Editoriali: Politika konfliktuoze po e çon Republikën drejt anarkisë

  • 29 September 2016 - 17:08
Editoriali: Politika konfliktuoze po e çon Republikën drejt anarkisë

Pothuaj nuk kalon ditë pa dëgjuar akuza dhe kundërakuza, fajësime dhe shfajësime, fyerje dhe sharje, në ambientet tashmë të kontaminuara të politikës kosovare. Vetë protagonistët e disa partive janë burim i nxitjes së grindjeve, urrejtjes, diskriminimit. Secili del e rrah gjoksin se është shpëtimtar, por kur vjen puna për të ofruar zgjidhje konkrete nuk ka asgjë të hairit. Kosova është shndërruar në një arenë, ku dashakeqët dhe dallkaukët përleshen verbalisht, ndërsa nëntoka i shtyn edhe më shumë këto konflikte. Dikujt po i intereson që ky vend të rrëshqasë dalëngadalë në anarki, për t'u vetëshpallur, me gjasë, shpëtimtari i situatës. Pak rëndësi ka për disa oligarkë të pasuruar me paratë e taksapaguesve kosovarë që qytetarët mund ta pësojnë. Rreziku nga shpërthimi social nuk ka qenë kurrë më i madh. Potenciali i dhunës mund të plasë në çdo moment. Nuk munden as mijëra policë që e rrethojnë Kuvendin e Qeverinë ta ndalin një degradim të tillë, të cilin vetë ata zyrtarët e lartë të kollarisur, që mrizojnë gjithë ditën brenda atyre objekteve shtetërore, e kanë thelluar në të gjitha anët. Sot, nuk ka kurrfarë sigurie, është zbehur shpresa. Mijëra kosovarë emigrojnë çdo vit në vendet e BE-së në kërkim të një jete më të mirë. Me nivelin aktual, ky brez, por edhe brezi i ri, do të plaket në varfëri dhe papunësi. Edhe sa vallë duhet të durojë ky popull që të jetojë kështu i nënshtruar, i shkelur, i nëpërkëmbur, i diskriminuar? Në një vend ku oligarkia ka futur në dorë gjithçka, institucione qeveritare, lokale, arsimore, shëndetësore, kulturore, mbijetesa është bërë më e vështirë se në kohën e luftës. Një grusht pushtetarësh, të stërkamur me djersën e popullit, dirigjojnë gjithçka, sipas interesave të tyre të ngushta, kriminale. Ata po i mbajnë peng edhe vetë subjektet e tyre në pushtet, të cilat në pamundësi të përmirësimit janë shndërruar në korporata banditeske, që drejtësia vetëm i sodit. Pa u ndarë nga fryma konfliktuoze e kësaj politike, Kosova nuk do të shohë ditë të mira.

(Kosova Sot)