Editoriali: Pajtimi, ky mision i (pa)mundur

  • 14 February 2017 - 16:55
Editoriali: Pajtimi, ky mision i (pa)mundur

Çdo nismë, që synon pajtim dhe zbardhje të së vërtetave, sado të hidhura të jenë ato, është e mirëseardhur, edhe pse kur vjen nga personalitete të pasinqerta politike, gjithnjë tingëllon më e zbehtë. Por, duke mos u marrë shumë me nismëtarin, së pari nuk mund të anashkalojmë faktin se është një hap tepër i vonuar. Një mekanizëm i ngjashëm pajtues është dashur të krijohet të paktën para fillimit të dialogut me Serbinë.

Si shumicë shqiptare, edhe pse Serbia shoviniste refuzon të kërkojë falje për krimet monstruoze në Kosovë, kemi detyrim që jo vetëm ligjërisht të garantojmë të drejtat e pakicave etnike, por edhe në aspekte të tjera praktike. Edhe pse terreni minoritar ka qenë i vështirë që nga pas lufta, e sidomos pas trazirave të marsit 2004, për fat të keq, përpjekjet institucionale e politike gjithashtu kanë qenë të pamjaftueshme. Si rrjedhojë, pushteti paralel, i paligjshëm, i sponsorizuar nga fqinji serb, e ka thelluar hendekun mes shqiptarëve dhe serbëve, prandaj sot kur shkon në komunat me shumicë serbe të duket se je në Serbi, sepse nuk sheh asnjë shenjë të Republikës së Kosovës.

Nëse Komisioni për Pajtimin dhe të Vërtetën synon të afrojë njerëzit, në anën tjetër kemi Asociacionin, që refuzohet nga shumica, por kërkohet me ngulm nga serbët. Nismat për pajtim do të duhej të harmonizoheshin edhe me proceset politike, sepse kështu rezultatet mund të jenë të pritshme. Sidoqoftë, duke e ditur seriozitetin e pakët të institucioneve tona, nuk mund të shpresojmë shumë as në këtë Komision, në të cilin mund të rehatohen për mëditje e bonuse njerëz partiakë, siç ndodh rëndom në forume të ngjashme. Pajtimi ndëretnik është i domosdoshëm, por për rrethanat e Kosovës, pajtimi kryesor duhet të ndodhë mes vetë shqiptarëve. Pa ndryshuar mentaliteti politik, qeveritar, arrogant, nuk mund të presim pajtim në radhët e shumicës. Dhe, ky është pajtimi kryesor, pa e mohuar rëndësinë e pajtimit me pakicën serbe. 

(Kosova Sot)