Editoriali:Çfarë shteti!

  • 01 October 2016 - 17:05
Editoriali:Çfarë shteti!

Arrestimi i drejtorit të policisë në rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçit, dëshmon edhe një herë se Serbia ka mbetur në të kaluarën, ndërsa Kosova nuk po guxon të tregojë se është një- mend shtet! Qeveria kosovare duket e paaftë të bëjë diçka për ta liruar zyrtarin e lartë policor, ndërsa ekzekutimi i një vendimi të mëhershëm, sipas të cilit Thaçi akuzohet për terrorizëm, si shumë shqiptarë të tjerë para luftës, është krejtësisht i padrejtë dhe provokativ. Por, krerët e Republikës sonë, të cilëve nuk po u bën goja ta nxjerrin një fjalë të vetme, mbajnë përgjegjësi për përsëritjen e këtyre rasteve. Një shtet dinjitoz, që udhëhiqet nga politikanë të përgjegjshëm, do të reagonte menjëherë, por ky nuk është rasti i Kosovës. Prishtina zyrtare duhet të mbajë qëndrim të prerë dhe urgjentisht ta shtrojë për diskutim çështjen e fletarresteve, që janë në qarkullim për dhjetëra shqiptarë të Kosovës, të cilët në mënyrë absurde akuzohen për terrorizëm.

Edhe bisedimet, që janë duke u zhvilluar në Bruksel, duhet të pezullohen deri në adresimin serioz të kësaj çështjeje. Këto veprime të Serbisë e minojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa Brukseli do të duhej të reagonte. Çfarë normalizimi mund të pretendohet, kur Serbia arreston pa kurrfarë baze zyrtarët e shtetit fqinj?! Qeveria kosovare po shfaqet shumë e zbehtë, e pafuqishme dhe e paguximshme, në një moment kur do të duhej të tregohej shumë më e vendosur, për të mbrojtur shtetasit e saj. Rasti i drejtorit të policisë është një dëshmi më shumë se qytetarët e Kosovës fatkeqësisht nuk ka kush t'i mbrojë. Ministrat tanë që shëtisin nëpër botë rrinë në hotele me pesë yje, e lajmërohen në darkë në TV, duke u mburrur për takimet e shumta e 'produktive", në të vërtetë, nuk janë duke bërë asgjë të hairit. Detyra e shtetit është të mbrojë qytetarët, por me këtë pushtet qytetarët gjithnjë do të ndihen si jetimë.

(Kosova Sot)