6-vjetori i vendimit të GJND-së

  • 23 July 2016 - 18:42
6-vjetori i vendimit të GJND-së

Kosova e ka kaluar në heshtje gjashtëvjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik 2010 dha mendimin e saj këshillues mbi legalitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Ndonëse ky vendim ishte ndër arritjet serioze ndërkombëtare të shtetit tonë, pushtetarët kosovarë nuk qenë në gjendje që ta shfrytëzonin ashtu si duhet. Diplomacia kosovare, në vend që ta përdorte me mend gjykimin pozitiv, që njihte legjitimitetin dhe aspiratat e popullit të Kosovës për pavarësi, mbeti në vendnumëro. Klientelat politike në Qeveri, si çdo sektor tjetër, edhe shërbimin e jashtëm e trajtuan si një hise të rëndomtë pazaresh për pushtet, duke shpërndarë në ambasada e konsullata, por edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme militantë partiakë e joprofesionistë, persona pa integritet dhe pa njohuri të gjuhëve të huaja. Jorastësisht, asnjëherë raportet vlerësuese të MPJ-së nuk bëhen publike për të parë se çka në fakt kanë bërë ambasadorët e Republikës së Kosovës, që prej shpalljes së vendimit të GJND-së, në favor të ligjshmërisë së pavarësimit të vendit tonë. Nëse do të punohej me përkushtim dhe jo thjesht për të rehatuar miq e kushërinj, partiakë e amatorë të diplomacisë, sigurisht rezultatet nuk do të mungonin. Dështimet me UNESCO-n, pakësimi i njohjeve të reja, ngadalësimi i aplikimit për anë- tarësim në KE, etj., ndërlidhen me punën e dobët të institucioneve tona. Është për të ardhur keq që në dy-tre vjet duhet t'i gëzohemi ndonjë lajmi sporadik, siç ishte njohja e djeshme nga Suriname, e cila është natyrisht e mirëseardhur, por e pamjaftueshme. Zyrtarët kosovarë, deputetët dhe drejtuesit e MPJ-së duhet të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit tanë diplomatikë në botë, të cilët me gjasë më tepër rrinë duarkryq sesa zhvillojnë veprimtari diplomatike, lobuese, qoftë në rrafshin e ndërkombë- tarizimit të pavarësisë së Kosovës, qoftë në aspektin ekonomik, kulturor, etj. Kosova nuk duhet ta harrojë se Gjykata e Drejtësisë na hapi shumë dyer, por politikanët tanë miopë i mbyllën vetë ato. 

(Kosova Sot)