Letra e 1951 / Libri i kuq dhe 15 dokumentet zyrtare të panjohura kundër copëtimit të Shqipërisë

  • 05 September 2015 - 14:17
Letra e 1951 / Libri i kuq dhe 15 dokumentet zyrtare të panjohura kundër copëtimit të Shqipërisë

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. 

Ky është një nga momentet thelbësore të historisë, e sidomos për një nga personalitetet që ju hodh baltë për 50 vjet si “tradhtar” nga regjimi komunist, pa u zbuluar arsyeja e vërtetë. Mustafa Kruja në këtë letër tregon qartë gjithë përpjekjen shqiptare, mjaft herët, kur ishte në moshë të re, për pavarësinë e Shqipërisë, që ajo të mos copëtohej nga fuqitë e mëdha. Këtu ndeshim për herë të parë dëshminë e botimit në gjuhën shqipe të Librit të kuq me 15 dokumente zyrtare, një paraqitje për popullin shqiptar dorëzuar konferencës së Paqes për të ndaluar copëtimin e Shqipërisë. Ky është momenti edhe i rrëfimit të Krujës për qeverinë e përkohshme,emrat që do ta udhëhiqnin.

Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, ccdo fundjavw publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***

Ramleh (Aleksandrí), 24. XI. 1951

Mik i dashun,

T’Ânden me 23 të të shkuemit e kam marrë. E po e nis përgjegjen t’eme me problemën qi Të brên mâ fort Tý mênden e zêmrën. Të qe mbushun mêndja me më ngarkue nji barrë e m’a ngarkove. Edhe un e mora e e shkarkova pikë për pikë nj’ashtu si t’a kam përshkrue ndër letrat e mâparshme. Mjaft kam qênë mundue me të ndriçue, me aq dritë sa mujshem, por të mjaftueshme për nji njeri të kuptueshëm si Ti, se shpresat nuk duhej t’i kishe tepër të mëdhá për sa pritshe nëpër mue. Zhgënjesa âsht në vetvete e keqe, por kur të keshë bâmë plane jeteset mbi shpresa qi nuk dalin, atbotë del edhe e dâmshme. Uroj me gjithë zêmër qi ksi shtegu mos të mbarojë puna me nji zhgënjesë për Tý, se do të më vinte keq edhe mue gati sa Tý vetë. Përgjegje ende s’ka. Un po t’a kishem në dorë besomë qi do të bâjshem për Tý aqë sa për nji mik të dashun si Të kam. Por s’po dij as ç’me bâmë tjetër as ç’me Të kshillue. Me u çelë ndonji herë biseda, qoftë edhe andej pari e jo drejtpërdrejt, fjalën s’e kursej. Por pa nji rasë të voliçme mjerisht, sikurse T’a kam thânë, e kam shtegun mbyllë.

E tash po vazhdojmë me folë mbi historín e Shqipnís.

Datat e ditt dhe gjithë ç’din kushdo mbi këtë historí qi kam nisun me Të kallzue un, janë shkrue edhe nëpër botime të ndryshme. Prandej edhe sikur të gaboj në këto pika, thelbit të çashtjes s’i prishet gjâ. Kështu p.sh., nuk jam krejt i sigurtë se kur u mblodh kongres’i Durrsit, në nânduer apo në dhetuer të 1918-s. Un, me sa mbaj mênd, kam qênë kthye prej Italije në Shqipní në nânduer, tue zdripun në Vlonë me 18 të këtij moji. S’kishin kalue mâ shumë se 3-4 dit qi kishem mbërrîmë në shtëpí t’eme e pamë me sŷ mbas sa vjeç njerzit e mij, e qe se po thirrem në Durrës prej përfaqsuesve të qeverís italjane. Më thanë se kishin grishun edhe Mufid Be Libohovën e Mehmet Be Konicën nga Juga e Luigj Gurakuqin e Fejzi Alizotin prej Shkodre për me organizue na të gjithë, së bashku e në marrveshtje me ta, nji kongres a kuvênd  kombtar, se kishte ardhun koha me punue për vêndin t’onë. Mbas programës s’Italjanvet, barra e këtij kongresi do t’ ishte vetëm zgjedhja e ngarkimi prej anës së tij i nji komiteti veprues për t’u dalë zot të drejtave të kombit shqiptar pranë konferencës së paqës në Paris, natyrisht, në mênden e tyne, ashtu siç do t’u pëlqente edhe interesave italjane. Sa për në Shqipní, kjo po ishte nën pushtimin ushtarak, ndonse praktikisht në periodë paqe e sado qi Shqipnija juridikisht ishte nji shtet i pamvarë. Na të pesë Shqiptarët e ftuem si organizatorë të kongresit e pamë t’arsyeshme me i dalë zot ksaj barre pa u kujdesue se ç’kishte ndër mênd qeverija italjane: Thelb’ i punës ishte mbledhj’e kongresit.

Gjithë Shqipnija ishte theorikisht e pushtueme, por jo prej nji pushtetit të vetëm: në Korçë ishin Frêngjt e ky qytet me provincën e vet ishte shpallë prej pushtuesve… republikë mbë vete ; Shkodra ishte ndërkombtare e nji pjesë e madhe e maleve të Shqipnís së Mesme (Peshkopí, Lumë, Malsí, Gjakovë, e kujtoj, nji pjesë e Veriut të Mirditës) nën Sërb. Me gjithë këtê Shkodra, nemose në theorí, qe përfaqsue në kongresin e Durrsit. Në mos u gabofsha, prej Myslimanvet ka qênë Riza Dani. Prej kishtarís nuk mbaj mênd njeri. Kongresi mbas disa dit bisedimesh, vêndosi solemnisht këto pika themelore:1) Shqipnija ishte nji shtet indipendent me vullnetin e popullit të vet e njohjen e Fuqive të Mëdhá në konferencën e Londrës qyshë në 1913; 2) Konferenca e Parisit duhej të ndreqte padrejtsít e bâme prej asaj të Londrës për dâm të tansís etnike të kombit t’onë; 3) Pushtimeve të ndryshme të tokës s’onë u njihej vetëm nji karakter i përkohshëm de facto deri në vêndosjen e paqës ndërmjet belligjerantavet; 4) Duhej zgjedhun nji qeverí e përkohshme qi të merrte në dorë fatin e vêndit përmbrênda e përjashta.

Këto vêndime s’ishin kurrkund në pajtim me deshiret e vullnetin e pushteteve italjane. Mufid Libohova, qi pra ka qênë i njohun si italofil, mbasi u bânë këto vêndime, s’i a pritoi me shpallë në mjedis të kongresit, ku kishte edhe antarë të gatshëm me shkue e me ua thânë menjiherë Italjanvet: “Italjanët deshën me na shtimë në thest, por lumnisht gjau e kundërta!” Tash kishte ardhun koha me u zgjedhun misat e qeverís. T’a merr mêndja se s’ishte gjâ e lehtë. Me gjithë këtê do t’u bânte e u krye edhe kjo punë. Kryetar u zgjodh Turkhan Pasha, qi pat qênë kryeministër edhe me Wiedin, nënkryetar Prengë Pasha, ministra me ministrí a pa ministrí a me barrë qi të punojshin në Paris, u zgjodhën këta: Imzot Bumçi, Luigj Gurakuqi, Fejzi Alizoti, Mufid Libohova, Mehmet Konica, Mitëhat Frashëri, Sami Vrioni, Lef Nosi, Petër Poga, Dr. Turtulli, Mehdi Frashëri e Mustafa Kruja.

Un aso kohe ishem 30 vjeç gjithsejt. S’ishem beg: gjâ qi për Shqipninë e asaj kohe ishte nji e mêtë e madhe për me sundue. Nji paradoks i çuditshëm qi na kishte lânë trashigim zotnimi tyrk : feja myslimane i kishte shlye klasët aqë radikalisht qi edhe mâ i mbetuni i kombit për pasuní e titull, bâhej sadrazem (cancelliere dell’impero) qi thirrej  naltsí, si t’ishte nji princ mbretnuer, mjaft qi të kishte cilsít personale për të hypun n’atë kâmbë ; e në Shqipnín e sundueme prej Stambollit, vetëm beglerët kishin të drejtë me qênë në krye të popullit! Âsht e tepër me të thânë se edhe un vetë ngela i habitun kur pashë atë prjerrje të fortë të kongresistave me më zgjedhun për ministër. Qe vepra e grupit të rijve nacjonalista. Jet’e ime e deratëhershme, mund t’a them pa i shtue kurrgjâ së vërtetës e pa modestí të rrêjshme, më kishte bâmë nji farë idhulli të patrijotve të vërtetë të rinís. Por ndoshta âsht temperament’i popullit t’onë ky, qi me e çue njerín nji herë deri në qiell për me e lëshue mbandej e me e bâmë copash për tokë!

Turkhani, Imzot Luigji, Turtulli, Mitëhati, Konica e un u shënuem në Paris. Na u shtue edhe P. Gjergji me titull expert-i. Në të vërtetë atij i a kishte anda me njoftun Parisin e kulturës e të arteve dhe qeverija shpresonte se çashtja kombtare veç fitim do të kishte prej nji Fishtet. Mb’anë tjetër Mitëhat Frashëri mëngoi, se Italjanët nuk ndëgjuen kurrsesi me i dhânë pasaport së pari. S’i dij mirë arsyet konkrete të ksaj privilegje të marrë qi deshën me i dhânë Italjanët atij zotnije si patrijot shqiptar. Kush e din ç’farë raportash kishte ministrij’e jashtme për tê si anti-italjan. Mâ vonë pat shkue edhe ky, kujtoj; por kur s’kam qênë un mâ atje e kur dërgata shqiptare qe damë dýsh, njâna palë për luftë të hapët Italís e tjera për hiq e mos këput me Italín.; në njanën anë Dr. Turtulli, orthodoks korçar, ish-ministër i arsimit në qeverín e Wiedit, e Mehmet Konica, i vllai i Faikut e ish-konsull i Tyrqís ; në tjetrën Pasha me ne katër Gegët. Kjo shqizëm qe e plotë, pa asnji bashkpunim në mes të dý palvet. Kishte në Paris edhe dërgata të kolonive të ndryshme shqiptare; prej Amerike, Tyrqije e Rumanije. E para kishte në krye nji farë Zojushet Qirjazi, të kunatën e Kristo Dakos, e dyta Halil Pashë Alizotin, nji ish-guvernatuer të Tyrqís me antarë Sulejman Delvinën, nji ish-funkcjonar të naltë të Portës, Fuat Bé Dibrën. P. Bonatin, nji ish-jezuit, dhe Shan Tepelenën, prestar në Stamboll, mbrapa në Tiranë ; dërgatën e tretë e kryesonte Pandeli Evangjeli e kishte për mis edhe Dhimitër Beratin.

T’u shtruemen në Grand Hôtel të Parisit, na të qeverís së Durrsit bâmë të parën mbledhje për me hartue programën e veprimit t‘onë. Ky veprim do t’u zhvillonte me nota e memoranda in margine alla conferenza.   Me përkrahjen e Italís, konferenca kishte vendosun qi na mund të dilshim para saj gjithsa herë të kishin për t’u shoshitun çâshtje shqiptare, por sa me tfillue thesën t’onë e pa marrë pjesë në bisedime.

Nuk ishte vetëm taktika e veprimit qi na do të caktojshim, por fund e krye çâshtja jonë kombtare. Prej kolegvet qi kishin mbetun në Shqipní kishim kartë të bardhë. Tekembramja, në kryeqytetin e përkohshëm të Qeverís së Përkohshme s’kishin mbetun mâ shumë seç ishim na tjerët në Paris : Mehdi Frashëri për punët e mbrêndshme, Fejzi Alizoti për financat, Petër Poga për drejtsín, Sami Vrioni për bulqsín e Mufid Libohova, kujtoj, për punët botore. Prengë Pasha kishte vetëm titullin e rrinte në shtëpí të vet në Shkodër, dhe Lef Nosi po gjithashtu n’Elbasan, Mitëhat Frashëri në Romë. Na të Parisit, pra, qi kishim me vete edhe kryetarin e qeverís e ministrin e jashtëm, Mehmet Konicën, kundrejt Durrsit kishim vetëm detyrën me raportue e në rasa të rândsishme me lypun edhe mendimin e atyne qi ishin atje.

Përmênda mbledhjen e parë t’onën në Grand Hôtel e dola në hollsina tjera të nevojshme për të hŷmë në themën e bisedimit. E po më duhet prap me vazhdue në këtë drejtim edhe për nji copë. Sepse duhet mâ parë me dijtun se cila ishte atëherë gjêndja  ndërkombtare për sa i përket Shqipnís dhe elementat e ndryshëm të problemës shqiptare. Shqipnija ishte krijue shtet mbë vete me vêndimin e 6 Pushteteve të Mëdha: Anglí, Francë, Italí, Gjermaní, Austro-Hungarí e Rusí; kjo e fundit, e bolshevizueme para mbarimit të luftës e vetvetiu e veçueme prej koncertit evropjan; Austro-Hungarija e zhdukun prej kartës s‘Evropës si e tilë ; Gjermanija e mujtun e nën diktat ; ato qi kishin tash gur e unuer në dorë ishin vetëm tri të parat. Lufta i kishte bâmë hî njâjze gjithë traktatet e nënshkrueme parandej ndërmjet dý lagjevet belligjerante e i kishte zvëndsue e po i zvëndsonte me të reja. Për sa na përket neve, ishte sidomos traktat’i fshehët i Londrës, lidhun në 1915 ndërmjet Italís e beslidhunve të saj, në bazë të cilit kjo kishte rrokun armët e hŷmë në luftë kundra dý mbretnive qëndrore. Krejt frytet e fitores Italija i pështette mbi këtë traktat. E ky edhe Shqipnín e 1913-s e dante tri copash: dý provincat e Jugës, Korçë e Gjirokastër, i a epte Greqís e atê të Shkodrës Jugoslavís; lênte nji Shqipní protektorat italjan, ndërmjet lumit të Matës e deri në qafë të Llogarás ndërmjet Vlonës e Himarës. Lumnisht nji Pushtet i ri kishte hŷmë në valle gjatë luftës, ai Pushtet qi ndoshta pa dijtun me at’akt ishte tue vûmë kandidaturën për hegjemonín e botës mbarë: Shtetet e Bashkueme t’Amerikës. Këto s’ishin të lidhuna me asnji traktat të Pushteteve evropjane, as para as gjatë luftës. Edhe kishin shpallë solemnisht, nëpër gojë të kryetarit të vet Wilsonit, qyshë në fillim të konferencës së Parisit se nuk njihte asnji prej sosh, a, mâ drejt me folë, se në të gjitha bisedimet e vendimet e konferencës, Amerika i ignoronte ato traktate e e quente veten të palidhun me to. Veç këtij atout-i themeluer, qi mbas mendimit t’em âsht shi nj’ai qi si Shtet e ka shpëtue Shqipnín prej deket mbas asaj lufte, kishim edhe nji tjetër qi kishte nji anë positive e tjetrën negative e prândej zêne se ishte i padobishëm : Esat Toptani. Ky, sikurse dihet, kishte ikun prej Shqipnije si nji kryetar Shteti de facto e kishte votë e zânë vênd në Francë, madje tue u shpallë luftë mbretnivet qëndrore zyrtarisht. Ky kishte marrë edhe pjesë në luftë, hajsmi, me nja 400-500 bashibozukë të mbledhun nëpër qytetet e Tyrqís s’Evropës kur u çel ball’i Selanikut, e atje kishte formue edhe nji farë qeverije. Mund të paraqitej, pra, si nji kryetar i Shtetit shqiptar të pavarun e aljat i Okqidentit. E Franca, nemose de facto, edhe e kishte njohun si t’atilë. Por Anglija, gjithmonë e rândë në kso rasash, ajo jo, aq mâ pak Wilsoni. Sa për Italín, s’ka dyshim qi kjo do t’a kishte njohun si nji farë Begu Tunisije shqiptare, por, siç e kam thânë mâ parë, pat qênë prishun me tê qysh në fillim e nuk dij se pse. Ndoshta ka qênë vetë Esati qi s’ka dashun të pranojë nji pozitë t’atilë dhe ka mendue me e provue fatin e vet e të Shqipnís nga an’ e Francës. Sikur mos t’a lidhte Francën traktat’ i 1915-s me Italín, sigurisht në konferencën e paqës vêndin t’onë do t’a kishte zânë Esat Pasha, e mos të kishte qênë prishun ky me Italjanët prap kështu do të kishte ndodhun e s’do të kishte pasun as ndonji qeverí të përkohshme shqiptare me Turkhan Pashën në krye.

Nuk duhet të harrojmë edhe nji fakt : Italija kishte shpallë në kalá të Gjirokastrës në 1917 “l’indipendenza della più grande Albania sotto l’egida d’Italia” . Nuk dij se ç’e pat shtŷmë Italín në këtë gjest : ndoshta nevojët e luftës, se kishte në Shqipní kundruell vetes  nji anmik qi, ndonse formalisht e kishte shpallë popullin shqiptar të papjekun për indipendencë e madje as për autonomí, me punë ishte tue e përgatitun me shkolla shqipe e me administratë shqiptare në mënyrën mâ bujare, ndërsa Italija vetë as mbas asaj shpalljeje të bujshme, nuk hapi asnji shkollë të vetme shqip në zonën e vet. Kujtoi, pra, ndoshta, se Shqiptarët do t’u rrêjshin me fjalë të thata e do t’i vêjshin pushkën Austrís. Sido qoftë, veç, mbas luftet shpallja e Gjirokastrës për ne ishte nji armë faqe Italís qi na e kishte dhânë vetë në dorë e mund t’a përdorshim.

Këta ishin shkurt elementat e situatës qi kishim para sŷsh na, dergata zyrtare e Shqipnís, kur u mblodhëm në Grand Hôtel për me caktue programën t’onë. Për sa u përket kufîjve të Shqipnís, damë me kërkue të gjitha tokat e banueme prej nji shumice shqiptare e si minimum mos me pranue asnji pëllâmbë mâ pak se ato të 1913-s.

Tash më ra ndër mênd se kam këtu blênin e parë të Librit të Kuq me 15 dokumenta zyrtarë, të përkthyem shqip prej meje e të botuem me nji parathânë t’emen në mënyrë paraqitjeje popullit shqiptar, memoranda e nota qi i kanë qênë dhânë konferencës së paqës prej nesh mbrënda katër a pesë muejve të parë qi ka ngjatun bashkëpunim’i im. N’atë parathânë po shoh se qeverij’ e Përkoshme paska pasë qênë formue me 25 dhetuer, ditën e Kërshëndellave, të 1918-s. Po Të rreshtoj këtu poshtë sendin e datën e secilit prej këtyne dokumentave:

Kërkesat e Shqipnís (12. 2. 1919). II. Exposé e kërkesave shqiptare (24. 2. 1919). III. Memorandum mbi Shqipnín e Epër (15. 4. 1919). IV. Statistika demografike prej burimesh të ndryshme qi u perkasin popullsivet shqiptare në zonat e kontestueme (me të njâjtën datë). V. Kërkesë plebishiti ndër zonat e kontestueme (7. 3. 1919). VI. Protestë kundra masakrave sërbe (11. 3. 1919). VII. Protestë kundra traktatit të Londrës në 1915 (17. 3. 1919). VII. bis Kundra pretendimeve të Esat Toptanit si kryetar qeverije shqiptare (4. 4. 1919). VIII. Kushtet për nji mbikujdesí eventuale të nji Pushteti të Madh mbi Shqipnín (14. 4. 1919). IX. Protestë kundra hjekjes së flamurit shqiptar në Korçë e krahinën e saj prej pushteteve frênge (17. 4. 1919). X. Përgënjeshtrim të shpifunave të Karapanos, të vetcilsuem “delegat i Epirit” (5. 5. 1919) XI. Nji aneks dokumentues këtij përgënjeshtrimi. XII. Notë e posaçme Wilsonit kundra proponimit të tij me i dhânë Italís Vlonën për Fiumen qi donte me i a dhânë Jugoslavís (8. 5. 1919). XIII. Protestë kundra mandatit italjan mbi Shqipnín (1. 6. 1919). XIV. Kundra masakrave të reja jugoslave (3. 6. 1919). XV. Kërkesa fondesh qi kishte marrë ushtrija austro-hungare në Shqipní e dâmshpërblimesh (5. 6. 1919).

Të gjithë këta dokumenta janë materialisht e teknikisht vepra e dý personave: Luigj Gurakuqit e Mustafa Krujës. Bumçi na hynte në punë vetëm për bisedime ndër qarqe katholike me influencë politike, e Fishta, me tê gjithashtu, e si njâni si tjetri me marrë pjesë e me dhânë ndihmën e mendês së tyne ndër mbledhje ; Pashai plak ishte vetëm dekorativ e ministr’ i jashtëm Turtulli, sa s’ishin damë mbë vete, s’bâjshin tjetër as ata, posë kontaktesh me qarqe politike e diplomatike ku mujshin. Të siguroj, i dashuni mik, se ka qëllue qi më ka zânë agimi pa shkue me fjetun tue punue fillikat e qyqe – Gurakuqi shëndetën e vet e kishte mjaft kujdes e më qërtonte edhe mue sepse sakrifikojshem gjumin, ajrin e shetín. Memorandat e notat t’ona lypshin punë, konsultim veprash e përpilim statistikash. Në 4-5 muej qi kam ndêjtun në Paris s’kam dijtun ç’ishte Parisi.

Qe tash sepse na u danë dy shokët t’anë, dy ministrat e Qeverís së Përkohshme, e pak fjalë edhe mbi dërgatat e kolonive e mbi Esatin. Të gjithë na të Durrsit ishim në nji mendim se përkrahja e posaçme e nji Pushteti të madh do të ishte e dobishme e prandej e nevojshme për vêndin t’onë. Por na Gegët, tue e studjue thellë gjêndjen ndërkombtare qi kishim para sŷsh e tue e dijtun se traktati i fshehtë i Londrës dhe nji gjymsë milioni ushtarë qi kishte bâmë flí Italija sido-kudo i lidhshin Francën e Anglinë në favor të saj, ishim kryekëput të bindun edhe se po të kërkojshim na Shqiptarët vetë nji Pushtet projës nën çdo formë qi t’ishte, ky Pushtet nuk mund t’ishte tjetër posë Italís, e na këtê, prap të tânë nji mendimit, dojshim me e evitue. Mirpo dy shokve t’anë qi u bânë disidenta thjesht për këtë çâshtje, së paku për sa mund të provohet, u ishte mbushun mêndja ndryshe. Ata besojshin se po të kërkojshim na mandatin e Amerikës, kjo ishte gati me e pranue! Na kishim para sŷsh tendencën isolacjoniste të krejt shtypit amerikan, të thuesh, por sidomos t’anës republikane qi ishte deri kundra pjesmarrjes në Lidhjen e Kombeve qi po krijohej. Mirpo dy shokët t’anë e satelitët e tyne ke dergatat e kolonivet, sidomos tek ata të Tyrqís, besojshin të kundërtën, e na… s’u bindshim qi kishin të drejtë ata veç pse kishim të fshehun në zêmër deshirin me pasun mandatin italjan, mun atê qi në të vërtetë dojshim me evitue. Kishte shumë gjasë, e na ishim me ethe në shtat, se mandati italjan do të na imponohej pa e pohue na vetë se kishim nevojë për nji mandat, jo se mâ t’a thojshim zyrtarisht. Turtulli e Konica e bânë atbotë këtë kërkesë, dmth. kërkesën e mandatit amerikan në krye të vet, së cilës na i u përgjegjëm me notën n. VIII në listën e dokumentavet qi Të rendova këtu mâ nalt. Shqizma u bâ.

Prej dërgatave të kolonive, mâ e urta, a, nji fjalë italishte kishte me e cilsue mâ bukur, ajo qi ishte mâ spassionata  ka qênë e Rumanís, Pandeli Evangjeli me Dhimitër Beratin. Shqiptarët e Amerikës i kam pamë në çdo rasë monopolizatorë të patriotizmës. Shum’ a pak kështu ishin edhe në Paris. Nuk mbaj mênd se kush ka qênë tjetër veç Zojushës Qiriazi. Prej delegatve të Stambollit, Shan Tepelenën e kam pasë njohun edhe në Stamboll kur ishem student e kam pasë premë edhe petka te ai. Ka qênë qyshë atëherë Shqiptar i mirë. Patër Bonatin e kam njohun për herë të parë në Paris. S’mund t’ap asnji gjykim për tê. Mbrapa kujtoj se pat zânë vênd në Shqipní a n’Italí. Më duket se kishte nji kulturë të gjânë. Sulejman Delvina s’ka qênë përzie kurrë në politikë, as n’ato vjet të Hurrjetit kur acarimi ndërmjet Shqiptarvet e Tyrqvet pat mbërrîmë në kulm. Ishte nji nëpunës i naltë burokratik, i njohun si zotnues i fortë i gjuhës e letërsís tyrke e kurrgjâ tjetër. Si shumë tjerve, edhe atij nuk do t’i kishte ramë kurrë ndër mênd për Shqipní, sikur të mos kishte ndodhun spastrim’ i Shqiptarvet prej zyrave shtetnore mbas prishjes qi pat Tyrqija në luftë. Qe nji valë shovinizme pa vênd kundrejt Shqiptarvet, mbasi këtyne u kishte pëlqye mâ fort me mbetun osmanllij sesa me ardhun në Shqipní kur kjo duel mbë vete. Fuat Dibra ishte i biri i Ismail Pashë Dibrës, kontratar a sipërmarrës i nozullimit t’ushtrís tyrke bâmë me këtë tregtí pasanik i madh e pashë. Nuk e dij se kur i ka pasë dekun i ati e mbetun vetë zot i asaj pasunije, sikurse nuk dij as kur as si e pat humbun atë pasuní. Sigurisht, veç, duket se gjatë vjetve të hurrjetit edhe deri në luftë ishte ende i pasun. Duket se tymi kishte nisun me i dalë shi nj’atë herë kur u duk në Paris si nji patrijot i madh, qi paska shkrîmë krej pasunín e vet për me mbajtun dërgatën e Stambollit me paret e veta. Italjanët na thojshin se ata zotní kishin ardhun atje me nxitjen e qeverís frênge nëpër ambashatën e Stambollit e mbaheshin prej saj postafat për me kundrështue Italín. Âsht e dijtun se fjalët e italjanvet në këtë rasë do të merren me reservë të madhe. Por nuk lânë as pa krijue ndonji dyshim. Se të ramët e Fuat Dibrës duel për fushë menjiherë mbas asaj konference. Të ramë edhe të ramë katastrofuer. Pra në mâ të mirën rasë për tê, kemi të drejtë me mendue se, tue pamë qi katastrofa ishte e paevitueshme, bâni atë gjest për t’i përgatit un vetes nji vênd ndere në Shqipní. Dij kto fakte authentike për tê : Mbreti Zog – mos të vejë mêndja se e kam këtë fakt prej këtij vetë – në nji rasë të voliçme i kishte shtimë në dorë katërmijë napoljona ar e i kishte lidhun nji pensjon të përjetshëm 25 napoljonash në muej. Me gjithë këtê, ai zotní – e pastë falë Perëndija, se ka dekun – komplotonte kundra bâmirsit të vet bashkë me kundrështarët. Fakti i mjerueshëm âsht edhe ky, qi Fuat Dibra, pa pasë luejtun kurrë as nji gisht doret për Shqipní, pa pasë shpenzue asnji lek për atdheun e tij, madje pa i pasë qênë ndigjue emni kurrë si shqiptar deri në 1919, na merr famë n’atë Shqipnín t’onë aqë të çudiçme si mâ i madhi patrijot e burrë i ndershëm! Halil Pashë Alizoti ka qênë, me sa më kanë diftue për tê, burrë i ndershëm e nji valí jo fort i zoti në Tyrqí, i ndëgjuem vetëm për ndihmën qi u bânte Shqiptarvet kur u binte me u gjindun në provincën e qeverisun prej tij, por kurrë për patrijotizëm në kuptimin politik. Duket se ka qênë njimênd burrë i drejtë, se bashkë me Shanin e Bonatin, asnji s’kërkoi gjâ kurrë prej Shqipnije… për shpërblim patrijotizme.

Ndoshta të kam folë në letrën e mâparshme mbi burrnín e Esat Pashës e ndoshta edhe në letra tjera, si faqe meje ashtu edhe ndaj tjerë. Nji provë për këtë burrní e kam pasun edhe në Paris. Kur e pamë fatin e Shqipnís në rrezik të madh, thirrëm atje edhe Mehdi Frashërin e Mufid Libohovën. Nji ditë patëm nji mbledhje me randësí decisive ndërmjet nesh bashkë me gjithë këta dy shokë. Mbas nji shoshitjeje shumë të gjatë e të thellë të situatës ndërkombtare të Shqipnís, na u desht me pranue nji zâni se kjo ishte e humbun simbas sentencës së traktatit të Londrës ndërmjet Italís e aljatve të saj. Edhe vêndosëm me i u sjellë Esat Pashës e me i thânë: “Pashë, në qoftë se je në gjêndje me na garantue Shqipnín e 1913-s, na jemi gati me të përkrahun tue të njohun si kryetar të qeverís e të Shtetit.” I dërguem Mufid Beun, qi e kishte mik të vjetër. Esati i lypi Mufidit tri dit afat për me u përgjegjun. Mbas tri ditve u përgjegj: “Nji garantí të këtilë nuk munda me e pasun atje ku e lypa. “. Kishte mujtun ndoshta me na mashtrue. S’e bâni.

Çë çase trishtimi e deshprimi kemi kalue n’atë Paris! Kuj i biente ndër mênd se ishim n’atë qytet t’ândrruem n’atë moshë fantazísh? Ishte tue u luejtun fat’ i nji ândrre shumë mâ të bukur se Qyteti-Dritë për ne. 800 000 bajonetat e mobilizueme t’Austro-Hungarís në 1913 për me shpëtue qytetin e Shkodrës, tash s’ishin mâ. Italija mbahej në konferencën e paqës për njâj traktati që shënonte dekën e Shqipnís e ishte Cenerentola  e beslidhunve t’Okqidentit. Franca përkrahte miqt e vet qi ishin anmiqt t’anë. Anglija, si gjithmonë kur s’luejnë interesa direkte të saja, kishte për ligjë oportunitetin. Wilsoni mjedis dhelpnave plaka t’Evropës i kishte harrue 14 pikat e tija. Me ç’vërtyt do të bâjshim mrekullí na të shkretët në këtë lâmsh pasjonesh e padrejtsísh qi do t’a çojshin njerzín mbas 20 vjeç n’atë katastrofën tjetër, pasojët e së cilës âsht tue i vuejtun ende e pale se deri kur ka për t’i vuejtun?

Me kaqë po i apim fund konferencës së Parisit e me tê edhe letrës së soçme. Tue urue qi në letrën e ardhshme, bashkë ne nji kapitull tjetër të kujtimeve të mija, të mundem me të dhânë edhe ndonji lajm të mirë qi Tý sod  t’intereson mâ fort se historija, po të lâ me shëndet e miqsí.

M.Kruja