Editoriali: Shpend, jep dorëheqjen

  • 27 March 2017 - 16:51
Editoriali: Shpend, jep dorëheqjen

Publikimi i një fotoje, ku shihet kryetari i Prishtinës në një jaht luksoz, ka nxitur debate të menjëhershme, deri edhe në kërkesa nga vetë mbështetës të protagonistit për të dhënë dorëheqje. Siç raportojnë mediet, jahti milionësh rezulton të jetë pronë e oligarkëve 'Devolli", të njohur për afërsinë e tyre me pushtetin dhe monopolet në biznes, falë këtyre lidhjeve. Ngjitja e Shpend Ahmetit në krye të kryeqytetit, duke valëvitur flamurin e "Vetëvendosjes", erdhi në saje të premtimeve për një qeverisje të pastër, të pakorruptuar, jo klienteliste, por ecuria e këtij mandati e dëshmoi të kundërtën. Ish-aktivisti i shoqërisë civile bashkë me shokët e tij të "idealit", Korporatën "Devolli", e kishte pasur sponsor në fillet e jetës politike me "FER"-in e dështuar, ndërsa në Lëvizjen "Vetëvendosje" duket se i ka ruajtur lidhjet me bizneset e famshme për "mbushje gushe". Jahti është vetëm një dëshmi, sepse fakte të tjera ka plot dhe janë të njohura për publikun.

Shëtitjet në jaht janë luks i të pasurve dhe sigurisht, qoftë edhe një kryetar komune me një mijë euro rrogë, nuk mund të përballojë një argëtim të tillë.Është e ligjshme, pra, të supozojmë se ka një lidhje klienteliste, çka do të thotë "i pastri" i komunës i ka ndyrë duart gjatë qeverisjes së kryeqytetit. Fatkeqësisht, kjo është dëshpëruese për të gjithë ata që i besuan, të cilët e humbasin shpresën se do të dalë një ditë ndonjë politikan që s'shitet. Pra, Shpendi dhe të gjithë Shpendët, bashkë me ata të njohurit tashmë, Hashimët, Kadritë, Isët etj., të cilët janë të lidhur me Devollët, luftojnë që një ditë të ulen në jahtin luksoz. Këtë nuk e bëjnë për votuesit, as për popullin, as për kombin, as për Republikën, as për zhvillimin ekonomik, as për arsimin, as për shëndetësinë, as për kulturën, as për sportin, as për fëmijët, as për të moshuarit, as për gratë, as për të rinjtë.

E bëjnë për veten, për familjet e tyre, duke shpërdoruar pozitën dhe fondet publike. Të tillët si Shpendi, i korruptuar, mashtrues e gënjeshtar, pa edukatë, pa etikë e integritet, e meritojnë, një orë e më parë, të largohen nga zyrat e zaptuara të shtetit, para një urdhri institucional për ndalim! Jep dorëheqjen, Shpend!?

(Kosova Sot)