Kapja pas miteve

  • 28 June 2016 - 17:13
Kapja pas miteve

Vendosja e përmendores së Car Llazarit në qendër të Mitrovicës veriore nuk ka kaluar pa reagimet dhe komentet e politikës kosovare. Shteti serb vazhdon të provokojë Kosovën me heronjtë e kohës së mesjetës, duke u përpjekur që të ngjallë nacionalizmin brenda vetë serbëve që jetojnë në Kosovë. Por, ky nacionalizëm nuk i solli asgjë të mirë as vetë Serbisë e as Ballkanit, sepse prodhoi luftëra të çmendura, të cilat humbën qindra mijëra jetë civilësh të pafajshëm. Një përmendore e këtillë në Mitrovicë, Graçanicë, apo gjetiu, nuk do t'ua ndryshojë jetën serbëve që jetojnë këtu. Kapja pas miteve të së kaluarës në fakt nuk sjell asgjë për të mirën e popujve, sepse nuk ua rrit mirëqenien qytetarëve dhe nuk e ngrit ekonominë. Çmitizimi nga e kaluara e çliron edhe vetë Serbinë, e cila sot ka mbetur ndër vendet me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në rajon dhe është shumë prapa Kroacisë, Sllovenisë, të cilat gëzojnë frytet e të qenit pjesë e Bashkimit Evropian. Kapja pas heronjve dhe mitizimi si popull qiellor e kanë dërmuar ekonomikisht këtë vend dhe e kanë futur në konflikt me të gjithë fqinjët. Vendosja e një përmendore si kjo në qendër të Mitrovicës edhe mund të mos kishte probleme të mëdha nëse do të bëhej për të spikatur interesat kulturore të banorëve vendas të kësaj pjese, por për Republikën e Kosovës është edhe një provokim në kuadër të shumë provokimeve që bëjnë strukturat paralele serbe që paguhen nga taksapaguesit kosovarë dhe nga shteti serb. Ata e po sfidojnë shtetin e ri në vazhdimësi dhe Qeveria jonë nuk mund të bëjë asgjë, jo për të ndalur vendosjen e një përmendore si kjo e Car Llazarit, por duke mos mundur të shtrijë autoritetin shtetëror në këtë pjesë. Serbët e veriut, që dirigjohen direkt nga Beogradi, nesër mund të kërkojnë ta vendosin edhe një përmendore të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, që do të fyente rëndë ndjenjat e shqiptarëve dhe do të ishte provokim i rëndë për shtetin. E gjithë ajo që po ndodh në veriun e Kosovës është pasojë e një dialogu aspak të dinjitetshëm dhe në interes të vendit dhe delegacionit kosovar, që në Bruksel iu nënshtrua kërkesave serbe. Qeveria jonë duhet të kërkojë me ngulm që Serbia ose ta respektojë shtetin e Kosovës, ose në të kundërtën të braktisë bisedimet. Veriu nuk i kthehet vendit me këtë politikë të deritanishme, shantazhuese. 

(Kosova Sot)