Editoriali: Pesë vjet pas aksionit tragjik në veri

  • 27 July 2016 - 17:31
Editoriali: Pesë vjet pas aksionit tragjik në veri

Në 5- vjetorin e vrasjes së pjesëtarit të Policisë, Enver Zymberi në aksionin e Policisë në pjesën veriore të Kosovës, në korrik të vitit 2011, askush nuk është dënuar për këtë krim të rëndë. Dy ditë pas përpjekjes për vendosjen e kontrollit në dy pika kufitare në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, Zymberi u shpall Hero i Kosovës, me një vendim të presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga. Por, aksioni i Policisë së Kosovës, i kryer me vendim të kryeministrit të atëhershëm-sot president i Republikës, u cilësua "i ngutshëm dhe pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare". Përveç humbjes së një jete, ai shkaktoi edhe reagimin e serbëve lokalë, që vendosën në ditën e aksionit barrikada në rrugët kryesore në veri të Kosovës. Pesë vjet pas, fare pak gjëra kanë ndryshuar në drejtim të integrimit të kësaj pjese, në të cilën të duket se je në Serbi dhe nuk vjen aspak era Republikë e Kosovës. Ura mbi Ibër, në vend që të bashkojë, është shndërruar në simbol të ndarjes së qytetit. Për ta vulosur ndarjen, udhëheqësit kosovarë negociuan në Bruksel formimin e një Asociacioni komunash me shumicë serbe, ndërsa ndarazi nuk ngurruan t'ia përmbushnin dëshirat Beogradit për çështje të ndjeshme, si drejtësia apo nga ekonomia, telekomi dhe energjia. Serbët morën atë që deshën, për të forcuar autonominë e tyre qeverisëse, ndërsa përplasjet pozitë - opozitë kanë zvarritur themelimin e Asociacionit, që shihet si një Republika Serpska, me tendenca ndarëse për shtetin tonë. Aksioni i Policisë mund të ketë pasur qëllimin e shumëpritur për ta shtrirë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës edhe në pjesën veriore, por kompromiset dhe koncesionet që bëri pala kosovare në Bruksel dëshmuan se ishte thjesht një spektakël politikomedial. Sot e asaj dite, veriu është nën ndikimin e plot të Serbisë, ndërsa Qeveria në Prishtinë e sheh atë territor vetëm nga ekranet televizive dhe eventualisht përfiton nga kontrabanda që zhvillohet me të madhe atje.  

(Kosova Sot)