Editoriali: Oligarkët u tremben zgjedhjeve

  • 25 October 2016 - 17:08
Editoriali: Oligarkët u tremben zgjedhjeve

Në Lituani zgjedhjet i fitoi Partia e Bujqve, e cila dikur kishte vetëm një përfaqësues në Parlamentin e këtij vendi. Votuesit atje, të vetëdijshëm për pagat e ulëta, largimet nga puna, krizën ekonomike, i rrëzuan nga pushteti socialdemokratët. Ndryshimi, pra, është gjithnjë i mundshëm dhe kjo vlen natyrisht edhe për Kosovën, ku zërat për zgjedhje të reja po shpeshtohen. Megjithëse ka një dozë joserioziteti, sidomos në deklarimet e liderit të PDKsë, sinjalet janë të qarta për të gjithë ata që duan t'i shohin në mënyrë objektive zhvillimet në radhët e koalicionit. Kryeparlamentarit të lodhur me agjenda protokollare të parëndësishme duket se nuk po i pritet sa ta prishë këtë Qeveri, në përpjekje për të marrë timonin e ekzekutivit. Por, në këtë tentativë të tij, që mund të rezultojë efektive, sepse shteti i kapur nga SHIK-u gjithnjë është në funksion të kreut të nëntokës, befasitë nuk mund të mungojnë. Vetëm nëse votat do të vidhen dhe do të blihen, atëherë mund të qëndrojë tallja e liderit të SHIK-ut se "me këtë opozitë qëndrojnë edhe 50 vjet në pushtet". Kosova nuk e ka një Parti të Bujqve, si në rastin e Lituanisë, por mjafton një qartësim alternativash dhe programesh, një fokusim te ekonomia dhe mirëqenia, arsimi e shëndetësia, bujqësia e blegtoria, sporti e kultura, që votuesit të dërrmojnë partitë e mëdha, të cilat definitivisht e kanë humbur besimin e elektoratit. Vështirë të gjesh qytetar të kënaqur me këtë qeverisje. PDK-ja e LDK-ja nuk e durojnë as vetë njëratjetrën, por lakmia për pushtet i mban bashkë, sa ta bëjnë rrush e kumbulla buxhetin dhe pasurinë publike. Edhe zërat për zgjedhje, qoftë nga pozita apo opozita, nuk tregojnë për ndonjë projekt të ri në favor të qytetarëve. Çdo gjë që e sajojnë në prapaskenë liderët aktualë, e bëjnë për interesin e tyre personal dhe aspak për interesin publik. Por, ndryshimi kësaj radhe do të varet shumë nga votuesit e shkelur e të tradhtuar, të cilët, me siguri, nuk do t'i "qerasin" më me vota oligarkët e Kosovës. 

(Kosova Sot)