Editoriali: Ikje nga përgjegjësitë ligjore dhe kushtetues

  • 13 February 2017 - 17:02
Editoriali: Ikje nga përgjegjësitë ligjore dhe kushtetues

Qeveria vazhdimisht po arsyetohet për bllokimin e dy marrëveshjeve, që kanë dominuar agjendën politike gjatë dy viteve të fundit. Duke akuzuar opozitën për kundërshtimin e ashpër, e deri te gazi lotsjellës, ekzekutivi nuk duhet të harrojë një fakt tepër të rëndësishëm. Koalicioni aktual, PDK-LDK-Lista Serbe, i ka mbi 80 deputetë, që mjaftojnë për të ratifikuar marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Këto vota, gjithashtu, mjaftojnë edhe për ta themeluar Ushtrinë e Kosovës, pasi kushtet për transformimin e FSK-së në FAK janë përmbushur tashmë.

Por as opozita nuk mund t`i ikë përgjegjësisë që ka. Qytetarët po mbesin të getoizuar dhe përgjegjësia bie edhe mbi opozitën. Mirëpo, pyetja që shtrohet është se përse krerët e koalicionit nuk po arrijnë t'i bindin deputetët e tyre të zhbllokojnë marrëveshjet në fjalë? Këtu bëhet fjalë vetëm për interesa tepër personale dhe askujt prej partive, në pozitë e opozitë, nuk i bëhet fare vonë pse zvarriten proceset jetike, pse Kosova mbetet e getoizuar, ekonomikisht e pazhvilluar, larg BE-së, dhe kosovarëve u refuzohen vizat. Politikanët nuk kanë probleme me viza, por qytetarët e thjeshtë ballafaqohen me të tilla probleme pa ndërprerë.

Në Kuvend ndonjë deputeti të pozitës i intereson të mos i prish punët me votuesit që ka në zonën kufitare me Malin e Zi, sepse një votë pro marrëveshjes së Demarkacionit mund ta njollosë për edhe tradhti kombëtare. Megjithatë, në çdo variant, Qeveria me shumicën e vet që ka në Kuvend është përgjegjëse t'i çojë në fund proceset e nisura. Kosova nuk mund të mbetet peng, për vite të tëra, i një gjendjeje absurde, për shkak se personat përgjegjës, sipas ligjeve dhe Kushtetutës, nuk janë të zotë të bëjnë punët për të cilat janë votuar.

(Kosova Sot)