Parashikimi i kolonelit anglez/ Si do të ishte Shqipëria pas lindjes së Partisë Komuniste

  • 06 October 2015 - 10:10
Parashikimi i kolonelit anglez/ Si do të ishte Shqipëria pas lindjes së Partisë Komuniste

Komunizmi shqiptar nuk foli kurrë për këtë epope të fisnikërisë njerëzore, të shfaqur në tokën e tij, sepse ai e kishte përdhosur atë me krimet e tij brënda racës, brënda kombit, brënda popullit që pati meritën t’a prodhonte. Ata qindra jetë hebrenjsh që shqiptarët shpëtuan nga rreziku i asgjësimit nazist, u kompensuan nga njëqindfishi i krimeve mbi vetë shqiptarët, madje mbi pjesën më të vlefshme e më fisnike të saj. Atë kurajo, guxim e zemërgjërësi që treguan shqiptarët në mbrojtjen e hebrenjvet, bandat kriminale të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut e të ngjajshmëve të tyre, u a zhdukën në pak ditë, në sajë të një terrori, para të cilit edhe ai i SS-ve gjermanë ishte një hije e zbehtë.

Por si u arrit në këtë gjëndje? Si i u dorëzua Shqipëria kësaj sprove fatale tmerri të historisë së saj? A ishte një fatalitet i pashmangshëm, apo një fatkeqësi që e gatuam me duart tona? A kemi kurajën sot, mbas 70 vjetësh t’i shohim e t’i analizojmë me gjakftohtësi ngjarjet e atyre viteve, tepër të vështira, e t’i afrohemi gjykimit të historisë që ende nuk e ka dhënë vendimin e saj?

Qeveria Mustafa Kruja lindi si pasojë e lindjes së PKSH, të organizuar e të pagëzuar nga Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të dërguarit e PK Jugosllave, të cilëve komunistët laramanë e folklorikë shqiptarë i u drejtuan për ndihmë, mbasi Baba Stalini u rrezikua nga sulmi i “pabesë” i mikut të tij, Hitlerit. Ajo i vuri vehtes dy synime kryesore: të konsolidonte Shqipërinë etnike me strukturat e saj administrative, arsimore, ligjore, kulturore e ekonomike e të ndalonte fuqizimin dhe ardhjen në pushtet të komunistëve sllavofilë shqiptarë. Kjo ishte vija e asaj pjese të nacionalizmit shqiptar që i besoi politikës së bashkëpunimit me Italinë, për të arritur synimin e Shqipërisë së bashkuar. Po të njëjtin synim kishte edhe pjesa tjetër e nacionalizmit shqiptar që nuk pranonte asnjë lloj bashkëpunimi me pushtuesit italianë e, më vonë, me ata gjermanë. Në parim kishin të drejtë këta të dytët, por në praktikë problemi reduktohej në një alternativë tepër të vështirë që i ngjante një nyje gordiane.

Në librin e fundit të Ali Këlcyrës “Shkrime për Historinë e Shqipërisë” ka një pjesë që është tepër shprehëse e idesë së mësipërme. Majori britanik M.F. Eden, mik i shqiptarëve, që vjen në Gjenevë për të takuar Qazim Koculin dhe Ali Këlcyrën, bisedon me këtë të fundit pak ditë mbas 7 prillit 1939:

“ Eden-i më tha: Lufta e përgjithshme, duket e shpejtë dhe e pandalshme. Në qoftë se do të fitojnë Demokracitë Shqipëria do të jetë indipendente, por e shumta do të ketë kufijtë e 1913-ës. Po të fitojë Boshti nuk do të ketë pavarësinë e duhur, por shqiptarët do të përmblidhen në një grumbull të madh familjar, nën influencën e imperializmit fashist.. Unë, si mik i shqiptarëve, për interesin e tyre kombëtar, do të pëlqeja më mirë një Shqipëri me Kosovën e Çamërinë, qoftë dhe jo indipendente, në vend të një Shqipërie të gjymtuar të 1913-ës, e cila, në rast se del triumfuese në fund të luftës, nuk do të mund të sigurojë lehtë, përballë fqinjëve të saj ballkanikë, as dhe kufijtë e saj të sotëm. Unë, si patriot anglez po të kisha bindjen se populli shqiptar do të luante një rol me rëndësi në luftën botërore që po përgatitet, do t’ju këshilloja të vazhdonit përpjekjet tuaja. Por meqë një bindje të tillë nuk e kam dhe meqë ajo që kishit parathënë me kohë e me kaq insistim në të gjitha anët e botës për 14 vjet me rradhë u vërtetua plotësisht, pasi fashizmi e pushtoi me bajonetë të zbërthyer aleaten e tijtë vogël, e duke qenë në nji mëndje me bashkatdhetarët e mi, miq të Shqipërisë, ju këshilloj nxehtësisht të ktheheni një orë e më parë në atdhe. Qëndrimi i juaj i mëtejshëm në mërgim, në gjëndjen e sotme, më duket jo vetëm i kotë, por edhe kundërprodhues. Kam besim se ju mund t’i bëni më shumë shërbim çështjes kombëtare, e ndoshta deri në njëfarë pike edhe çështjes së përgjithshme, po të vijë rasti, duke qëndruar të organizuar në malet e Shqipërisë dhe jo në vendet e lira të perëndimit. Aty duhet të prisni zhvillimin e ngjarjeve, pasi aty do t’ju paraqitet rasti të shpëtoni prapë lirinë e kombit tuaj.”

Koloneli anglez i ka bërë një diagnozë tepër të saktë s’ardhmes së Shqipërisë e, në ndershmërinë intelektuale të shpalosur në bisedë, merr qëndrim në dy rastet e mundëshme të zhvillimit të ngjarjeve. Si “mik i shqiptarëve” uron Shqipërinë e bashkuar e i paraprin mendimit të Mustafa Krujës që tre vjet më vonë, kur shqiptarët ishin përmbledhur “ në një grumbull të madh familjar, nën influencën e imperializmit fashist” do të deklaronte, në një fjalim të tij të rëndësishëm:           “Po të na shtrëngonte fati me zgjedhë njânën dysh: a mâ mirë me humbun Kosovën a lirín, pëlqejmë mâ parë të humbasim lirín, mbasi këtê, të bashkuem me Kosovën, jemi të sigurtë se mund t’a fitojmë prap”

Hipoteza e dytë që profetizon koloneli anglez është alternative e asaj që ai do të parapëlqente në rrobat e një miku të Shqipërisë. Aty vështrimi shkon më larg dhe rrok interesat e Vendit të tij, që në një luftë të pritëshme, edhe se nuk parashikohet një rol i rëndësishëm për Shqipërinë, dëshiron të ketë dikë “ të organizuar në malet e Shqipërisë”, për t’i shërbyer “çështjes së përgjithshme”. Me shumë mirësjellje e njerëzi koloneli anglez i paralajmëron mikut shqiptar fatin e tij dhe atë të Vendit të tij, duke uruar një bashkëpunim me Mbretërinë e bashkuar, që “të shpëtoni prapë lirinë e kombit tuaj”, por gjithmonë në kufijtë e 1913-ës, të cilët edhe “mund të rrezikohen”.

Hipoteza e parë, ajo e fitores së Boshtit me Shqipërinë etnike të bashkuar me Romën, shihej si rruga e vetme e zgjedhjes nga ata që e quanin problemin kombëtar si çështjen më me përparësi të jetës shqiptare. Pra, në këtë rast, ata që krijonin mundësinë e sendërtimit të tij, duheshin quajtur miq. Zgjedhja ishte bërë me shpresën se me kohë gjërat do të ndryshonin, se gjysëm liria e bashkimit me Romën do të kthehej në liri të plotë në kuadrin e një bashkimi më të gjërë. Në këtë drejtim ishte me interes një artikull i botuar në “Il Giornale d’Italia” të datës 9 janar 1942, me firmën e kontit Çiano e me titullin ngacmues “ Bashkimi i Shqipërisë me Italinë ishte i pari shëmbull i rendit të ri evropian”, në të cilin, mes tjerash, thuhet:

“Bashkimi italo-shqiptar ka kthyer në realitet parimin e bashkësisë së popujve, në të cilin, si nga pikpamja historike si nga ajo shoqërore, ripohohet, përsoset e kalohet parimi i kombësisë…

Për popullin italian bëhej fjalë për të futur në jetën e tij të përditëshme parimin e respektit të shenjtë dhe absolut të të drejtave e detyrave të popullit të ri e vëlla, që ishte pritur si i barabartë në familjen e tij politike dhe ekonomike…. Duhej të arrihej tek qytetari italian, veç një ndjenje të re mirëkuptimi, një ndjenjë të re përgjegjësie; të asaj përgjegjësie që binte mbi mbarë Italinë nga funksioni që merrte përkundrejt kombit vëlla.

Duhej mundur mosbesimi i natyrshëm, që edhe para nismash më të hapura e më bujare, përcaktohet në Vendet e vogla, kur ata krijojnë lidhje me Vendet më të mëdha. Së fundi, ishte e domosdoshme të përforcohej në shpirtërat dhe në hapësirë ideja e kombit shqiptar. Prandaj është e nevojshme të shpihej drejt origjinave të tij perëndimore struktura njerëzore dhe ekonomike shqiptare, për t’i dhënë mundësi të sigurojë zhvillimin e një jete në harmoni me atë italiane, kusht i domosdoshëm që bashkëpunimi vëllazëror të mund të vepronte, duke shfrytëzuar arsyeshëm energjitë e ndërsjellta…”

A ishin këto mendime, pararendëse të një epoke që ne sot mund t’a njëjtësojmë me atë të Etërve themelues të Evropës së Bashkuar, apo ishin thjesht prodhim i një evolucioni të brëndshëm të ministrit Çiano, gjithënjë e më tepër i zhgënjyer e në kundërshtim me aleatët gjermanë? Konceptet e shprehura në atë shkrim, sigurisht kapërcenin mendësinë e Perandorisë e të Fuqisë së madhe. Nëse ishin të sinqerta e të pranuara nga regjimi do të kishin qenë me të vërtetë një bazë e sigurtë ku do të mbështetej “rendi i ri”, i kuptuar jo vetëm si një rivendosje drejtësie territoriale për të ndrequr padrejtësitë e së shkuarës, por edhe një projekt i ndërtimit të një bashkësie popujsh që nëpërmjet respektimit të vlerave themelore të solidaritetit, ndihmës së ndërsjelltë, lirive e të drejtave njerëzore, do të krijonte kushtet për një epokë të re në historinë e Evropës. Sikur bërthama e parë e këtij projekti të ishte bashkimi i Shqipërisë me Italinë, siç mëtonte autori i shkrimit, qoftë edhe teorikisht e si synim, meritonte një vëmëndje të veçantë, megjithëse pikëpyetjet që ngrinte trajtimi i tezës së Çianos nuk mungonin. Ajo më e thjeshta ishte: a mund të sendërtohej një projekt i tillë madhështor nga diktatura që imponoheshin me fuqinë e armëve, ku ligjin e bënte gjithënjë më i fuqishmi?

Sidoqoftë artikulli u botua edhe në Shqipëri e pati një kor përgëzimesh për Ministrin e Jashtëm, sepse i përgjigjej pozitivisht shpresave të atyre që besonin në një t’ardhme të përbashkët miqësie me Italinë.

Fillimi i vitit 1943 jepte sinjale të qarta se nga do të anonte fitorja e luftës. Dorëheqja e Qeverisë së Mustafa Krujës, si pasojë e vrasjes së Qazim Koculit dhe ngurimit të italianëve për të ndëshkuar fajtorët, ishte një paralajmërim i dështimit të projektit politik të tij, që synonte ndalimin e rritjes së forcës së komunistëve në vend. Ndaj luhatjes e premtimeve të pambajtura të politikës italiane, që nuk po i jepte mundësi të kishte një forcë milicie të organizuar shqiptare në vartësi të drejtpërdrejtë të Qeverisë që, në synimin e M.Krujës, do të ishte mjeti kryesor në përballimin e rrezikut komunist, por edhe bërthama e një fuqie që, në çastin e duhur do të kthehej në rolin e saj të çlirimit kombëtar, nëse rrethanat do t’a kërkonin, ai dërgoi në Vlorë Qazim Koculin. Zyrtarisht ai ishte Komisar i lartë i Qeverisë për Vlorën, në fakt misioni i tij ishte shumë i fshehtë: fillimi i organizimit të qëndresës kombëtare nacionaliste në krahinën ku lëvizja komuniste ishte më e fuqishme. Personaliteti i spikatur i Koculit në lëmën e shqiptarizmit jepte garancitë e nevojshme për një sukses të projektit. Italianët e nuhatën dhe, nëpërmjet Halil Alisë e Selim Gjetanit, e vranë heroin e Vlorës, duke i hequr mundësinë të përsëriste 1920-ën.

“Në nji ditë vere të vitit 1939, në Vlonë, në mes meje e Qazim Koculit, u zhvillue kjo bisedë:     – Ty, Qazim, nuk të ka hije me hy në Partinë Fashiste e me u përzie kaq tepër me italianët.

– Na, Faik, nën maskën e bashkëpunumit, duhet të përgatitemi me i ra Italisë. Duhet të përsërisim Luftën e Vlonës.

– Ç’thue për mikun tand, Mustafa Krujën?

– Në rast të nji lufte në mes të Shqipnisë e Italisë, Mustafa asht me Shqipninë. Në nji luftë të tillë, Mustafën kërkoje prej meje Atë do t’a marr unë për krahu.

Me të vërtetë, me gjithëthanat e thaçat, akuzat e shpifjet, Qazim Koculi, në krye të vitit 1943, u vra prej italianëve, si drejtues i çetave shqiptare kundër Italisë. Si nji hero, ai ra dëshmor, gjatë asaj rruge që përpiqej me ia mbërrijtë: luftës kundër pushtuesit.”

Kështu shkruan në librin e tij të kujtimeve kolonel Faik Quku, ish antar i udhëheqjes së Ballit Kombëtar. Është një nga librat më objektivë në trajtimin e periudhës së luftës. Autori mbron pikëpamjet e tij dhe të forcës politike që përfaqëson, por i sheh me sy realist ngjarjet e gjykimet për to nuk i nënështrohen as miratimit të çdo ideje e veprimi të anës së tij politike, por gjithashtu, as dënimit e nxirjes së veprës së kundërshtarit. Njohës i mirë i gjithë harkut politik shqiptar, nga përvoja në vetë të parë, jep një tablo mjaft të paanshme e reale të Shqipërisë para komuniste.

Tezën e Qukut e pohon edhe një tjetër drejtues qëndror i Ballit Kombëtar, Ali Këlcyra, tepër kritik ndaj Mustafa Krujës dhe vijës së tij. Në shkrimin “Krijimi i Frontit të Rezistencës në Shqipëri” ai tregon një episod të marrredhënieve me Koculin e nxjerr përfundimin përkatës:

“Të gjithë shokët e mërgimit që ndodheshin aty pranuan të merrnin pjesë në rezistencën me përjashtim të Qazim Koculit, i cili më tha se i kishte dhënë fjalën Mustafa Krujës se nuk do të merrte pjesë në asnjë organizatë të fshehtë pa e vënë atë më parë në dijeni. Qëndrimi i Koculit na habiti e na hidhëroi të gjithëve, dhe me gjithë lutjet dhe këmbënguljen time ai mbeti i patundur në mendimin e tij. Kam bindjen se ai, nën mbrojtjen e Mustafa Krujës shpresonte që në momentin oportun të luante një ditë rolin e luajtur më 1920. Kjo i hëngri kokën…”

Ali Këlcyra, si njohës i mirë i të dyve, ndoshta mund të ketë patur ndonjë sinjalizim prej tyre. Nëse nuk është kështu, tregon mprehtësinë politike për të lexuar përtej asaj që duket.

 * * * * *

Dalja e Mustafa Krujës nga jeta aktive politike nuk do të thoshte frenim i projektit nacionalist të klasës politike shqiptare. Në një pjesë të nacionalizmit, që e quante pushtimin nga Italia si të keqen më të madhe të Shqipërisë, për pasojë luftën kundër saj si objektivin kryesor, lindi iluzioni se mund të shërbehej çështja kombëtare duke bashkëpunuar me Lëvizjen Nac.- Çl. të drejtuar nga Enver Hoxha dhe tutorët e tij serb e malazez.

Deri në verën e vitit 1941, grupet komuniste në Shqipëri e n’Evropë ishin në një letargji të plotë. Ata i konsideronin fitoret e Boshtit dhe pushtimet e tij në gjithë Evropën si fitore kundër fuqive imperialiste e kolonialiste, që duheshin përshëndetur. Në Francën e pushtuar komunistët ishin mbështetësit më të mirë të administratës franceze të Petenit. Në Shqipëri pushtimi italian u prit me optimizëm prej komunistëve që e quanin si mjetin më të mirë për të nxitur krijimin e klasës puntore e të ndërgjegjes së saj proletare. Problemet filluan të dalin me bashkimin e tokave shqiptare, sepse në këtë mënyrë, simbas tyre, dëmtoheshin marredhëniet me popujt grek e jugosllav. Meqënëse çështja kombëtare ishte bërë veprimtaria kryesore e nacionalizmit që gjente në këtë fushë përkrahjen e Italisë, ajo duhej luftuar a priori.

Kjo apati e komunistëve evropianë e kishte burimin në vartësinë e tyre nga Kremlini dhe Kominterni, ku vazhdohej të respektohej Pakti Ribentrop – Molotov me të gjitha pasojat e veta në lidhje me Poloninë e republikat balltike. Më 21 qershor ai pakt u hodh në kosh, mbasi Hitleri dhe bashkëpuntorët e tij menduan se, brënda dy muajsh, do të bënin të dorëzohej Stalini. Llogaritë nuk u bënë si duhet dhe koha e humbur për sulmin në Ballkan qe fatale për gjermanët, mbasi dimri rus frenoi ofensivën gjermane, deri atëherë tepër e suksesëshme. Historia u përsërit dhe gjermanët provuan atë humbje që 130 vjet më parë kishin pësuar francezët nën drejtimin e Perandorit Napoleon Bonaparti.

Mbas këtij sulmi filluan të aktivizohen e të organizohen edhe komunistët shqiptarë të ndarë në grupe, pa ndonjë veprimtari të dukëshme. Ndonjë përpjekje për bashkimin e grupeve kishte ekzistuar, por nuk kishte patur sukses, mbasi secili prej tyre mëtonte zotërimin e partisë. Kështu, me nismën e Qemal Stafës etj. u vendos të kërkohej ndihma e partisë komuniste jugosllave, ndihmë që i shkoi shumë për shtat fqinjëve lindorë e që nuk vonoi. Miladin Popoviçi, që ishte i internuar në Peqin, u lirua nga një aksion i Mustafa Gjinishit e Vasil Shantos dhe u vu në dispozicion të organizimit të partisë. Ai arriti t’i mbledhë e t’i bashkojë grupet komuniste, të krijojë partinë, duke përjashtuar nga drejtimi gjithë krerët e grupeve e duke zgjedhur në udhëheqje njerëz që mund t’i vërtiste siç donte ai, me në krye Enver Hoxhën.

“Ndër detyrat më kryesore që i parashtroi vetes PKSH-ja, në rezolucionin e mbledhjes ishte zhvillimi i “dashurisë dhe bashkëpunimit luftarak me të gjithë popujt e Ballkanit, sidomos me popujt serb, grek, malazez e maqedonas, që luftojnë heroikisht për çlirimin e vet nacional”

Që në fillim organizatorët jugosllavë u kujdesën t’i japin drejtimin proserb partisë që krijuan, duke e veshur atë me petkat e “internacinalizmit proletar”, që ishte baza e doktrinës komuniste. Që në themelim PK dilte në arenën politike si një forcë kundër shqiptare, sa i përkiste shtrirjes territoriale e bashkimit të trevave kombëtare me Shtetin shqiptar. Duke mbuluar me demagogjinë e luftës kundër pushtuesit, qëllimin e vërtetë të projektit serb, që ishte ai i kthimit në kufijtë e 1913, pra me Kosovën, Dibrën dhe Liqenjtë, përsëri nën administrimin jugosllav, drejtuesit e PK viheshin katërcipërisht në shërbim të strategjisë kundër shqiptare që kishte filluar në luftën ballkanike, kishte vazhduar me Konferencën e Londrës dhe Protokollin e Firences, ishte ligjëruar plotësisht në Konferencën e Paqes 1919 – 1921, ishte ripohuar në mungesën e çfarëdo lloj kundërveprimi ndaj pushtimit të Shqipërisë e përmbysjes së rendit të saj kushtetues më 7 prill 1939, gjente një mbështetje të fortë në deklaratën e 17 dhjetorit 1942 të Ministrave të Jashtëm të Anglisë, SHBA-ës dhe BS. E lindur si një forcë alternative e nacionalizmit shqiptar, të rrjeshtuar në anën e Boshtit jo për përkatësi ideologjike, por për interesa kombëtare, PK e mbështjellë në shpërgënjtë e Beogradit komunist, mori që në fillim trajtat e një force politike në të cilën mbizotëronin kurthet, pabesitë, intrigat e krimet. E keqja e madhe ishte se propaganda e saj, e gatuar në guzhinat më të përsosura të botës sllave, gjente tokë të punuar në të rinj të paformuar që, në “idealizmin” e tyre të moshës rinore, nuk arrinin të ndanin grurin nga egjra, të kuptonin se e ardhmja e tyre ishte e lidhur më shumë me atdheun e fituar, se energjitë e tyre duhej të derdheshin për të arsimuar krahinat që nuk njihnin akoma shkollat shqipe, për të përhapur në to, jo idetë e Marksit, por idealet e Rilindjes e poezitë e Naimit e të Fishtës.

“Në vitin 1942, në gjimnazin e Tiranës, kur prof. Epaminonda Bulka po shpjegonte historinë e Skënderbeut, studenti Astrit Bozgo, djali i Kasem Bozgos nga Gjinokastra, u ngrit dhe bërtiti: “Mjaft na çave kokën me Skënder koqen!”

Në polemikën e përditshme të tyne, komunistat pretendojshin se Kosova nuk duhet lidhë me Shqipninë, mbasi kjo qe vepër e fashizmit; ajo do të ishte ma mirë nën sundimin e nji Jugosllavie demokratike se nën nji Shqipni zogiste e reaksionare.

Ndodh njiherë që, në shtëpinë e nji fshatari, në Kolonjë, vjen për me ba agjitacion nji djalë komunist, ilegal. Gjatë bisedës, ai i flet për vëllaznimin me popullin grek. Fshatari, i zemruem, i thotë: Kjo shtëpi asht djegë tri herë prej grekvet. Del jashtë!”

Ma vonë, si shenjë vllaznimi, komunistat kanë thye gurët e kufinit me Greqinë. Dhe çetat komuniste greke, bullgare e jugosllave kanë hy në Shqipni dhe kanë luftue së bashku me komunistat shqiptarë kundër shqiptarëve nacionalista.

Nji komunist vlonjak, i cili, natën e 2-3 prillit të vitit 1943, kishte marrë pjesë në therjen me thika të ushtarëve italianë në Romsi të Mallakstrës, vjen në mëngjes me pushue tek nji shtëpi. Vajzat komuniste që ishin mbrenda, tue e pa djaloshin me rrobat tanë gjak, qesin brimën të tmerrueme. Djaloshi i paditë vajzat te Mehmet Shehu, i cili i heq vërejtjen dhe i kërcënon, tue i thanë se ato duhej të gëzoheshin e të ishin kryenaltë. Po këto vajza, ma vonë, në vjeshtë të atij viti, do të asistojnë në vrasjen e tmerrshme të xhandarit, nw Prevesh të Shwngjinit të Tiranës, prej Dushanit dhe do të shfaqin gëzimin për këtë vrasje, bile do të flitshin kundër viktimës.

“Në mes të këtij degjenerimi komunist të rinisë, ma e tmerrshme paraqitet të ngjallunit e urrejtjes kundr prindëve, bile sa me i shtye edhe në vrasje..”

Shkëputa këtë paragraf tepër domethënës nga vepra e Faik Qukut, për të ndriçuar më mirë, me shembuj të thjeshtë, pa hyrë në retorikën e diskutimeve akademike, gjëndjen e rëndë në të cilën, brënda një kohe të shkurtër, Miladini, Dushani dhe sejmenët e tyre të komunizmit sllavofil, kishin përpunuar në kah jo vetëm kundër kombëtar, por edhe kundër njerëzor, një pjesë të rinisë shqiptare të kohës. Infektimi me idetë vrastare deri në konceptimin e krimit si një “vepër morale”, rrëzimi nga piedistali i historisë kombëtare të autoritetit më të lartë të saj, brumosja me ide të kundër shqiptarizmit më agresiv, të njëjtësuara me termin antifashizëm, asgjësimi i plotë i parimeve morale të respektit ndaj prindërve e vlerave të familjes, tregonin zvetënimin shpirtëror në të cilin ishin zhytur Raskolnikovët dhe Ivan Karamazovët e vonë të jetës shqiptare. Fatkeqësisht, indoktrinimi me këta parime rrënuese për çdo popull, aq më shumë për ndonjë si yni, që nuk kishte në vetvete antikorpet e qytetërimit të vërtetë, nuk qe diçka e përkohëshme, nuk qe vetëm një kërkesë e kohës së vështirë. Ai u bë kuintesenca e filozofisë së “botës së re”, që ndërtuan ata djem e vajza partizane, në një Vend që u bë fusha më pjellore e sprovës më të suksesëshme të krimit në shkallë evropiane. Shifrat e përndjekjes komuniste janë aty, dëshmia më e mirë dhe më e pakundërshtueshme e përmasave të së keqes që i sollën komunistët Shqipërisë.

Shfaqje të dukurive të mësipërme, fatkeqësisht, vazhduan në gjithë harkun e qënies së regjimit, duke filluar me vrasjet masive të kosovarëve, si masakra e Tivarit, në dënimet e pafund të shqiptarëve që mbronin përkatësinë e Kosovës Shqipërisë, në krimet e përbindëshme ndaj oficerëve të SHIK-ut në Vlorën e vitit1997, deri në “teoritë” e sotme të “kombit kosovar” e të “çmitizimit” të figurave historike, duke kaluar nëpër thertoren e pafund të gjyqeve komuniste, që nga Riza Dani e Shefqet Benja deri tek “poliagjenti” Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, këto brënda lëvizjes e “gjirit të partisë”, për të mos folur mbi gjëmën e madhe të pësuar nga kombi me zhdukjen sistematike të vlerave politike, kulturore e fetare, në asgjësimin fizik të inteligjencës kombëtare.

Përballë daljes në skenë të PK e së ashtuquajturës lëvizje nacional-çlirimtare, nacionalizmi shqiptar, i përbërë nga bashkëpuntorët me Italinë, nga mbretërorët me në krye Abaz Kupin dhe nga partia e Ballit Kombëtar, ku militonin pjesa më e madhe e mërgatës antizogiste dhe antiitaliane, pati qëndrime të ndryshme, që kushtëzoheshin edhe nga aleancat në plan ndërkombëtar, që këto forca i quanin më të dobishmet për t’ardhmen e Shqipërisë. Jeta politike shqiptare e asaj kohe ishte në një ngërç tepër të vështirë për t’u zgjidhur. Motivet kryesore lëvizëse të tij ishin dy: Shqipëria etnike dhe Shqipëria e pushtuar. Ky inkuadrohej në kornizën e luftës botërore, të blloqeve kundërshtare të saj, e të lidhjeve, interesave, vartësive apo parapëlqimeve të rrymave të ndryshme të mendimit e veprimit politik brënda nacionalizmit shqiptar.

Problemi kombëtar, ruajtja e Shqipërisë etnike edhe përtej çastit politik të kohës, sido që të ishte fati i luftës, ky ishte shqetësimi kryesor i forcave politike nacionaliste, ky ishte dhe materiali lidhës që përshkontë atë pjesë të politikës, që ndahej pastaj pothuajse në të gjithë përbërësit e tjerë të programeve e filozofisë politike të tyre. Në krahun tjetër, PK vazhdonte të mbante një qëndrim të papërcaktuar, të fshehur mbas figurave nacionaliste të futura në gjirin e lëvizjes, megjithëse roli gjithënjë në rritje i të dërguarve jugosllavë në të nuk mund të linte asnjë shpresë në lidhje me respektimin e g jëndjes së re.

Motivi i dytë shtytës i zhvillimit të ngjarjeve ishte lufta kundër pushtuesit. Këtë e propagandonin me forcë PK, dhe Legaliteti që, nëpërmjet Abaz Kupit, ishte integruar si forcë e pavarur në lëvizjen, por që gjithmonë pohonte vullnetin e njohjes së Shqipërisë etnike. Kundër pushtuesit italian ishte dhe Balli Kombëtar, që kishte dhe ai, si pikë të parë të programit Shqipërinë e bashkuar. Motivi i luftës kundër pushtuesit, që nxitej me të gjitha mjetet edhe nga misionet angleze që ishin të pranishme në Shqipëri që në 1941, nëpërmjet organizatës D, e që nga maji 1943, në formë të rregulltë, pranë Shtabit të Përgjithshëm N-Çl. e pranë forcave nacionaliste, nxirrte në pah më shumë kundërshtitë e mëdha mes tyre. Bashkëpunumi i tyre me Frontin N.-Çl. që kërkohej me forcë nga misionet aleate, të cilat ishin të interesuara vetëm të angazhonin sa më shumë ushtarë të Boshtit në Shqipëri, që këta të mos kishin mundësi të shkonin në frontet e luftës në pjesë të tjera, krijonte zhgënjim e mosbesim tek pjesa tjetër që kishte bashkëpunuar me Italinë deri në kapitullimin e saj. Ai kapitullim solli një sqarim në jetën politike, hoqi prej saj rrezikun, e valëvitur për katër vjet, simbas të cilit Shqipëria kishte humbur pavarësinë e saj, si pasojë e pushtimit ( e vërtetë) e që rrezikonte të humbte identitetin e saj si popull, si pasojë e Bashkimit (frikë e rreme).

Duke dalë nga kuadri shqiptar Italia me të gjitha pasojat e saj e duke u zëvendësuar nga Gjermania, e cila nuk kishte patur asnjëherë interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, problemi shqiptar duhej parë në një dritë tjetër. Jo vetëm për faktin e mësipërm, por edhe për perspektivën e luftës që, me përjashtim të një faktori të jashtzakonshëm që mund të ishte arma atomike, tek e cila shpresoi deri në fund diktatori gjerman e që, ndoshta, mund të ndryshonte fatin e saj, dukej e vendosur në dobi të Aleatëve.

* * * * *

Këtu ngërçi bëhej edhe më i ngatërruar për nacionalizmin shqiptar. Aleatët ishin përkrahës tradicionalë të Jugosllavisë (Rusia) dhe të Greqisë (Anglia). Integriteti tokësor shqiptar ishte kërcënuar prej tyre, që kur lindi Shteti i parë më 1912. Pra gjëndja e Shqipërisë, në sytë e nacionalistëve ishte e pashpresë. Kësaj i shtohej edhe fakti ogurzi që formacioni politik referent i Aleatëve në Shqipëri, Lëvizja N-Çl., mbas Konferencës së Mukjes në gusht të 1943-it, kishte shpallur haptas, pa asnjë mëdyshje se problemi kombëtar për të nuk ekzistonte e se ajo pushtetin në Shqipërinë e mbas luftës nuk donte t’a ndante me askënd, madje mund të mendonte të zëvendësonte bashkimin me Italinë në atë me Jugosllavinë.

Për të përballuar një mundësi të tillë, që do të ishte, shkatërrimtare e vdekjeprurëse, jo vetëm për projektin e sendërtuar të Shqipërisë së bashkuar, por edhe për fatin e vetë së ardhmes politike të shqiptarëve, duhej një ndërgjegjësim i shkallës eprore të gjithë përbërësve të jetës politike, administrative, fetare e kulturore të kombit. Duhej një bashkim i fuqishëm, ku secila përbërëse e fushës politike të hiqte dorë nga një pjesë e vetvetes, nga paragjykimet e çfarëdo lloji e t’i delegonte një autoriteti të pranuar prej të gjithëve si shpresa e shpëtimit të Atdheut. Ky autoritet duhej të përbëhej nga një skuadër njerëzish atdhetarë të aftë e të ndershëm, që duhet të kishin largpamjen për të hartuar një projekt që të funksiononte duke u përqëndruar në dy objektiva kryesore: ruajtja e tërësisë tokësore shqiptare dhe sigurimi i një demokracie të vërtetë të modelit perëndimor mbas luftës. Ndërmarrja ishte shumë e vështirë, por jo e pamundur.

Duheshin bindur aleatët se në Shqipëri kishte një klasë drejtuese, që frymëzohej, sa i përkiste modelit të shtetit e të shoqërisë, nga parimet e demokracisë së tyre e, njëkohësisht, t’u provonin atyre se populli shqiptar ishte në krahun e saj. Kjo arrihej si rezultat i një ujdije mes të gjitha rrymave të nacionalizmit e duhej t’i nënshtrohej një parimi të njohur: çdo stinë politike duhej të kishte përfaqësuesit e vet, por që të gjithë t’i shërbenin një qëllimi. Popujt që kanë një ndërgjegje kombëtare të zhvilluar e venë në zbatim këtë parim dhe stafeta mes klasave drejtuese në faza të ndryshme, në marrëveshje të hapura e, më shumë të fshehta, nuk përbën një blasfemi. Edhe në Shqipëri, gjatë luftës, këto përpjekje marrëveshjesh janë bërë në nivele personale, por nuk kanë sjellë në një përfundim të kënaqshëm, sepse paragjykimet ishin shumë të forta.

Lidhjet me aleatët në Shqipëri mbaheshin prej misioneve angleze, që qëndronin pranë forcave të mikut të tyre, Abaz Kupit. Por kundrejt kërkesave të tij për sigurinë e Shqipërisë etnike dhe vendosjes së kontakteve me Mbretin Zog, megjithë miratimin në planin vetiak të oficerëve të misioneve, përgjigjet nga Forejn Ofis apo Ministria e Luftës ishin gjithmonë negative. Në sferat e larta të politikës britanike e amerikane ishte vendosur që Vendet e Lindjes i qenë caktuar ndikimit sovjetik, si shpërblim të peshës që atdheu i komunizmit po mbante në luftën e madhe. Si pasojë parapëlqimet e tyre shkonin drejt forcave që qëndronin në pozitat e afërta ideologjike e politike me B.S., në rastin tonë me Frontin N- Çl. që merrte të gjitha ndihmat materiale që caktoheshin për Shqipërinë. Në këtë gjëndje, kur ishte e qartë se çfarë drejtimi po merrnin ngjarjet, e vetmja mënyrë për të shpresuar ndryshimin e kursit të tyre, ishte një kundërfront i fuqishëm që do të kishte në shërbim të tij së paku 50 mijë ushtarë të armatosur mirë, të gatshëm për të ruajtur rendin, sigurinë dhe institucionet me ikjen e gjermanëve.

Në këtë mundësi teorike duheshin zgjidhur dy probleme: shtabi drejtues dhe armatimi. Faktori i parë, për mendimin tim, do të ishte i plotësuar nga kthimi i Mbretit, që mund të ishte personi më i përshtatëshëm për të siguruar një besëlidhje të krahinave e forcave politike të ndryshme, që vlerësonin rrezikun komunist. Por Mbreti mbahej i mbyllur në Angli, pa mundur të mbante lidhjet me bashkëqytetarët e tij. Anglia u kishte krijuar mundësi të gjitha Vendeve të pushtuara të mbanin në tokën e saj “Qeveritë në mërgim”. Këtu bënte përjashtim vetëm Shqipëria. Nuk kuptohej nëse ky qëndrim ishte një “dënim” i Mbretit shqiptar për politikën e tij të marrëveshjeve me Italinë, apo një projekt afatgjatë që e përjashtonte atë nga e ardhmja politike e Shqipërisë. Në rastin e parë mendoj se imazhi i Anglisë dhe i Qeverisë së saj nuk është në përputhje me korrektësinë në marredhëniet mes shteteve, që do të thotë respektim i rregullave për të gjithë. Nëse kishte dyshime për mënyrën e shpalljes së Mbretërisë, Ahmet Zogu kishte deklaruar se nuk do të pranonte Fronin nëse nuk do të kishte ligjësimin popullor, nëpërmjet një referendumi. Por komunistët e kishin ndaluar kthimin e Mbretit me vendime të njëanëshme të drejtuesve të tyre dhe anglezët e amerikanët vinin në zbatim këta vendime.

“Kupi tha se do të sulmonte gjermanët vetëm kur të merrte urdhër nga mbreti Zog. Ne e kishim takuar mbretin Zog në Angli i cili na kish autorizuar zyrtarisht me shkrim por Ministria e Jashtme refuzoi të na lejonte që ta merrnim me vete. Menduam se ndodhi kështu meqënëse ata nuk donin ta njihnin Zogun si mbret sepse kjo mund të prishte marredhëniet tona me amerikanët të cilët ishin shumë antimonarkistë dhe kishin ngritur zërin kundër njohjes së mbretit të Greqisë nga ana e jonë”

Kështu shkruan oficeri i misionit anglez pranë Abaz Kupit, David Smiley, në parathënien e librit të kolegut të tij Julian Amery “Bijtë e shqipes” Ndoshta ishte më shumë vullneti i sovjetikëve se i amerikanëve që respektohej në këtë rast, sidoqoftë nuk ishte shprehje e vënies në jetë të parimeve demokratike që trumbetonin ata si luftëtarë kundër diktaturave, ishte një detyrim që i bëhej zgjedhjeve të një populli. E përjashtuar mundësia e pranisë së Mbretit në zhvillimin e ngjarjeve shqiptare, i takonte të tjerë prijësve, që jetonin në Shqipëri të gjenin zgjidhjen në një organizëm kolektiv, ku bindja e secilit duhet t’i nënshtrohej interesit madhor të shqiptarëve.

Problemi i dytë, ai i armatimit, kërkonte një përkrahje nga jashtë. Meqë kjo përkrahje nuk mund të vinte nga aleatët që ishin angazhuar me komunistët, nuk mbetej tjetër zgjidhje veçse nga gjermanët. Marredhëniet me këta të fundit ishin më pak problematike se me italianët. Gjermanët nuk merrnin pjesë në administrimin e Vendit, atyre u interesonin dy gjëra: të mos lejonin një zbarkim të anglo-amerikanëve në Ballkan e të kishin rrugët e lira për t’u larguar. Pushtimi i tyre ishte i përkohshëm dhe varej nga ecuria e luftës. Kështu më 1 tetor 1943 u bënë zgjedhjet për Kuvendin Kombëtar, ku për herë të parë e të fundit shqiptarët votuan në të gjitha trevat e tyre etnike, me përjashtim të Çamërisë e zonave të Jugut. Ishte ai Kuvendi më përfaqësues i Shtetit shqiptar gjatë gjithë jetës së tij deri më sot, ku binin në sy listat e deputetëve të Dibrës së Madhe, të Pejës, të Prizrenit, të Prishtinës.

Kuvendi u mblodh më 16 tetor 1943 e zgjodhi kryetar të përkohshëm Lef Nosin e sekretar Xhelal Mitrovicën.

“Më 22 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar miratoi dhe dekretoi 5 vendime të tij që bënë të mundur:

1 – Shfuqizimin e vendimeve të asamblesë së 12 prillit 1939, e cila kishte “votuar” për “bashkimin personal” midis Shqipërisë dhe Italisë.

2 – Abrogimin e të gjitha ligjeve që binin në kundërshtim me vendimin e 22 tetorit 1943.

3 – Caktimin e institucionit të Këshillit të Naltë të Regjencës për aq kohë sa do të zgjaste lufta, si dhe ushtrimin prej tij të pushtetit ekzekutiv. Po ashtu Këshilli i Naltë ushtronte bashkarisht me Parlamentin pushtetin legjislativ.

4 – Rifuqizimin e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928.

Në pikën 5 thuhej:

“Konsiderohet e paqenë dhe mbetet pa fuqi për çdo efekt, dekretligja me datë 9 qershor 1940, e botueme në “Fletorja Zyrtare” nr. 93 datë 10 qershor 1940, kthyer në ligjin nr. 128, datë 19 gusht 1940, me të cilin Shqipnija njihej e hyeme në luftë me ato shtete me të cilat Mbretnia e Italisë ka pas qënë në luftë”, duke shpallur në këtë mënyrë asnjanësinë e Shqipërisë nga konflikti botëror.”

Shpallja e asnjanësisë në konfliktin botëror ishte një masë e detyruar dhe e zgjuar njëkohësisht. Ishte e detyruar sepse ushtritë gjermane ndodheshin në territorin shqiptar dhe lufta kundër tyre vinte në pikëpyetje tërësinë tokësore të Shqipërisë të cilën ata po e respektonin. Ishte edhe një masë e zgjuar sepse i tregonte kundërshtarëve të gjermanëve se Shqipëria nuk ishte në luftë me ta e se kishte një arkitekturë institucionale demokratike që e përfaqësonte.

Organet administrative, të dala nga Kuvendi, i kishin të gjitha kompetencat ligjore për të sendërtuar atë bashkim, që duhej të vinte në zbatim projektin e shpëtimit të çështjes kombëtare e të demokracisë së ardhëshme. Ishte një projekt që duhej realizuar nëpërmjet përballimit ushtarak të përparimit të ushtrisë N.-Çl, që ishte kthyer në një organizatën terroriste në shërbim të misionarëve jugosllavë. Edhe pse qeveritë e R. Mitrovicës e të F. Dines ishin të ndërgjegjëshme për domosdoshmërinë e luftës kundër komunistëve, aritjet në këtë drejtim ishin të pakta. Arsyet ishin të ndryshme, por mendoj se e para, e më e rëdësishmja, ishte ajo kronikeja e historisë sonë, paaftësia për të qënë të një mëndje, edhe kur ishim në buzë të greminës e askush nuk do të mund t’i shpëtonte. Kështu forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, nuk merrnin vendim të luftonin komunistët edhe kur sulmoheshin prej tyre, sepse misionet angleze e ndalonin kategorikisht një gjë të tillë. Megjithë përpjekjet e eksponentëve të ndryshëm të nacionalizmit për të koordinuar forcat dhe veprimet rezultatet ishin pothuaj baraz me zero, aq sa që dita e ikjes së ushtarit të fundit gjerman nga Shqipëria, u bë edhe dita e marrjes së pushtetit nga komunistët në Shqipëri. Bilanc më negativ as që mund të imagjinohej. Siç e kam pohuar dhe më sipër, vështirësitë ishin shumë të mëdhaja, sepse në anën e komunistëve ishin fuqitë fituese të luftës, por ato nuk ishin të pranishme ushtarakisht në Shqipëri e nuk m’a merr mëndja se për të vënë në pushtet Enver Hoxhën do të zbarkonin trupat e tyre në Shqipëri. Një shtet nacionalist me një fuqi të konsiderueshme, që do të kishte mundur të detyronte lëvizjen komuniste të mos e quante veten fituesen e vetme të luftës, bëhej domosdoshmërisht bashkëbiseduesi i aleatëve dhe garant i interesave kombëtare e demokratike të shqiptarëve. Ky shtet nuk u ndërtua, megjithë vullnetin e mirë të shumë prej aktorëve të jetës politike, ai nuk qe në gjendje të ndalojë ofensivën komuniste që pasonte ikjen e gjermanëve. Fitoi Shteti terrorist i përkrahur nga Vendet e mëdha demokratike, të cilët shpejt e kuptuan se çfarë çorbe të ndyrë kishin gatuar me duart e tyre.

“Përse SOE (Special Operations executive)(Njësitë e veprimeve të veçanta E. M. ) hodhi poshtë aleatët natyrorë të Britanisë së Madhe e mbështeti një lëvizje komuniste?A do të kishte ndryshuar gjë nëse do të mbështeste mbretërorët dhe Ballin në vend të tyre?A do t’a kishte ndryshuar përfundimin e luftës civile shqiptare? Meklin, Smajli dhe Emëri janë plotësisht të bindur për po, e që Britania e Madhe bëri gabimin të mos kuptojë shpejt se komunizmi do të ishte kundërshtari i s’ardhmes.. Simbas tyre, qëndresa kundër komuniste, nëse do të ishte mbështetur nga paisjet dhe prestigji britanik, do të kishte arsye të luftonte dhe do të kishte patur besimin e popullsisë….

Në vjeshtën e 1944 trupat gjermane ishin në tërheqje e komunistët e kishin fituar luftën civile por, simbas Emërit, loja nuk ishte humbur akoma. “Un ndodhesha në Shqipëri n’atë çast kritik. Me një ndërhyrje shumë të vogël britanike ose amerikane mund t’a kishim mbajtur Shqipërinë nga ana e Perëndimit….

Emëri nuk është i një mëndjeje me ata që, duke i bërë jehonë fjalëve të Çërçillit për Jugosllavinë, mendojnë se Perëndimi nuk kishte asnjë interes të pranueshëm në t’ardhmen e Shqipërisë, e aq më pak të drejtën për t’a ndikuar. Kishte, thotë, dy justifikime, njëri moral e tjetri praktik. I pari, ishte një gabim të braktiseshin shqiptarët në duart e regjimit mizor të Hoxhës dhe synimeve imperialiste të Stalinit. E dyta, Vlora dhe ishulli i Sazanit kontrollojnë kanalin e Otrantos, grykën e Adriatikut.

Në Londër në Ministrinë e Luftës nuk e mendonin kështu”

Solla këtë pjesëz të shkëputur nga libri i prof. Betëllit “Misioni i tradhtuar” me nëntitullin “Si Kim Filbi sabotoi mësymjen e Shqipërisë”, që shpjegon shumë qartë, nëpërmjet opinionit të njërit prej më të njohurve antarë të misioneve britanike në Shqipëri, tragjedinë shqiptare dhe rolin e politikës angleze në të. Nuk e di nëse brejtja e ndërgjegjes së Emërit, Smajlit apo Maklinit për braktisjen e Shqipërisë ka gërvishtur sado pak ndërgjegjen atyre që ishin sipër tyre e vendosnin politikën e fuqisë koloniale më të madhe të kohës. Për klasën politike nacionaliste të asaj kohe është një ngushullim i varfër se përgjegjësia për mos shmangien e së keqes më të madhe të kombit nuk duhet të bjerë vetëm mbi të. Është e vërtetë se nuk patën miq fitimtarë, është e vërtetë se patën kundërshtarë që u treguan më të “aftë” për të gënjyer e për të vrarë, është e vërtetë se ishin më të dobët, se kishin më zemër, se nuk donin të vrisnin shqiptarë. Por besoj se skrupujt i kanë mbajtur mbi ndërgjegjet e tyre të vrara, sepse ata skrupuj, ajo pavendosmëri, ajo verbëri solli një tragjedi të pamasë, me pasoja të llahtarëshme për një popull që u mashtrua deri në palcë e u tradhëtua në aspiratat e tij më të shtrenjta si liria, jeta e pasuria, për një Vend që u zgjua nga një ëndërr shumë e bukur, ajo e kombit të bashkuar e ra pre përsëri e mizorisë së fituesve. Ëndrra u thye, por ashtu copë-copë u ngjit lart në zemrën e kujtesës historike të shqiptarëve, për t’u kujtuar atyre gjithmonë se ajo mbetet një synim, një shpresë, një frymëzim për t’ardhmen e një kombi edhe në një epokë kur shpirtërat e tyre priren drejt bashkësive.

* * * * *

Ajo klasë politike e luftës së dytë botërore, që historiografia komuniste e emëroi për 70 vjet me rradhë si “bashkëpuntore”, “tradhëtare”, “kundërkombëtare”, me gjithë mangësitë në fushën e marrëveshjeve mes përbërëseve të saj e veprimit politik të përbashkët, megjithë dështimin në planin kombëtar e vetiak, pak për paaftësi e shumë për një fatalitet ngjarjesh më të mëdha e më të ndërlikuara se mundësitë e përballimit të tyre, betejën për jetëgjatësinë në kujtesën e kombit e ka fituar. Të gjithë pjestarët e saj, bashkëpuntorë me italianët, me gjermanët, me anglezët, në thelb të synimeve të tyre nuk patën kolltuqet apo fitimin vetiak, interesat e familjes, të partisë, të krahinës apo të të huajve. Ata patën si busull vetëm një gjë: interesat e Atdheut, në tërësinë e tij territoriale e në bashkësinë e tij shpirtërore e kulturore. U takoi ky mision në një nga periudhat më të këqia të historisë njerëzore, në atë të një lufte botërore me përmasa të papara, që i vuri para një mundësie të ëndërruar për rreth tridhjetë vjet, atë të ndreqjes së një padrejtësie historike, atë të një bashkimi kombëtar. I u kushtuan me mish e shpirt sendërtimit të kësaj aspirate, prandaj gjykimi mbi ta merr formë vetëm në këtë këndvështrim, siç duhet të jetë vlerësimi në Shqipërinë tonë për këdo që dëshira, fati apo rrethanat e bëjnë të merret me jetën politike.

Ata ishin të gjithë atdhetarë, me A të madhe, ishin me një formim intelektual të nivelit evropian, me një shtat moral të padiskutueshëm, me një vizion politik të hapur, me koncepte të huazuara nga kultura botërore, me prirjen dhe synimin për t’a ngritur sa më lart nivelin kulturor e jetësor të popullit të tyre. Kanë patur të meta, kanë bërë gabime, është fiziologjike sepse askush nuk mbetet i pagabueshëm, por pasardhësit e tyre në administrimin e Shqipërisë, në të gjitha drejtimet, janë vite drite larg tyre.

Dhe ata ishin bashkëpuntorë të gjithë rrymave të komunizmit botëror. Lindën si parti duke kërkuar ndihmën e jugosllavëve, kur Shqipëria kishte bashkuar në gjirin e saj trevat e grabitura nga ata, u rritën nën tutelën e tyre. Me këshillat e ndërmjetësimet e tyre morën nga anglezët ndihmat gjatë luftës, për t’a fituar atë jo kundër gjermanëve e italianëve, por kundër bashkatdhetarëve të tyre nacionalistë. Si shpërblim për fitoren jugosllavëve i dorëzuan trevat e bashkuara, të shoqëruara me mijra jetë kosovarësh të martirizuar në thertoren serbe, ndërsa anglezëve arrogancën në trajtimin e përfaqësuesve të tyre dhe minat në kanalin e Korfuzit. Erdhën në pushtet, duke tradhëtuar interesin kombëtar, e vendosën në Shqipëri diktaturën më të egër që kishte njohur Vendi e, njëkohësisht, atë më mizoren që provoi Evropa e mbas luftës.

Qeverisën për 47 vjet, duke ndërruar miqtë a më mirë të themi padronët, duke u larguar gjthënjë e më shumë nga Evropa, në drejtim të komunizmit aziatik të viteve të urisë, nga jugosllavët te sovjetikët, te kinezët, madje morën titulin e nderit si “zëdhënës të Kinës në Evropë”. Ndenjën nën ombrellën e Titos deri sa ai ishte një ndjekës besnik i Stalinit, por kur ai bëri kthesën e tij historike, duke u shkëputur prej kthetrave të Moskës e duke vështruar nga Evropa, e braktisën atë duke i veshur të gjitha të këqijat që kishin mbjellur në Vendin e tyre. Besnikë deri në vdekje të Stalinit e rrugës së tij të krimeve mbi miljona rusë, aq sa, të vetmit në glob ruajtën në qytetet shqiptare bustet e tij deri më 1990, madje duke nxjerrë edhe një ligj të posaçëm për mbrojtjen e tyre në atë vit, pranuan me zor “qiejtë e hapur” të Hrushovit, për t’u prishur me të, mbas disa vitesh, kur ai i kërkoi Enverit e Mehmetit të lironin karriget në dobi të njerëzve të rinj. U bashkuan me Kinën e Mao Ce Dunit deri sa ky i linte njerëzit të vdisnin nga uria e i çonte për riedukim nëpër komuna, në t’ashtuquajturin “revolucion të madh kultural proletar”, që në Shqipëri e kthyen në vandalizëm kundër besimeve fetare e objekteve të kultit, duke fituar çmimin e madh të Djallit si “i vetmi vend ateist në botë”, me një kushtetutë që i a kaloi dhe asaj të Stalinit. Filluan t’a kritikojnë ”Timonierin e madh” kur ai filloi të luajë ping pong me amerikanët, e mbas një flirtimi me bandën e të shoqes i prishën marredhëniet edhe me Kinën kur Ten Hsiao Pini filloi t’i bindë shokët e tij se ashtu nuk shkohej përpara. Atëherë shpikën teorinë e t’ushqyerit me bar e, mbasi i kishin vrarë të gjithë shokët e vjetër të luftës, vdekjes së komandantit i u përgjigjën me kurorëzimin e të vetmit “shok armësh” që kish mbetur gjallë, Urjah Hipit të komunizmit shqiptar, Ramiz Alisë. Ky, simbas historianëve pati meritën se solli demokracinë, dy vjet mbasi kishte rënë Muri i Berlinit. Kjo qe me pak fjalë rruga e jashtëme e socializmit të Enver Hoxhës.

Ecuria e mbrendëshme është një lumë gjaku që, në pak vite, i hoqi Shqipërisë të gjithë klasën e saj intelektuale, duke filluar nga martirët e Kishës katolike e të besimeve të tjera, tek të githë eksponentët politikë antikomunistë e nacionalistë, madje dhe ata që në mënyrë paradoksale i kishin besuar “idealit të çlirimit nga pushtuesit”. Krahas këtyre mijra viktimave lufta e pushtetit të popullit filloi sistematike kundër grave e fëmijëve e pleqve, familjarë të “armiqve”, që fabrikoheshin në vazhdimësi, një luftë që vazhdoi deri në vitin 1991, kur njerëz të detyruar të paraqiten gjithë jetën dy herë në ditë para policit, u lejuan të gjejnë strehim në vende të tjera. Ndërkohë burgjet ishin gjithmonë plot, neni 55 ishte bërë emblema e besnikërisë ndaj regjimit për policë, gjyqtarë, sigurimas, spiunë e funksionarë partie, duke mbushur me forca gjithënjë e më të reja, kampet e punës së detyruar nëntokë e mbi tokë.

Duke shënuar si të vetmet gjëra pozitive përhapjen e arsimit deri në skajet më të largëta, arsimin tetëvjeçar të detyruar, dhe ndihmën mjekësore të shtrirë dhe në fshatra, nuk mund të le pa përmendur varfërimin skajor të fshatarësisë së kolektivizuar dhe racionimin e ushqimeve, si në kohë lufte, për dhjetëvjeçarë me rradhë. Sa i përket zhvillimit industrial, kaq shumë të trumbetuar nga propaganda e regjimit, ishte i tëri një bllëf i madh. Fabrikat e uzinat ishin me një teknologji të fillimit të shekullit, bujqësia angazhonte 60% të fuqisë puntore të Vendit dhe “mbrojtja” hante në tunele e bunkere shifra të pallogaritëshme të buxhetit të shtetit. Pra në tërësi ishte një sistem krejtësisht i dështuar që mbahej në këmbë vetëm me forcën e terrorit.

Këtë sistem, krejtësisht mbrapambetës për Shqipërinë, e njerëzit që e krijuan dhe e drejtuan për gati një gjysëm shekulli, duke e kthyer Vendin në simbolin më shprehës të diktaturës, të mbrapambetjes e të varfërisë, historianët tanë ka 70 vjet e këndej që vazhdojnë t’a paraqesin si prodhues të mirëqënies e të përparimit. Simbas tyre, ka patur ndonjë teprim në “luftën e klasave”, por dhe ato justifikoheshin me “rreziqet&rdquo