Editoriali: Pasiguria juridike i demotivon investitorët

  • 24 May 2016 - 17:17
Editoriali: Pasiguria juridike i demotivon investitorët

Të gjeturat e hulumtimit "After Care", që u prezantuan dje nga Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Investimeve të Huaja dhe me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë, rikonfirmojnë edhe një herë dështimin edhe të kësaj Qeverie në përmirësimin e ambientit për biznes dhe në reformat e thella ekonomike. Pavarësisht mburrjeve të disa qeveritarëve, është më se e qartë se trendi ekonomik nuk lë vend për të shpresuar se me këtë lidership Kosova do të arrijë edhe për dhjetëra vjet të këndellet. Pushteti aktual jo vetëm që nuk është në gjendje të krijojë kushte më të mira për të tërhequr investitorët potencialë, por me politikat e gabuara është duke i destimuluar edhe këta që janë në vendin tonë. Treguesit e hulumtimit të lartpërmendur e argumentojnë fare mirë një sfidë të madhe për autoritetet kosovare dhe ekonominë e Kosovës në përgjithësi. Janë të paktën 38 për qind e bizneseve që kanë investuar në vendin tonë, por kanë paralajmëruar mundësinë e largimit të tyre. Një tjetër problem serioz është tërheqja e fitimit nga sipërmarrësit e huaj, të cilët nuk e ridestinojnë fitimin në investime të reja, për të cilat ka aq nevojë ekonomia kosovare. Sigurisht, paqëndrueshmëria politike është ndër faktorët kryesorë që i step investitorët e huaj. Ka disa vjet që klasa politike me papërgjegjshmërinë e saj nuk është në gjendje të garantojë stabilitet, por karakterizohet nga një luftë e egër për pushtet, duke lënë pas dore interesin publik dhe rritjen e domosdoshme ekonomike. Ndërkohë, pasiguria juridike i demotivon kompanitë e ndryshme që do të mund të investonin në Kosovë. Një kontest biznesor zgjat me vite të tëra në gjykatat e Kosovës, kështu që askush nuk do të dëshironte ta sillte kapitalin e tij në një shtet ku nuk funksionon si duhet sistemi i drejtësisë. Këto probleme i kanë ditur qeveritarët, por nuk janë mërzitur ndonjëherë që të ndërmarrin diçka për t'i pakësuar të paktën. Si rrjedhojë, kemi dukshëm më pak investime sesa para shpalljes së pavarësisë.

(Kosova Sot)