"Bomba" për radikalët islamikë në Kosovë

  • 29 June 2016 - 17:42

Mediet ndërkombëtare kohëve të fundit na kanë "bombarduar" me ca shkrime, që ia kanë qitur hijen e zezë Republikës sonë, por në thelb nuk përmbajnë realitetin. Kosova nuk është "strehë" e radikalëve islamikë as "fabrikë" e xhihadistëve të Ballkanit dhe thëniet e këtilla janë një shtrembërim i realitetit. Por, shkrimet e këtilla me siguri se bëjnë jehonë të keqe dhe ia prishin edhe më tej imazhin vendit tonë dhe ndokush që nuk ka qenë në Kosovë mund të përfytyrojë imazhe imagjinare për një vend islamik, thuajse gjendesh në Kabul apo Kandahar. Por, realiteti është krejtësisht ndryshe. Këtë mund ta thonë më së miri ndërkombëtarët, që janë në Republikën tonë në misione të përkohshme apo me qëndrim të përhershëm. Të shëtisësh në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Pejë apo gjetiu është më sigurt se të shëtisësh në Berlin, Munih, Cyrih apo Londër. Natyrisht që disa xhihadistë kosovarë janë ndodhur në Siri, Irak apo gjetiu dhe janë bërë famëkeq me veprimet e tyre terroriste, por shumë të tjerë, që janë joshur nga padituria apo paraja, janë kthyer në Kosovë, duke e parë se kjo luftë nuk ishte e tyre. Xhihadistë të tillë i janë bashkuar të ashtuquajturit Shtet Islamik edhe nga vende me rrënje të thella demokratike, Francë, Angli, Gjermani, Austri, por rastet e izoluara nuk duhen përgjithësuar. Republika e Kosovës dhe në përgjithësi shqiptarët janë populli më proamerikan dhe proevropian dhe aplikimi i fesë mund të merret si shembull për popujt e tjerë. Tri fetë bashkëjetojnë në paqe të thellë dhe në respekt të njëra-tjetrës dhe disa ekstremistë nuk mund ta prishin kulturën dhe harmoninë tonë fetare. Shkrimet e këtilla mbase edhe mund të jenë të nxitura nga qarqe të ndryshme kundër Kosovës, por ato nuk po e tregojnë drejt situatën, në të cilën ndodhet vendi ynë. Pushtetarët tanë mund të fajësohen për gjithçka tjetër, por jo edhe për vigjilencën, që kanë treguar në aspektin e sigurisë, duke i dhënë rëndësi të madhe luftimit të ekstremistëve dhe parandalimit të akteve të shëmtuara dhe antinjerëzore. Kosova është vend i qetë dhe pa probleme me islamin politik, ani pse disa raste të izoluara kanë bërë nam negativ për vendin tonë. 

(Kosova Sot)