Editoriali: Protesta kundër sundimit të inkriminuar

  • 20 February 2017 - 17:10
Editoriali: Protesta kundër sundimit të inkriminuar

Kur Qeveria qendrore dhe qeveritë komunale, ku prin kjo e Prishtinës në kryeqytet, vendosen e vihen në shërbim të plotë vetëm të mafio-oligarkëve të inkriminuar, të grupeve kriminale, të klaneve që zhvatin e duan të zhvatin kriminalisht në mënyrë të organizuar pasuritë publike, nuk ka më arsye për të heshtur dhe për të pritur se mund të ndodhë vetvetiu ndonjë ndryshim pozitiv. Gjendja e tillë është në vendin tonë, ku pushtetarët të veshur me pushtet janë në dispozicion të super të pasurve të inkriminuar, banditëve të politikës dhe mafio-oligarkëve korruptues, të korruptuarve të drejtësisë, ndërsa ata që e durojnë dhe e pësojnë për shumë vite kërbaçin e regjimit sundues, nga të dy nivelet e pushtetit, janë qytetarët dhe bizneset e palidhura kriminalisht me pushtetarët. Tani ata do të duhej të mos rrinin duarkryq, por të reagojnë dhe të ushtrojnë presion mbi sunduesit e egër, që vetëm po i ashpërsojnë veprimet e tyre.

Këtë situatë të rëndë e ka kuptuar në Shqipëri e djathta në opozitë, e cila ka nisur një protestë që duket se do të vazhdojë deri në realizimin e qëllimit kryesor, përmbysjes së Qeverisë aktuale socialiste. Ardhja në pushtet e Edi Ramës kryeministër kishte ngjallur shpresa se Rilindja e tij do t'i përshpejtonte reformat në Shqipëri dhe do t'ua kthente qeverisjen qytetarëve, por nuk ndodhi kështu. Kryeministri shqiptar, që shpesh po shihet edhe në Kosovë, i rrethuar nga figura tepër të dyshimta, po luan në klanin e miliarderëve të inkriminuar shqiptarë e kosovarë, duke harruar të varfrit, të papunët, të pashpresët dhe premtimet që kishte dhënë. Protesta civile në Shqipëri, pa përdorim të dhunës, mund dhe duhet të jetë motivuese edhe për Kosovën, por problem i vetëm është se pakënaqësitë e thella popullore po keqpërdoren nga partitë që synojnë pushtetin. Më e mira do të ishte që vetë qytetarët, në masë të madhe, ta shprehnin revoltën e tyre të pandikuar nga askush, të papolitizuar, por kjo është thuajse e pamundshme në terrenin tonë.

Partitë përzihen gjithkund, prandaj edhe një protestë e tillë masive kundër keqqeverisjes, korrupsionit e krimit të organizuar, padrejtësive, vështirë se mund të mbetej e pavarur. Por, gjithsesi, vendi ka nevojë për reagim të fortë dhe gjithëpopullor, sepse njerëzit janë lodhur me mashtrime e bllokime qeveritare në zhvillimin ekonomik, premtime të parealizueshme, shkelje të të drejtave themelore. Sa më shumë heshtim ndaj sunduesve të inkriminuar, aq më tepër sundimi do të rëndohet mbi qytetarët.

(Kosova Sot)