 15 intelektualë e tjerët të gjithë katundarë të dënuem me burgim ase ende të pagjykuem, krejt fajtorë politikë. Nji natë prej netsh na ngarkuen si bagtí në nji vapor italjan e na qitën në Brindisi, prej andej në burgun e Barit. Mbas gjashtë javësh na nisën për ishullin e Favignana-s në perëndim të Siqilís.

Kështu, un, mbas 5-6 muej burgu në Durrës, prej gjysës së dhetorit 1915 e mbrapa, gjithë kohën e luftës së parë botore e kalova n’Italí: mbas burgut të Barit, i internuem në Favignana, mbas 16 muejsh pata lejën me u trasferue individualisht në Caserta, ku studjonte im vëlla. Mbas dy muejsh tjerë, pa pritun e pa kujtue, marr nji telegramë prej Rome të nënshkruem Scalabrini, Capo Ufficio Albania del Ministero degli Affari Esteri me 150 lireta shpenzime udhtimi për me u paraqitun n’atë zyrë. Ishte nji gjâzë (enigëm) e vështirë me u zgidhun kjo, por sigurisht premtuese. Puna paska qênë kështu: në rivalitetin franko-italjan, Esat’ i ynë paska marrë anën e mâ të fortit e i paska kthye shpinën Italís. Kjo tash paska nisun me afrue kundrështarët e tij, kudo qi ishin. Mue më priti nënkryetar’ i zyrës Castoldi, qi pat luejtun nji rol në Shqipní gjatë mbretnimit të shkurtën të Ëiedit. Në Bari botohej aso kohe nji faqe e përditshme shqip e Corriere delle Puglie -vet prej nji miku t’em, Sotir Gjikës. Prej Caserte un i pata pasë dërgue disa artikuj këtij. Tash Castoldi, me methodat klasike të diplomatís italjane, mue më priti me njimijë  ndjesa për padrejtsín qi m’ ishte bâmë, natyrisht “pa dashun” e prej intrigave të nji miku të pabesë si Esat Toptani! Më deklaroi mbandej se ishem krejt i lirë me ndêjtun e me shkue ku të dojshem, aty mbrênda edhe zona e shpallun e ndalueme për të huej, si brigjet e Adrijatikut. As mue s’m’u lidh gjuha; lypa me dalë prej Italije për me kthye në Shqipní via Zvicër, po të mujshem, ndryshe me u ndalun në këtë vênd ku kishte edhe të tjerë shqiptarë nacjonalista. Kjo kërkesë m’u mohue. Lypa atëbotë me shkue në Bari si bashkpuntuer i Gjikës, qi më kishte kërkue me 200 lireta (atëherë ar) në muejt. N’atë rasë u bâna nderë edhe shokve të mjerimit qi kishem lânë në Favignana. I nxora të tânë andej: të pakët intelektualë qi ishin, u lanë të lirë me banue ku të dojshin, nja dy të rijve u dhanë bursa studimi, katundarët i çuen ndër koloní shqiptare të Siqilís.

Si redaktor i shqipes së gazetës së Barit nën drejtimin e Gjikës e mbrapa po ashtu në Kuvêndin e përjavshëm thjesht shqip në Romë, punova deri në mbarim të luftës. Nji artikull’i im pat qênë tue më fikun në Romë. Kshillojshem Shqiptarët e zonës italjane në Shqipní (Vlonë e Gjirokastër) si edhe ata qi kishin kërkue me u shkrue vullnetarë me aljatët e Okqidentit prej kolonive a qi aljatët dojshin me mbledhun, mos me luftue në frontin shqiptar, mbasi me plumbat e tyne do të vritshin n’anën tjetër vllazën e jo anmiq! Shka s’bân guxim’ i të riut! Më shpëtoi Castoldi, qi, si ekspert i politikës shqiptare, kishte fuqí të madhe në Consulta (atëherë selij’e ministrís së jashtme) e si kolonel i karabinjervet, për karrjerën e tij origjinale, i shkonte fjala edhe në ministrí  të luftës qi lypte me më çue para gjyqit ushtarak. Ai numër i gazetës qe ndalun në Vlonë prej komandës së përgjithshme pa u shpërdamë, e ngjeti, deri në Zvicër, ku munden e tërhoqën.

Mbaroi lufta e, edhe un si gjithë tjerët qi gjatë saj kishin ndodhun përjashta, u ktheva n’Atdhe. Shqipnija, në pjesën mâ të madhen, qe pushtue prej Italjanvet me mâ të madhin gzim të gjithë nacjonalistave shqiptarë qi drojshin mos t’ i a mbërrijshin mâ shpejt Sërbt për me i a dorzue Esat Pashës.

Tash fillon për Shqipnín e për mue nji jetë plot me shtërgata e tallaze politike qi kanë për të lânë gjurma të thella e të pashlyeshme, nga të cilat ato mâ të rândsishmet quhen : Kongres’i Durrsit, Qeverij’ e dytë e Turkhan Pashës, Përfaqsim’ i Shqipnís në Konferencën e Paqës, Kongres’ i Lushnjes e Ahmet Zogu. Këto po i lâmë për nji letër tjetër.

Po të thom me gjuhën e Frangut të Bardhë, it me shëndet.

M.Kruja