Editoriali: 9

  • 16 February 2017 - 17:16
Editoriali: 9

Përvjetorët janë rast për të festuar, për t'u gëzuar, për t'u ndier mirë, por vështirë se mund t'i kesh këto ndjesi në rastin e përvjetorit tonë të nëntë të pavarësisë. Jo për shkak të vlerës së ditës së veçantë e të rëndësishme, por për shkak të atyre pushtetarëve bajraktarë që kanë vendosur të na i prishin edhe festat, edhe shtetin, edhe jetën. Rrallëkush ka një vlerësim pozitiv sot në Kosovë për situatën aktuale dhe qeverisjen. Çdo sondazh tregon rënie të besueshmërisë dhe kënaqshmërisë me punën e institucioneve. Zakonisht, me rejtingun më të ulët janë organet e drejtësisë. Në një vend demokratik, ku nuk je i sigurt se do të trajtohesh në mënyrë të drejtë para ligjit, qytetari ndihet gjithnjë i pasigurt. Në këtë 9-vjetor, Republika mbetet edhe më e kapur se vjet, edhe më e pazhvilluar si një vit më parë. Kosovarët vazhdojnë të arsimohen dobët, të konsumojnë ushqime të dyshimta, që kryesisht vijnë nga importi. Cilësia e shëndetësisë është më skandaloze se kurrë. Si për ironi, për këtë nivel shëndetësor, qytetarët do të detyrohen të paguajnë në emër të premiumeve për sigurimet shëndetësore. Nuk dihet se çka përfiton qytetari. Shteti vazhdimisht rrit taksa e tatime, për të mbajtur të mbushur arkën e shtetit, ani pse e pëson populli. Sivjet jemi më të varfër se vjet, më të pashpresë së një vit më herët. Mos të flasim për izolimin. Jemi shteti i vetëm në rajon, që nuk kemi përfituar nga liberalizimi i vizave. Në momente të caktuara ka ngjarje që na ngrohin, si ndonjë medalje e artë e Majlinda Kelmendit, por këto janë suksese gjithsesi individuale, që nuk mund ta mbulojnë degradimin që e ka përfshirë Republikën. Korrupsioni është i kudogjendur dhe nëse nuk jep ryshfet nuk kryen dot punë. Në këtë 9- vjetor e shohim sesi janë të njëjtët oligarkë që na udhëheqin, prandaj kemi arsye për të mos shpresuar se me ta mund të bëhet ndryshimi. Vërtet jemi shtet i ri, por kemi mundur të bëjmë shumë punë më të mira e ta justifikojmë mbështetjen e botës për pavarësinë tonë!

(Kosova Sot)